Kostaq Duka: Letërsia është bashkëshoqëruese e dhimbjeve dhe gëzimeve / Bisedoi: Raimonda Moisiu

Kostaq-Duka

Kostaq Duka: Letërsia është bashkëshoqëruese e dhimbjeve dhe  gëzimeve

Gjatë “udhëtimit” të jetës ndodhin ndryshime të rëndësishme dhe nisur nga atmosfera e këtyre ndryshimeve progresi i letërsisë bashkëkohore na ka dhënë temat kryesore në literaturë, mënyrën dhe format e reja të njeriut modern me botën e tij të brendshme, ndjenjat, motivet sociale, gjuhën letrare, letërsinë e reformuar, humanizmin, miqësinë e respektimin, hapjen e tyre ndaj të gjitha gjinive, krijime të cilat identifikojnë vlerat e vërteta të një krijuesi që jeton brenda detajit artistik. Duke ndjekur nga afër angazhimin letraro-artistik, në gjini të ndryshme të e autorit Kostaq Duka, vërejmë se ai ka merita të veçanta duke luajtur një rol të rëndësishëm si poet, prozator dhe publicist. Kjo është një nga arsyet që më bëri mua të hyj në dialogun intervistues me krijimtarinë e tij, për të kërkuar dhe gjetur ndërthurjen e rrymave në gjendjen kulturore, psikologjike, formimin e tij letrar, fenomene këto të botës shpirtërore të binomit njeri-krijues! Pikërisht gjatë këtyre viteve në emigracion poeti dhe publicisti Kostaq Duka ka manifestuar krijimtari artistike të larmishme, të vlerësuar, vetëdijen estetike, i vet-ndërgjegjshëm në mesazhin e figurave e personazheve të përshkruara e realizuara prej tij, të domosdoshme ndaj njohjes më të thellë të sekreteve të jetës e artit letrar, zbërthimin me mjeshtëri të botës së brendshme njerëzore, mundësinë për të komunikuar me të nëpërmjet poezisë, prozës dhe skicës, duke na dhënë kështu vepra të spikatura dhe interesante të fjalës së bukur dhe mendimit filozofik. Andaj detyrë parësore për të gjithë krijuesit e mërguar është se; janë ata që me fjalën e shkruar, mendimin filozofik, intelektual e qytetar të lartësojnë ndërgjegjen dhe kulturën e kombit, të integrojnë trashëgiminë kulturore në forma e përmbajtje të ndryshme. Publicisti dhe poeti i njohur Kostaq Duka ka lindur në vitin 1952 në qytetin e Korçës. Diplomuar në filozofi, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike në Universitetin e Tiranës. Ka ushtruar për një kohë të gjatë profesionin e gazetarit. Pasion i perhershëm në krijimtarinë letrare kanë qenë poezia dhe drama, vënë në skenë nga teatri “A.Z.Çajupi” dhe trupa të tjera teatrore të qytetit të Korçës. Prej vitit 2000 jeton me familjen në Çikago, Illinois. Ne vitin 2008 fitoi çmimin e parë në prozë në konkursin e zhvilluar në Ditët e Letërsisë Shqipe në Miçigan dhe në vitin 2009 çmimin “Gjergj Fishta” në poezi. Ne vitin 2012 u nderua me çmimin “Dritëro Agolli” për vëllimin me poezi “Ne dy hapësira” nga Elita-Letra-Art Korçë.

 

1-raimonda

Bisedoi: Raimonda Moisiu

 

 

Një karrierë mbresëlënëse e juaja si poet, dramaturg,prozator e publicist. Ç’mund të na thoni si filloi karriera tuaj ?Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?

 

Le të kthehemi gati 50-të vite më parë në moshën e adoleshencës, kur gëlojnë papushim ëndrra të bukura e fantazi gati të marra për të ardhmen. E doja matematikën e fizikën. Merrja pjesë në konkurset në Korçë e fitoja. Më inkurajonte në dashurinë për matematikën e fizikën mësuesi kujdestar i paharruari Gavril Kolaci e më tej në vitet e gjimnazit mësuesi i shquar i lëndës së fizikës Ilia Tili. Por si “vjedhurazi” shpirtin tim rinor po e rrëmbente bota e artit. Gjimnazi “Raqi Qirinxhi” vazhdues i ish Liceut të Korçës që për një kohë në vitet 60-të përfshinte edhe klasat e tetëvjeçares ziente nga veprimtaritë artistike. Promotor ishte profesori i letërsisë Vangjush Ziko që kishte përfunduar studimet e larta për letërsi në Institutin “Gorki” në Moskë. Vënia në skenë në ato vite në teatrin”A.Z.Çajupi , kur isha ende fëmijë, e pjesës teatrale-muzikore kushtuar liceistëve të Korçës me libret të Vangjush Zikos dhe regji të mjeshtrit Sokrat Mio, dilpomuar në Francë, ishte hapi i parë në kontakt me botën magjepse të artit. Në shfaqje merrja pjesë si recitues i poezisë së njohur të Naim Frashërit kushtuar Korçës, vatër e arsimit,dijes e kulturës. Këtu fillon dhe dashuria për poezinë, letërsinë e artin që u kthye në motivi kryesor në jetën time.

