Kodi unik dhe figurshmëria e lirikës (Në vëllimin poetik “Përsiatje”, të Sadije Kryeziu Bejtullahut) / Nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

.

10338949_681761358563528_295450996_n

 

Kodi unik dhe figurshmëria e lirikës

(Në vëllimin poetik “Përsiatje”, të Sadije Kryeziu Bejtullahut )

 

 

 

 

10264958_658697094202408_223655126489871718_n

 

Nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

 

 

 

Derisa e shfletoja librin “Përsiatje”, diku në faqet e para, mbi jetëshkrimin e poetes, më ra në sy që ishte shkruar: “Lexoje me syrin, mendjen e një 16 – 17 vjeçareje, se pikërisht ky libër u shkrua atëherë”! Në këto fjali, një dorëshkrim i poetes…, e kuptova thelbin, padyshim. Ishte vetëm porosi drejtuar një mikeje…, dhe e falënderoj pa masë autoren për këtë rikujtesë. Një vajzë e rritur në frymën atdhetare, vetëm se kishte një droje të vogël. Ajo, sikur kërkonte një lloj sigurie prej meje…, pak më shumë vëmendje, pak më shumë ndjeshmëri për përjetimet, ngjarjet e periudhës ‘81 – ’99, rrethana në të cilat, ajo la një pjesë të rinisë së saj. Një porosi që më shtyri të mendoja për veten… Po, një formim po aq atdhetar e kisha dhe unë, meqë i takonim të njëjtit areal gjakimesh kombëtare, po të njëjtit ëndërrim lirie, megjithëse një kufi, si pa dashje gjatë historisë, i kishte shpërfillur trojet tona.
Mendoj se, në vëllimin poetik “Përsiatje”, të Sadije Kryeziut, artikulimi i dilemave poetike vjen përmes talentit. Janë perspektiva shpërthimesh lirike, si një varkë që zbarkon e derdh ëndrra! …Të njihesh me vargun e kësaj poeteje është e pamundur të mos i thyesh tabutë, të mos i prishësh rregullat e radhitjes së poezive në libër, të mos ndiesh revoltën e saj të shprehur ndër vargje. Me një fjalë, të njihesh me vargun e Dijes, nënkupton të gjurmosh në thellësitë e shpirtit të saj.
Të them të drejtën, jo gjithmonë më pëlqejnë kronologjitë fikse, imazhet sipërfaqësore a gjërat rutinë. Mirëpo, përderisa e lexoja këtë libër, shpesh e zija veten duke përfytyruar situatat e përshkruara në poezi. Një përputhje moshash me poeten, ma jepte këtë mundësi, pak a shumë të kujtoja për së afërmi ngjarjet e gjeneratës ’81, Lëvizjes studentore e deri në vitet ’99 dhe 2001, sepse kishim fatin “e hidhur” që të jetonim kohët e vështira për shqiptarët e trojeve tona, Kosovë – Maqedoni.

 

 

34812_107990892607247_8242969_n

 

Sadije Kryeziu Bejtullahu

 
“Përsiatje”, të lë mbresën e një ditari që plotëson…, aq sa libri reflekton mbi shpirtin e rebeluar rinor, human e kombëtar të vajzës entuziaste, për më shumë aromë lirie në vendin e saj – në Kosovën e robëruar, po aq, poetja lë gjurmët mbi: jetën, sfidat, ëndrrat, dhe veprimtarinë e saj për të, për këtë vend!
Në librin e kësaj poeteje, që frymëzim e ka Kosovën e vendbanim Londrën, sfondet refleksive i paraprijnë gjëmës së Atdheut, që atëherë kur Lëvizja studentore e gjeneratës ’81 u shndërrua në katarakt trazirash kombëtare. Ato ngjarje ngrihen në thyerjet shpirtërore, në ndjenjat e syrgjynosura të poetes, ku paqja s’resht së sumbuari lot e gjakim. Në ca vargje përshkruan: “Me rrufe/përgjakur nga kohë e ligë,/me rrufe/Liri e dergjur, me gurë e murosur…/Studenti i shekullit të murosur/numëron ditët, vështirësitë e kohës”, nga poezia “Studenti i shekullit të murosur” (84). Ajo ecte bashkë me përkalimet shqiptare nëpër trajektoren e ankthshme, kur drama e shekullit pulsonte në frymën shqiptare, si në poezitë: “Flamuri shqiptar” (88) dhe “Qiriri i dhimbjes” (91). Ishte kjo kohë, kur gjeografia e cunguar shqiptare ndjeu në palcë m’u ato, kafshimet e shekullit.
Përmbajtja e vargjeve të Dijes, nuk është e patjetërsueshme si një metodë e llojit kërkim mbi “kronologji historish”, sepse ngjarjet – referenca të poetes, janë situata të njohura botërisht. Veçse, ajo sjell ndjeshmërinë nga afër të këtij realiteti të trishtë, aq më tepër kur këto nota nostalgjie përshkohen nga perceptime femërore. Ngjarje këto, që çdo femër shqiptare, të paktën do ta shndërronin në poete, meqë absorbimet poetike të Dijes e kanë shpërthyer më, si të thuash, atë bërthamën e procesit krijues hermetik. Në këto vargje, nuk qëndron hermetizmi, ndonëse ato mund të lexohen nganjëherë edhe ndryshe, si konceptualitete diferencash letrare. Prurjet e këtilla poetike, më shpesh i referohen simbolizmit, madje në një dozë përkushtimi të theksuar.

