E zonja e qenit / Tregim nga Edmond Shallvari

Edmond_Shallvari

Tregim nga Edmond Shallvari
E zonja e qenit

Në fillim shikoj hijen e qenit dhe më pas të njeriut që është i zoti i tij. Pas disa hapash, shfaqen realisht hijelëshuesit, një qen i bardhë qimedredhur dhe një femër mes 35-40 viteve të moshës, në lartësine time, me flokë e sy të zinj, me një fytyrë bardhoshe e të lëmuar si skulpturat e mermerta të antikitetit.

Nxitimin e tyre e frenon rendja e qenit tim drejt qenit të saj dhe për më tepër koklavitja e ripave nga rrotullimet dhe lëpirjet para e prapa ndaj njeri-tjetrit.

Qeshim në të njëjtën kohë dhe po në të njëjtën kohë mundohemi të çkoklavitim ripat, duke i koklavitur më tepër. I jap zgjidhje sikletit, duke e çkëputur ripin nga qafa e qenit, kurse ajo thotë se ka frikë ta lerë të lirë tek bregshëtitorja, se mos përfundojë ujrave të detit.

Njoh kështu dhe zërin e saj, që më le të kuptoj se kam të bej me një të huaj nga vendet e lindjes. “Bullgare ose ruse ”, them me vete i sigurt.

Me siguri edhe ajo të njëjtën gjë mendon për mua, por pa mundur të gjejë dot se cilit shtet europian i afrohem më tepër. Këtë e vërtetoj kur më pyet, “I huaj jeni?” dhe pas po-së sime vazhdon duke më bërë, së pari italian dhe së dyti, gjerman. Hamendjes së saj, pas përgjigjes sime, mundohet t’i japë shpjegim nisur nga disa veçori të pamjes, që sipas saj, vetëm me shqiptar nuk ngjasojnë.

Nejse. Ndërsa ne më tepër heshtim se sa flasim, qentë vazhdojnë çmendurinë e lojës mes tyre, deri kur qeni im sulet i etur drejt çezmës tek gonia e lulishtes.

E përshëndes të porsanjohurën, bashkë me një kalim ledhatues të dorës, kokës dhe trupit të qenit të saj.

*

“Mblidh veten!” i them vetes dhe vazhdoj më tej dialogun me të.

“Mos thuaj që të pëlqeu ruska. Ishte thjesht një simpati e zakonshme që të ndodh për çdo bukuri femre dhe ashtu sic i ke harruar të tjerat, do e harrosh dhe këtë”.

“Haaa, je i lezeçëm! Mundohesh të qetësohesh përmes argumentave që as vetë s’ju beson”, ma kthen vetja duke u shfaqur më e vendosur dhe e bindur para dilemës sime.

Ndezja e fanarit jeshil dhe tërheqja e ripit nga vrapimi i qenit, ndërpret për pak sekonda dialogun.

Dua ta vazhdoj deri në fund bisedën me veten, edhe pse e ndjej se sa gjysmak jam në të vërtetën e mendimeve dhe ndjesive të mia.

Shfaq shenja nervozizmi, të cilat ia shkarkoj qenit duke e tërhequr me forcë ripin, edhe kur ai ndodhet një metër para meje.

Tund kokën si për të shkundur mendimet e mbrapshta që po anojnë deri në djallëzore dhe vazhdoj bisedën me veten.

Nuk ia vlen ta permend dialogun e gjatë, që ndërpritet para portës së pallatit, edhe pse jam i bindur që do përbënte material studimi për psikoanalistët dhe seksologët.

Boshti rreth të cilit u vërtit gjithë biseda e kthyer në debat, ishte një dhe vetëm një, e zonja e qenit, e cila pak minuta më parë, kishte arritur po për pak minuta njohjeje me mua, tejkalimin e efekteve të femrave të mëparshme.

“E mirë, e pranoj!-i them vetes brenda ashensorit,- e pranoj që këtë rradhë ruska më ka venë më tepër në dilemë se çdo femër tjetër. Dhe çfarë pastaj? Gjëra që ndodhin jetës së çdo mashkulli, beqar apo i martuar qoftë”.

Kujtoj se ia mbyll gojën, por kaq është heshtja e vetes, deri në rehatimin në kanapenë e sallonit. Mbetem me cigaren në njerën dorë dhe çakmakun në tjetrën, nga fjalët e ashpra të vetes.

