Poezi nga Vasil Çuklla

 
Poezi nga Vasil Çuklla
 
 
Qytetguri
 
Eh, si shket, moj Gjirokastër
Në mes mjegullash, në mote!
Për drejt Drinos, ujëpastër
Gurit ngjizur. Lavdiplote…
Larë në gri, kurm-alabastër!
 
Çajupi… e hedh një hap
tek të sheh, në tatëpjetë
Lëviz vendit të të kapë
të të mba, të të shtojë jetë
Ti ku jeshe, mbetesh prap!
 
 
Jam… edhe s’jam
 
Jam!
E ndjej…
Diku gjetkë, kam shtëpi.
Adresën,
s’mbaj mend
Rrugën,
nuk e di…
Nuk di, ç’t’ju rrëfej!
 
Andaj them –
se s’jam!
Nuk jam ky,
që sheh…
Nuk jam ky,
që prek…
Diçka tjetër jam…
Jam, ndoshta,
një teh
Thellë kurbës,
përkulur
Thellë kurbës,
që rrek!
 
Nuk jam i matertë
jam hije
Jam vrimë…
S’jam ai,
që sheh!
Jam vrimë,
e tërfrymë!
 
Dashuria jam,
e tërkohë,
e mermertë!
Jam!
Edhe dua,
të më shoh!…
Të më prek!
 
Dhe s’mendova,
kurrë
Sa njerëz harbojnë,
dëshirës së dlirë.
O Zot, sa të tjerë,
klisheve të lirë!
Sa njerëz, o Zot!…
Sa të mirë!
 
 
Monologu i Ponsit Pilat
 
O ju, të pabesit njerëz, rracë gjarpërinjsh
O ju, që kafshoni makthesh, bishtin tuaj.
O ju, pjellë qorre, kuturisur, çinginjsh…
O ju, reptilë e çiban, për tokën tuaj, të huaj.
O ju, kafshë, që kërkoni, të thërritesh “njeri”
 
O ju, që në jerm, vriteni, priteni
O ju, më të egërr, se ujkonjë, luan e ari
O ju, driza, gjëmbaç, që shtoheni, rriteni…
O ju, të patru, paganë, prej helmit blatuar
O ju, që s’nderoni, as derë e as prak
 
O ju, tru-ulokë, mbathur këmbë, veshur duar
O ju, të pangishmit, ushqyer me gjak…
O ju, të ftuar, parajsës qiellore
O ju, që vratë Ftuesin me duar të papastra
O ju, quravecë, pjellë figurë Hyjnore
 
O ju, mbetur Judë e shitur për pak aspra!
O ju, ordinerë, Hyun tuaj të zhbëni, sa doni
O ju, që mbërthyer e kini kryqdrurit, vërtetë
O ju, të pamëshirshmit çakej, më dëgjoni:
O ju, rracë e pështyrë. Shpalleni Mbret!
 
 
Pranverë
 
Pranverë erdh,
o moj çupëz
çapkëne.
Rrebele e mesnatës,
në mesterr
Krahësupeve bart
dritë-hëne
Një puhizë të shfaq
e të nxjerr…
 
Lakuriq syve tanë.
Petkëhedhur.
Veç aromat e luleve
përmbi kurm më mban!
Gjoksin e rritur,
pekuleve
S’e fsheh dot,
më i bukuri,
fustan!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s