PËRMASAT E ËNDRRËS / Poetja Natasha Xhelili nën dritën e përmasave eseistike të Demir Gjergjit

natasha liber

 

Shtëpia Botuese “ADA” paraqet botimin më të fundit, vëllimin me poezi “Mali sheh ëndërr” të Natasha Xhelilit

 

PËRMASAT E ËNDRRËS

 

demir

nga Demir Gjergji

Për ty që nuk ke qenë ndonjëherë këtejpari, nga Delvina, në Jug, pa dyshim, ke imagjinuar ca peizazhe nën një diell të ngrohtë, përballë një deti me të gjitha ngjyrimet e bukura të blusë, me agrumet, ullinjtë, shkurret
shkëmbinjve dhe bimë të rralla e magjike, pllajave, natyrisht ke pritur, ca tinguj e nota të buta natyre dhe ca zëra e fjalë miqësore njerëzore dhe, pastaj, në atë udhëtim ëndrre, ke ndërtuar brenda vetes ca lirika e rima që vijnë prej lulëzimeve, prej erës-aromë, prej shirave të ngjyrosur ylberesh.
Por, i dashur lexues, me lejo të të zgjoj nga ëndrra, të vë përpara, në vend të një kanistre me fruta Jugu, këtë libër poetik të autores Natasha Xhelili. Shfletoje dhe shijoje që të gjesh edhe ëndrrën e një mali hijerëndë, një ëndërr që vjen prej historisë, prej botës dhe prej universit. A nuk të befason bubullima e papritur e ngjarjeve të mëdha mbi këto peizazhe? A nuk të tronditin bëmat dhe gjëmat e lashtësisë që vijnë prej amfiteatrove antike, apo piramidave të faraonëve, që vijnë nga fantazia e përrallave të pamosha?:

“Ç’të ketë ndodhur vallë?
Ku të jetë duke gjuajtur kryeprijësi Artrid
ndonjë dre të përkëdhelur të perëndeshës Artemidë,
të organizojë një luftë të re ndërsjellëse në botë?
Paridi nuk ia jep më mollën
Afërditës plot hire
kur Helenën e ka pranë,
kali i Trojës nuk gënjen më askënd
në rrënojat e sapozbuluara të qytetit antik.”

Poezia e Natashës në këtë libër vjen me një mëtim për t’i folur botës nga ngjarjet e vetë botës, për të na folur me një art fin, për ndjenja më të fuqishme se ato që janë brenda një fryme, apo një kraharori. Brenda një dashurie të dy zemrave, e cila përbën materien e pothuaj më shumë se gjysmës së poezisë, që deri më tani kanë shkruar poetët në të gjitha faqet dhe brezat e njerëzimit, poetja ravgon të thotë, se është një tjetër dashuri: ajo për vatrën, tokën, atdheun, të thotë, se në një në dhimbje nga humbja një dashurie, nis akti fatal i humbjes së madhe të lirisë, se nga një dramë ndarjeje, fillon tragjedia e moskuptimit, vetmisë dhe sherreve të kombeve, që tek e fundit, ndizen zjarret e luftërave, nga hiri i ftohur, i të cilave lartohen përmendoret e datave të fitore-humbjeve dhe ato të heronjve:

“Lufta e Trojës, ende e turbulluar
Shtyu Homerin të mësonte fundin e saj…

Kureshtja zgjat duart nëpër shekuj
të mbledhë lëmoshë mendimesh
për fatet e heronjve të shpëtuar…”

E ndërgjegjshme, se tashmë është në nivelin e një pjekurie poetike, (ndonëse e vonuar në botime), autorja beson, se e ka kaluar fazën e monologut poetik me veten dhe për veten, madje edhe atë të dialogut me “ty” dhe ka siguri se mund t’i flasë tashmë bashkëkohësve, e botës, se mund t’i tregojë së ardhmes për të shkuarën, se mund të mendojë për të sotmen, me vizionin e ditës që vjen. Dhe në të shumtën e poezive, këtë e ka arritur, duke na befasuar me forcën e vargut dhe duke na ushqyer me emocione marciale. Ajo që duhet shënuar, është se këtë autorja e bën pa vargje “bombastikë“, por me detaje dhe figura që i shkojnë për shtat një stili të shtruar dhe një bashkëbisedimi bindës e të mençur me ty lexues:

“Di, me siguri, që ëndrra ime po troket
në dyert e shekullit tjetër e gjelbër, e qetë.”

Me fjalë të tjera, mund të përfundojmë se ky libër është një simfoni, ku luhet edhe me flautet e motiveve intime dhe të brishta: “Ndarja”, “Zënka” “Asaj”, ashtu siç operohet edhe me tambure e trompa motivesh magiore: “Ç’të ketë ndodhur vallë?”, “Kështjella”, Shfaqja”, “Tv.” …dhe e gjithë përmbledhja të kujton një orkestër të saktë, ku luhet një simfoni e plotë.

***

Për ty që nuk ke qenë ndonjëherë këtejpari, nga Delvina, në Jug pas leximit të këtyre vargjeve, a nuk të duket se po kthehesh prej andej me ftesën (këtë libër), që e mban ende në dorë dhe me imazhe të tjera, të tjera ndjesi, të tjera pamje, të tjera pritje,të cilat i gjeta nëpër motivet poetike të ëndrrave të një mali përballë detit, që fsheh brenda vullkane, ndërsa blerohet nga stina Mesdhetare dhe kaltërohet nga Joni!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s