“Prapë nuk je i sinqertë. Më tepër se një mashkull në dilemë, ti je një burrë frikaman që i trembesh asaj që mund të ndodhë me ruskën. Prit, mos folë, s’ka nevojë të dëgjoj fjalë moralitetesh bajate, kur edhe ti vetë e di se nuk të shkojnë aspak”.

“Çfarë moralitete po them, aman, pse ç’jam unë, njeri vetëm prej kocke dhe mishi dhe një tru të injektuar vetëm me parime e morale? Njeri jam, me nerva e ndjenja, logjikë dhe antilogjikë, vetëdije dhe instikte dhe e njoh mirë lojën dhe ndeshjen e përjetshme mes tyre. Troç muhabeti, jam mes dy botëve ndjesore të qenies sime dhe nuk dua të ofendoj asnjerën prej tyre. Për mua janë të çmuara te dyja dhe nëse e krahasoj me mbretëri shpirtin tim, atëhere ajo përbëhet nga dy mbretër të ulur në dy frone ngjitur. Kaq dhe mos e zgjatim më tej këtë debat, ku çdo fund i tij përmban premisat e një fillimi tjetër”.

Heshtje. Kërkoj veten gjithandej, por ajo nuk duket gjëkundi.

Nuk desha ta ofendoja, as ta dëboja, por ta bindja që e drejta e kësaj bisede na përkiste të dyve, qoftë dhe në kundërtinë e mendimeve tona.

Ndez cigaren dhe mes mjegullnajës së tymnajës, qesh.

Sa budalla qenkam. Kaq nuk kuptoj, që pas debateve me veten, në fund bëhem një me të?

*

E pranoj, e nesërmja më tërheq drejt bregshëtitores me një fuqi magnetike, që i kthen në pafuqshmëri planet e tjera të paradites.

Nga njera anë dua ta quaj kuriozitet mashkullor ndaj vazhdimësisë së asaj që ndodhi një ditë më parë. Nga ana tjetër dhe që për mua është më e rëndësishme se çdo lloj kurioziteti, është ajo që unë e quaj pjesë të hulumtimeve të mia në fushën e njohjes dhe krijimtarisë letrare.

Përsëri e pranoj, që të dy anët, edhe pse në dukje larg njera-tjetrës, nuk i shpëtojnë dot përzieries sadopak mes tyre.

T’i lemë filozofimet dhe analizat psikoanalitike të gjendjes sime, të cilat nëse do vazhdoj t’i shkruaj, do na futin në labirinthe mohimesh e pohimesh, që zor të na nxjerrin tek bregshëtitorja e së nesërmes.

Jemi pra në të nesërmen reale, ku si për çudi qeni im është i pari që nuhat qenin e ruskës dhe duke përfituar nga heqja e ripit pas kalimit të bulevardit, ia merr vrapit për takimin e tij të dytë me mikun e ri. I dyti është dhe takimi im pas pak sekondash me miken e re. Haaa, sa shpejt po e quaj mike. Inerciale kjo e thënë, nga miqësitë e shumta në facebook, ku pranimi i kërkesës së dikujt për të qenë prezent faqes tënde, etiketohet menjëherë si lidhje miqsh.

Për një çast më vinë fantazisë sirenat joshëse, Odiseu dhe marifeti i tij për t’iu rezistuar atyre. Mirë atë e ndihmonin Perënditë, sidomos ajo Athinaja luftarake, po mua kush do më shpëtojë, që edhe pse i pëlqej dhe shkruaj jo pak për Perënditë, e di që ato as më njohin dhe as iu bëhet vonë për fatin tim? Hedh sytë për nga ana tjetër e detit ku shfaqet mjegullisht Olimpi dhe bëhem më tepër fatalist kur kujtoj se Perënditë, bashkë me braktisjen e tij, braktisën dhe njeriun, dmth edhe mua.

Zëri përshëndetës i ruskës më zbret nga Olimpi i fantazisë.

