POEZI NGA EVA KACANJA

 

 

1386006_664272950264191_1799519428_

POEZI NGA EVA KACANJA

Të kundërtat e bëjnë njeriun të fortë, dallgët dhe përplasjet brenda shpirtit të tij i japin emocion. Njeriu o bindet o rebelon. Bindja është e urtë por të lë në hije. Rebelimi është i egër, i pamëshirshëm, i fortë, emocionues, gati ekzekutues por më i bukuri që mund të ekzistojë. Dhe gjëja më e bukur, kur gjithë kjo luftë ndodh brenda vetë individit.”

 

 

 

 

eva

 

Eva Esat Kacanja

 

 

Lindi në qytetin e Krujës më 07.10.1971.

Ka nisur të shkruajë poezi qysh në moshën 11 – vjeçare.

Në vitin 1990 kur ishte maturante, fiton vendin e parë në Olimpiadën e Parë Kombëtare të Letërsisë. Ministria e arsimit i jep bursën dhe të drejtën e studimit në degën Gjuhë-Letërsi pranë Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

 

Është autore e tre vëllimeve poetike të botuara: “Statuja e shpirtit”,1995 “Në fund të zemrës tënde”,2004 “Aromë dheu”,2011 për të cilat kritika ka dhënë vlerësimet e saj. Fituese e disa çmimeve letrare. Poetja është anëtare e bordit të revistës së Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës “Vegime letrare”;

 

 

Kjo poete është përzgjedhur mes autorëve më të mirë në poezinë për nënën në librin “Karvan dashurie”, botuar nga Ilirjana Sulkuqi në Amerikë. Ka qënë e ftuar në TV të ndryshme rreth poezisë etj. Nënë e dy fëmijëve. Aktualisht punon si nëndrejtoreshë në Shkollën Kombëtare Profesionale “Beqir Çela” ku jep dhe orë letërsie.

 

 

 

 

Cikël  poetik 

 

 

 

 

Arratisje*

 

*Poezia ”Arratisje” është poezia fituese e Çmimit të parë në Festivalin Poetik “Pranvera Durrsake” 2014

 

Thashë të iki pyllit sonte,

dhe pse terrin e kam frikë,

ëndrrën time bëra shoqe,

edhe rrugës ik e ik.

Pemët murgj që mërmërijnë,

hije tyre vel i grisur,

para meje një hutin,

si një djall i cakërdisur.

Nuk e pashë një trung të kalbur,

gjë pa jetë mbi tokën zi,

zemra sa s’pushoi nga frika,

dheut këputem pa fuqi.

Teksa gjaku natën ngroh,

dëgjoj ëndrrën tek me flet:

“Cohu mike,s’është asgjë,

një gërvishtje krejt e lehtë!”

Qesh aq fort sa tremb dhe pyllin,

nata qenka thjesht një rreng,

syri territ e gjen yllin,

ëndrra agut bëhet jetë!

 

 

 

 

 

 

INTIMITET

 

NGA LIBRI ‘STATUJA E SHPIRTIT” BOTUAR 1995

 

 

I fola hënës:”Je si portokall!”

Qeshi hëna:”Më kafsho!”

Ah,jo jo qenke flori!

Merrmë unazë për gishtërinj!”

 

 

 

 

ZEMRAVE TË DLIRA

 

Në kullën e reve do të ngjitem për pak,

Me hënën lozonjare do të bëj një hark,

E nga lart do të gjuaj mbi zemrat e dashuruara,

Që me netët e majit grinden të verbuara.

 

Dhe kur t’I shoh të rrjedhin gjak,

Kupën e qiellit do ta mbush plot,

Do ta ngre atë kupë,do ta pi me afsh,

Për shëndetin e zemrave më të dlira në botë.

 

Dhe kur nata të largohet porsi një manare,

Me buzët e gjakosura do ta puth mëngjesin,

Do t’I them se vij nga një tokë bujare,

Ndaj të m’I shërojë zemrat që po vdesin.

 

 

 

 

 

KRONOS

 

NGA LIBRI “NË FUND TË ZEMRËS TËNDE” 2004

 

Jeta,

Një hënë,

që ditët e mia tret

Dhe të sajat mbush…

 

 

 

 

NËNAT NË ZI

 

I pashë sot,

Rrugës pranë shtëpisë,

Të veshura hijshëm me rrobën e zisë,

Me shamitë e holla,të bardha borë,

Hedhur lehtas flokëve të përhimtë,

Mbështetur dhimbshëm tek njëra-tjetra;

Mendova:

Pse kaq të zbehta!”

Gra të heshtura

Që dalin rrallë,

Rrezja s’I sheh,

Për mort s’ka diell.

Nënat e mjera të plakura në zi,

Shkojnë të vajtojnë ata djem të rinj…

 

 

 

 

EVOLUCION

 

Mes nanuritjes sonë,

Një krijesë “ndryshe”

Bredh nëpër botë,

Ka fizik të fortë,

Ka zemër,

Nuk e din ë c’ane!

Ka dhe sy,

Dhe fytyrë

Pa ngjyrë…

Qiellin nuk e duron Brenda vetes,

Ecje ka zvarritjen,

Fjalë ka thikën,

Puthje ka vdekjen…

 

 

 

 

PERËNDESHË E PLAGOSUR

 

Pranë meje,

Rrëshqet një hije

Si perëndeshë e plagosur…

Flokëzezë,

E parfomusor.

 

Dy sy hutaqë

Përgjojnë natën

Dhe një psherëtimë…

Iku.

Më njohu,

E njoha,

Ndjeva dhimbje

Dhe pika loti faqeve të mia.

