UJQËRIT DHE SORRAT S’MUND TË KENË ATDHE ( Referim rreth Vëllimit Poetik “Sorrat Kanarina” të autorit Gjergj Nikolla) / Nga Dedë SHKURTI

10626300_771121906286183_6301337669749150929_o

 

UJQËRIT DHE SORRAT S’MUND TË KENË ATDHE

 

( Referim rreth Vëllimit Poetik “Sorrat Kanarina” të autorit Gjergj Nikolla)

 

 

Nga Dedë  SHKURTI

 

Që kur kanë lindur shkrimi dhe leximi, siç lindin binjakët, ose më veçantë krijimi letrar dhe leximi i tij, janë vlerësuar mirëfilli si akte komplekse, racionale dhe logjike ku shkrimi është aktiv dhe leximi pasiv. Nuk ndodh kështu me poezinë. Shkrimi i saj është një akt sipëror, sepse poetët këmbët i kanë në tokë dhe kryet e kanë në qiell, tek Zoti. Nga qielli ata e shikojnë edhe tokën edhe Gjithësinë, po me shqisën e Zotit. Në komplement, (përgjigje dhe përmbushje), fare pak pas aktit të parë qëndron edhe leximi që , për poezinë, nuk është më pasiv. Folja ,”këndo”, që në Mirditë dhe më gjërë është thënë për të nënkuptuar leximin, (është njeri i knueshëm, pra i lexuar, i ditur), është plotësisht më me vend të përdoret për për të shkruarit në vargje. Këndimi, (leximi), i poezisë ka shtrirje disapërmasore, gjoksi fillon e dridhet , gurmazi fillon të thahet, në imagjinatë fillojnë të trupëzohen objektet, ngjarjet heronnjtë epikë dhe lirikë sa le gati të fillosh të shtosh diçka nga vetja siç ka ndodhur historikisht me poezinë gojore. Mua kështu më ka ndodhur duke lexuar poezinë e Gjergj Nikollës në vëllimin, “Sorrat Kanarina”. Ndiesia e parë të vjen si një dehje, si një ekstazë…

 

 

portret gjergji

 

     Gjergj Nikolla

 

 

Sapo “hyn” në strofat e para, poezia të mbërthen, fillon dehja, jo një dehje marrakëmbëse, vetëm në kufijtë e një motivimi maksimal për të shijuar çdo rresht me një dëshirë, gati në ekstazë, që të vazhdojë sa më gjatë. Jashtë çdo lloji qëllimi reklame apo marketingu, sepse e konsideroj poezinë e vërtetë si “Platinin dhe Arin” e Shpirtit. Nuk më ka ndodhur që të rimarr në dorë, fill pasi kam mbaruar leximin e parë, dhe me kënaqësi të shtuar, po fill, pasi kam mbaruar leximin e dytë. Befasia është se kjo më ka ndodhur jo me një lirikë optimiste apo melankolike, ku ngjyrat e purpurta të fjalës ta ngacmojnë imazhin në një dehje e cila të lëshon në krahë iluzionesh e ëndrrash djaloshare. Nuk është as edhe një poezi epike, heroike e cila ta ndez gjakun dhe ta bën më të kuq, ku të shtyn drejt ëndrrave me kalorës apo luftëtarëve me guna dhe yll mbi ballë, i gatshëm të vetëflijohesh me lehtësinë e të shkuarit në një gosti.
Jo. Poezia e Gjergj Nikollit është një poezi pamfletike, alegorike, simbolike, ironike e sarkastike deri në humor të zi, një “ musht në tharmim” ku, nuk pushon së shkumbëzuari e nuk ka ndërmend të “flerë”. Duke e lexuar varg pas vargu, duke u munduar të depërtosh në ngarkesën e me një dendësi të madhe figuracioni letrar dhe të një mendimi të strukturuar jo linear, (në vijë apo në plan të sheshtë), por hapsinor, dinamik, gjithnjë në lëvizje, me kurba parabolike e që, jo rrallë, e rrezikon një lexues të pamësuar ta lerë në një labirinth ndiesish, mendimesh dhe imazhesh. Nëpër poezinë e poetit, Gjergj, (nuk mund të gjendet një emër tjetër shqip që kur thua poezi, nënkupton një Gjergj), të krijohet përshtypja sikur janë vënë në një “mute”, Migjeni i madh, Nonda Bulka, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Ali Asllani, pak Faik Konica, dhe po ashtu, pak Nol me kamxhik, maratonomak i dërmuar, i mbetur gjithmonë në metrat e fundit pas kilometrit të dyzet e dytë, “anës së lumenjve”; por asnjëherë një kopjac apo imitim mekanik e naiv i tyre, por vetëm si frymë e nerv krijues. Ka ndodhur kjo, spas mendimit tim, se, edhe tani pas nëntëdhjetë vitesh, në shkekullin e njëzet e njëtë, të industrive dhe teknologjive të larta, Shqipëria dhe Shoqëria Shqiptare është as më shumë e as më pak se ajo e viteve tridhjetë, në një kërkim lemerisës të identitetit të vet kombëtar, shoqëror, politik dhe social.