Vazhduat të ngjiteni në skenë si recitues?

Po. Veprimtaria recitative ne vitet 60-70-të ishte shumë e gjallë. Pranë pallatit të kulturës ishte një rreth i recituesve që drejtohej nga Artisti i Popullit Dhimitër Orgocka. Me Edmond Budinën, aktorin, regjisorin dhe producentin e njohur në kinematografi, në ato vite shokë gjimnazi, Dhimitrin e kishim idhullin tonë dhe e ndiqnim në gjithë veprimtaritë e tij teatrore dhe recitative. Ato vite në Korçë u zhvillua një konkurs i të rinjve në artin recitativ. Edmond Budina meritoi vendin e parë ndërsa unë të dytin.

 

Po pse s’e vazhduat rrugën së bashku me Edmondin për t’u bërë aktor por mbaruat studimet për Shkencat Politike-Juridike në degën e Filozofisë?

 

Është histori e gjatë. Kur e kujtoj ve buzën në gaz, e them: si është jeta?! Shkurt. Të dy me Mondin u përgatitëm nën kujdesin e Dhimitër Orgockës. Do të shkonim në Institutin e Lartë të Arteve pas klasës së njëmbëdhjetë. Diplomën e maturës do e merrnim duke qenë studentë të vitit të parë. Por kur po afrohej dita, mësuesi im i shtrenjtë i gjimnazit Gavril Kolaci, më kërkoi e më vuri me takt para dilemës së madhe: “Nuk kam asgjë për zgjedhjen që ke bërë, por e ke peshuar mirë?” Foli pak. Por sa shumë më tronditi. Vërtet a i kisha të dhënat e plota për një aktor me të ardhme?! S’vura gjumë në sy një natë të tërë. Të nesërmen e takova Dhimitrin dhe i bëra pyetjen: Dua të di realisht a mund të bëhem aktor i vërtetë? Ai buzëqeshi. Pastaj u mendua pak. Dallova mëdyshjen. “Si të them. Por kam frikë se je pak i shkurtër”. U skuqa deri në përvëlim. E ndjeva se kjo ishte përgjigja që mund të më lëndonte më pak. Ja kështu Monda.

Le të kthehemi përsëri në letërsia, hapat e parë, botimet e para.

Nuk e harroi atë moment kur profesor Vangjush Ziko më këshilloi t’i mblidhja poezitë e shkruara në një fletore dhe t’ia çoja. Inkurajimi i tij më bëri me krahë. Profesori, i njohur për përkujdesjen, këtë fletore ma ktheu pas gati dhjetë vitesh kur unë 24 vjeçar promovova në Korçë librin e parë me vjersha e poema “Thjeshtësi” botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në vitin 1976.

 

M’u kujtua shprehja e një shkrimtari të madh, Stefan King, kur e pyetën: “Se si mund të bëhesh shkrimtar. Ai u përgjigj –“merrni ndër duart tuaja libra të shkrimtarëve të tjerë dhe lexoni çdo gjë të tyre, –mos mendoni jo vetëm si të shkruani libra.” A ndani të njëjtën filozofi me të?

 

