Ndodh ndonjëherë! / Tregim nga Mimoza Leskaj

Ndodh ndonjëherë!

 

Mimoza Leskaj

Tregim nga Mimoza Leskaj

Atë ditë vendosën të mblidheshin dhe të niseshin të gjithë së bashku në mal për të mbledhur gështenja! Ishin ditët e fundit të muajit tetor. Ditë të ngrohta vjeshte përshkuar nga një freski ajri që e kishte burimin nga orët e para të mëngjesit dhe ëmbëlsisht orët ia përcillnin, gjatë ditës orëve të mbrëmjes. Pas disa telefonatash, më në fund u bënë të gjithë bashkë dhe u nisën. Ishin plot tre makina,dhe Lejla që e kishte për herë të parë mendoi se do kënaqej shumë dhe pse nuk e kishte fare haberin se çdo të thoshte të ngjiteshe në mal për gështenja! Rruga ishte pak e gjatë dhe kështu që pothuajse nuk ndaluan fare. Lejla kishte përgatitur me shpejtësi në çastet e fundit një panine dhe rrugës e nxori për ta ngrënë. Tek përtypej ngadalë shikonte gjelbërimin e asaj rruge të cilën e shihte për herë të parë.

-Sa bukur -mendoi me vete, gjithë ky jeshillëk.

Hidhte sytë në pemët e gjata që i kishin bërë kurorë njëra-tjetrës dhe rruga mes tyre dukej si trupi i një gjarpri pa mbarim. Shijonte paninen dhe mbyllte sytë me ëmbëlsi e pastaj i hapte sikur të ishte e vogël! Fytyra i flladitej lehtë nga freskia e pyllit.

Ndjeu butësisht një dorë mbi supe dhe pa mikeshën e saj që e pyeti ëmbël:

-Lejla je mirë?

-Po, po jam shumë mirë,- u përgjigj dhe hodhi përsëri sytë tek dritarja.

-Ah sa bukur, ….sikur të ishte kështu dikur në rininë e saj të largët! Por atëherë fatkeqësisht nuk kishte asgjë nga këto dhe mbi të gjitha nuk ishte e lirë!

Mbas dy orë udhëtimi, zbritën nga makina dhe nxorën thasët që kishin marrë me vete së bashku me disa shkopinj që ishin apostafat për të shkundur gështenjat! Lejla hodhi sytë rreth e rrotull dhe u habit me lëvozhgën e gështenjave.

-Uahh ,-foli me zë të ulët , sa çudi, si qenka dhe e shikonte sikur të ishte diçka e rrallë.

-Pse çuditesh ,- u dëgjua një zë burri pas krahëve të saj!

-S’kam parë asnjëherë, -u përgjigj Lejla duke buzëqeshur.

E ndërsa të tjerët kishin filluar tashmë punën, ajo filloi të shikonte me kërshëri gjithë pjesën e atij mali të mbushur plot me pemët e gështenjës….Ndodh ndonjëherë që ndodhesh diku, por dëshiron të ndodhesh gjetkë. Merë me vete copëza kujtimesh, mundohesh ti renditësh, por ato ngatërrohen mes njëra- tjetrës! Kështu po i ndodhte dhe asaj ato çaste ,ndërsa të tjerët tashmë kishin filluar të shkundin gështenjat me lëvozhgë gjysmë të hapura. Mori një thes bosh dhe filloi të mblidhte gështenjat që sapo kishin shkundur miqtë e saj.

-Sa bukur, -mendoi!

Freskia e ajrit të atij mali e bënte për vete. Kudo hidhte sytë vihej re vetëm blerim që gërshetohej mrekullisht me kaltërsinë e qiellit dhe atë freski të ëmbël Tetori! Ndihej si një e dashuruar dhe i vinte të zgjaste krahët e të përqafonte atë ajër të argjendtë. Shkelte me kujdes gjethet e thata që kishin marrë tashmë ngjyra vjeshte dhe bënin të mahniteshe! “Sa e çuditshme është jeta, “ mendoi, kurrë si kishte vajtur ndërmend që do ndodhej mes atyre miqve, dhe do ti ngjitej malit për të mbledhur gështenja, të cilat ajo gjatë dimrit i hante me kënaqësi të madhe, pa ditur asgjë për atë frut drunor, që i pëlqente pa masë. Vazhdoi ti mblidhte me kënaqësi, kur papritmas dora i zuri diçka të ngurtë. Pastroi me kujdes gjethet që e kishin mbuluar dhe gjithë kureshtje nxori prej andej një send të vogël të mbështjellë me një copë pëlhurë. E hapi ngadalë dhe pa një portofol të vogël gruaje!

