RRUZARE METAFORASH TRANSHEDENTALE ( Anton Nikë Berisha, Ujvarë drite në zemër. Botimi gegnisht. Misioni Françeskan, Tuz 2014 ) / Nga Anton GOJÇAJ

RRUZARE METAFORASH TRANSHEDENTALE

(Anton Nikë Berisha, Ujvarë drite në zemër. Botimi gegnisht. Misioni Françeskan, Tuz 2014 )
 

 

anton

 

Nga Anton GOJÇAJ 

 

 
Poezinë e përshpirtshme, ose me motive fetare, e ndeshim qysh në fillimet e letërsisë origjinale shqipe, tue me fillua nga dy Pjetrat e mëdhej, Budi dhe Bogdani, dhe pas tyne nji çetë e tanë e poetëve arbëneshë.Misteri i fesë lidhet ngusht me fshehtësinë e letërsisë. Te dyja, secila në mënyrën e vet, trajtojnë botën shpirtnore të njeriut. Fonetikisht, (athua edhe etimologjikisht?), fjala shqipe “shkrim” ka ngjashmëni me fjalën latine “sacrum”. Librat fetarë kanë edhe vlera të mirëfillta letrare dhe estetike.

Anton Nikë Berisha, profesor universitar, asht nji shkrimtar i gjithanshëm, studiues i njoftun i letërsisë popullore dhe asaj të shkruemes, si dhe autor i shumë titujve në prozë për fëmijë dhe për të rritun. Një vend të veçantë në opusin e tij krijues zë hulumtimi dhe promovimi i letërsisë së arbëneshëve të Italisë. Ka përgaditë dhe botue antologjinë e parë të poezisë së përshpitshme shqipe dhe ka shkrua disa libra artistikë për personalitetin dhe shembëlltyrën e Nânës Tereze.

Libri “Ujvarë drite në zemër” përbâhet nga 14 pamje (poema) dhe nji shtojcë (po ashtu poemë), të cilave u paraprijnë nji parathënie shteruese e P. Pashko Gojçajt dhe nji shkrim diskursiv “Në vend të hyrjes” i vetë autorit. Numri i poemave, 14, ndoshta jo rastësisht, përkon me numrin e stacioneve të “Udhës së krygjës”.

Poemat janë të shkrueme në vetën e parë, rrëfimtare âsht Nâna Tereze, grueja shtatvogël e cila porositë e teksteve ungjillore i zbatoi në praktikën e jetës së gjallë, kurse etjen materialiste për pushtet dhe pronë, që ka errësua zemrat e njerëzimit bashkëkohor, e zëvendësoi me “etjen” e Krishtit për dashuni dhe vlera humaniste, që njihen përmes dritës së besimit.

Fjala “dritë” âsht e shpeshtë në këtë libër dhe jo rastësisht e gjejmë edhe në titullin e tij. Lexuesit i krijohet parafytyrimi se asht Nâna Tereze dhe jo autori ajo që flet në këtë recital/monolog lirik të shkruem me shumë dije, emocion dhe besim. Për të folë me gojën e shejtneshës, poetit i âsht dashtë me u identifikua me të, të veshet me shpirtin e saj, çka ka kërkue guxim të madh, por shkrimtari e ka kalua me sukses. Gravitacioni karizmatik i Nânës Tereze asht aq i fuqishëm sa që edhe vetë recensentët dhe kritikët që merren me vepra të caktueme letrare të cilat në çfarëdo mënyre kanë lidhje me misionaren e dashunisë ballafaqohen vazhdimisht me rrezikun që ma shumë të merren me komentimin e jetës dhe veprave të shejtneshës sesa me shtjellimin e veçorive dhe vlerave letrare e artistike të veprave që janë objekt i trajtimit.

 

anton nike berisha foto

 

Anton Nikë Berisha

 

Poemat e këtij libri përshkohen nga fryma e filozofisë jetësore të Nânës Tereze, e cila thirrjen “kam etje” të Krishtit e gjen “në errsinën e kasolleve të skamnorëve”, “në grishjen e errët të braktisunve”, “në heshtsinë e lodhun të gërbulunve pa za”, “në vorbullën e klithjeve të fëmijve të braktisun”, “në mugën e bebzave të verbëve”. Kjo filozofi jetësore dhe krishtene e Nânës Tereze sqarohet thjesht dhe figurativisht në dy vargje të vetme, të dhâna në parantezë: “vuajtjet kroni i jetës janë / në to shpirti pastrohet e përtërihet”.

