Cikël poetik nga Lumo Kolleshi

Cikël poetik nga Lumo Kolleshi
 
 
NË SHTËPINË E DANTES
 
E gjithë Firencja ishte aty brenda
edhe Beatriçja aty ish,
të gjitha konfliktet e kohës kërkonin të bënin pajtim.
ato që nuk mundi t’i merrte me vete, ishin po aty.
Mungonte vetëm poeti
(Nuk e lanë të kthehej sa qe gjallë)
Në arrati lindtte bibla e kombit italian.
Tani,
për t’i kërkuar falje,
radha e gjatë e vizitorëve pret nëpër shkallë.
 
Firence, më 27.12.2015
 
 
 
TAKIM POETËSH
(Me Bajronin në parkun e madh të Romës)
 
Ja ku u takova me anglezin më të bukur,
udhëtarin e përjetshëm të lirisë,
I thashë me gjysmë zëri, gati në të lutur:
Nisemi dhe një herë drejt Shqipërisë?
Veç një kusht e kam, o lord i vargut,
takime s’ do të bëjmë me pashallarë,
ata ma kanë thyer gurin e pragut,
shpresën e atdheut ma kanë vrarë.
Le te bujtim veç si shtegëtarë.
E di që ke mall për Tepelenën,
për selinë e erërave që s’ flene kurrë,
për trimërinë suliote, fustanellën,
për bujarinë që stolis të grave nur,
Zemra të çan gjoksin për Iskanderët
që sot i mungojnë vendit tim …
Nisemi sot a në mëngjes herët?
Fryma e lirisë na fton për shtegtim,
Det e qiell le të çmenden për pengim.
 
Romë, më 25.12.2018
 
 
 
KAFE NË MILANO
 
1.
Më i vetëm se vetmia,
në tavolinë krejt i vetëm,
kafja pi vetveten.
Heshtja e kopsit dhe të fundit kopsë.
“Guri i rëndë në tokë të vet”
Këtë porosi të moçme
ca krahë pëllumbash ma prunë si synopse.
Brenda njeriut zgjohen të gjitha vullkanet nëpër kohëra fjetur,
shpirti kërkon një kupë uji bjeshkësh
të lajë sytë e etur.
 
2.
 
Shqip po shkruaja mbi letër në kafene.
Në tavolinën përballë një italiane,
Dy fëmijë të dielltë me qiellin e tyre pa re…
ç’ erë e mbarë i solli ata tek unë?
Fjalët shqip shikonin dhe pyesnin:
“Che cos’è?”
Për një çast m’u duk se gishtat e tyre të hollë
trazonin mjekrën e moçme të Buzukut.
Nuk di pse kërkoja thellë mjegullës
një Dajt dhe kodrat e Saukut,
një Trebeshinë e Dhëmbel mes grykave të Jugut.
 
Milano më 28.12.2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s