E çuditur hapi portofolin dhe pa brenda saj, një copë letër si dhe një unazë të vogël ku ishte gdhendur fjala..përgjithmonë..!  La mënjanë unazën dhe hapi letrën , filloi të lexonte!

Një histori e tërë dashurie! Lexonte atë letër dhe pas disa rreshta sytë iu mbushën me lot.

U ul mbi thesin që kishte pak gështenja dhe vazhdoi të lexonte…(unë e di që ti më do, më do shumë, por nuk mund të duroj dot. Larg teje është e pamundur të jetosh.

Ndodh ndonjëherë që dashuria nuk di të ecë, asaj ia presin këmbët, ndodh ndonjëherë të duash aq shumë sa të harrosh që ekziston dhe ti vetë. Ndodh ndonjëherë që kërkon të mos jetosh më, pikërisht se nuk mundesh të durosh largësinë, kërkon atë ta prekësh me duar dhe si një lëmsh pambuku kërkon ta mbledhësh në mënyrë që ajo të zvogëlohet aq shumë sa ti ta rrotullosh ndër duar, dhe ta bësh atë largësi mes zemrash të mos ekzistojë. Ndodh ndonjëherë që të gjesh një manushaqe të vetme, ulesh ta këpusësh por të vjen keq, dhe i merr vetëm erë, por ndodh ndonjëherë që të të dua,..të të dua aq shumë sa të mos marr frymë dhe të filloj të vuaj, se Ti nuk je! Më mblidhet shpirti në fyt…Unë e di që ti më do shumë, por nuk do jetë kurrë mjaftueshëm përderisa ti je kaq larg meje.)

..Lejla lexonte dhe lotët i rridhnin pa pushim.

Ndali një çast dhe pëshpëriti…uahhh …mori frymë vështroi përreth të tjerët vazhdonin mes bisedash dhe shakash të shkundin gështenja! Uli kokën dhe vazhdoi të lexonte….( Se ti ishe ai që thoshe..-pa ty nuk rroj dot, pa ty nuk marr frymë dot, pa ty nuk kam buzëqeshje,..aq shumë të dua dhe do të të dua dhe sikur të më mbesë fryma e fundit .! -Por Ti nuk je! …..Ja këtu në vendin ku takoheshim gjithmonë ,unë vi, ulem dhe pres. Pres çdo ditë, por ti mungon, mungon shumë ,në çdo qelizë timen…dhe unë pres. Dhe sot do ta vendos këtë letër, me shpresë se kur unë të mos jem duke pritur ,…ti do ta gjesh! …ahh sa do të mungoj, ashtu sikur të mungoja dhe kur isha pranë teje dhe thithja të njëjtin oksigjen me ty. ..Frymën tënde!

Lejla ngeli një çast pa frymë. fshiu lotët me pëllëmbë ashtu sikur i fshinte kur ishte e vogël, mori me kujdes letrën e palosi ,e futi në portofol dhe shpërndau me dorë gjethet , e ndërsa e vinte përsëri aty ku e gjeti,-tha me vete: “Pse çuditërisht ndodh ndonjëherë që ti ke fatin të lexosh diçka të vyer , të harruar, por që ngjan aq shumë me dashurinë tënde, që ti ke jetuar!” Fati i miliona dashurive në botë është i njëjtë. Sepse dashuria shoqërohet me drama. Ndodh shpesh të jetosh dashuri të nëmura në këtë jetë që mbarojnë herë se mbaron dashuria, herë se partnerët nuk janë të sinqertë e gënjejnë, herë se dashuria shkon në rrugë qorre e herë prej humnerës së fatit që i ndan njerëzit. Por i përjetojmë dashuritë me ndjesinë që dramat na kanë ndodhur vetëm ne. Dhe habitemi kur takojmë një femër që vuan njëlloj si ne, që qan, që lëndohet, që mallkon humbjen e dashurisë me gjithë forcën e zemrës. Dhe aty në pyllin me gështenja mendoi botën femërore dhe i ngjasoi me frytet e gështenjave. Çdonjëra prej tyre ishte e ndryshme dhe unike siç janë dashuritë. Herë të shëndetshme dhe me tul të butë dhe herë të krimbura nga pabesia dhe tragjike.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s