Çelësi që shejtneshës ia deshifroi misionin e saj në botë ishte botkuptimi: Krishti ka etje për dashuninë e pakushtëzueme të njerëzve ndaj tij, ashtu siç ai vetë i deshti njerëzit pa kushte deri në kryqëzim. Nâna Tereze i pranoi të gjitha sfidat e jetës, tue pasë gjithmonë parasysh dashuninë e pakushtëzueme të Jezusit për njerëzit.

Autori Anton N. Berisha fenomenin Gonxhe Bojaxhiu, përveç si ndërhymje të drejtpërdrejtë të Hirit të Zotit, e sheh edhe si fryt të historisë së dhimbshme të popullit të saj dhe këtë e jep nëpërmjet reminishencave “topike”: të katundit të origjinës së nânës së Gonxhes, që e përshkruan si “Kopsht i Edenit i zemrës sime”, të Kuvendit të Shën Kollit në Lezhë ku princat arbnorë lidhën Besën e Zotit për ta mbrojtë lirinë e atdheut… Përmenden edhe

martirët e Stubllës e të Letnicës

që nga osmanët pushtues

përjetuan përdhosje të pa pame

pse nuk hoqën dorë

nga besimi në Birin e Hyut”,

pastaj thirrja që Gonxhes i drejtoi Zoti në Kishën e Letnicës për t’u ba “nusja” e tij etj.

Nâna Drane dhe porosia e saj “mos u largo nga drita e Hyut”, në këto poema, shejtneshës së ardhshme i shërbejnë si udhërrëfyes në rrugën e jetës, njësoj siç i shërbeu popullit të Izraelit shtylla prej drite kur ecën në shkretí, tue me ikë nga skllavëria egjiptiane. Në këtë mënyrë poeti sikur sugjeron tezën se personaliteti i Nânës Tereze âsht sa prodhim i Hirit të Zotit, po aq âsht edhe dhuratë e Zotit këtij populli për sakrificat që bâni dhe “kalvarin” që hoqi në shekuj për me i ndejtë besnik Birit të Hyut dhe për me dëshmue besimin e vet në të. Lapsi i quejtun Nâna Tereze, me të cilin shkroi dora e Zotit, asht mpref nga historia e dhimbshme e të krishtenve shqiptarë, kurse ngjyra e atij lapsi asht gjaku i martirëve të Stubllës, Letnicës dhe martirëve tjerë, anonimë e të harruem nga njerëzit, por jo edhe nga Zoti. Ashtu siç i shpërfilli Nâna Tereze kufijt mes kombeve, racave dhe feve, edhe spektri semantik që ngjyros këto poema shkëputet nga gravitacioni thjesht kombëtar, për të lëvizë në hapsina të pamatshme, ku kufizimet kohore dhe hapsinore shlyhen.

Kjo poezi mund të interpretohet, por ma mirë përjetohet kur secili e lexon në pajtim me horizontin e vet të pritjes dhe kapacitetet e veta të receptimit.

Adhuruesit e stilit të bukur këtu do të gjejnë nji rruzare metaforash transcendentale, të cilat flasin për një kulturë të ngritun shkrimore e teologjike të autorit, si për shembull:

e zjarmi i dashunisë së saj –

ujvarë buzqeshjeje –

m’i hapte njimijë shtigje tjera andrrimi

apo

Dashunia e Hyut

 asht lum i padukshëm

buron e rrjedh

në zemër

pa hetue

asht Dielli mbrenda nesh

që na ngroh ditë e natë

asht fryma

që jetë frymës sonë i jep”.

Shtojca asht poema e fundit dhe i kushtohet Karol Wojtylës, i njoftun si Papa Gjon Pali II. Aty poeti, veç tjerash, i shfaq mirënjohjen Atit të Shejtë që puthi “dheun e Vendit tim” dhe që me atë rast i çliroi zemrat e shqiptarëve nga friga! Autori nuk e përfundon librin rastësisht me këtë poemë, sepse Gjon Pali II dhe Nâna Tereze, secili në mënyrën e vet, kontribuen në shembjen e perandorisë komuniste dhe vaditën farën e demokracisë edhe në tokat ku jetojnë shqiptarët.

E veçantë e këtij libri asht se asht shkrue në “gegnishte”, në “g’juhën e shpís”, ose edhe më saktë – në “g’juhën e Nânës Drane”.

Anton Nikë Berisha e zotnon mirë g’juhën e moçme amtare.

Editor: K. P Traboini

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s