Si pulson Atdheu në vargun e Dijes

Në pasqyrën shpirtërore të Dijes reflektohen peizazhe të Atdheut që mbushen si freska kujtimesh të vargëzuara vit pas viti, ngjarje pas ngjarjeje, e poetja referon mbi to, si një folëse lirike vatrash atdhedashurie.
Mozaiku i shpirtit të poetes, të vrarë kohe, e sodit realitetin e zymtë, teksa udhëton me ëndrrën shekullore të bashkëkombasve. Ajo nuk pranon që të pushtohet nga dhembja e braktisjes së fisit, pasi gjyshi i dha “krahët dhe fjalën”, këtë udhëtare të shenjtë që bashkudhëton edhe në ferr, për të mos iu ndarë poetit asnjë çast! “Fjala” është dhuntia njerëzore që mban të freskët Unin lirik.
Ndjeshmëria e poetes për Atdheun është si një zinxhir narrativ, sepse rrjedhimisht rikujtohen dhe shkruhen ngjarjet, qoftë edhe si kujtime të ritreguara. E përjetimet e saj, janë histori më vete. Dhe, sado që të kërkojmë gjenezën e fjalëve: fitore, liri, atdhe…, është krejt e pamundur t’u caktosh radhën historike, pasi ato vijnë si pasazhe në lirikat e poetes ose edhe të ndonjë perceptuesi tjetër i po kësaj linje kohore, megjithëse Dija rrëfen në vetën e parë dhe i shpërfaq ngjarjet si perceptim i unit të saj.
Të një artikulimi ekspresiv janë poezitë: “Në cilën portë” (69) dhe “Vetëm një laps” (77). Dy poezi tejet të shkurtëra përkah numri i vargjeve, por thellësisht të ndjeshme përkah mesazhi përcjellës, që kumtohet përmes pyetjeve retorike. Përderisa në vargjet e poezisë së parë shkruan: “Në cilën portë kanë trokitur/refkëtitë e tua të dhimbsura?/Në restaurimin e rregjur/apo në rebelizmin e përditshëm?, përmes vargjeve të poezisë së dytë shprehet: ”Në duar kisha/vetëm një laps…/Më shpëtoi…/Hijet u trazuan/e u tretën…
E krahas tyre, tematikisht qëndron poezia: “Njerëz pa fosile” (97), vargjet e së cilës sajohen si vargje flladesh rinore, përmes notash entuziaste…, kur fton dëshmitë ilirike për tokën e të parëve. Megjithatë, në ca vargje, ndjenja e saj, lehtazi pështjellohet në zymtësinë e trishtimin e jetës, për shtrembërimin e historisë, nga ata që nuk u lodhën së kërkuari identitet nëpër hartat e trojeve shqiptare, ndonëse aty gjetën vetëm fosile ilire që binin erë gjaku të freskët, të sapoderdhur në fundshekullin e kaluar. Trishtimi i poetes mbështetet në ironinë e fatit, për ata që mbetën së ëndërruari një tokë që nuk u përkiste, as do t’u përkiste ndonjëherë më…!
Edhe një gjë, që më duhet domosdoshmërisht ta theksoj, është shënimi dedikues, sërish një dorëshkrim i vetë poetes, që qëndron mbi poezinë “Dy mijë vjet robni”, në faqe 29, ku shkruhej: “E vetmja poezi që e di përmendësh…, më është ngulitur në kokë nga vuajtjet shumëshekullore që kaloi populli ynë…”. Shënim referencial ky, që të nxiste kureshtjen për më shumë analizë, e vargjet nismëtare: “Dy mijë vjet robni në damarë/shtrydh dashurinë përmbi varre…” ishin një farë kodzbërthimi degdisjesh historike. Poezia ishte shkruar në Prill ’91…, kohë kur ëndrrat e moshës rinore, akoma ishin larg joshjeve individuale, por merrnin përmasa të gjera gjithëkombëtare.