Pa dyshim. Por në lexim ka shumë rëndësi përzgjedhja. Mjeshtrit edukojnë lexuesit e kthehen në shkollë për krijuesit e rinj, shkrimtarët e këqij prishin shijet e çorientojnë krijuesit, për më tepër indirekt lenë të kuptohet se të shkruarit qenka “gjëja më e lehtë” Ne të rinjtë e viteve 70-të kemi pasur fatin e madh të ishim lexuesit e parë të veprave të porsabotuara të mjeshtrave të fjalës poetike Ismail Kadare,Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Ndoc Gjetja, Musa Vyshka, Koçi Petriti. Lanë mbresa me botimet e para dhe bashkëmoshatarët Roland Gjoza, Rudolf Marku, Agim Isaku, Petraq Risto dhe Bashkim Hoxha, studentë në Tiranë dhe Skënder Rusi e Visar Zhiti në Shkodër. Por përveç leximeve ndikim ka edhe klima letrare që në një qytet si Korça nuk ka munguar në ato vite. Dëgjimi nga afër i shkrimtarëve të afirmuar si Sotir Andoni, Vangjush Ziko, Teodor Laço, Petraq Zoto, Arsinoi Bino, Nella Sinaeri, Andon Mara, Petraq Samsuri, Guri Miçinoti e të tjerë linin gjurmë tek ne të rinjtë. Kjo klimë nuk na mungoi edhe si studentë. Dhe guxuam të shkruajmë e të botojmë. Mos harrojmë të botoje qoftë edhe një poezi pa le një cikël në “ Zëri i Rinisë” e sidomos në “Drita” ishte ngjarje e vërtetë. Sot interneti ka hapur dyert kat e kat, ose më thjesht është pa dyer dhe krijon mundësi e lehtësi publikimi. Kjo lehtësi teknologjike është gjë e mirë por jo çdo gjë që shfaqet mban erë art. Dua të theksoj se në vitet e gjimnazit ëndrrën për letërsinë e ndaja me veçanti me shokun tim të klasës aq shume pasionant dhe energjik pas letërsisë, shkrimtarin, humoristin dhe publicistin Vangjush Saro. Ai ishte lexuesi e kritiku i parë i krijimeve të mija.

 

Si e kujtoni botimin e poezisë së parë?

 

Isha 16 vjeç kur botova së pari në “Zëri i Rinisë”.Ishte një poezi e shkurtër kushtuar Shqipërisë. Në po atë faqe botoi dhe treshja e famshme nga Durrësi, Bashkim Hoxha, Petraq Risto dhe Ilija Dede, me të cilët u lidha aq shumë kur ata studionin për gazetari dhe unë për filozofi.

Me sa kuptoj ata ndoshta u inkurajuan të përfshiheshit në rrugën e gazetarisë që për ju u bë profesioni kryesor në jetë?

 

Jo. Me këta miq më shumë bisedonim për letërsinë. E vërteta është se ai që më ka nxitur e inkurajuar për të “tradhëtuar” filozofinë e për të ushtruar profesionin e gazetarit për më shumë se njëzet vite, ishte shoku i dhomës, i talentuari e njeriu me zemër të madhe gazetari e shkrimtari Ndue Lazri. Një e dy më jepte tema e më tërhiqte pas vetes në “Zëri i Rinisë” apo gazeta “Bashkimi”.Veçanërisht në fushën e publicistikës pranë kam ndjerë e vazhdoj të ndjej këshillën e mikut tim ekonomistit e pedagogut Koço Broka.

 

Diku përmendet që në moshën 24-vjeçare botuat librin e parë me vjersha e poema po drama e parë a la gjurmë tek ju për t’u bërë shtysë për të tjera krijime?

 

Padyshim. Drama titullohej “Provimi i vështirë”. U vu në skenë nga studioja për aktorë që ishte pak a shumë pjesë përbërëse e teatrit “A.Z. Çajupi” me regji të Petraq Marjanit. Kjo dramë u hapi udhë dramave të tjera me të cilat jam nderuar edhe me çmime në festivalet teatrore të Korçës. Por sukses të veçantë arriti drama “Përtej vetes” fryt i një bashkëpunimi të ngushtë krijues me regjisorin Dhimitër Orgocka. E veçanta është se kjo dramë u dha në mbyllje të punimeve të Konferencës Kombëtare të Talenteve të Reja me pjesëmarrje të gjerë të krijuesve, në tetor të vitit 1990. Interpretuan të paharruarit aktorët e shquar, Artistë të Popullit, Dhorkë Orgocka dhe Stavri Shkurti si dhe Mirjana Deti, Guri Koço, Sotiraq Bratko, Petrika Riza dhe Fotaq Xheka.

 

Po më tej e vazhduat rrugën e dramës?

 

Pas saj erdhën ngjarjet e vrullshme. Teatri u zhvendos në rrugë e sheshe. Më përfshinë zhvillimet politike. Për vitet 1991-1993 isha kryetar i PS për Korçën dhe njëkohësisht gazetar i “Zërit të Popullit”

 

Pra ju e latë pas letërsinë?

 

Asnjëherë nuk ka ndarje të vërtetë. Letërsia është bashkëshoqëruese e dhimbjeve dhe gëzimeve, tallazeve shpirtërore. Duket sikur të braktis e rikthehet si nevojë për t’u shprehur. Të tillë e konsideroj të gjithë krijimtarinë pas viteve ‘90-të në poezi, prozë, letërsi dokumetare.

