Libri i Miradije Ramiqit ( Nga fjala e mbajtur në manifestimin poetik ballkanik të Gjirokastrës ) / Nga Bardhyl Maliqi

Libri i Miradije Ramiqit

Nga fjala e mbajtur në manifestimin poetik ballkanik të Gjirokastrës

 

 

 

Bardhyl Maliqi

 

Nga Bardhyl Maliqi

 

Të flasësh për një artiste poliedrike si Miradije Ramiqi, piktore e afirmuar, poete e mirënjohur dhe pedagoge në Akademinë e Artit në Prishtinë, është një ndërmarrje serioze dhe me përgjegjësi, pasi s’ke të bësh me vargëzime apo vizatime të thjeshta, por me vepra të njementa arti. Miradija njihet prej shumicës së krijuesve të kësaj salle, pavarësisht kombësive të ndryshme dhe shteteve nga vijnë. Pse? Për shkak të ekspozitave të saj të shumta artistike, për shkak të botimeve të saj në disa gjuhë dhe sigurisht prej  albumit të saj pitorik “Bolero”, por edhe për shkak të manifestimeve poetike dhe kolonive të përbashkëta të piktorëve ballkanas si dhe çmimeve dhe vlerësimeve të merituara ndër këto tubime kulturore.

Miradija ka qenë edhe herë të tjera e ftuar ndër ne  si pjesëmarrëse në manifestimet tona poetike e kulturore të Poezisë Jonike dhe të ekspozitës së çelur në përfundim të sezonit turistik në Sarandë. Kemi vërejtur me kënaqësi se veç qënies së saj humane dhe bonsensit femëror, atdhedashjes dhe respektit për njerëzit ajo është edhe një artiste autentike për nga rrahjet tematike dhe këndvështrimet ndaj tyre.

Të nderuar poetë, ju them sinqerisht se veprat poetike dhe piktorike të Miaradijes nuk mund të lexohen me alfabetet e zakonshme të tingujve dhe ngjyrave për shkak të nuancimeve të tyre të shumëfishta; problematika e tyre nuk mund të zgjidhet me alegoritmet e njohura për shkak të rrezatimit të tyre universal, kombëtar dhe qytetar. Kodet etike dhe estetike të Miradijes më parë duhen njohur e perceptuar, pastaj të shijohen, megjithëse në dukeje ato krijojnë një efekt të menjëhershëm.

 

 

 

Miradije Ramiqi

 

        Miradije Ramiqi

 

 

Me një vështrim njërrokësor të albumit të saj të fundit pikturik “Bolero” dhe vëllimit më të ri poetik “Hirësi përrallore” të bie në sy ndarja ciklore e këtyre veprave, me emërtimet e tyre shprehëse, plotësisht të motivuara për nga brendia ideore dhe forma artistike. Puna ciklore është shenjë e padiskutueshme e pjekurisë artistike, që vërehet tek piktorë, shkrimtarë, muzikantë dhe poetë të afirmuar. Mjafton t’iu kujtoj Nolin, Lasgush, Poradecin, Migjenin, Vangjush Mihon, Dritëronë apo Kadarenë. Kështu tek albumi  “Bolero” edhe në vëllimin e fundit poetik “Hirësi Përrallore”, gjejmë këtë një strukturim që të bën të mendosh.

Kjo ndodh sepse edhe me një sy të lirë mund të vërehen disa veçori të përbashkëta në artin e figurshëm dhe atë poetizues të Miradijes. Shpesh titujt e cikleve kryesore janë në ejkuvalencë sinonimike mes poezisë dhe pikturës, si:

Arketipe ilire dhe Përjetësi në Paris; ku i përbashkët është udhëtimi në kohë dhe udhëtimi në hapsirë, konceptimi filozofik dhe përjetësia e qenies.

Shpirtëzime fluide dhe Hirësi përrallore; ku vërehet spektri imagjinativ dhe trillues në pikëshikimin themeltar dhe në ekuivalencën e mjeteve shprehëse.

Përshpirtërime poetike dhe Shpalosje; ku shfaqet qartë sinonimia mes pikturës dhe poezisë. Për një artist apo lexues e admirues arti pa përvojë piktura është shpalosje, pasi dominohet prej perceptimit shqisor të vizatimit, ngjyrës dhe dritëhijes, por jo, Miradija mendon ndryshe: për të piktura është pëshpërimë poetike dhe këtë përshtypje të lenë vërtet disa etyde, skica, akuarele dhe peisazhe të saj. Ndërsa poezia një shpalosje e ndejnjës dhe e mendimit.

