Reshida Çoba, poetesha e zërit të Haiku-t shqiptar në Kaliforni. / Bisedoi: Raimonda Moisiu

 

10568963_800390996651800_2440162006216387825_n

Reshida Çoba, poetesha e zërit të Haiku-t shqiptar në Kaliforni.

 

Poeteshën korçare Reshida Çoba, e kam mike të fëmijërisë, lindur e rritur në një lagje, por edhe më tej, tetëvjeçaren e kemi bërë në një shkollë. Lagja jonë ishte e aq veçantë, për vetë pozicionin e saj gjeografik, kishte perëndimin më të bukur të diellit. Çdo mbrëmje njerëzit, përfshirë edhe mua e Reshidën dilnim sofateve të shtëpive, jo vetëm bënim ndonjë punëdore me grep apo qëndisnim jastëkët, por kënaqësinë më të madhe ndjenim në atë përcjelljen e ngrohtë të diellit, sikur të ishte pjesëtar i familjes tonë/ së tyre. Të gjithë njerëzit na dukeshin të bukur me bekimin diellor dhe dashurinë për njëri tjetrin, dhe ishin të tillë! Përveç atyre qëndismave me yje, trëndafila dhe perëndimin e diellit, belbëzonim vargje poetike nën tinguj serenatash. Reshida na jepte edhe një kënaqësi më shumë, si folëse në Radio Korça, ku recitonte vargjet e saj të shkruara nën përqafimin e perëndimit diellor, por lexonte edhe ato vargjet fillestare, tonat. Përveç se në këndin letrar të shkollës, poezitë e atëhershme të Reshidës u botuan edhe në revistën “Shqiptarja e Re” dhe “Drita”. Më pas ajo emigron në SHBA-ës, ku jeton, punon e krijon prej 20 vjetësh. Poetja korçare, tashmë shqiptaro-amerikane, i rishikon edhe njëherë poezitë e saj të para, por edhe duke krijuar të tjera dhe do të zbulonte se ishte dashuruar me Haiku-n, pa e njohur atë, përmes ndjeshmërisë dhe bukurisë që përshkruante marrëdhënien e njeriut me natyrën dhe njerëzit që e rrethojnë, por edhe vetë temperamentin e natyrës njerëzore me botën natyrore. E fortë, kurajoze dhe duke qenë vetvetja në çdo varg të Haiku-t, ajo arriti të botojë librin e titulluar “Unë, Gruaja R’, me vargje prekëse, që të mbeten në mendje dhe që nuk mund t’i anashkalosh pa i lexuar disa herë. Për stilin poetik të poetes Reshida CCoba janë shprehur pena të njohura të letrave shqipe; që nga shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili mendon se: “Shprehja e saj poetike është e thjeshtë e komunikuese, larg retorikës spontane. Mendimet e autores mbartin filozofinë që më shumë ndjehet, sesa shprehet. Kjo e bën poezinë e saj lirike me një feminitet të këndshëm, me figura të përvijuara lehtazi, të dhëna me dashuri e dhimbje, që shpesh vjen larg.” Ndërsa Petrit Ruka shprehet se: “Vetëm sinqeritete të tilla kaq shkundulluese në vargjet e një gruaje, mund të të shtien në shpirt drithërima kënaqësish estetike.” Edhe diçka më shumë, Reshida është nëna e Miss-it më të suksesshëm shqiptar, Valbona Coba. Në këtë intervistë Reshida na tregon se çfarë është Haiku-dhe pse ajo zgjodhi pikërisht atë për të shprehur shpirtin e gruas, R!

 

1-raimonda

Bisedoi: Raimonda Moisiu

 

 

Kam lexuar me interes të veçantë mbresa, mendime dhe këndvështrime të maturuara profesionalisht rreth poezisë tuaj, nga kritikë dhe autorë të vlerësuar të letrave shqipe. Sapo jeni vlerësuar me Çmimin e Parë në poezi, nga Revista Kuvendi, -Michigan. Përpos urimeve, dëshiroj të di se si jeni ndjerë ju vetë për këto vlerësime?

