Kalendari poetik: Abd Al Wahhab Al-Bayati (1926-1999) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Kalendari poetik: Abd Al Wahhab Al-Bayati (1926-1999)

U lind në Bagdad, më 19 dhjetor 1926 Al-Bayati, poet, politikan e diplomat iraken. Qeveria republikane që doli pas grushtit ushtarak të shtetit më 1958 dhe rrëzoi monarkinë, i dha postin e ministrit të arsimit, ka qënë edhe atashé kulturor në Moskë dhe në Madrid, kur mori pushtetin Saddam Hussein, që më pas i hoqi shtetësinë kur mori pjesë në një festival kulturor në Arabinë Saudite. “Marëdhëniet e mia me të gjitha qeveritë, s’kanë qënë kurrë miqësore. Unë i përkas popullit iraken, jo atyre,” tha poeti në një intervistë. Më pas jetoi në mërgim, deri sa vdiq papritmas në Damask në vitin 1999, pa qënë i sëmurë. Spitali nuk dha asnjë diagnozë (!). Ja një poezi e tij:

DRAGOI

Diktatori, pas maskës së revolucionarit fshihet
dhe vret e pret sa mund,
plaçkit dhe rrënon,
por zë-ëmbël na thotë,
s’i bën zemra të vrasë një zog.

Portretet e tij na buzëqeshin ngado:
i gjen në kafene dhe bordello
as nëpër klube s’mungon, as në treg.
Tani edhe Djalli vetë,
s’është veç hije para tij.

Edhe nga kalendarët diktatori,
Nerudën, Marquezin dhe Amadon i hoqi,
e fshiu dhe Kushtetutën, pas qejfit e ndrroi;
emrin e vet i vuri çdo sheshi,
çdo rruge, çdo lumi,
gjithë burgjeve në vendin e tij të ndritur.

Të fundit që i tha të vërtetën, e varrosi,
se me adhurim nuk i ra në gjunjë.
Na është zotuar, veç vdekjen do të na bëjë dhuratë.
Zagarët e tij gjithë vendin plaçkisin
dhe bukën e gojës na vjedhin,
dhe Muzën e përdhunuan,
dhunojnë gratë, vajzat e atyre që në tortura vdesin
dhe gratë, vajzat e ushtarëve që luftën e humbën,
ia mbathën si lepujt në pyll,
ikën me bisht ndër shalë
dhe erdhën në vend të tyre ushtarë
puntorë e fshatarë,
artistë dhe shkrimtarë
djem njëzet vjeçarë,
muratorë, farkëtarë,
të uritur, të djegur nën qiellin e vjeshtës
me zor u dërguan në kasaphanë
të vriten nga pushtues i huaj a nga të vetët.

Portret i tij tani ka rënë në baltë.
Dhe po shijon atë që meriton
mashtrimet e tij në shesh kanë dalë,
portreti i tij po shkelet me këmbë,
po e shkel Historia me ato këpucë të rrjepura.
Ish diktatori në mërgim dënohet e vritet,
një tjetër përbindësh gati bëhet për vendin fatkeq.
Sahati i rërës fillon nga e para,
numuron frymëmarrjet e diktatorit të ri,
që përgjon gjithandej,
në kafene dhe bordell,
në klub dhe në treg.

Nga Karaibet te Muri i Madh kinez,
diktatori-dragua është klonuar.
Kur e ka radhën ky, o shën Gjergj?

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s