Poezi nga Xheladin A. Çitaku

Xheladin -2

Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

BORË E IMTË

( Rifreskim kujtimesh në kohë – Dimër, 1999 )

*
Një borë e imtë po bie në qytetin tim
e rrugët e pluhurosura po i përbaltë
paska filluar, shpejtë, që me agim
kushedi a do të pushojë menatë ?

*
Një borë e imtë po bie në qytetin tim
nuk dihet kur do t`ketë të ndalur
njerëzit mbarojnë punë me nxitim
para se nata me tokën të jet falur

*
Një borë e imtë po bie në qytetin tim
e lëshuar nga qielli mbuluar me re
e zogjtë e mbetur kërkojnë ushqim
n`këtë buzëmbrëmje ta fusin n`fole

*
Një borë e imtë po bie në qytetin tim
ndër oxhaqet e nxira fjollat po i tretë
a thua sa vatra kanë ngelur jetim
pa vënë buzmin në oxhakun e vet ?

*
Një borë e imtë po bie në qytetin tim
po zbardhë çatitë, djegur e tymosur
pëclluar në përflakje për këtë agim
që bardhësi e jetës mos ketë të sosur…

 

N`PËRHERËSI FRUSTRIMI

*
Nuk ikën njeriu nga tundim i mallit
babëzia të gjorin n`grykë e ka zënë
ulur këmbëkryq në sofrën e djallit
nuk ka të ngopur e s`do për ta lënë

*
Mendjen ngulfatur n`pranga paraje
shpirtin, një det të ngritur n`tallaze
shtrirë gjithandej në sinore dynjaje
selishta dlirësie vërshuar n`maraze

*
Në portën e mbyllur s`troket më halli
nuk gjenë dot shtigje që t`mari rrugë
dhe, kot fare çirret, n`gurmaz tellalli
racione mirësie nuk i japin më n`lugë

*
Ngarend tundimi për qiell e për tokë
të gjorin njeri e ka kapur ndër leqe
mbërthyer në vetmi pa miq e shokë
qahet se botën e ka zënë kohë e keqe

*
Kohë e njëllojtë ndër orbita marshon
si dje edhe sot, por dhe nesër, patjetër
prijëse për jetën, që kahjen t`i dëfton
e mos të përhumbet në drejtim tjetër

*
S`tundet njeriu nga ëndrrimi, çdoherë
ambicien në horizonte, revan kalëruar
sikur n`përjetësi të lundronte përherë
pa e ngopur, njëherë, egon e frustruar…

 

ORTIQE NË SHPIRTËRA

*
Ortiqe në shpirtëra i kanë mbyllur shtigjet
shtigjet e mirësisë që ngaherë kaptonim
kaptonim vrapimthi herë i zinim brigjet
brigjet e virtytit që n`zemra vendonim

*
Ortiqe të ftohëta nga jashtë e nga brenda
brenda nesh kanë zënë e heqin furtunën
furtunën që ngrinë dhe gjakun ndër vena
vena të mërdhira dhe pse hedhim gunën

*
Ortiqe mashtrimesh mbjellim në kohësi
kohësi e vrerosur na tërheq n`azdisje
n`azdisje gremisur folenë me ngrohtësi
ngrohtësi çiltërsie që lamë në braktisje

*
Ortiqe me trille mbushur plotë bagazhin
bagazhin t`ngarkuar mbi kurriz vetvetes
vetvetes t`pangopur dhënë meny marazin
marazin t`servuar ndër shujtat e jetës

*
Ortiqe hamendjesh rrugëve rrokullisim
rrokullisim prore, nga ecim e bredhim
bredhim në pa cak, n`hakrrima kuisim
kuisim pa takt, dot veten s`e mbledhim

*
Ortiqe trimërie shfryrë nëpër llafosje
llafosje vërshuar, gjithandej përmbytur
përmbytur pa turp mendjet në krekosje
krekosje n`zbraztësi, iluzionesh, zhytur…

 

PANDEHMA KOTËSIE

*
Kush pandeh se je n`hapësira e mote
Zeus në përralla a bajloz i përvëlimit
fytyrë e krekosur n`apoena banknote
a totem amorf në vargje të këndimit ?

*
Kush pandeh se je me sot e me nesër
titan që rrezëllon n`shkëlqime iluzive
a shpërfytyrim në ndonjë lëkurë tjetër
që shpërfaqet botës n`pikturë abusive ?

*
Kush pandeh se je në rrugët e jetës
udhëtar i gjindosur n`shtigje pasioni
majë obelisku në pasqyrim t`vetvetes
a mendje e humbur n`thellësi fiksioni ?

*
Kush pandeh se je mbi faqen e dheut
dragua flakëhedhës a skile mashtrimit
aktor maskaradash në role t`korifeut
a bandill ngulfatur n`lakun e tundimit ?

*
Kush pandeh se je n`analet e botës
ëndrrim madhështie në shpejtësi të erës
a mbret i palëkundur në fronin e gotës
që flatron n`gërhitje ndër avujt e verës ?

*
Kush pandeh se je në këtë katrahurë
shpirtëzim kaosi në dallgëzim vërshuar
a muranë kotësie e bërë gurë mbi gurë
ndër kështjella vesesh ëndërr e flijuar…?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s