 

Vetë jeta është pjesë ideale dhe pjesë ndikimi, ndaj them se u gëzova dhe përcolla një emocion jo të zakonshëm. Kjo më shumë se nuk e dija, që do isha konkurruese, mbasi unë nuk ju përgjigja dot ftesës dhe rastësisht pashë njoftimin në internet për çmimin. Në mërgim çdo lajm përjetohet ndryshe,ndjeva se nuk mbërriti vetëm një grusht me gërma për një vlerësim, por një copë toke Shqipërie, më e bukur se vetë Kalifornia ku jetoj, e cila më la shijen e gjatë të mallit dhe lotin më të ëmbël. Vlerësimi im me Çmimin e Parë ndërmjet kaq poetëve nga Diaspora Amerikane dhe Europës, nuk më bën mua poeten më të mirë, thjesht fati takoi emrin tim. Kam lexuar poezitë e shumë konkurruesve të tjerë dhe them se kishte shumë poetë të tjerë të talentuar.

 

Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj poetike: prindërit, arti, letërsia apo njerëzit e thjeshtë; qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj.

 

Nuk ka luajtur rol ndonjë person, poet apo shkrimtar dhe asnjë nga familja ime nuk ka shkruar, thjesht ka qenë natyra ime observuese, cilësi kjo dalluar nga prindërit si veçanti, që në moshë shumë të vogël. Ndonjëherë entuziazmuese për ta e ndonjëherë disi e tepruar në vëzhgimin e tyre. Kur më vonë takoja njerëz të rritur më thonin: “Çfarë do na pyesësh tani? Shejtan ke qenë, pyesje çuditshëm! Po unë nuk pyesja më, kisha turp, kisha filluar të lexoja dhe aty shuaja kureshtjen time. Mbaj mend se kam filluar të shkruaj, që kur mësova si shkruhej. Ndjeja se nuk më merrte asnjëherë uria për bukë, por kudo që isha, nxitoja të shkoja brenda të shkruaja diçka. Nuk luaja gjatë si fëmijët e tjerë,sa hyja në lojë, dilja. Kisha dëshirë të shikoja veprimet e tyre, çfarë bënin me njëri-tjetrin në lojë, s’di pse paraqitja maninë të dalloja kush ishte i mirë dhe kush ishte i keq. Kisha qejf të flisja bukur,modelin e shihja te mamaja dhe pse ajo nuk kishte shkollë, kishte një oratori të veçantë shoqëruar me shumë ekspresione dhe me lëvizjen e duarve, krijonte karaktere në çdo rrëfim që bënte. Mua më dukej njeriu më inteligjent, them se po të dinte të shkruante mbase do ishte një poete. Kuptova shpejt se të shkruarit të mëson t’i thuash gjërat më mirë. Emocioni për të shkruar i ngjan lirisë, ku zgjedh ushqimin më të përsosur, për të konsumuar, por dhe që mund të helmohesh.

 

10441282_715983051794367_4976156733266758552_n-210x300


Dhjetëra vargje poetike të përmbledhura në vëllimin me poezi “Unë Gruaja R”. Si erdhi ky libër në jetë? Përse ky titull?

 

