Një fundjavë nën magjinë e librit për fëmijë “Kopshti i shpirtit”, të poetit Nebih bunjaku ( Pleksje ëndrrash në imagjinatën fëmijërore “Kopshti i shpirtit” – Nebih Bunjaku ) / nga Zejnepe Alili – REXHEPI

Nebi 1

 

Një fundjavë nën magjinë e librit për fëmijë “Kopshti i shpirtit”, të poetit  Nebih bunjaku

 

Pleksje ëndrrash në imagjinatën fëmijërore
“Kopshti i shpirtit” – Nebih Bunjaku

 

 

 

 

zejnepe -2

 

nga Zejnepe Alili – REXHEPI

 

 

 

“Kopshi i shpirtit”, një libër me vjersha, me një laryshi tematiko-ideore, vargëzuar mjeshtërisht nga poeti dhe pedagogu Nebih Bunjaku, na përngjet në Kopshtin e dashurisë fëmijërore, dashuri mjaft sublime që njeh qenia njerëzore. Aty e njohim botën e padjallëzuar, si ato kurorat e vargëzimeve mahnitëse të R. Tagorës, të cilat janë si kurora motivesh mbi identitetin ndjesor dhe përsiatës të autorit nga një botë e çiltër. Kjo dashuri, vjen më e sublimuar në sfondin e gjerë teoriko-letrar të krijimeve për fëmijë. Tërë letërsia e trashëguar për fëmijë mundëson që edhe përmes ndonjë kuadri të ri kuptimor dhe ndonjë vëzhgimi të ri artistik, të vijojnë të përcaktohen veçoritë e sotme të kësaj letërsie.
Nebih Bunjakun, e profilizon puna prej pedagogu të Letërsisë shqipe, drejtim që ia shpalosi dhuntinë për artin e të shkruarit dhe shkrimtarin me përvojë që me radhitjen e dhjetëra librave, si: “Dalje nga balada” (1994), “Gramatikë zemre” (2004), “Terapia e dashurisë” (2005), “Një samit për një simit” (2007), “Prushimë buzësh” (2008), “Zemra nuk ka dimër” (2009), “Testamenti i lotit” (2012)…, e afirmon atë si krijues serioz, duke e anëtarësuar edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Poezitë e këtij autori janë shpërblyer dhe vlerësuar me çmime nëpër konkurse letrare, ndërsa një pjesë e tyre janë dhe antologjike, duke u përkthyer në gjuhë të huaja, si: anglisht, turqisht, polonisht…, gjë që e afirmon edhe më tepër penën e tij krijuese.
Libri “Kopshti i shpirtit” është mjaft i këndshëm në dukje, ndonëse i vogël në format, si ata libra që të mundësojnë t’i bësh pjesë e udhëtimeve të përhershme…, pikërisht për shkak të përshkrimeve të bukura të peizazheve e portretizimeve të ndryshme, ku njohim subjekte plot impresione e vlera këshillëdhënëse që ndikojnë lehtësisht në edukimin dhe depërtimin në mendjen e lexuesit të vogël. Falë Andrës (sime bije), edhe libra të tillë, nuk guxojnë kurrë të mungojnë mbi shkrimoren time…, madje secili prind besoj, më shumë se obligim e ka dhe kënaqësi që herë pas here t’i rikthehet leximit për më të vegjlit, ata që rriten nga rrëfimet e leximet tona, përpara se ta mësojnë alfabetin dhe të mvetësohen për lexim. E tërë kjo të duket si një sprovë e domosdoshme për njohjen e artit të shkruar.
Objekt trajtese, në këtë libër është fëmijëria…, mosha që nuk i njeh kontrastet e thella rreth vetes. Padjallëzia, çiltërsia dhe dashuria pa kushte e karakterizojnë botën fëmijërore. Atëbotë, JETA ka bukurinë e ngjyrave të ylberit, ka plot ëndrra, pikërisht prej atyre ëndrrave me flatra që asnjëherë nuk thyhen…, e jetën e merr si një lojë, pa e vrarë mendjen për të nesërmen!
Ëndrrat e fëmijëve janë të shumta, të pafundme, ato përshkojnë pyje e fusha, qiej e detëra…, sa që të mbushet mendja t’i rikthehesh në çdo moshë kopshtit të tyre dhe të mrekullohesh nga ato peizazhe që t’i kap syri. Vepra vë në pah edhe arsye të shumta të krijimit, të vendosura në sfonde të reja trajtesash. Të bën përshtypje fantazia e autorit për të depërtuar në përsiatjet e fëmijëve, veçmas përmes ciklit: “Habia e dallëndysheve”, ku mjaft të bukura me një imagjinatë të bujshme sajohen poezitë: “Ylberi”, “Lepuri”, “Dhelpra”, “Ujku di not”, “Nuselalla”, “Breshka”, si dhe duke sjellë edhe bukuritë e stinës më të ftohtë, dimrit, me “Dordoleci” dhe “Baba Dimër”…, tërë kjo pasuri tematike nuk mund të jetë e plotë pa modernizimin e lodrave me kohën e fëmijës, andaj atyre u bashkangjiten edhe poezitë: ”Vetura”, “Roboti”… Një botë e pasur heronjsh, ngjarjesh e veprimesh, para së cilës fëmijët mbeten të mahnitur.