 

Përmendët prozën. Ju në faqet e internetit veçanërisht në “Fjala e lirë”, gazeta “Kritika”, “Zemra shqiptare” dhe shtypit të shkruar keni hedhur mjaft skica dhe tregime të shkurta. Gjininë e skicës e detyruat të vinte tek ju apo është preference e juaja?

 

Është kjo e dyta. Skica, krahas përshkrimit dhe reportazhit ka qenë nga gjinitë më të dashura si gazetar. Them se skica është një e shkrepur blici në një moment tepër të veçantë që shpesh flet sa një roman. Aty nga fundi i viteve ‘80-të, në Konkursin Kombëtar për publicistikë u nderova me çmimin e tretë pikërisht në gjininë e skicës. Pas vitit 2000 kur mbërrita në Amerikë nevoja e të shprehurit më nxiti t’i rikthehem skicës dhe të lëvroj tregimin e shkurtër.

 

E vlerësoni të frytshme krijimtarinë në emigracion?

 

Mendoj se po. Të jetuarit me shqetësimet e emigrantit, fillimisht në Greqi, pas vitit 1993 i dha udhë botimit të librit me poezi “Flas me barin” në vitin 1998 botuar në Libraria Kotti, ndërsa këtu në Amerikë ku jetoj në rrethinat e Çikagos për gati 15 vite së bashku me familjen kam botuar vëllimet me poezi “ Trëndafili që çelte në Janar” botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” në vitin 2008, “Në dy hapësira”  botuar nga Enti Botues “Dija Poradec” në vitin 2012, i cili u nderua me çmimin “Dritëro Agolli” nga Elita-Letra- Art në Korçë si dhe vëllimin në prozë të shkurtër “Hoteli i fantazmave” botuar nga “Globus. R” në vitin 2010. Në këto vite në Amerikë dhashë ndihmesë si bashkautor dhe redaktor për librin “Qyteza dhe njerëzit e saj” përgatitur nën kujdesin e shoqatës qytezare “Përparimi” në Çikago, shoqatë që ka mbi 90 vjet jetë. Ky libër u përkthye dhe u botua edhe në gjuhën angleze. Të dy botimet shqip dhe anglisht u realizuan nga Shtëpia Botuese “Albin”. Me një grup miqsh, intelektualë të vërtetë Minella Aleksi, Anastas Shkurti, Dritan Papazisi dhe bashkëpunëtorë të tjerë nxorëm për disa vite revistën me ilustrime “Rreth Nesh” me mbështetjen e pakursyer financiare të shqiptaro-amerikanit me origjinë nga Qyteza e Korçës, Nick Vangel. Kam marrë pjesë me krijime në poezi dhe në prozë edhe në disa botime me mjaft autorë të tjerë emigrantë, si “Zemra prindërore”, “Pena të gazetarisë shqiptare në diasporë” etj. Aktualisht jam në prag të botimit të dy vëllimeve, një me poezi dhe një tjetër në prozë.

 

Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo ato janë thjesht pjellë e fantazisë?

 

Prirem nga dukuritë që ka afruar jeta në të shkuarën dhe në të tashmen, në lëvizjen e saj. Subjektet, detajet artistike, atmosfera e gjithçka tjetër aty marrin jetë, nëpërmjet analizës e mendimit. Gjithçka e mendoj dhe e përpunoj në dialog me veten para se të ulem të shkruaj. Më duket i vështirë çasti i zbardhjes, i hedhjes në kompjuter apo letër, i krijimit që më tundon. Më duket se pas kësaj mund të formësohet diçka jo ashtu si e dëshiroja.

 

Shquheni në prozë për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Çfarë iu tërheq më shumë nga realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht?

 

Mendoj se si poezia edhe proza duhet të kenë një mesazh a nëntekst të natyrës filozofike ose më thjesht që të ve në mendime. Jetën e jetojmë të gjithë po këndvështrimi artistik i jep asaj ngjyra e përthyerje gati tjetërsuese me forcë joshëse e tronditëse. Pikërisht mprehja e shikimit dhe mendimi i avancuar filozofik, në kushtet e lirisë mendoj se është dallimi kryesor me letërsinë e realizmit socialist që të detyronte partishmëri dhe aty ku flitej thjesht për bukurinë e ndjenjës së dashurisë.

 

Si mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot?

 

Mendoj se ka njerëz të mençur dhe intelektualë shumë të përgatitur në universitet e Shqipërisë dhe ato të perëndimit por zëri i tyre është sporadik, i pastrukturuar në një rrymë autoritare që u ve vulën krijimeve që sot janë të shumta.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s