Shoqja e fëmijërisë,

Bukën kërkonte

Në “Platia Amerikis”

 

E ndoqa me sy mëkatin sonte,

Tek mbytej pa kuptuar rrugës ku kalonte.

 

 

 

 

KRUJËS

 

Sa herë kthehem këtu nxjerr mall,

Për erën që përkëdhelet ndër ullinj,

Për pëllumbat që gugasin ndër selvi,

Për qetësinë që nata fal.

 

Sa herë këtu nxjerr mall,

Për yjet që mund t’I prek me dorë,

Për hënën që më buzëqesh mbi mal,

Për atë që më flen në kraharor.

 

Sa herë kthehem këtu nxjerr mall,

Për mua,për ty,për ne,

Për puthjet që fshiheshin ndër re,

Për plagët që morëm e dhamë.

 

U rritëm në udhët e tua plot gurë,

Por dashurinë nuk e harruam kurrë,

Ajo që ti mban është e rrallë,

Sa herë kthehm këtu nxjerr mall.

 

 

 

 

BUZËT

 

Për buzët luftë keni bërë,

T’I puthni,

T’I shqyeni,

T’I thithni,

Më pas të kënaqur të qeshni.

Harroni se ,

Mjaltë s’mund të ketë për të tërë,

Ju mbetet vec helmi…

 

 

 

 

GUSHTIT

 

Në netët e tua nuk dua të fle,

Në ditët e tua dua vec të rend,

E etur pas dashurisë,

E shfrenuar si një Helenë…

Në mes të fushës e dehur me verë,

Fustani të më ngrihet gjer në qiell,

Kur shiroku të përkulë pemët,

Kur avulli gjakun të ndezë,

Gusht I bukur,

Gusht I pabesë!

 

 

 

 

KOSOVË

 

NGA LIBRI “AROMË DHEU” 2011

 

 

Ti ke ditëlindjen sot!

Nuk duhen dhurata,

As lule,

Mijëra zemra,

Thurur kurorë dashurinë,

Bashkë me diellin

Vijnë të të puthin Ty!

Ty krijesë e rilindur,

Që ndrin hareshëm,

Ty Kosovë,

Gjysmëndrra që dhemb…!

 

 

 

 

 

KURRË MË PARË

 

Nuk jam ndjerë kurrë më parë,

Kaq në ajër,kaq e dlirë,

Larg prej dheut,përmbi re,

Puth një shpend e prek një yll.

 

Zemra kurrë s’më regëtiu,

Kështu si më regëtin tani,

Shkrihen akujt,detrat ngihen,

Brigjet s’njohin më kufi.

 

E pagjumë si xixëllonja,

Natës endur tërë magji,

Si mëndafsh I butë,I ngrohtë,

Hënës hedhur flokët e mi.

 

Nuk jam ndjerë kurrë më parë,

Kaq e zënë në befasi,

Fjala jote rrjedh nga shpirti,

Bëhem fli në dashuri

 

 

 

 

AROMË DHEU

 

Lulëkuqet si zjarre

Përndizen në lëndina,

Dhe unë në këtë natë,

Nuk po gjej qetësi.

I përvidhem shtratit

Si qiellit vetëtima,

Dhe trazimin gjej

Aty ku je Ti.

Je tok’dheu im,

Bëmë trëndafil,

Që aroma ime

Të drithërojë cdo yll!

 

 

 

 

KRAVATË, S’ JE PËR MUA

 

Kravatë s’je për mua,

Varju dikujt tjetri,

Për nyjet e tua,

Duhet dorë mjeshtri.

 

Unë jam harrakate,

Por e pastër borë,

Zotin e kam mik,

Mikun kurrë dashnor.

 

Jam kaproll I lirë,

Udhëve,ëndrrave,shtigjeve,

Herë përlotur dherave,

Herë krahëvarur yjeve!

 

 

 

 

DRAKULAT E BARDHA

 

Pavion i ftohtë,

Një nënë e pagjumë

Shën Mërisë I lutet,

Me lot e me zë.

Fëmi i sëmurë pa jetë i këputet,

S’e ndihmon asnjë.

 

Mban erë koridori,

Vjeshta ka pshurrur

Në shtratin e një plaku,

Mbledh hundët doktori,

Armani”përzier aromë amoniaku.

Drakulat e bardha,

Misionarët e jetës”

Drapërin e vdekjes

Fshehur pas buzëqeshjes…

 

 

 

 

BISEDË ME ZOTIN

 

Flinte nën një gur,

Dremiste lehtë ndër gjethe,

U zgjua te unë,

Tek lutesha në heshtje.

 

Më fal Zoti im,

Por ndihem kaq vetëm!

Këpute një lule

Dhe mbaje në zemër.”

Kam frikë Zoti im,

Reja fsheh gjithcka.

Pa re nuk ka shi,

Pa shi lule s’ka!”

 

 

 

 

 

HËNËS*

 

*Poezia fituese e cmimit të dytë në Festivalin Poetik “Pranvera Durrsake” 2001

 

 

Rebeluar natës,

Sonte Hënën zura,

Ia rrëmbeva qiellit,

Ndër pëllëmbë e vura.

Dridhej e mjera,

Nën puthjet e mia,

Doja vec të ndjente,

Se c’është dashuria.

Sa shpejt ndrroi formë para syve të mi,

Vec pluhuri hënor,

Më mbeti ndër gishtrinj.

Zemërim dhe dhimbje,

Shpërthyen në kraharor,

Dhe ti moj e bekuar,

Me gen mashkullor!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s