PËR TY, ZOGU I TRETUR! / Monolog nga Lulash Brigja

PËR TY,  ZOGU I TRETUR!

 

lulash Brigja - 1

Monolog  nga  Lulash Brigja

Më ka ndodhur me qindra herë gjatë netëve pa gjumë, të bredh nëpër kujtime të shëtis nëpër ëndrra duke të kërkuar ty  ‘’O  zogu i tretur…!”

Më ka ndodhur të fle i zgjuar dhe të zgjohem i pa fjetur me një liber në dorë, ose me një laps të bëj bilancin e këtij rituali që përsëritet dhe nuk e kuptoj dot se ku mbaron ëndrra dhe ku fillon realiteti.

Mendja ime si një zog i tretur në lëmshin e ngatërruar të kësaj bote , mërmëritë si të vetmen fjalë , citon si të vetmin shqetësim, thërret si të vetmen shpresë,  vetëm ty,  o Zogu i tretur!

I ndodhur në udhëkryqin e kohërave në një ditë vjeshte në prag të ndërrimit të stinëve,  i mbuluar nga vetmia jam ndaluar dhe diçka po meditoj. Shoh në kaltërsinë e pazakontë të qiellit turma me zogj shtegëtarë.

Zogj shtegëtarë që kthehen nga vendet e mija.

Ikin nga ato bjeshkë, ku krojet po shterin prej mërzise dhe mrizat po thahen prej vetmisë.

Ikin nga ato livadhe e ku u rrita unë ,nga ato hapësira ku dikur fluturoje ti,  o Zogu i tretur!

Ata po ikin së bashku me banorët e fundit të këtyre anëve,  ndoshta për tu kthyer përsëri , por se kur se di ..?

Në pranverat e mjegullta të fund shekullit që kaloj, nga vendet e mija të tjera turmat  udhëtonin drejt jugut dhe perëndimit. Me qindra djem nënash i lanë shtëpitë e tyre dhe ikën.

Ikën nga dimri për të gjetur pranverë, ikën për t’ u kthyer përsëri në pranverë, ikën dhe ndoshta nuk do të kthehen asnjëherë.

Për një gjë kam qene dhe jam i sigutë : ata janë Zogu i tretur i mendjes time , ata janë zogj të tretur të vendit tim, ata janë cicërima e ëndërruar e pranverës që presim.

Ata ikën, dikush në dimër e dikush në pranverë, por kudo që kanë shkuar ata kanë vetëm një emër :  Zogj të tretur!

Ata ikën dhe unë jam i bindur se shumica do të kthehen, ata do të jenë lulet e para në pranverën e vonuar të vendit tim , ata janë shpresa për një jetë ndryshe këtu.. ?

Kanë kaluar shumë vite , ka rrjedhur shume ujë, kanë fluturuar shumë ëndrra,  por …

Iku edhe një vit, po vjen një tjetër dhe unë jam njëri nga ata që e ndej mungesën tënde , o Zog i tretur!

Të kërkoj në mëngjes ku pi kafe, të kërkoj në darkë kur ha bukë, të kërkoj gjatë javës në rrugët e zbrazura të qytetit,  lutem për ty të dielën në kishë, përlotem  kur ti nuk vjen në raste vdekjesh , përmadhohem kur nuk të shoh në dasma, mërzitem kur sjell në mëndje kujtimet e shkuara,  gëzohëm vetëm një herë:  Kur takohëm me ty në ëndrra…

Sonte kam marrë një laps dhe dua të shkruaj për ty, për ty o Zogu i tretur!  Pena nuk është magjike, por do të doja me gjithë shpirt që këto rreshta që shkruaj një ditë të vinin tek ti .

Kjo penë nuk është lapsi i Kadaresë që çdo faqe e shkruar kushton dollarë, nuk është leva e Arkimedit që mund të lëvizë botën.

Pena ime është lapsi i fukarasë, i ngjyrosur me lotin e nënave shqiptare që presin djemtë e tyre të kthehen nga kurbeti.

Lapsi im është i ngjyrosur me lotin e nuseve, që kujtojnë vetëm ditën e dasmës.

Lapsi im është i frymëzuar nga premtimet e shumta që mbajnë me shpresë vajzat e dashuruara , lapsi im është shigjetë me mallkimet e nuseve të tradhëtuara ..?.