Dobësi e hershme tek unë për gruan si nocion, përcaktim. Ndoshta kjo krijesë u bë më perfekte se burri, se zoti korrigjoi gabimet që bëri tek burri (thjesht shaka). Tek unë gruaja përjetohet ndryshe, dhe në poezi emocionohem me shumë kur lexoj diçka të bukur nga një grua se sa nga një burrë, diçka tjetër, tjetërsohem dhe unë (shpresoj të mos gjykohem nga burrat). Unë jam femër dhe e njoh shumë mirë botën e saj, veç kësaj cilësova që te gruaja shoh krijesën e bukur, delikaten dhe të fuqishmen, të thjeshtën dhe të komplikuarën, interesanten dhe provokatoren,. Gruaja është krijesë e orientuar mirë, qysh herët në familjen time. Unë mësova ta mbroj shumë mirë atdhe ta zhvilloja shumë ndryshe nga sa mundesha, nuk çuditesha kur më duhej shpesh të luaja rolin e burrit dhe të gruas, të bëja dhe sakrifica të mëdha. Të jesh grua je pjesë e zgjedhur e botës. Titulli “Unë Gruaja R”, erdhi si rezultat, se unë i këndoja vetes, shkruaja thjesht për veten, për gruan tek unë dhe kjo një jetë e tërë. Edhe për Duçen pak e dinin që ishte poet, të shkruarit është qëllim intelektual, të botuarit është qëllim përvetësimi i emrit poete. Të botosh një libër është frikë. Kur dorëzon një vepër, nuk e dorëzon se është përfunduar, thjesht e braktis se i erdhi koha. Poezia ishte ajo që gjithçka ishte lënda ime e gruas. Gruaja te unë është ajo pjesa intime, gjysma e personit, qenies njeri, pjesa që guxon e hyn në kontradiktë me kompromiset, tendencat shpirtërore, gjen idetë dhe zgjidhjet. Këtë gjysmën tjetër të qenies, unë e shoh më shumë natën, kur nuk jam aspak nën ndikimin e dritës, as të njerëzve, jam vetëm unë dhe vetja ime, rri gjatë dhe flas gjatë me veten. Natën e quaj lluksin tim dhe s’di pse lidhjet midis gjërave funksionojnë aq mirë dhe në harmoni. Jam shumë komode me çdo ndërhyrje veprimesh e mendimesh dhe di t’i pajtoj mirë gjërat, edhe lidhjet midis emrave, përemrave dhe ndajfoljeve, më duket sikur lidhen më bukur. Përjetoj ndryshe çdo gjë femërore, di ta përdor mirë botën. Jo më kot Virgjinia Wolf thotë:“…një grua që të shkruajë duhet të ketë një dhomë më vete dhe para. A nuk janë shkruar veprat më të mëdha dhe a nuk janë bërë dashuritë më të mëdha natën? Nuk më është ngatërruar asnjëherë gruaja me poeten, por Reshida me poeten, por dhe i kam dhënë lirinë sado paradoksale të dukej krahut të së drejtës. Netëve mendoja, kjo grua që shkruan pa fund si nuk ka një libër të vetin në dorë. Të kesh një libër në dorë është si të gdhihesh pa ditur me Alpet në krye, me shikim hedhur tek mali Shkëlzen, ku poshtë gurgullon dhe flet Valbona me gjuhën e ujit dhe kjo gjuhë bëhet fe. Por koha nuk vinte asnjëherë për mua dhe pse duam që ora të ketë më shumë se 60 min, ajo aq ka gjithmonë. Vëmendja ime ishte e përqendruar te fëmijët dhe qendra e universit, kur je nënë dhe ke dy vajza, shkon te ato. Të jesh nënë nuk fillon vetëm me zgjedhjen e emrit me sa më shume kuptim për ty e sa më të bukur, kujdesi për të rritur dhe shkolluar, por është një sjellje e tërë, e ngarkuar çdo ditë e më shumë me të panjohura, me mendjemadhësitë e x apo y, që shfaqen të ato në procesin e rritjes, ndryshimeve, ndikimeve të shoqërisë.

 

Po veçoj disa tituj të poezive tuaja: “Letra e Gruas”, “Unë dhe vajzat”, “Kafja dhe nëna”, “Dashuria”, “E dua diellin dhe në perëndim”, “Luksi me gaxhij”, “Gjiri i gruas”, “Puthja e Lypsarit”, etj. Vërej, se keni përshkruar karaktere komplekse e dominuese femra, të tillë që lexuesit lidhen vërtet me to. A mund të na thoni se si e arrini ju këtë?

 

Këto tituj mendoj se kanë ndenjur në mendjen e gruas tek unë ndër vite dhe tani thjesht transportohen në kohë, sigurisht që nuk do të humbnin, ishin pjesë e materies sime, ashtu si nuk humbin dot elementët e tabelës së Mendelejevit dhe pse nuk janë zbuluar ende, ato e dinë se ku e kanë vendin e tyre. Një libër poezie, ashtu si një dashuri, të ndryshon jetën dhe po s’deshe ti. “Të dashuruarit, të çmendurit dhe artistët janë bërë nga e njëjta lëndë -Bghagat Singh”. Nuk di ç’të bësh nganjëherë me kaq shumë ngacmime në mendje dhe vendos të shkruash. Mëson si të menaxhosh sulmet e mendjes, si t’ia hedhësh mendjes. Shkrimtari është ai person që të shkruarit është pikërisht, gjëja më e vështirë, se për ata që nuk janë poetë apo shkrimtarë, Robert Benchley shkruan: “Më mori 15 vjet të kuptoja se nuk kam talente të shkruaj, po nuk tërhiqesha dot, se tashmë isha bërë shumë i famshëm”. Qëllimi im i të shkruarit nuk është të shkruaj për një elitë të caktuar, më tërheq dhe ngjall impresion gjithmonë vlera njerëzore te njeriu. Sado i zgjuar të jetë njeriu nëse nuk ka këto cilësi, nuk më entuziazmon aspak edhe sikur të jetë një shkrimtar i madh apo një poet i madh. Me c’ rast as libri i tij as poezia e tij nuk merren si vlera konkrete për ta lexuar, bile në rast se e lexoj rastësisht,jam e bindur se shpejt do ta harroj mesazhin e tij. Në art, nuk ka tolerancë.

