Cikël poetik nga Agron Shele

Cikël poetik nga Agron Shele

 

Një grua

Mos prisni që ajo të eci me shallin e hedhur supit nëpër rrugët e ftohta,
as të kërcasë takat në memorien e heshtur,
as të shikoni imazhin e saj xhamave të vitrinave,
sepse rrëzëllimi saj
është më shumë se një diell
që ngroh, kur akujt shndërrohen në qirinj
e prekin gjer në asht tokën
për të thyer një mit të atij dimri
që vdes në bebëzat e syve
e rilind
duke përqafuar dritën.

Një imazh që shfaqet vezullimit yje
e bashkë me të shtrin erën flokë
tek një pyll, ku flenë drerët
e gjurmët e thundrave lënë nëpër borë,
si magji e shfaqur në shkrepëtimë
robëri e fatit dhe kërcimit trazim
dejt asaj shëmbëlltyre
që vetë zoti e ka krijuar,
shenjtëri
në mbretërinë e çdo fryme.

Mos prisni që ajo të ligështohet
se dhimbja ecën me gjakun
e gjaku me ndjenjat përjetësi,
si hyjni
e asaj force që ngre në këmbë perënditë
engjëjt për çdo ditë,
kuptuar heshtjes së ndërrimit të shekujve,
se jeta është më shumë se një përpjekje
që kalon portave të ylberta
e hap kanatet jetë
buzëqeshjes së një gruaje!

 

Drejt Diellit…!

Bashkë me retë e dimrit vrapojnë dhe mendimet e ftohta
që ngrijnë poleve të memories
e në një bardhësi të përjeshtme duket se shndërrohen,
pa gjurmë të mbetura,
as shenja egzistence
të asaj që ka kaluar ashtu tinëz
e mbetur atje veriut,
si një kujtesë që e nesërmja ndoshta do e deshifrojë
nën copa akulli
grafikë e asaj që egzistoi dikur
lexuar në kristale bore
shëmbëlltyrë e atij vrapimi të çmendur nëpër botë
me të pathënat e mëdha të ajrit që brymën frymon.

Ndoshta hapat rendin dret kryqëzimit të fatit
që e solli si mundësi për të parë se çfarë ndodh poshtë harkut të Hënës,
që si lumi vëshon rrugës së të tij
ndryshuar vetëm ekuinoksit të stinëve,
ashtu plot zhurmë e turfullim shirave të trishtimit
mpakur rrezeve përvëluese,
tkurrur e ndrydhyr
në të njëjtin shtrat
pritjes së tjetër eliksiri,
që do përmbushë damarët e tokës
e tjetër zë do jehojë luginës poshtë.

Bashkë me retë e dimrit zhvendosen dhe shtjellat që rrethojnë qiparisin e vetëm
përkundur trazimit erë me kreshtë përherë drejt
atij vështrimi që sytë fsheh nën sytha,
për ti hapur në të tjetër kohë
bashkë me korin e zogjve të rikthyer
haresë së tyre,
se sërish fluturimi do nisë nga perëndimi
me flatrat mbërthyer
tek një qiell
që i drejton përjetë tek Dielli!

 

Pafajësi

Floku i borës përherë i pafajshëm
shtrin bardhësinë e tij kudo
bie lëndinës e prek me frymë
tokën e athët nga i ftohti i dimrit,
s’ harron të bjerë dhe telit të ngrirë,
që burgos vrullet dhe lirinë njerëzore
kristal që shndrin madhështinë e dlirë
fjetur përherë dhimbjes së botës.

I bardhi kristal, delikat nën qerpik
kohës që shfryn në shkulma stuhie
acarin e shndërron në gjurmë të mbetur
tek një shteg që kurrë rrugëtimin nuk e gjen
endur, e endur, pëherë shkretisë
në të fundit shpresë, që jetën ngrin.

Gëzojnë ujqrit, se ndoshta prenë e arritën
e mendja rrotulluar, stomakut të uritur
do mund të kapërdijnë gjakun e shprishur
egërsisë, që përjetë i la të babëzitur,
vrapojnë ata, udhëtimit pa krye
nxitojnë të prekin zemrën e drerit
që brirët degëzim vizatojnë gjurmët e tokës
dhe dihatja e perbotshme
mbtetet shenjt i kohës.