 

 

Nebih bunjaku

 

    Nebih Bunjaku

 

Megjithatë, jo gjithmonë e për të gjithë fëmijët e rruzullit, jeta është e bukur, joshëse, e qetë… Nganjëherë ajo e merr një tis trishtimi të kohës. Po të sjellësh ndërmend brezin e viteve 90 në Kosovë, sigurisht shumica e atij brezi duan t’i grisin fotografitë e fëmijërisë, meqë ato mbajnë erë pluhuri dhe gjaku…, shumica e tyre “u poqën” pa e përjetuar fëmijërinë! Janë kujtime që të trembin, por edhe të kalisin për të papriturat e jetës…, andaj duke i ikur përditshmërisë së helmuar nga armiqtë, ata struken, qoftë edhe për pak çaste në “Kopshtin e shpirtit”, aty ku e ndiejnë mbrojtjen e përjetëshme. Fëmijët, thekson autori, nuk janë si “Lulja në ballkon” (53), madje as ajo: “nuk e do saksinë/ëndrra mbjell n’liri/gjithmonë çel petale/veç për dashuri”. Disa prej vjershave janë si copëza historie që bartin ngjarje të vërteta, e ca të tjera si forma kënge që presin tingujt e ëmbël të zërit fëmijëror.
Në këtë botë laramane të ëndjeve të dashurisë, ca e shqetësuar ndihet zemra e poetit, gjë që në poezinë “ Kosova lazdrane” (101), ai e ironizon të sotmen, papërgjesësinë, betimin e harruar…, ajo “e ka lëshuar gojën/llap pa edukatë/nuk shkon në foshnjore/gjuhën e ka të gjatë”! Ky nuk është iamzhi që don të shohë një poet, andaj si një parodi e fuqishme ngritur mbi ironi e sarkazëm, e sjellur në mënyrë të thjeshtë, e me një gjuhë të kapshme, sigurisht që të kuptohet mesazhi nga vetë fëmijët, pa shumë shpjegime e stërhollime.

Kosova lazdrane

Kosova lazdrane
Pesë vjet n’pavarsi
U bë mendjemadhe
S’është sikur çdo fëmijë.

E ka lëshuar gojën
Llap pa edukatë
Nuk shkon në foshnjore
Gjuhën e ka të gjatë.

Brenga e shkrimtarit është e madhe. Ai dëshiron një botë më të çiltër për brezin e ri, duke e kursyer nga lakadredhat e jetës, ngjitjet e plogështa në brryle e ngushtica pyjesh të dendura, dhe kapërcime lumenjsh përmes urash të forta e qëndrueshme. Nuk e dëshiron përsëritjen e historisë, kohëve të pasigurta plot trazira e vuajtje… Ai ngre imazhe poetike mbi konturat e ngatërruara pa rrjedhë, si rebuset që na i sajonin dikur armiqtë e vendit tonë. Fëmijët janë bota e padjallëzuar, ku duhet të zërë vend dashuria, me të gjitha nuancat e saj, sepse përndryshe, qepallat e njoma të tyre përpëliten nga pesha e ëndrrave të tepruara…
Vorbullat e jetës në robëri e frymëzojnë që t’u shkruajë atyre edhe për gjuhën, flamurin, shqiponjën, alfabetin, shkollën, Skenderbeun, Ismail Qemalin, Adem Jasharin, Nënë Terezën…, janë këto maragaritarët e domosdoshëm të vargut të gjatë të mrekullive të Atdheut. E ku ka sy më të bukur se sa i fëmijës që vështron brenda këtij thesari, që të mbetet përjetësisht pjesë e këtij dekori kombëtar, edhe kur rruga jetësore u pritet nga rreziqe të panumërta. Është energjia e atyre margaritarëve që i bën të pathyeshëm ndër furtunat e historisë.
Nebih Bunjaku është shkrimtar që e njeh mirëfilli se si frymon bota e të vegjëlve. Ai sikur i pikturon ngjyrat e ylberit në sytë e fëmijëve, gjen dritën e diellit në buzëqeshjen e tyre dhe prehjen rrezëllitëse të brezit, në forcën e fjalës. Autori është udhëtari i palodhur që përshkon harqe e harqe të pafundme udhëtimesh, ku çdo udhëtim mban ngarkuar një trastë ëndjesh. Mjeshtëria krijuese e Bunjakut kalitet mbi frymëzimet e shumta të jetës, ashtu si pena e tij që plotësohet nga imazhet e shumta të një adhuruesi të natyrës dhe një pedagogu që di se si të depërtojë në botën e fëmijëve, sepse aty ndodhet “Kopshti i shpirtit”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s