 

Në vëllimin tuaj poetik, “Unë Gruaja R”, ju kini dhjetëra vargje poetike në stilin e Haiku-t . Pata kënaqësinë t’i lexoja të gjitha. Ishin vargje prekëse, që të mbeten në mendje dhe që nuk mund t’i anashkalosh pa i lexuar disa herë. Çfarë është Haiku për ju, dhe pse keni zgjedhur atë,për të shprehur shpirtin tuaj?

 

Haiku është forma poetike nga më të shkurtat dhe nga më të vështirat përsa i përket kufizimit dhe teknikës. Në pak hapësirë duhet të thotë të vërtetën. Haiku të bën poet të miqësive të holla, është esencë filozofike, do inteligjencë dhe koncentrim, të luash me skajet e horizontit në pak sekonda që shfaqet. Thjesht vibrim i shpejtë rrokjesh. Unë nuk u nisa të shkruaj Haiku-n, për të bindur idetë e mia se mundem! Fillimisht nuk besova se do të gjeja veten aty, por e adhuroj dhe Haiku-n klasik dhe atë modern. Vendosa të bëj diçka të vështirë dhe të rrallë. Shpesh më ndodh që ndjehem e imunizuar nga ato që bëj dhe nuk kam asnjë kënaqësi, ndjej se dua një motiv të ri e të vështirë, që përligj gruan në dimensionin që ka pasur. Gruan në lëvizje, të kuptoj se jam akoma ajo qenie, që ka trashëguar disa dhunti. E nisa si aventurë Haikun dhe pashë që kisha rezultat. Mora disa leksione dhe një klasë për Haikun në Los Angeles. Nuk e besoja as vetë, kur disa herë Haiku im zgjidhej Haiku i ditës,edhe pse aty kishte njerëz qe kishin botuar libra me Haiku-n. Kjo ishte më shumë se një duartrokitje për librin tim të ardhshëm dhe fillova të mendoj më seriozisht. Ndoshta shpejtësia që do Haiku në vjedhjen e emocionit, përshtypjes, ishte shumë afër natyrës sime, më mërzit ngadalësia. Edhe trupi im ka tipin e të shpejtit. Haiku nuk do të vendosësh se do shkruash një Haik, ai vjen ose nuk vjen si emocion. Inteligjenca emocionale zbuluar kohët e fundit, si pjesa më e rëndësishme e inteligjencës, është faktor vendimtar në perceptimin e një Haiku të suksesshëm. Meqenëse nuk ja falja dot vetes vonesën në paraqitjen e librit, mendova të sillja diçka të re në Shqipëri dhe e bëra. Haiku me një rresht dhe dy rreshta u bë pjesë e ideve të mia dhe më shoqëronte çdo natë në pagjumësinë time, dhe kisha merak se a do e bëja dhe sa do e arrija, për më mirë. Mora guxim të madh kur një Haiku im me një varg paraqitur në një konkurs fitoi një çmim modest me disa qindra dollar: “Çfarë hedh krahëve natën, ky fshat pa male?”. Haiku me një rresht është shumë i mundshëm të bjerë në kurthin e një fjalie dhe të humbë poetika. Të transportosh eksperiencën tënde në disa rrokje, është njëlloj si të dish ekzakt me sekonda, kur do dalësh jashtë e kur do të kthehesh. Haik-u duhet të bëhet substancial artistik. Influenca më e madhe për Haiku-n e këtij lloji, ka qenë për mua -Marylin Mountain dhe Cor Van Den Havel.

 

Në Haiku-n tuaj ka trishtim, pasion, ka magjinë e vet në zbulimin e botës intime figurshëm dhe metaforikisht, dhe një uri të thellë për ta parë këtë botë më mirë. Si e shikoni botën rreth jush? Është poezia një mënyrë për ju, për të shprehur ndjenjat tuaja të brendshme dhe, ndoshta, të sjellë ndryshimin në këtë botë?