Avancoj pyetjet drejt gjërave personale të jetës, duke u njohur me normalet dhe çudirat e saj. Normalja zvogëlohet deri pikës së padukshme, kurse çudia zmadhohet drejt pafundësisë. Mbase kjo më ndodh mua dhe kjo ndodhshmëri duhet të më përmbajë nga shfaqja e çudisë, si në pamje edhe në fjalë, për të mos prekur deri në dhimbje apo ofendim personin cudishkaktues. Duhet të pranoj realitete në dukje anormalë përballë parimeve të jetës, por që kthehen në pjesë normale të saj. Dhe ruska më bind për këtë të vërtetë paradoksale dhe absurde.

Për ruskën, të qenit e pamartuar dhe e pabashkëjetuar me një burrë si dhe pasja e një fëmije, është po aq normale sa dhe martesa ime dhe pasja e fëmijëve të mi.

Dmth ruska jeton pasojat e një lidhjeje që dikur mund të ishte dashurore apo thjesht seksuale, duke trashëguar prej saj frutin e ngjizjes. Vazhdimësia e këtij paradoksi dhe absurditeti jetohen prej saj krejt normalisht, përmes një dualiteti jetësor si mama dhe lirie përzgjedhjesh të femrës për meshkuj rastësorë dhe kalimtarë.

Për shumicën e meshkujve të preferuar prej saj, ky do ishte ngushëllimi më bindës për aventurën e rradhës, pa sikletin dhe frikën që ndodh në raste flirtesh të martuarish. I vetmi merak, tundim dhe frikë, mbetet vetëm tek pala mashkullore e martuar.

Dhe në rastin e ruskës, kjo palë jam unë.

Ndjehem sa i qetë dhe i joshur nga një flirt pa kushte prej ruskës, aq i përmbajtur, i tunduar dhe frikaman, para gjendjes martesore dhe dashurore me gruan time. Dhe kush, unë, jetuesi dhe predikuesi me vepra, fjalë dhe vargje, i dashurisë dhe besnikërisë bashkëshortore, duke e quajtur sa herë veten bashkëshort dhe dashnor i së dashurës sime.

Sado të kërkoj ndonjë shteg justifikimi për flirtin e mundshëm, mbetem i dorëzuar jo vetëm para parimeve të mia, por më tepër para femrës sime në gjithçka të dukshme dhe të padukshme të saj. Kërkoj më thellë për zbulime mangësish në variantet e seksit me gruan time, por edhe kamasutra është e pafuqishme të më bindë. Se në fund të fundit, për çfarë po flas deri tani, përveç se një variant seksi me një femër të porsanjohur, që me sa duket nuk paska nevojë për joshje fjalësh dhe premtime dashnorësh.

Ndërsa për ruskën jeta do vazhdojë e pasuruar me një variant të ri qejfi dhe kënaqësie, për mua jeta do ndalojë rrjedhshmërinë e saj të mëparshme, përmes një varianti të ri seksi, bashkë me ndjesinë e rëndë të mëkatarit.

*

Pas ndarjes me ruskën, dialogu me veten përmasohet tmerrshëm në një ndeshje ku fjalët më ngjajnë me shpata, kurse unë dhe vetja në dyluftim gladiatorësh.

“Dmth kisha të drejtë, -ndërhyn vetja me zë të lartë dhe vazhdon po aq lart tonin e zërit,- Sado mundohesh të gjesh shtigje shpëtimi nga ndjenja e mëkatit, diçka e brendshme të shtyn drejt tij”.

“Çfarë thua kështu?! Kujt po mundohem t’i justifikoj të bërën apo të mosbërën seks me ruskën, veç shpirtit tim? Për të tjerët as më bëhet vonë. Në fund të fundit, si e bëra, si e mosbëra, do ketë përballë pranuesit dhe mospranuesit e saj. Njera palë do thotë një “Bravo!” të madhe, kurse pala tjeter do thotë një, “Turp për ty, ndryshe të dinim dhe ndryshe na dole!” Dhe çfarë pastaj?!

A mundet që të tjerët e ndarë në dy kahe, të zgjidhin e për më tepër të më shpëtojnë mua nga bërja apo mosbërja e mëkatit? Përderisa në këtë zgjedhje, rrugë të mesme nuk ka, mos kujto se për vendimet që më përkasin vetëm mua, do ve në balancë palët pro dhe kundër. Mos vallë animi nga shumica e kësaj balance duhet të jetë për mua më e mira e asaj që duhet të vendos?”