Një mënyrë e dytë e përqasjeve jo rastësore tek Miradija janë antitezat dhe kontrapunktet, si:

Variacione kohore dhe Mbretëri e fjalës; këtu mund të konstatoni fare lehtë antitezën. Aty ku ka mbret, s’ka varjacione as pushteti, as mbretëria. Në letërsi fjala është mbretëreshë e përhershme, me hiret e saj përrallore, me qytetarinë dhe shprehësinë e saj metaforike e simbolike. Por kjo nuk ndodh gjithmonë për pikturën, ajo s’ka të njejtin kufij mbretëror me poezinë, pasi piktura është perandori universale si perandoria e zogjve, e ajrit dhe e dritës, që ekziston për shkak të varjacioneve perceptive vizatimore e fantazindezëse. Piktura, muzika dhe sportet s’kanë nevojë për përkthyes, por për njerëz të kulturuar që prodhojnë mijra kuptime pas pikëvështrimeve  të ndryshme të tyre për të njejtën vepër arti. Ndërsa shija e poezisë kalon përmes rrugës së mundimshme të njohjes gjuhësore për të prodhuar ngjyresa kuptimore të mirfillta.

Rrugëtimi fatal dhe Dashuri për të tjerë; këtu kalvarit të historisë dhe të etjes për liri, sakrificave të një populli autorja u vë përballë pikërisht dashurinë për të tjerë, megjithëse të tjerët shpesh dashurinë nuk na e shpërblyen me dashuri.

Fytyra të humbura dhe Zonja e dashurisë dhe e etjes për liri; Ky kontrapunkt vjen mes perceptimit që i bën Miradija dhimbjes nga njera anë dhe imazhit që krijon personaliteti i saj polivalent, që sipas Marinela Licas është tre dimensional për shkak të ngërthimit historiografik, piktural dhe erotik nga njera anë dhe bipolar nga ana tjetër: dashuria dhe liria; dy aspirata të përhershme njerëzore.

Mënyra e tretë krahasuese në artin miradijan është marrdhenia asiocative mes shkakut dhe pasojës, si p.sh:

Peisazhe të shqetësuara dhe Dheshkronja; ku shqetësimi i ligjshëm për fatet tona historike, dyndjet barbare dhe humbjet e territoreve, që thellësisht e kanë trondur dheshkronjën (gjeografinë) tonë politike dhe shkrimin gjuhësor. Por ky vështrim i shqetësuar mbi peisazhet e hirnosura prej barutit solli një prurje të bukur dhe shpresëndjellëse: Republikën e Kosovës, pra një hapsirë të re të dheshkronjës shqipe.

Peisazhe imagjinativ dhe Tëhuajsim i vonuar; në themel të kësaj përqasje asocative qëndron përvuajtja e tokës mëmë prej mjegullave të historisë, pasi vetëm e imagjinuam peisazhin e plotë të etnisë, por nuk e mësuam dot në rini historinë tonë në mënyrë rrënjore dhe ilirike, ndaj u tëjhuazuam dhe po e njohim me vonesë vetveten.

Portrete të ngrira dhe Heshtja në mes; Ata që ranë ata që për veprën kreative e merituan lartsimin, si Azem Shkreli, të cilit i dedikohet poezia “Heshtja në mes”, sigurisht kishin ende diçka për të thënë, por ikën në heshtje, mbetën porterete të ngrira, ky është shkaku pse midis nesh qëndron heshtja dhe nderimi për ta. Kumti i dhimbjes dhe i heronjve nuk ka nevojë për fjalë. Provoni të qëndroni pranë bustit të një martiri. Do të heshtni thellësisht. Portreti i tij ka ngrirë që Ti të jesh i gjallë e plot dinamizëm, ndaj meriton nderimin dhe heshtjen. Vini re sa bukur e shpreh këtë autorja në poezinë për Bekim Fehmiun dhe Beqir Musliun: Në këtë përkujtim “lindje-vdekje”, /lulegjaku do t’i heshë,/Lumëbardhit gjarpërorë në Prizren.

Në pikturën dhe poezinë e Miradijes ka dhe punë të veçuara me tituj më të drejtpërdrejtë të karakterit historik, politik apo social, si: Aktarketipe, me të cilën fillon albumi; Kosova në luftë, Kosova në OKB, Gota e demokracisë, Vjeshta etj. Ajo që ndjen në vëzhgimin e këtyre punëve është lëvizja e gjallë e ngjyrave nga një cikël në tjetrin; raportet konrastuese dhe dritëhijet që iu përshtaten mesazheve dhe kredove artistike. Kështu edhe në poezi ka vjersha, që mund të inkuadroheshin ndryshe për shkak të këndvështrimeve të ndryshme që ka mes autores dhe disa prej nesh si lexues.

Në pikturë Miradija ka punë të formateve të mëdha, që janë realizuar me teknika të akuarelit, vajit apo të kombinuara, janë vizatuar në pëlhurë apo karton. Në poetikën e Miradijes pavarësisht se  nuk ka poema, ka lumenj mendimesh dhe ndjesish që përmbytin përfytyrimin artistik si në pikturat e formateve të mëdha.

