Cikël me poezi nga Josif Gegprifti

Josif Gegprifti

Cikël me poezi nga  Josif Gegprifti

 

Pasqyrim i natyrës në vargje

(Sot, më 15.01 2017
Ora 10,38
Në bar-kafe Stockholm-Tiranë).

Disa plepa të argjendëruar,
Të lartësuar,
Të zhveshur, të lagur nga shiu,
Lëkunden e duken sikur vallzojnë,
A thua se dimrin duan të sfidojnë.
Pranë tyre
Një bredh i gjelbër qëndron i heshur,
Bora e ka mbuluar,
Ca arrabela në krahët e tij qëndrojnë.
Bie shi,
Fryn një erë e ftohtë,
Tufa zogjsh në qiell fluturojnë.
Mendoj.

 

Një ndjenjë, një dritë, një pranverë

Ajo që
Shkruaj në vargje,
Është gjithçka e jetuar,
Është një ndjenjë,
Një tingull,
Një zë,
Një dashuri e shenjtëruar.
Është një ndjenjë
Plot dritë në shpirtin tim
Që lindi
Ashtu si lind drita e diellit
Në çdo agim.
Është një ëndërr,
Një pranverë
Që në vargjet e mia flet përherë.

 

Drita me emrin Dashuri!

Kjo dritë pranverore e lulëzuar,
me tingullin e një zëri më ngjan,
eja o dritë e bukur, e ndriçuar,
eja më qëndro sa më pranë!

O zë që zemrën ma ke pushtuar,
të kërkoj, veç një fjalë të kërkoj,
lermë me dritën që shpirtin më ka ndiçuar,
e jetën time ma gëzon.

Kjo ndjenjë e bukur shpirtin më ushqen,
dhe mendja perherë tek ty më rri,
ti dritë je pranvera që shkëlqen
je drita me emrin dashuri.

 

Shpirti pa zjarr, pa dritë

Kisha një shpresë por m’u venit,
si qiri çdo ditë m’u tret,
tani veç dhimbje kam në shpirt,
zemër të vrarë dhe sy pa jetë.

Një qiell plot re më rëndon mbi kokë,
një dimër të ftohtë kam thellë në shpirt,
ah sa e dhimbshme qënka kjo botë,
kur shpirti mbetet pa zjarr,pa dritë.

 

Një puthje …

Me buzën time të nxehtë,
Preka buzën e ëmbël të pafaj,
Dhe pse puthja ish e shpejtë,
Mbeti përjetë në buzët e saj.

Një rreze dielli e artë,
Mbi buzën e saj ndriçoi,
Bukuria e qiellit të lartë,
Në fytyrën e saj qëndroi.

Dridhesha si gjethja në erë…

 

***

Ti nuk e mësove asnjëherë,
Se nga zëri yt qiellor,
Dridhesha si gjethja në erë,
Njësoj si kriveci liqenor.

Unë të vështroja në heshtje,
Dhe ti në heshtje më vështroje,
Më shikoje të hutuar e qeshje,
Dhe buzën e ëmbël kafshoje.

Me buzët e tua më joshje,
Kur i hapje si petalet me vesë,
Me zërin e ëmbël më thoshje,
Lermë të të puth e të vdes.

 

Tingujt e jetës…

E dua agimin dhe fluturimin e sgalemit,
më pëlqen të dëgjoj tingujt kur shpërndahen,
të shoh valëzimin e valëve të liqenit,
majat e maleve me borë kur zbardhen.

Ku çelet një lule, është pasioni im,
botën e tërë e shoh të lëvizë,
jetën e ndjej kur vjen prej dashurisë,
dëgjoj brenda saj,tingullin e lumturisë!

Ja prek petalet lules së majit,
me tingujt melodiozë të krahve të bletës,
e ndjej aromën e erërave të malit,
rrukullisjen e viteve dhe ikjen e jetës!

E urrej vdekjen që tinzare më përgjojn,
jetën pa jetë s’e dua s’ka vlerë,
dua tingullin që pika e shiut lëshon,
në rrugët e jetës të ketë veç pranverë!

 

Vazhdova poezinë

Binte bora flokë-flokë,
Nga qielli i zbardhur dimëror.
Thashë po shkruaj një poezi,
Po si ta filloj, si ta filloj? S’di!

Vajza më kaloi fare pranë,
me top bore më qëlloi.
I pashë dy sytë e saj,
Mes borës që binte flokë-flokë.

Vështrimi i saj më ngacmoi,
të shkruaja thjesht një poezi.
Mes rreshtave dhe flokëve të borës,
i pashë dy sytë e saj të zinj.

Eca mbi borën e bardhë,
Dhe gjurmët i lashë nga pas.
Era flokët më prishi.
E mendimet më ikën larg.

Ndjeva thellë në shpirt ftohtësinë,
Kur e shkruajta fjalën borë.
Vazhdova më tej poezinë,
Dhe bora binte flok-flokë.

S’më nxiti bora pë të shkruar,
As gjurmët që kisha lënë,
por sytë e vajzës së dashuruar,
dhe vështrimet që më kish dhënë.

Binte bora lehtë-lehtë,
Pak rreshta kisha shkruar.
Por ndjeva se thellë në shpirt,
Zemrat ishin dashuruar.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s