“Atëhere leri dilemat të veshura me filozofira dhe parime dhe bëj atë që të thotë shpirti! Ç’kujton ti, se Odisenë e shpëtuan vërtet Perënditë udhës së kthimit për tek Penelopa? Absurditet!”

“Prit, mos fol! Më mjafton kaq sa the! Je vërtet fantastike!”

Nuk është parë dhe dëgjuar që një ndeshje gladiatorësh të përfundojë me fitoren e dy palëve.

Them fitore, edhe pse ende ndjehem, sa fitues, aq dhe humbës, përballë ruskës, të nesërmen e të nesërmes së sotme.

*

Fjala e parë e ruskës fillon me kërkesën për të shkuar tek një shesh i vogël për qentë, rrethuar me mure. Vetëm aty mund ta lerë të lirë qenin e saj. Mendja djallëzore më thotë, që veç lirisë së qenit, po liron më tepër veten e saj prej tij. Dhe djallëzorja ime, këtë rradhë nuk gabon.

Ajo vërtetohet menjëherë pas shpejtimit të hapave të ruskës, uljes tek një stol dhe hedhjes së shikimit drejt meje, që flet më tepër se ftesa me zë për t’u ulur pranë saj.

Heshtje disasekondëshe, shoqëruar me thirrje emrat e qenve gjatë hedhjes së topit dhe shkëmbim shikimesh mes nesh, që presin shndërrimin e tyre në fjalë.

E di që më takon mua thyerrja e heshtjes e për më tepër shndërrimi i shikimeve në fjalë, por ndjehem çuditërisht si i boshatisur në trup dhe shpirt.

Nuk di kush e ve në lëvizje dorën drejt dorës së ruskës. Por di që ky veprim i guximshëm dhe i rrezikshëm njëkohësisht, fillon të mbushë pak e nga pak boshësinë time me shenjat e para të ndjesisë së mashkullit ndaj femrës. Reagimi i ruskës e shpejton zvogëlimin e boshësisë. Gishtat përziehen me njera-tjetrën, duke dërguar sinjalin ngacmues direkt tek buzët, që fillojnë të afrohen drejt qendrës së padukshme të hapësirës ndarëse mes tyre.

Edhe pak ka mbetur që hapësira të zhduket, kur papritur ndjej përsëri zmadhimin e boshësisë, por këtë rradhë vetëm në pjesën shpirtërore të qenies sime. Buzët ndalen në pragjet e frymëmarrjes. Bashkë me ndaljen e tyre, ndalon dhe drithërima e trupit.

Gjej menjëherë pretekstin e mosputhjes duke u ngritur dhe rendur drejt qenve, të cilët pas lojës lëpirëse kishin avancuar drejt aktit seksual qenor. Qeni im femër bën sikur reziston duke ngjeshur prapanicën pas dheut, bashkë me bishtin e mbledhur mes këmbëve, kurse qeni mashkull i ruskës i ardhur tepër në formë, mundohet të gjejë burimin e fillimit dhe mbarimit të kënaqësisë së tij.

Ndërhyrja ime e inatos, duke më sharë përmes lehjes kërcënuese dhe ankuese.

Me ripin e porsavënë në qafë qenit, kthehem bashkë me të tek stoli, i ndjekur nga këmbëngulja e qenit të ruskës.

Dalloj pak kuqësi fytyrës së ruskës, e mbetur mbase nga puthja e pa dhënë. Apo mos vallë nga ngacmimi i skenës erotike të qenve? Mbase.

“Gjynah që s’i lashë në qejfin e tyre”, them gjoja i penduar.

“Gjynah vërtet!- ma kthen ruska, duke vazhduar, -Lihet qejfi në mes?”

S’jam aq naiv sa mos nënkuptoj adresimin e vërtetë të thënies së saj.

Naiv s’jam vërtet, por nuk di të kem qenë ndonjëherë më i hedhur në propozime direkt ndaj femrave, siç më vjen papritur kjo hedhje fjalësh drejt saj.

“Ti e di, jam i martuar dhe nuk kam lirinë e qenve të flirtoj me një femër në sy të botës”.

Ndërsa pres heshtjen apo aprovimin me kokë të ruskës, ajo që dëgjoj fill pas fjalës sime të fundit, më mpin çdo nerv të trupit.

“Vemë në shtëpinë time për një kafe?”