Vërejtëm së bashku disa pika takimi mes pikturës dhe poezisë miradijane. Për mua këto pika takimi u ngjajnë sinapseve mes neuroneve, atje ku depozitohen neurotransmetuesit. Nuk dihet sakt ku shkojnë paskësaj, bëhen pjesë e strukturës qelizore, duke u shkrirë brenda saj apo kthehen mbrapsht si ushtri që i duhet të hidhet në një mision të ri?! Evidencuam disa prej tyre. Të tjera do të na dalin para, pasi prej artit figurativ në poezi Miradija nuk mbart vetëm strukturat ciklore, qasjet acociative të fqinjësisë, kontrastit apo shkak-pasojës, por edhe imazhe, fjalë dhe terma të drejtpërdrejta, të cilat vetishëm shkruhen, pasi vetishëm janë kthyer në pikëvështrime dhe shprehësi.

Dihet se aftësia për të pikturuar është produkt i inteligjencave hapsinore të zhvilluara. Rregullat e ruajtjes së distancës lidhen me konceptin e Perspektivës, simetrisë dhe asimetrisë. Të tilla janë ato edhe në poezinë e Miradijes. Thamë më lart se Arketipet Ilire dhePërjetësi në Paris mbështeten pikërisht tek koncepti i hapsirës historike, pra hapsira si kohë që matet me shekuj e vite dhe hapsirës gjeografike, pra hapsira si përmasë e një bote materiale, që matet me milje dhe kilometra.

Miradija pikturon, e pra fjala pikturë dhe vizatim janë nga më të përdorurat në arealin e saj poetik, si p.sh. pikturë lemeritëse, fjalë në pergamenë, pikturë e bardhë: mall e dashuri, pikturë e lashtë-bukuri e trazuar, shpirti im pikturë e lagur; pikturë e pakryer, lashtësi vizatuar në mur, ndjenja që shndërrohen në pikturë dhe unë vetë kthehem  në akuarel;  pikturë e harruar, nesër do të vdes nëse thua ti, hapsira të tymosura, muza që shndrisin hapsirave, gjethet e rëna të drurëve-një furtunë në pikturë, etj. Spekrti ngjyror i fjalës pikturë dhe vizatime çon natyrshëm poezinë e Miradijes në hapsira të reja teritoresh semantike në artin e saj poetisues.

Shpesh pikturat vendosen në korniza të llojeve të ndryshme, e pra nga piktura vjen fjalakornizë në poezinë e saj, pasi korniza është e zakonshme për syrin, fjalorin dhe përfytyrimin e saj artistik. Ja disa nga përdorimet: në kornizë mbyllim mallin, në kornizë dashuri përtej dhimbjes, zërat thyhen në kornizë, ngjyzje në kornizë; kornizë ovale, etj. Por korniza mund të kufizojë telajon, por jo ngjyrën ashtu si dritarja nuk e kufizon por e shpërhap dhe e tejçon ajrin dhe dritën.

Piktura nuk bëhet vetëm bardhë e zi, por edhe me ngjyra. Vetë peisazhet dhe ngjyrimet e peisazheve janë mjaft prezente në shpirtin e saj, në sytë e saj, në pikturat dhe poezitë e saj. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për ngjyrat e spektrit diellor, pra për ngjyrat natyrore, por edhe për ato të spektrit emocional, që përthyhen e konverohen si optimiste, të ngrohta, të zjarrta apo pesimiste, të ftohta e akullnajore, p.sh. me zërin tënd në ngjyrë, të hedh ngjyrë në studio, të pikturoj; ngjyrat dhe ndjenjat shkrihen në mallin për ty; nëse më do më kërko me këmishën e bardhë; pëshpërimë ngjyrash, ngjyrat e Van Gogut, ngjyra purpuri, valsi i ngjyrave, bukuri verbuese në ngjyra, shpirti i plagosur që i mungojnë ngjyrat, ngjyra që kallen në pritje, gjethet e verdha që mbulojnë hirësinë përrallore; me shallin e bardhë kokën mbështjell, në natën e errët mendoj, rruga e bardhë, ngjyrat e mallit, aty ku ngjyra ndodh-fjala mbetet në heshtje, etj. Kështu, përmes këtij ylberi, përftimet ndjesore shtohen e rrezëllijnë si margaritarët, ose struken e ngurtësohen si diamantet e zinj.

Dhe së fundi, me dy fjalë do të përqasja etikën e piktores, që është në harmoni të plotë me etikën e poetes. Një model etik në poezinë shqipe është Naim Frashëri. Ka një vizion naimjan tek etika dhe estetika e Miradije Ramiqit. Asnjë skenë makabre, nga ato që të vrasin syrin me shëmtinë e vet nuk ka në piturat e saj. Ashtu si nuk ka dhe fjalë pejorative, gjuhë vulgare dhe ndjellakeqe. Dhe kjo është shenjë emancipimi dhe përparimdashje. Qytetaria e fjalës, etika e poetes dhe e piktores kanë një mision edukimi, që më tepër se ne iu shërben studentëve të saj në Akademinë e Artit. Kështu është vërtet bukur Miradije, përgëzime!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s