 

“Sorrat pendëbardha

këndojnë kanarinash”…

 

dhe diku më poshtë:

 

“Ky fati ynë përdreq,

më ngjan po shkon keq!

Natës Ballkanase ku yjet digjen hënës dëshmitare.

Gjeografisë tonë që shkon me ujq e qen, çakenj e hijena

njëzet vjet shtatzënë, natë-ditë-nata jonë, “

 

 

…Çfarë e shqetëson dhe e le pa gjumë poetin tonë?

Shqipëria, djepi dhe atdheu ynë i dashur, ndodhet në një udhëkryq. Akrepat e orës së progresit shoqëror i janë bllokuar dhe kjo për shkak të një metamorfoze të tmerrshme të bijve e bijave të saj, nga shoqëri në turmë, nga grup social në lukuni e tufë, nga qënie njerëzore e vetëdijshme, në kafshë grabitqare, nga një modul intuite, vullneti, e dëshirë për ndryshim, në sorrë që përpiqet të futet në kafaz kanarine e në hijenë që lëpin kocka kërmash. E veçanta që kam vënë re tek Poezia e Gjergj Nikollit, është se poeti, nuk flet “ex katedra”, nuk merr poza thjeshtë vrojtuesi, këshilluesi apo profeti dhe mbi të gjitha nuk “distancohet” duke e “qortuar ashpër” vendin e vet, apo shoqërinë e infektuar rëndë, pjesë e të cilit është.
Ai është krah për krah, në lëvizje, në punën që di të bëjë më mirë, si mësues dhe poet dhe ku të duket se ai të ndjek pas duke kryer dy veprime mendore njëkohësh, shkruan duke ecur me ty, dhe ka një “megafon” të padukshëm në dorën tjetër që të flet miqësisht në vesh. Si askush poet i brezit të vet, ai nuk i dorëzohet së keqes, nuk e ul armën e sofistikuar të fjalës, nuk e fashit pasionin dhe nuk e errëson besimin, se e mira, e përparuara, humanja, triumfi është ende brenda qënies sonë.

 

“Atdheu s’është veç një gur a grusht dheu,

As ai milioneri që puthet me qentë e të atin s’njeh,
paguan shërbëtoren që t’i kruaj veshin,
kur gruan len pa dhëmbë, për vete mbjell leshin,
por më shumë…”

 

Më shumë, më i madh, më vital është atdheu dhe poeti e njeh mirë, e ka shkelur me këmbë pëllëmbë për pëllëmbë, jo thjeshtë soditës, por si punëtor i mendjes dhe legjionar i penës. Ai ia njeh mirë plagët e lëkurës, rakitin e ashtit dhe aritminë e frymëmarrjes siç di të japë, pa tepri, e pa kërkuar t’ia dish për nder, “terapinë” e gjatë për shëndoshje:

 
“Fatin si mëkatin njësoj e kanë horrat!
Ne rendim së prapthi,
rrjedhës si gaforret!

