Palaçot e vërtetë, pas posteve e ofiqeve (Esse-analizë rreth Librit me tregime “Vdekja e Palços ” të autorit Petraq Risto / Nga Raimonda MOISIU

 

m101

 

Palaçot e vërtetë, pas posteve e ofiqeve

 

 

(Esse-analizë  shkruar rreth Librit me  tregime “Vdekja e Palços ” të autorit Petraq Risto) 

 

 

 

 

1-raimonda

 

Nga Raimonda MOISIU

 

 



“Vdekja e palaços”, titullohet tregimi i shkrimtarit Petraq Risto. Që në rreshtat e para Risto e hap tregimin e tij me një “rebelim të çmendur”, por me shumëmençuri përgatit lexuesin të hyjë në rrjedhën e shtjellimit të subjektit dhe idesë që e përshkon atë.
Tregimi hapet me bisedën midis pjesëmarrësve të ballos burra e gra, shërbëtorëve, palaços të “vdekur” e mbretit, të cilët përmes ulërimës së grave do të mësojnë se palaço ka vdekur. Gratë në vetvete e dinin që kjo ishte lojë e vetë palaços. Mbreti, për të hequr pështjellimin e shqetësimin e atij çasti dramatik, me psikologjinë e tij të dyzuar mes bezdisjes dhe vendimit për të marrë “masë disiplinore” ndaj palaços, preferon këtë të fundit, me një urdhër të prerë ju thotë “shërbëtorëve bodigardë” për ta larguar nga salla. Autori Risto, mjeshtër i rrëfimit, me intuitë, humor, ironi e sarkazëm jep personazhin kryesor dhe ata që e rrethojnë, përdor shtresa të shumëfishta për të ndërtuar momentin fillestar me momentet që pasojnë, dhe në momentin e duhur të gjithë konvergojnë, krijojnë efektin e reagimeve emocionale, që i kalojnë të gjitha parashikimet e arsyeshme; tjetërsimit, zhgënjimit, melankolisë, paqartësisë, frikës, pesimizmit, fajit, dëshpërimit e paranojës. Tregimi është tërësisht psikologjik. Autori mjeshtërisht na paraqet efektet spektakolare, i vendos ato mrekullisht, mpleks me zgjuarsi të kaluarën e të tashmen me nënvetëdijen e palaços dhe atmosferës kolektive, me dëshirën për të marrë një përgjigje në çështjet më komplekse. Mbreti zemërohet e trishtohet në të njëjtën kohë, i mësuar të argëtohej me palaçot nuk mund ta përfytyronte atë ballo dhe sallën, pa të, por ai ka nevojë për një të tillë, më të ri në moshë, më të hijshëm, më të mirë dhe të përshtatshëm me ambientin. Kështu për të reduktuar autoritetin e tij, ai urdhëron të sjellin një palaço tjetër.
“Shërbëtori s’e përballoi shakanë dhe ra pa ndjenja. Atëherë palaçoja i shkathët shpejt e shpejt ndërroi rrobat me shërbëtorin, i bëri një grim të lehtë, hoqi nga hunda e tij maskën e llastikut dhe ia vendosi tjetrit, veshi rrobat e shërbëtorit, e pastaj e shtriu në shtratin ku pak më parë qëndronte vetë “i vdekur”. Ngadalë e me sukses hapi derën e dhomës dhe u drejtua nga banja aty pranë për të larë fytyrën dhe për të veshur një palë rroba të tjera, të modës së fundit, të cilat i kish fshehur para fillimit të lojës. Zemra i rrihte me një ritëm tjetër. Kishte emocione, megjithëse plani po zbatohej për mrekulli. Balloja vazhdonte, kur palaçoja, tepër serioz, hyri në sallën plot dritë dhe zuri vend pranë një grupi të ftuarish. Kishte dëshirë të dëgjonte se çfarë thoshin për të pas vdekjes. Mirëpo, sikur ta dinin që ai s’ kishte vdekur, ata as që e përmendnin ndodhinë tragjike e atë vetë. Dhe s’ kish veçse pesëmbëdhjetë minuta që ai kishte mbyllur sytë! I shkoi në mendje që të provokonte një bisedë rreth të porsavdekurit, mirëpo kjo do të ishte me rrezik. Përballë, në fronin e lartë, qëndronte lartmadhëria