“Ferri i lodhur” – roman i veçantë i tipit “mendim” (Vështrim për romanin “Ferri i lodhur” të shkrimtarit Anton Nikë Berisha) / Nga Fatmir Minguli

 

photo

Ferri i lodhur” – roman  i veçantë i tipit “mendim”


(Vështrim për romanin “Ferri i lodhur” të shkrimtarit Anton Nikë Berisha)

Fatmir-Minguli

      nga  Fatmir Minguli

Kur dëgjon për emrin e Anton Nikë Berishës mendja te shkon menjëherë te përkthimi i librit ndër më të vjetrit të shkruar “Epi i Gilgameshit”. Përkthimi i këtij libri në  gjuhën shqipe është një ngjarje e madhe për krijuesit dhe studiuesit shqiptarë, kudo që ata ndodhen. Të përkthesh “Epin e Gilgameshit” në vitin 1984 në kushtet e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme duhej patjetër një guxim prej shqiptari të vërtetë. Shumë kush e kupton se sa rëndësi ka njohja me këtë ep mijëravjeçar për shqiptarët, trashëgues të epeve, ndoshta po kaq të lashta.

Anton Nikë Berisha mbetet po ai guximtar, mbetet po ai studiues kokulur, mbetet po ai kërkues i përhershëm e i pa frikuar nga asgjë e panjohur. Për këtë flasin me dhjetëra vepra të botuara, vepra të mirëfillta studimore, tekste mësimore e antologji, poezi e prozë për fëmijë e deri te lëvrimi i gjinisë së vështirë të romanit.

Kam ndjekur me vëmendje  pak nga studimet plot vlera të këtij shkrimtari dhe studiuesi shumëplanesh, kam studiuar me shënime disa nga veprat e tij dhe jam plotësisht në një mendje me të kur ai thotë në emisionin “Kafja e mëngjesit” të Radio Televizionit Dukagjini se për një studiues e shkrimtar midis tre rrugëve, asaj të lehtë, asaj të mesme dhe asaj të vështirë, ai zgjodhi këtë të fundit. Albert Ajnshtajni thoshte se një problem  që nuk duket i pamundur, nuk përbën qëllim shkencor.

Duke i hyrë lëvrimit të gjinisë së romanit Anton Nikë Berisha ka vënë veten e tij në provë. Nuk është thjeshtë puna e tij madhore  si studiues sesa historia e kësaj gjinie në Kosovë para viteve ’90 dhe pas këtyre viteve e deri në ditët tona. Vetë ky autor ka studiuar romanet e një sërë autorësh shqiptarë dhe ka bërë analiza pikante për to si për autorët Anton Pashku, Azem Shkreli, Ismail Kadare, Nazmi Rrahmani, Ymer Shkreli, Teki Dervishi etj.

Një ngasje e vështirë, një ndërmarrje e skajshme për një studiues. Mirëpo, duke ndjekur rrugën e mundimshme të njohjes “hap pas hapi” ai arrin të realizojë një trilogji simbol të jetës kosovare, të shqiptarëve të Kosovës, jetë dhe jo shumë e njohur nga  shumë studiues, shkrimtarë apo thjeshtë lexues të letërsisë shqiptare.

Botimi i romanit të parë “Bimorja” hap rrugën e trilogjisë kosovare, rrugën e shpalimit të shpirtit të shqiptarit në rrjedhën e viteve. Në librin “Letërsia si art dhe komunikim poetik” Anton Nikë Berisha, shkruan: “Bimorja” shqipton shpirtin e njeriut tonë në shekullin shtatëmbëdhjetë, kohën e Pjetër Bogdanit; “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” arbëreshët e Italisë gërshetuar me botën e të Parëve, arbërorëve, ndërsa “Ferri i lodhur” qëndresën dhe pësimet shpirtërore në luftën e vitit 1999 , kohë kur shqiptarët e Kosovës përjetuan  dyndjen e (dhunshme ) biblike, por edhe kthimin biblik, dashurinë për vendin e tyre.

