Cikël poetik nga Eva Kacanja

Dashuria është një bimë …

 

Nuk mundet të dashurojë kushdo.

Ai që e mbart këtë ndjenjë është i përzgjedhur nga I Gjithëpushtetshmi.

Vetëm një human me botë të madhe mund të zhytet në hullinë e dashurisë,në rrënjët dhe degët e saj,në petalet dhe gjembat e saj.Vetëm një zemër rebele dhe e pastër mund të ngrihet mbi veten e të sakrifikohet për hir të dashurisë.Vetëm një mendje e kthjellët nuk i vë fre dashurisë qe lind nga yjet ose nga dhimbjet e tokës.

Dashuria nuk është të ngopesh me cokollata.

Dashuria është të ngjyesh bukën me kripë e vaj dhe të fshish lotin tek syri i dashur.

Dashuria nuk është të të duan.

Dashuria është të duash,  dhe në tërë hapësirën tënde që i Gjithëpushtetshmi të ka falur ,t’ia bekosh e puthësh çdo grimcë ajri.

Dashuria është një bimë:Një bimë e blertë dhe e shëndetshme që rritet në ujësinë e shpirtit…

 

 

eva kacanja

     Eva   Kacanja

 

 

 

 

Veç të isha unë një farë

 

Po të isha unë një farë,

Brenda teje do të mbija,

Nëpër gjak do të levrija,

Rrënjët shtruar ëndje-ëndje,

Do të lulëzoja në gojën tënde,

Në veshin tënd do të kumboja,

Do të vesoja në dritë të syve,

Vec të isha unë një farë,

Pa  të vinte vjeshtë e verdhë,

E të na korrte bashkë të dyve!

 

 

 

Iku gjumi bashkë me gushtin

 

Përpëlitem ta puth vargun,
Që ta bind të rri me mua,
Por ai ma ndez gjakun,
Vec kur del nga buz’t e tua.

 

E tërheq brenda vetes,
E përkëdhel me dashuri,
si damar i blertë i gjethes,
Ai fryhet,çel te ty.

 

Iku gjumi bashkë me gushtin,
Vjeshta rrjedh në uj’ të ri,
Buz’t e mia presin mushtin,
Të ma kthesh ne poezi!

 

 

 

Betuar në Sarisalltik

 

Unë mund të vdes në parfumin tënd,

Në erën tënde mund të mpihem e tëra,

Si koral të skuqem kur frymen të më zërë,

Të lind përsëri e te mos them “cfarë bëra!”

 

Nën lëkurën tende si gjaku lëvrij,

Lotin e gëlltis t’ mos qaj para teje,

cigarja harruar digjet në gishtrinj,

C’ishte kjo mërzi si shkreptimë rrufeje?!

 

Unë qaj e pihem në kristal të gdhendur,

Aty ku më ngrite ti në piedestal,

Zemra ngadalëson,shpirti më është mekur,

Endrra po dridhet si lulja në mal.

 

Unë mund të vdes në parfumin tënd,

Në lëkurën tënde të ngjallem përsëri,

Se ne u betuam,atje brenda n’shkëmb,

Ti je Unë e Unë jam vec Ti!

 

 

 

N’prag…….

 

Kur e shkel at’prag

e kurrizin kthen,

Tmerri më hedh lak

Fjalën ma mbërthen.

 

Hapat kur i zbret

një nga një ndër shkallë,

Nata gazin vret,

dhoma bëhet varr.

 

A s’jam une jotja erë,

Fryma qe te ngroh?!

Si shkon,si më le,

S’më sheh e s’te shoh.

 

Ku shkon,a s’më thua

a s’jam gjaku yt,

Kocka që të ther,

brenga që te mbyt?!

 

Ku shkon,a s’mëthua

Zemra si të thotë?

Këmba si të shkel

mbi ëndrra e lot?!

 

Kur e shkel at’prag

gati për të ikur,

ora pikon gjak,

shpirti mbetet fikur!

 

 

 

Mall…

 

Me tragetin e reve nisem jashtë orarit,

Të prek atë dorë që më fton drejt qiellit,

Gulcoj si zgalem në stuhinë e mallit,

S’po mundem të mberrij në bregun e diellit.

 

Nuk i trembem udhës,enigmës a dyshimit,

Direku i zemrës më prin nga e mbara,

Në sy më rrëzellen drit’e besimit,

Me etjen per Ty ia nis nga e para!

 

 

 

Muza ime

 

Në gishtrinjtë e natës rruazoj mendimet,
Ngadalë tek e tek ,e mencur si muzë,
Por në fund ngatërrohem me fjalët e kujtimet,
E rendi i nisur më bëhet terkuzë.

Puthjet e tua rruazoj mes lotëve,
Ngadalë tek e tek, si perlat në det,
Urë të fildishtë ndërtoj mes dy botëve,
Me vargje e thur dëshiren që djeg.

Vesën rruazoj pik-pik mbi qerpik,
Nëpër maja gjethesh kur zbardhet mëngjesi,
Toka ngrohet këmbës nën hapin lirik.
Dielli flokët në të artë m’i ndezi.

Ditët rruazoj në pritje pa fund,
Muza dhe shkatrrimi vallëzojnë me mua,
Mëkati i ëmbël kufijtë m’i lëkund,
Se në botën time vetëm Ty të dua!

 

 

 

Kur ti shkon

 

Unë dhemb,
Në dorën tënde kur dridhem si flutur,
Në puthjet e nxehta kur digjen pendesat,
Në syrin tënd kur ndihem e bukur.

Unë dhemb,
Kur fjala gjilpon si hala në pishë,
Kur trupi drithëron në përqafimin tënd,
Kur porja ngrohur celet nën këmishë.

Unë dhemb,
Kur shtrëngimit kercasin gjymtyrët e mia,
Kur floku ngatërrohet në fill  të dashurisë,
Kur Mëkati pushton më fort se Perëndia,
Kur si jele e bardhë flladitem Lirisë.

Unë dhemb,
Më shumë dhemb,
Kur nata  kurrizin tinëzisht ma kthen,
Kur ti shkon më shpejt se sa vjen!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s