Vazhdon fjollë e borës dheun ta mbulojë
të zezën e saj, të mund ta fshehë
e bashkë me të dhe mëkatin e saj
që drithma jep, e rrënoja ngre,
por jo shkatërrim biblik të paudhësisë
që si hienë qëndron, të etshmes ligësi
viktimën bën, dhëmbëve brisk të thyer
ashtit të ngulur e shtrirë përdhe
udhëtuar mes fjollës së pafajësisë lëngim
mendje e shpirt qiellit fluturim.

 

Shkëlqim

Ajo pret ndoshta atje
e krahët kryqëzon detit
ujrave, që rrëmbejnë të kaltrin vështrim
dhe e tret bashkë me dallgën e vet,
ose sytë përhumb
tek një anije e vjetër që direkëve valvit një flamur të zbardhur
nga vitet lundrim
rrethuar përherë nga pulëbardhat në nisje
e pritur, si gjithmonë nga vështrimi i kthyer ligështim.

Stuhia fillon përherë mes mjegullive
e bashkë me oshëtimën dhe shpirti regëtin
zemërimi i qiellit kthyer në re e zjarr
dallgët i kthen në tajfun,
përplasen ato memories së shkëmbinjve
dhe brejnë ngadalë, përherë pa kthim
atë breg mbetur pidestal i i kohës
tashmë shndërruar në një ishull të humbur.

Trazim i madh, në tokë e qiell
dhe valë që prekin gjer në dhimbje
jehonë e pasthirrmave në ndjekje
të nimfës që humbet tutje thellësi
drejt asaj humbëtire,
ku dielli shndrin më pak
e feksja Hënë
humbet harkut të vjedhur
nga zotat që Hermesit ja dhuruan si trofe
për yjet që do rrëzonte
e zjarrin e tyre do ndizte përmbi dhe.

Ajo pret atje
shkrirë valë e shkëmb
statujë, ku një shpend përkulet gjer në falje
e supeve të bardha qëndron
në pritje të erës që flladit
flokëzat drite gjer në horizont
magjisë së bukurisë jetë tërhequr sharmit të kuq,
për shekuj e shekuj që do kalojnë
si e vetmja hyjni në shkëlqim!

 

Harpës së Orfeut!

Ngela prapë tek ty,
tek ato shtjella që burgosin shpirtrat
e rrëmojnë pasvedekjen
burgosin qeniet e brishta dhe të nëmurit,
burgosin dhe lirën e Orfeut,
pse këngë i thuri dashurisë,
që çmendi dhe zotin e vdekjes vetë
e zëri i tij
kumbon në vullkane të zjarrta
djegies
pluhurit të shndërruar
rikthimit njësoj si Feniksi.

Tashmë krahët ai shndrin
rrezes verbuese të Diellit,
që lind kaq bukur horizonteve
e mbledh flatrat dritë
në një muzg muzash
nimfash e perëndeshash,
që presin tek një breg
erenitë e mëkatit
lindur
e tretur në amshim.

Më kot zbret Dante
të zbulojë fatet e nëntokës
e dritën e Virgjilit të ndezë
të shquajë damarët e jetës,
se aty prehet një fli
në një zambak të çelur lumit të zi
ndoshta dhe një Hyjni
që pluhuri i tokës e përpin,
por jo paskoha,
që e rikthen si shëmbëlltyrë
tek një përmendore sheshit të triumfit
e rend në jetë të jetëve,
si përherë e më shkëqim.

Prapë rikthem tek ty Had
tek centaurët e përbindshëm që ngrejnë mure
e botën ndajnë në humnera të frikshme,
se e di,
që ato duar mëshire të stërgjatura
nuk janë frikë,
as agoni,
por dëshirë e heshtur
fytyrë e zotit të vërtetë
që ngre katakombet e fjetura
dhe ndriçon rrugën plot dritë.

Mendimet më çojnë kaq larg
sa fragmentet këputen tek një yll
për tu ndezur sërish prushit natë,
në lëndinën e fjetur poshtë tyre
e unë grimca e jetës
në sy dua të shikoj,
si lind e rilind agimi
që zërin e shpresës më risjell
dhe ti e frikshme errëti
lëre Orfeun të lirë,
se lirës së tij do ndjesh
një botë plot magji.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s