“Opaj, po tani ç’do bësh?”- më flet në vesh vetja dhe vazhdon, -Tani s’ke më kohë llogjesh dhe lëkundjesh me hidh e prit. Tani, ose do pranosh dhe po pranove duhet ta pish me fund kafen e ruskës, ose do gjesh një justifikim mospranimi, duke i dhënë fund dilemës tënde dhe preferencës së ruskës për ty”.

“Okej, shkojmë!” i jap përgjigjen asaj dhe vetes.

Këmbët hedhin hapat si të shkëputura nga trupi, kurse gjoksi më shtrëngon sikur kerkon t’i çoj më tepër oksigjen. Zemra çakordon rrahjet, kurse kafkën e ndjej sikur do më çahet nga zmadhimi i trurit.

Kot kërkoj sadopak mbështetje nga vetja, e cila pas fjalëve të fundit hesht dhe vetëm hesht, duke ma lënë mua në dorë, jo vetëm pasojën që më pret, por edhe shkakun e saj. Kësaj i thonë larje duarsh prej Pilati.

Pas kalimit të bulevardit, ruska ndjek lëvizjet e qenit, i cili kthen ecjen në vrapim, i sigurt në itenerarin e njohur drejt shtëpisë. Qeni im gjithashtu më detyron t’i lëshoj më tepër ripin, duke rendur pas qenit të ruskës.

Jemi në rrugicën e ngushtë mes pallateve, për të dalë pas pak minutash në një shesh me kënd lojnash. Në hyrjen e një pallati, me gjuhën jashtë nga lodhja, ndalojnë të parët qentë, në pritje të hapjes së portës.

Ndalimi i ashensorit në katin e fundit, më sjell në vete një pjesë të qenies, po se cilën pjesë, as e marr vesh. Mbase jam ende në një pjesë të ëndrrës, diçka mes gjumit dhe zgjimit dhe pas pak me siguri do zgjohem plotësisht në krevatin tim. Dhe po aq plotësisht do jem me veten time, larg asaj ëndrre, sa joshëse, aq dhe torturuese.

Por…

Ruska më drejton tek salloni dhe pa pritur përgjigjen time, nxjerr nga vitrina e xhamtë shishen me wiski, mbush gotën, hedh një copë akull dhe me urimin e mirseardhjes, i mbyll shtegun refuzimit tim.

Përpjekje gotash që vazhdojnë me kapërdimin e një gllënjqke të pijes prej meje dhe boshatisjen e gotës të ruskës.

Ta marrë dreqi, sa i turpshëm që jam! Sikletosem të kërkoj vajtjen në banjë. Shplaj fytyrën dhe ndërsa bëhem gati të dal, më pëshpërit në vesh vetja e porsarikthyer.

Pëshpëritja e saj më çon në veprimet e njohura të rregullimit trupor, para shtrirjes në shtrat me gruan.

Kthehem në sallon duke ecur si majë gjembave. Mungesën e ruskës e shpjegoj me qenien e saj në kuzhinë për bërjen e kafesë. Hedh rradhazi të tjera gllenjqka wiski, efekti i të cilave nuk vonon.

Lehja e qenve në ballkon më ngre nga kolltuku. E njëjta skenë si ajo tek sheshka. E ndershmja ime vazhdon ta torturojë me findet e saj mospranuese, qenin ne ndezur të ruskës.

Nuk arrij të mbyll derën e ballkonit, kur në hyrje të sallonit shfaqet si në skenat e kabareve apo të striptizmit, ruska. Them ruska, se e di që me të hyra në këtë shtëpi, ndryshe do dyshoja prezencën e saj tek femra e porsashfaqur.

Shikimin ma shkëput zilja e celularit dhe dalja në ekran e emrit përkëdhelës që i kam vënë gruas sime.

“Zemër si je? Si po ia kalon me qenkën? Ika, se kam goxha punë. Të puth!”

Ma ndërpret rënia e ziles atë që do thosha në vazhdim për ruskën.

Mbase ajo thënie e mbetur diku psiqikës sime, energjoi fuqinë e saj tek gruaja. Sepse tek ajo thënie janë të ngjizura mendimet, ndjenjat, fantazitë dhe çmenduritë e dashurisë dhe seksit mes nesh.