e tij, mbreti, disi i trishtuar. “Po afron koha kur unë duhej të dilja dhe me numrat e mi, lartmadhëria bashkë me të tjerët do të shqyheshin së qeshuri. Mirëpo për mua tanimë nuk ka kohë; unë isha, nuk jam”, mendoi palaçoja dhe qeshi me zë. Dy – tre të ftuar rrotull e panë me çudi, por ai fare shpejt u bë serioz dhe nuk e tërhoqi më vëmendjen e tyre. Rrëshqiti ngadalë dhe u afrua pranë një grupi tjetër, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë të dëgjonte diçka për vdekjen e tij.
Personazhin kryesor, -palaçon- autori e krijon heroik, kontradiktor, i vetmuar i paparashikueshëm, i kamufluar, i zhdërvjellët, i pamëshirshëm dhe triumfalisht injoron traditat. Ai krijon me shkathtësi intrigën, të mundurën e të pamundurën, për të mbajtur gjallë vëmendjen e personazheve të tjerë, që gjenden shumë afër jetës e realitetit. Tashmë me “lojën e tij ironike, si palaço i moralit” vë në lojë të gjitha bisedat me fjalët e tyre boshe, atmosferën paradoksale, absurden e farsën, humorin e komiken, ata të pamëshirshëm e frenetikë, deri “sa e gjithë salla shpërtheu në të qeshura dhe zuri të lavdëronte palaçon, i cili sipas mendimit të ri, jo vetëm nuk ishte konsumuar, por përkundrazi, ishte rinuar së tepërmi më me fantazi….” Shkrimtari Petraq Risto me stilin e tij magjepsës të të rrëfyerit, e bën fabulën me argëtuese, sfiduese, me ulje-ngritje të çuditshme. Lidhjet psiko- emocionale mes palaços së vërtetë dhe atij –shërbëtorit-palaço-janë bërë më komplekse, është sfidë e jashtëzakonshme shndërrimi nga një palaço që nuk ta kanë parë fytyrën reale asnjëherë, e më pas të kthehesh në një gjendje tjetër me fytyrën e vërtetë, sfidë që ballafaqon papritur nevojën për të marrë një vendim serioz dhe të provokojë një situatë krejt të veçantë, për të shmangur motivet e të çonte planin e tij deri në fund. Me qëllim që “morali i rrezikshëm” të mbetej motoja e paradoksit të asaj salle e balloje, i duhej të “zbriste qiellin në tokë dhe qiellin e premtuar “pas vdekjes”. Sigurisht Risto me inteligjencë krijon një moment të jashtëzakonshëm e të papritur, në sallë kur të gjithë prisnin që palaçoja të zbrazte numrat e rinj;”mes asaj heshtjeje u dëgjua zëri i hollë i shërbëtorit –palaço: ”Unë nuk jam Palaçoja…..”
Kjo ishte me të vërtetë groteskja. Palaçoja serioz, buzagaz e cinik me veprimet e tij, refuzon të heshtë dhe proteston kundër pabarazisë sociale, që ekzistonte në oborrin mbretëror, dhe kjo është edhe më shumë së një fitore, siç mund të arrihet kurrë nga një palaço. Një nga shtjellimet më të pjekura në art e filozofi, është se palaçoja nënkupton humorin, të qeshurën qoftë në paraqitje, qoftë në veprime. Vendosja në një pozicion të përkundërt të natyrës së tij, pra përdorimi i kontrapunktit shërben për të nxjerrë sheshazi, qesharakët e vërtetë, despotët, oligarkët, të gjithë atyre që u ka mërguar shpirti njerëzor, të ngërthyer mes dimensionit të korrupsionit moral, ofiqeve dhe pushtetit, në antitezë me madhështinë e pushteti shpirtëror (në rastin e tregimit palaços), të moralit e vlerave njerëzore. Me këtë antitezë endet shtjella e subjektit fantastik, real e klasik, aktual për çudinë e së sotmes, të tregimit “Vdekja e palaços” të shkrimtarit Petraq Risto! Njëherë u bë serioz palaçoja, dhe mjaftoi të shihte palaçot e përditshëm!!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s