Mirëpo, shpejt pas këtej, shandanit Ilirik iu desh që gjysmëzgjuar të sodisë shpërndarjen e bijve të saj, rrugëve të fatit. E kjo dhimbje s’do shumë stërhollime fjalësh, mjafton pak ndjeshmëri e njohuri rrethanash, se si u ngrit fortesa e quajtur – Kosovë. Andaj, vargjet: “Nëna e përgjakur” flasin enkas për këtë (vargjet në ballinën e pasme). Prej të këtilla dyzimesh: luftë-paqe, urrejtje-dashuri…, gjithherë ka lindur vargu që përmbledh më shumë dhimbje në lirikat shqiptare. Me një absorbim dhimbjesh të këtilla është vargëzuar poezia: “Thika në asht” (34). Në të përvijohet, jo vetëm hija, por edhe zëri rrënqethës i portretit të përgjakur shqiptar. Po këto, janë sfidat e të qenit shqiptar, të cilat asesi nuk tejkalohen po paguar “haraçin” shekullor. Në poezitë e kësaj tematike, dhimbja e poetes, nuk bart vetëm peshën e personalizimit individual, por është dhimbje që rëndon me dekada, mbi tokën Dardane.
Do thosha që, poezitë kanë ngjeshjen e një poeme. Të një vetëshpalimi poetik, që sjellin aromë lirie, i konsideroj poezitë: “Ora shqiptare” (64) “Rrëqethen muret” (30), “Lindi dielli i shpëtimit” 931), “Mallkimi vret” (35), “Po lind Dielli i Kosovës” (36), “Sot” (38), “Në gurin e lashtësisë” (40) dhe “Hijet kanë kokë” (46). Në to, si të thuash, liria bëhet një zë i kudogjendur i poetes. Madje, vetë vargu i lirë, katrenat me rimime rrokjesh të hapura, e ruajnë njëtrajtshmërinë e krijimit. Aty, ndihet goxha lëvizje e mendimit estetik.
Ligjet e artit poetik, pa dyshim që e njohin shtrirjen e subjektit lirik, pavarësisht se thellësia e mendimit, tek poetja, mbetet në kornizat e poezisë historiko-atdhetare, sidomos në vëllimin “Përsiatje”, për të tjerat mbetet të presim…, megjithëse gjurmët e kësaj poezie janë të lashta, por kultivohet në vazhdimësi, meqë frymëzimi për to nuk njeh shterrim. Edhe vargu simbolik ngarkon vlera poetike të dëshirueshme. Përderisa, metaforat janë si kurora ligjërimesh.
Dhe në fund, do të thosha se, jo vetëm “Përsiatje”, por edhe libri “Memorie”, të dërguara me postë nga Londra, të mundësojnë, jo vetëm të njihesh prej së afërmi me publicisten e zonja dhe poeten e talentuar, por të rigjesh dhe vlerat e vërteta të një perle poetike. Natyrisht, perlat krijojnë e dhurojnë vetëm perla për lexuesit… E në vëllimet e Dijes, lexuesi gjen perla të vërteta, që më duhet ta them pa modesti, e plotësojnë koleksionin tim të librave poetik të Krijuesve të Mërgatës Shqiptare, sigurisht ato botime të shumta të 2013, që më janë dhuruar nga vetë poetët!
Dija, është poete që frymon dhe përmes tri simbolikave më domethënëse në jetën e saj, të cilat çdo nënë e mbanë në jetë, me domethënien dhe madhështinë e tyre. Ato janë, tri bijat e mrekullueshme: Rina, Blerina dhe Dijedona.
Vërtet, është magjepsës një udhëtim poetik perlash, që e ngjiz akoma më shumë miqësinë që s’do e shlyejë kurrë koha…, derisa Tetova e Londra pulsojnë nën magjinë e ëndrrave, është filozofia e kujtimeve, ajo që i lidh e përjetëson poetët miqësor nga të gjitha anët e botës! Epo kush hap një miqësi të re, një lulishte ka mbjellë, përjetësisht!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s