Poezi nga Zhaneta Barxhaj / Shkëputur nga vëllimi poetik ” Valltari pa këmbë”

zhaneta-barxhaj

Poezi nga Zhaneta Barxhaj
 
Shkëputur nga vëllimi poetik ” Valltari pa këmbë”
 
 
 
RADARË
 
Qetësisht u mjegullua e kaltra e kthjellët,
zymtoi çdo gjë prej sipër… e qetë vazhdoi.
Krijesa imcake vërtiteshin të verbuara,
të penguara s’gjenin prehje!
Atje në subkoshiencën e tyre kishte ca nyja,
ca gunga të dala boje që gërvishtnin pa fund.
 
Dehja e lëmshit sa vinte e shtohej.
Na mbyti duhma vërshuar prej vrimave të shpuara,
zhakes së qëndisur me kujdes.
 
Me fijëzat që varen gjithandej,
pengojnë koordinimin e fluturimeve radarë.
Kruspulluar nën gjethnajën mburojë,
krimbi po i shpëtonte edhe njëherë ciklonit.
 
 
 
ZJARRVËNIA
 
Oxhaku vrimëanash.
Me tullat thërrmuese,
nën dhëmbët e brejtësve,
vazhdon tymnxjerrjen.
 
Fshihesh në grinajë…
Sqepat,
si këmbët e vejushës së zezë,
të pickojnë.
Tek – tuk ndonjë fjollë e bardhë,
dhe rrugë…
 
Trigonometria malore.
Nis grish me bardhësi,
pjesëzën…
që zjarrvënia ka ngjyrosur.
 
 
 
TREGUES
 
Thërmohen petë – petë,
shtresat e thoit gërryers.
Teksa ngrihet e tregon shënjestrën.
 
Ja! I’u ndryshova ngjyrë,
i çela me të kuqe purpuri.
Por prape petëzohen,
dobësuar nga lista akuzash
të pa zë – shme.
 
 
 
ZGURDULLUAR
 
Më mbërthejnë për veshi kërmijtë.
Të padukshmit,
të lodhur nga onomatopetë,
më përplasen mes korridoreve.
Aty te i mesmi
e më japin alivani.
Bërë zaif…
Me sytë të zgurdulluar sakaq,
dëgjoj të fundit pipëz,
dhe … terr, qetësi…
 
 
 
BEZHESI
 
Pikë brilanti vesuar mbrëmja.
Me gdhendjet e viteve drusore
mbi sytë e kalimtarëve.
Bezhësi veshur ambjentesh monotone,
e unë, ti në një cep ulem…
Harta të djegura vizitorësh,
më tregojnë një udhë që ende se di.
Ndjek kryqet, vijat, emrat
e zhgarravitura mbi stola,
ku çdo prerje më tregon histori.
Një dhimbje, një humbje, një dashuri !
 
 
 
HIJE
 
Kurrizi gungaç i universit,
kërruset pambarim drejt plakjes.
Dhe vjen vjeshta …
Me fluturakët që enden,
për pak diell, për pak errësirë.
Për të sjellë mesazhin e tyre mistik
të përtejbotshëm.
Ngarkuar me ngjyrat e qefinit.
Të shthurura, të lehta, vijnë e ikin,
qetësisht si hije të paqena.
 
 
 
SILUETË
 
Siluetë e padukshme,
shkon e vjen brigjeve të mprehta.
Grabitqar që shqyen çdo gjë të gjallë,
ëmbëlsisht puth plagën e hapur pa mëshirë,
vetveten e pangime të ngopësh.
Të zhdukësh çdo shenjë të krijesës së gjorë.
Dhe i ngopur, me përpëlitje në fyt,
të ligjërosh për mirësinë e krijesës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s