Është një trilogji e njohjes së shpirtit të shqiptarit, shpirt që në romanin “Ferri i lodhur” ndodhet në trupin e femrës kosovare me emrin e drenushës së maleve, Sutë Sutorës Sykaltërores nga fshati Bardhmir, ngulitur në zemrën e Rrafshit te Dukagjinit.

Kur u përkthye romani i Leon Tolstoit “Lufta dhe paqja” në anglisht, atëherë amerikanët e njohën Rusinë…

Këtë mision në ngjashmëri e merr dhe romani i Anton Nikë Berishës “Ferri i lodhur”. Dhe vetvetiu lind pyetja “a ka ferr të lodhur dhe nëse ka, ku ndodhet apo ku ndodhej?” Përgjigjen e gjen në faqet e këtij romani krejt shqiptar, e gjen në historinë e njerëzve, pjesëtarë të një epi madhor të kohëve moderne.

Në 270 faqet e këtij romani lexuesi do të njihet me bëmat monstruoze të ushtarakëve serbë, sikur nuk i ka parë në asnjë roman, film, apo reportazh gazetaresk. Me një stil tejet të veçantë, me një kapriciozitet pozitivist  të pafund, çdo ndodhi apo gjendje shpirtërore e protagonistes Sutë jepet nga shkrimtari me artin e simboleve, metaforave dhe maksimave brilante, ku natyra e bukur e Kosovës është shpirti binjak i Sutës heroinë dhe gjithë familjes së saj.

Anton Nikë Berisha përdor me sukses monologun e dyfishtë midis tij dhe protagonistes, duke futur monologun brenda monologut, apo siç e përmend dhe ai vetë në roman “ëndrrën brenda ëndrrës”. Është kjo metodë narracioni që sjell tek ne një roman psikologjik, domethënë krejtësisht shpirtëror. Autori i romanit merret me botën e komunikimit të shpirtit të njerëzve, duke lënë mënjanë veprimet e zakonshme të tyre, e ku vetvetiu ai ngre gjithmonë pyetjen e përhershme drejtuar jo vetëm obskurantizmit shoven serb, por Evropës, botës. Një “pse” tërësisht filozofike e pranishme në një gjenocid të paparë në prag të një mileniumi të ri, në mes të një bote  evropiane tejet  delikate në hesapet e saj vetjake.

I kam parë me sytë e mi rreshtat e gjatë të kosovarëve që erdhën në Durrës e tek rrinin në shkallët e Pallatit të Kulturës, të sapo mbërritur në atë mëngjes gri. E pabesueshme, biblike, tepër e dhimbshme, tepër konkrete dhe njëkohësisht surreale.

Mirëpo, në roman ka skena të apokalipsit  njerëzor, ku në qendër të të gjitha vuajtjeve simbolizon Suta dhe familja e saj pa harruar dhe pemët e kopshtit të shtëpisë që i dogjën dhe ato. Nëse mollën, manin dhe pjergullën serbët ia dogjën bashkë me shtëpinë, qershia aty pranë gjallonte duke i dhënë shpresë Sutës për lulëzimin e saj në stinën e re të lirisë së plotë kosovare.

Autori përdor tepër me finesë artistike artifiqen e shpërndarjes rrethore të subjektit, subjekt që përbëhet nga disa shtresa dhe mbishtresa. Shpërndarja e shtresëzimeve e ka fillesën gjeneruese pikërisht tek shtëpia e djegur e familjes së Sutës, e që andej me parimin e rrathëve ujorë që përhapen nga rënia e gurit në sipërfaqen e qetë, shumëfishohen duke ushqyer njëri – tjetrin jo vetëm thjeshtë me rrëfimtarí, por me skena dhe ngjarje nëpër tokën kosovare me njerëz e me vende të panjohura më parë. Kësisoj, autori, në dukje vetëm sa e sjell Sutën para shtëpisë së djegur, jo vetëm në fillim të romanit, por edhe në fund të tij, duke i lënë vendin më të gjerë përsiatjeve me themele të forta poetike.