Ku fëmija thinjet, sa i vogël është burri!
Duro o njeri, me durimin druri!
Grushtat e protestave, kthej në limfë flamuri!

A ka një degë, filiz, pemë ku rritet shpresa,
ku të nis e sotmja
ndryshe nga e djeshmja!
Po s’patëm të tashmen.
Ç’na duhet e nesërmja?!”

 

… I gjithë libri poetik i Gjergjit, është i ndarë në tipe vjershash të titulluara, që të ngjan me një poemë unike, me një bosht mendimi, me të njëjtën struktorë logjike e pothuajse me të njëjtën formë vargëzuese.
Ligjërimi poetik i ngjan një rrjedhë turbulente, një lumi të rrëmbyer, asnjëherë i pajtuar më brigjet dhe shtratin e vet. Ky lloji ligjërimi tek poeti nuk është instinktiv dhe, për të na bindur se nuk është i tillë ai ka në libër edhe strofa “Mjediane” me një mjeshtri e mendim të shtruar, për t’ia pasur zili.

 

PRAP ZGALEM DO FLUTUROSH.
Ndien vetmi, e tretesh bosh,
kohën shembur ku ta di…
Këtë mos e atë mos…
Qiell i krisur diell e shi!
Hapa zhdëpur në udhëkryqe,
këtu mos e atje mos…
Ferra hithrash në lëmyshqe,
bosht i kohës dridhet bosh!!!
Copëza fjalësh, lutet ëndërr,
një dëshirë ta triumfosh.
Deti bojë e qielli letër…
A të rrosh a të mos rrosh!
E me sy të kripur qielli,
përshkon shpirtit një ndjesi.
Ylber – shiu e ylber – dielli,
në mes tyre një Njeri!
Copëza fjalësh lutet ëndërr,
një dëshirë ta triumfosh…
Tokës tretur, qiellit tretur,
prap Zgalem do fluturosh!

 
Nuk mund të ndaja një strofë të vetme për të ilustruar argumentin e sipërshkruar, por edhe për të theksuar shpirtin optimist të Poetit, forcën e pamposhtur të Njeriut –zgalem, ku vetë Gjergji njësohet në të. Gjergj Nikolli është poet i lindur! Mjedisi jetësor i tij ka ndikuar jo pak. I lindur dhe me shkollim fillestar në katundin e kullave dhe të mjeshtrave, në “ijen” e Malit të Shejtit, pak kilometër poshtë gurrës së Barrgjanës, përballë Spaçit gri-legjendar, ai ka rrokur në formimin e tij një peisazh gjithpërfshirës më kontraste mbresëlënsëse e të pashlyeshme. Kësaj “ mikrobote” mjafton ta shkelësh cep më cep, gjë që bëhet lëhtësisht, (poeti e ka në poret edhe kujtesën e vet çdo milimetër katrore të saj), dhe e ke të barazvlefshme me një eksplorim global, jo vetëm pamjesh, por edhe përvojash. Gjergj Nikolli, përveçse Poet i lindur, është mirëfilli poet i kultivuar. Dhuntia intuitive, (prej genit) dhe Edulimi solid i marrë në degë universitare letërsie, janë si ngarkesat në një bërthamë atomi, komplementare dhe të domosdoshme për njëra-tjetrën. Kjo e bën Gjergjin një poet autentik, me shtatin dhe fytyrën e tij. Poezia e tij është një masiv me një “biodiversitet” marramendës letrar” , ku bien në sy që nga fjalëformimet brilante, thelbante shqipe, (unë e vë në një radhë me Kadarenë), figurat letrare me një “brumë” komplet të rinovuar, të pakonsumuara asnjëherë nëpër monotonitë vargëzuese dhe limonadat e tjera prozaike e poetike. Shprehja metaforike e “plagëve shtatzana” është një perlë e pahasur në poetikën shqiptare. Abstragimet dhe figuracionet e gjalla me kohën, lëvizjen, shkallën e përparimit, sombolikat dhe kontrastet janë si disa “tinguj violine” që vetëm gishtërinjtë e Gjergjit dijnë t’i nxjerrin në cilësinë e një Paganini-Poet.