 

Nuk ka të vërtetë më të madhe se dhimbja dhe unë shpesh i përjetoj trishtimet, si pjesë e zakonshme jetës. Ndodh që kur nuk kam trishtim për asgjë më duket sikur diçka është gabim, ndjehem në nivelin mediokër, atëherë vërtet shkruaj Haiku-n e trishtuar si; Gjithmonë shkoj në funerale, T’i them vdekjes do të vonohem… Nuk jam tip që mund të rri në shoqërinë e kërmijve, por mund të adaptohem shumë mirë në shoqërinë e sorrave të Van Gogut, në shkretëtirën e bardhë të Kllondjakut. Haiku është zgjuarsi, densitet. Është një tentativë e hapur për prerjen e artë dhe teknikën e saktë. Akoma pa filluar të shkruash Haiku të kërkon të dijë, se ku do të bëjë pushimin. Në natyrën time jam tip i guximshëm,e fortë, por në momente të caktuara shndërrohem në tip melankolik “blues”. Truri renditja me e ndërlikuar dhe e rregullt në mënyrën e vet. Të guxosh të hysh në shpirtin tim gjen aty shumë copëza të disiplinuara dhe organizuar shumë mirë ashtu si gjen dhe shumë copëza të interzemëruara nga gruaja, nëna, bija, njeriu. Poezia është zhdukje nga personaliteti dhe e dorëzon veten komplet te emocioni, dhe ky është suksesi i poezisë, se ka raste kur mendimi gabon dhe emocioni, jo. Me shtimin e komunikimit në teknologji, ajo që është prekur dhe dëmtuar më shumë, është e vërteta, koha është një lumë me ngjarje. Asnjë nuk është i vaksinuar nga erozioni i kohës në zhvillimin e saj të shpejtë të teknologjisë software. Haiku është teknikë shumë e virgjër dhe që do teknikë të kualifikuar. Të transportosh eksperiencën tënde në disa rrokje është art i kufizuar, është njëlloj, si të dish ekzakt me sekonda, kur do dalësh jashtë, dhe kur do të kthehesh, ndaj Haiku është zgjuarsi, densitet. Haiku nuk është poemë, por eksperiencë precize.

 

Ju keni jetuar një pjesë të jetës tuaj në regjimin komunist, ku dominonte frika dhe varfëria. Sa ka ndikuar kjo në Haiku-n tuaj?

 

Nuk është i panjohur fenomeni, që ndodh me emigrantët si njerëz të mallëngjyer e të përlotur shpesh. Sapo zbresin në tokën e huaj, gjëja e parë që mësojnë instinktivisht është se koka mbahet gjithmonë mbrapa, andej nga ke lënë identitetin, zemrën. Grumbullohen si pikat e shiut në një pellg malli i paparë, për gjuhën shqipe, për vendin, për njerëzit, në një kohë që stresi dhe puna për të mësuare komunikuar kudo me një gjuhë të re, për tu ambientuar me tiparet dhe sistemin e një shoqërie të re, janë stres dhe çmenduri më vete. Emocioni ka mënyrat e veta të pohimit e mohimit, dozat, simptomat e malli i ngjajnë më shumë simptomave të një sëmundje dhe shpesh e gjen veten të tradhtuar nga realiteti,të tkurrur, ngrirë nga momenti, ke frikë të kujtosh njërin mall se fillon pikon një malli tjetër.

 

Ju jeni një grua e fortë, kurajoze e guximtare, jeni vetvetja. Sa ndikon kjo te ju si autore femër, poete, në një komunitetit poetik dominuar kryesisht nga meshkujt?

 