Mendimi që mund të shprehet se Anton Nikë Berisha rrëfen në këtë roman, nuk është i drejtë nga pikëpamja e krijimit autokton letrar. Unë mendoj se daljet e ngjarjeve jashtë shtëpisë së Sutës janë dhënë jo në formën rrëfimtare, por nëpërmjet palimpsesteve të shumëngjyrëshme. Këto forma shtresëzuese të mendimit, meditimit, studimit psikolgjik, trashëgimisë epike të shqiptarëve etj., janë prozë me frymë thellësisht poetike, janë prozë që tingëllon si poezi, ku rrjedhshmëria e tekstit është plot melodiozitet, gjallëri, pesimizëm që kthehet në optimizëm.

Kemi të bëjmë me një risi të strukturës së romanit, me një konstruksion elastik, po mjaft të qëndrueshëm ndaj furtunave të skeptikëve.

Me futjen e idesë së palimsestit, Anton Nikë Berisha e ka më te lehtë gërmimin e shpirtit të njeriut (term që përdor një nga kritikët e njohur  kur bën analizën e romanit “Ferri i lodhur”). Atë që bëri Fjodor Dostojevskij me frazat e gjata në kërkim të shpirtrave  të njerëzve, Anton Nikë Berisha e bën ndryshe me palimpseste të gjallë,  ku e shkuara përplaset me të tashmen dhe sytë drejtohen poetikisht drejt një lirie të re, lirisë së veçantë të popullit martir të Kosovës.

Janë simbolet ato që e bëjnë romanin të gjallë, mbushur me jetë dhe me mendim, duke lënë mënjanë format  e përdorura në një pjesë të letërsisë  së epizmit patetik në Kosovë dhe në Shqipëri.

E quaj “Ferrin e lodhur” roman mendim sepse aty ndërthuren dijet e pakufishme të autorit Anton Nikë Berisha. Midis ngjarjeve makabre autori ndërpret momentet duke sjellë para lexuesit thesaret e kulturës shqiptare. Histori gojore të popullit, thënie të çmuara popullore, përralla, legjenda, pjesë baladash, që të gjitha plotësojnë idetë e Sutë për qenien e saj shqiptare dhe për invadimin sllav, duke i dhënë ngadalë – ngadalë forcë mendimtare subjektit të këtij romani krejt të veçantë në letërsinë e sotme shqiptare.
E quaj roman mendim sepse më vinë në mend dy skulpturat e famshme të francezit Auguste Rodin,  “Qytetaret e Kalesë” dhe “Mendimtari”.

E para revokon qëndrimin heroik të qytetarëve të Kalesë kundër invadorit anglez në shekullin XIV – të dhe e dyta sjell portretin e Sutës. Të mos harrojmë se personazhi i Sutës është vetë Kosova që mendon dhe qytetarët e Kalesë janë heronjtë e Kosovës që dhënë jetën për lirinë e shumë ëndërruar.

Ja pse ka vlera ky roman, vlera që përgjithësojnë  jetën e kosovarëve me luftën e vitit 1999, ku autori qëndis me durim subjektin me artin e figurave letrare, duke tejkaluar edhe rregulla pedante në strukturimin e një romani të zakonshëm.

Nëse do gjeja diçka kritike për romanin “Ferri i lodhur”, thjeshtë do përmendja mos përfshirjen e Shqipërisë në  ngjarjet e eksodit biblik të popullit kosovar. Mirëpo, kjo nuk përbën problem themelor në thurjen e subjektit të romanit “Ferri i lodhur” .

… Virgjili e mori për dore Danten dhe i tregoi ferrin në shekullin XII – të. Suta merr përdore lexuesin dhe u tregon njerëzve  ferrin më të madh se i Dantes, në fund të shekullit XX -të.

Montecchio Maggiore

Maj 2014

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s