Lapsi im i pastërvitur , që shëtit në fushën e artit është si një fëmijë i vogël,  që shkruan fjalën babi e babin nuk e njeh……. Ah, botë e poshter …?!

Lapsi im kërkon të shkruajë për ty,  o Zogu i tretur, me gjallërinë e një fëmije, me dashurinë e një vajze, me bukurinë e një nuseje , me mallin e një nëne , me urtësinë e një plaku .

Nga dritaret e internetit do të doja të bisedoj me të gjithë mërgimtarët, do të doja të bisedoj në veçanti me ty që ke vite pa ardhur , por,  por… !  Mos më thuaj se nuk i ke marrë ato të shkreta letra, mos më thuaj se je shumë i ngarkuar me punë……….

Njeriu nuk mund të presë  gjithë jetën për një dokument që quhet “Letër”,  por as nuk mund të fokusojë gjithë jetën e tij për disa letra të tjera që quhen “pare”.

Unë mendoj se jeta në themel të saj ka dhe duhet të ketë dashurinë.  Të jesh i bindur se dikujt këtu në Shqipëri i mungon dashuria jote.

Me gjithë shpirt do të doja të të uroja ty. O mërgimtar i burgosur!  Nuk marr guximin të pyes se si ndodhi, por nuk ja dëshiroj fatin tënd asnjë shqiptari të mërguar.

Ndihem pak borxhli që nuk arrij të telefonoj rregullisht shokët mi,  por ndihem tepër i zhgënjyer kur në telefon në skype më dalin familjet e tyre dhe unë nuk mund të komunikoj në gjuhën shqipe me ta.. ..?

Ah,  në këto raste mbetem pa fjale…!  Në këto raste me veten time bëj monolog.

“ Jo, ti nuk je shoku im, ti nuk je zogu i tretur i vendit tim,  ti do të mbetesh një kujtim i trishtuar i mendjes time. ..! Mos …! Ju lutem mos…,  thirri pak mendjes. ?!

O Zogu i tretur në mërgim, dua që ta kuptosh, se edhe ne pa ju jemi si zogj të tretur. Po, po,  zogj të tretur në vendin tonë!  Ne dhe Ju jemi si dy copa dru në vatrën e zjarrit të vendlindjes,  që të veçuar shuhemi e të bashkuar ndizemi.

Ju lutem në emër të qindra e qindra familjarëve,  ejani nganjëherë,  ejani të paktën të festojmë së bashku, që ta shuajmë heshtjen e vetmisë dhe të ndezim mbi zjarrin e madhit flakën e dashurisë së munguar.

Kam qenë edhe unë mërgimtar,  e kam përjetuar dhe e kuptoj peshën e punës dhe jetës në vend të huaj… Fati e tha të jem unë këtu e Ju atje…,  të varfer ju e i varfer unë.

Unë e vlersoj dhe e shoh çdo ditë djersën tuaj,  sepse i shoh shtëpitë e reja, dyqanet  dhe ndryshimet që ka bërë qyteti ynë, vendi yne, kryesisht nga puna juaj.  Për këtë meritoni mirënjohje .

Po vendit tim çdo ditë e më shumë po i mungon ajo pasuria e madhe që Zoti i ka falë njeriut,  …..dashuria !  Këtu mungon ti, o Zogu i tretur …!

Shtëpitë po braktisen , rinia po ikën , kombi po plaket …

Mundohem ta kuptoj, por nuk ja arrij dot , pse ..?  Pse ne u çoroditëm kështu, ndoshta ky realitet i ri na ka çoroditur dhe duhen mentalitete të reja.  Ndosha unë kam mbetur prapa në mendime… Ndoshta ..!

Qofsha unë  i gabuar..?

Në këto momente dua të citoj një thënie të Migjenit ;

“Kafshatë që s’ kapërdihet o vlla, ashtë mjerimi”.

Një tjetër kafshatë ju ka ngecur në fyt nënave dhe baballarëve tuaj. Vetmia,  vetmia … deri në ditën e vdekjes.

Vetmia është ajo që po i mundon më tepër se mjerimi i dikurshëm , po i mundon më tepër se pleqëria e sotme. Po e mbyll këtë monolog me vetveten duke ju uruar të gjithë mërgimtarëve shqiptarë kudo që ndodhen një jete të lumtur,  por edhe duke shpresuar se dikush do ti lexojë këta rreshta .

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s