Po të them që pamja e ruskës më kujton një nga çmenduritë e seksit me gruan, me siguri që do shfaqni mosbesim dhe do e quani rrëfimin tim një sajesë në funksion të moralit çiftor.

E çfarë pastaj? Të kundërtit tuaj, që njëlloj po më ndjekin, do më quajnë një Kazanostër modern, nëse do vazhdoj sipas midesë ëe tyre. Ja që unë nuk jam plotësues midesh të askujt, por i vetes sime, qoftë dhe në kundërtinë e saj me mua.

Ç’ma humbët fillin e rrëfimit! Ja të hedh dhe një gllenjqkë tjetër wiski

Dhe mos ndërhyni më! Kënaquni së pari, që këtë pjesë të lojës në theatrin e jetës, po e luaj falas para jush. Kur të mbarojë, jeni të lirë të flisni ç’të doni. Pse pak keni folur mbarë e prapë edhe për role që as në ëndërr s’i kam luajtur jetës sime?

Në vend të ndezjes mashkullore, që është e pashmangshme para veshjes intime të femrës, ndjehem më pak se mashkull në pjesën më kryesore të mashkullitetit tim. Kurrë s’më ka ndodhur kjo gjendje ndrydhëse në seks me gruan time, në kohësinë tridhjetvjeçare bashkëshortore.

Jo, nuk kërkoj asnjë lloj justifikimi për mosndezjen jashtë vetes sime duke ia veshur fajin ruskës. Edhe fuqia e vetëdijes e mbarsur me parime e më the të thashë, është e pafuqishme të më shpëtojë nga e vërteta absolute e dorëzimit të çdo mashkulli para ikonës së gjallë femërore me gjymëlakuriqësinë joshëse të saj. Gjysmëlakuriqësi, që e shton më tepër ndezjen ndaj pjesës tjetër të fshehur poshtë veshjes kuqore dhe zezore të sutjenave, breçkave string, zhantjereve dhe çorapeve të najlonta. Për të përfunduar e gjitha kjo pamje e të dukshmes dhe të padukshmes, tek këpucët takëlarta.

Ti dëgjosh apo lexosh këto përshkrime dhe ndizesh vetvetiu. Shikimi në origjinalitet i tyre, mund të të çojë deri në prag të orgazmës, pse jo dhe përtej pragut të saj.

Atëhere diçka anormale po ndodh qenies sime në pjesën më mashkullore të saj.

Nuk kam kohë të mendohem.

Sa budalla! Pse ka vend për mendim aty ku mbretërojnë instiktet e qejfit dhe kënaqësisë seksuale?

Atëhere ç’pret? Mjaftojnë pak hapa para dhe atëhere s’ka forcë frenuese të pengojë ndezjen e çdo qelize të trupit tënd.

Bëj të hedh hapin e parë, por jehona e zërit të gruas merr formën e litarit që më përdridhet trupit. Ndërkohë zëri i ruskës ma drithëron trupin, duke më joshur drejt saj. Jo, nuk është zëri i saj i vërtetë. As ajo nuk është ruska e gjysmëlakuriqtë. Eshtë një sirenë, pamjen dhe zërin e së cilës s’ka mashkull ta përballojë.

Çfarë? Paska një tillë që quhet Odise?

Haa! Po qe puna për fantazira dhe mite, ku e pamundshmja kthehet në të mundshme dhe e kundërta, mjafton dhe një Homer.

Por, nëse dëshironi të gjeni kthimin e mitit në një realitet të vërtetë të jetës, ju mjaftoj unë.

Se për pak harrova fundin e fundit.

Tek kthehem në ballkon për të marë qenkën, arrij skenën e fundit të shkëputjes së qenit të ruskës nga vithet e saj.

Qeshim bashkë me ruskën deri në përcjelljen time tek ashensori.

“Më mirë njeri si mua apo si qen në raste të tilla me femrat?” pyes ashtu kot veten time brenda ashensorit.

Klikoj numurin e celularit të gruas:

“Shpirt! Sot dua të më presësh si atë natë, e kupton vetë për cilën natë e kam fjalën”.

Ndërkohë qeni harliset, duke kthyer kokën drejt meje me pamjen e mburrjes dhe lumturisë qenore.

Me ndjenjën e mburrjes njerëzore, harlisem edhe unë pas qenit.

 

@Edmond Shallvari

Thessaloniki, 9-19 tetor 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s