 

“Lëkura delesh varur në kalendar,
si prill, si janar!
Si ky mot i shibaltë në shkurt, në mars, a maj…
Janë lëkurët tona, si pemë të shqyera rrufeja,
pa patur faj…
O zot që shkrepëtinë huq,
mos i harxho rrufetë e tua mbi lisa jetimë”,
por gjejë ujkun sykuq! “

 

Një formim i tillë si Poet, me dy kolona bazike, genin dhe shkollimin, shtuar përvojat jetësore mësimdhënëse, dhe etjen gushtake për lexime, e ka bërë Gjergjin një individualitet të pavarur, pa pasur nevojë të “bubrrojë” aspak në thesaret dhe pasuritë e të tjerëve, por nga ana tjetër shpesh herë një pre e egoizmave, zilive e bracive të hapura dhe të fshehta nga turmat e mediokërve vargëzues, të lukunive fejsbukjane, të rrgugicave me baltë të provincave por, edhe të “minjve poetikë “ të metropoleve.
Krijimtaria poetike e Gjergj Nikollës është shumë e pasur. Ajo ngjan me një “Munellë”, me florën dhe faunën e larmishme , burimet dhe borën e përjetshme, po aq me minierën polimetalore që nga Ari e Platini e deri tek mineralet e rënda radioaktive. Si grimcë njerëzore e këtij masivi, nuk kish si të ndodhte ndryshe. Jo rrallë jam përballur me lexues të kualifikuar e dashamirës të poetit, të cilët, nga dëshira për diçka më të përsosur, dëshironin sinqerisht një “krasitje” që sipas tyre do t’ia shtonin nivelin dhe densitetin artistic vargut. Kam takuar gjithashtu, (gjithmonë janë në shumicë), të tjerë lexues të rëndomtë që kërkojnë të bracojnë qoftë edhe nga “damba dhe skrapet hedhurina” për të “çimentuar gjenialitetet” e tyre. Nuk jam tunduar nga asnjëri grup, t’ia sugjeroja qoftë edhe vëllazërisht Poetit të shikonte mundësinë e ndonjë “krasitjeje” të poezisë së vet. Për mendimin tim, “Munella” nuk do të qe një mal i bukur,vetëm me pishënajën pa shkurret, me sorkadhen pa bollat, me Arin pa squfurin dhe me livadhet alpine pa “ferrin” e Mekuçit.

 

“Arsyeja e mosarsyeja kaq afër e afër:
Sa dita me natën a koka me rrashtën, “
“Ec përmes botës,
përfytyro.
Përmes kësaj bote kohë e tashme, e pakryer..
mes kësaj bote unë e ti,
Ai e Ne: Duam a s’duam fillim e fund
(Zgalem i plagosur, a Promete i mbërthyer),
me sytë filizorë, nën trungun cung.
Shiko, kupto, beso, forcoje mendimin se…
Jam e je: Në shtatë ngjyra ylberesh a hone krateresh, 00”…

 

 

Duke ju ftuar ta shijoni vetë poezinë e Gjergj Nikollit, po e mbyll këtë përcjellje me një përfundim personal: Gjergj Nikolli është, padiskutim, poeti më i mirë mirditas i brezit të vet, më prodhimtari, më cilësori dhe më i kompletuari si nga talenti krijues , po ashtu, nga edukimi e racionaliteti.
Ai është, po ashtu, në avangardën e poezisë së sotme shqipe, si një poet i maturuar, me korpusin cilësisht të dallueshëm të poezisë së vet. Edhe pa emër të shkruar në kopertinë, sapo të lexosh strofat e para, çdo “konsumator’ i poezisë e njeh Gjergj Nikollin. Ai është, tashmë, një Individualitet i spikatur i vjershërimit shqip.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s