Fabula nga Iliaz Bobaj 

 
Fabula nga Iliaz Bobaj 
 
 
LARGËSITË GJEOGRAFIKË
 
Një shoqen e saj e pyeti Flora:
-Kush është më larg, hëna apo Roma?
 
-Hëna,- i tha shoqja,- ja tek është mbi mal,
Romës s’i duket as nam, as nishan.
 
-Ah,- tha e gëzuar, kur mori përgjigje,-
tani i kuptova largësitë gjeografike.
 
Me vete të nesërmen aty nga mesdita:
-Domethënë dielli është më pranë se Amerika.
 
 
GOMARI I DEHUR
 
Gjeti të hapur fuçinë,
tek porta e një qilari,
verën e mori për ujë,
piu sa deshi gomari.
 
Dhe nisi nga marrëzitë,
duke pallur, duke u hedhur.
Qeshën kafshët me gjithë shpirt,
kur panë gomarin të dehur.
 
Midis kafshëve që qeshnin,
seriozisht foli një brumbull:
-Ky nuk mbahet kur është esëll,
jo tani që është bërë xurxull.
 
 
SKLLAVOPRONARI, EZOPI DHE GJUHA
 
Ezopi, kur mbahej skllav,
u thirr nga skllavopronari:
-Shko më sill më t’ëmblën gjë,
ndër gjithçka që ka pazari!
 
Bleu gjuhë babai i fabulës,
por i zoti s’la të pritur:
-Ndër gjithçka që ka pazari,
shko më sill ç’ka më të hidhur!
 
Ai drejt rrugës së tregut,
u derdh prapë si djalë i ri.
Kur erdhi pruri çudinë:
gjuhë pruri përsëri.
 
-Mund të jetë e njëjta gjë
dhe m’e ëmbël dhe m’e hidhur?
Nënqeshi skllavopronari:
-Skllavi im, mos ke lajthitur?
 
Po Ezopi mendjendritur,
thjesht e bukur ia shpjegon:
-Po, po, imzot, mund të jetë,
varet si e përdoron…
 
 
ROSA DHE ROSAKU
 
Rosaku pa rosën:
-Vesë përmbi zambak!
Rosa pa librezën:
-I pasur, ah, ç’fat!
 
Dhe vune për martesë,
njëri bukurinë,
tjetri, natyrisht,
vuri pasurinë.
 
Ikën vitet, ikën,
i pari,… i treti,
rosa dashurinë,
ia dha një tjetri.
 
Mori vesh rosaku:
-Tradhëti, hata!
Rosa qetësisht,
rosakut i tha:
 
-Tek ti bukurinë,
dhashë për pasuri,
po zemra, ta dish,
s’blihet, kurrsesi..
 
 
NJERIU ME FENER
 
Në mesditë, me fener të ndezur në dorë,
si dikur Diogjeni, ecte nëpër njerëz.
-Ah,- thanë kalimtarët,- kërkoka njerinë!
-Jo,- tha, – e ndez të më shohin të tjerët.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s