Gruaja është mrekulli e gjenezës njerëzore, ndjehem mirë me intuitën dhe reflekset e gjinisë së saj. Mendoj seriozisht e thellësisht, i përkushtohem të shkruarit po seriozisht. Lidhja ime më shpirtërore dhe modeste është lidhja që unë kam krijuar, me tavolinën prej druri, që është shndërruar pjesa më e dashur ku ndjehem mjaft mirë në studion time. Nuk më impresionin fakti, nëse kam ose jo mobilje të shtrenjta për dekorin e shtëpisë, më mjafton vetëm ajo tavolinë dhe kafja herë mbas here, që është edhe “mikja” ime më e ngushtë prej vitesh, por që sigurisht ka edhe ajo pjesën më intime ndër shkrimet e poezitë e mija, mbas asaj dite të gjatë e të lodhshme, duke ngarë makinën në trafikun e ngarkuar të Hollivudit. Poetët burra?! Disi delikate kjo pyetje, për t’ju përgjigjur, po me delikatesë. Ata i shoh vetëm si të mësojnë të kundërtat e tyre, që i përkasin seksit të tyre. Dikush befasinë, ironinë, arsyen, meditimin, dhimbjen dhe mendoj se unë nuk e dalloj, nëse ata janë meshkuj apo femra. Në kishë shkojnë të gjithë, por gjithësekush lutet me mënyrën e vet. Jam e imunizuar mirë nga instinktet jashtë intelektualizmit, shkëputem lehtë nga to. Poezinë e shfrytëzoj, kur dua të zhdukem nga realiteti i kushtëzuar, është një çast kapërcim personaliteti, kapërcim emocionesh që të riorganizohem, ashtu si mendoj unë se duhet. Vetë trupi i njeriut është shembulli praktik i një dhurate, organizmë qelizash me një shkallë të lartë të vetëdijes. Poezia është tempulli ku mësoj mirësinë dhe le aty mirësinë time,vetë natyra është tempulli me kolonat e saj. Është kurajo ta prezantosh veten ashtu siç je me koefidencë ashtu krejt ndryshe nga të tjerët si çdo filozofi. Shkruaj, kur nuk mundem të ndryshoj dot mendimet e të tjerëve, vajzave, njerëzve që i dua, një grua qoftë dhe një garë 100m të bëjë dhe të fitojë është aventurë. Gruaja e mençur di të pajtojë kontradiktat, të zgjidhë çdo arritje, është instinkt më shumë për gruan. Ashtu si me nikoqirllëk, çdo gjë në natyrë, kursen oksigjenin për të përdorur, shkatërrua, ditën e nesërme. Nuk mund të jesh pa komplekse në këtë botë moderne dhe duke qenë në kërkim të fenomenit publik, e ndikuar nga dëshirat e tyre.

 

Cili është vizioni juaj për poetët në vendin tuaj, Shqipërinë, në krahasim me poetët amerikanë, në SHBA-ës, ku ju jetoni aktualisht?

 

Amerika të mëson të duash veten e të jesh ai/ajo që je. Dielli i madh i Kalifornisë ku unë jetoj nuk vihet re, por jetohet me shumë dritë, mund të them, se ky vend ka fatin e perëndive greke, që ushqeheshin me nektar. Këtu poetët dhe shkrimtarët kanë fatin të kenë në çdo ditë të vitit mrekullinë dhe ngrohtësinë e natyrës. Edhe këtu ka ndryshuar influenca dhe tendenca e të shkruarit si çdo gjë në evolucion të shpejtë dhe marramendës, bile mund të them se vihet një lloj hutimi, vrapimi për të arritur të pamundurën me ndryshimet kaq të shpejta të teknologjisë, shoqërisë ashtu si ka ndryshuar dhe nocioni i pjesës më të vogël që nuk është më atomi, neutronet, por është stringu i krijuar nëpërmjet valëve. Poezia si kudo edhe këtu është i vetmi ledh’ që i reziston kuptimit shpirtëror. Këtu sheh gjithsekush punën e vet dhe kur ka ndonjë replikë a kontradiktë ndërmjet poetësh a shkrimtarësh, i shmangen kategorikisht qoftë dhe sikur shmangia të jetë më e kushtueshme, nuk pëlqejnë grindjet, kohën e kanë shumë të kufizuar për tu marrë qoftë dhe me hapje zarfi, për diçka që nuk është porosia e tyre. Kam lexuar me keqardhje nga njerëzit e letërsisë në Shqipëri për replika dhe grindje të panevojshme publike, duke deklaruar deri dhe neveritjen ose urrejtjen ndaj njëri-tjetrit. Oh !!!Këtu këto ekstreme nuk ndodhin të deklarosh se neverit ose mëshiron dikë, është njëlloj si të deklarosh se vuan nga një sëmundje e ndrojtur, por nuk ke turp ta publikosh. Është bukur të banosh në mendjen e një njeriu të dashuruar, por jo në mendjen e njeriut cinik. Pendimet nuk vijnë me etikën e fajtorit të dikujt tjetër, por me etikën e jetës, përmirësimit.

 

Në vazhdim të pyetjes më lart. Cila është gjendja e Haiku-t në komunitetin poetik të letrave shqipe? A është ky një medium popullor që praktikohet nga ata?

 

Jam befasuar me suksesin e Haiku-t në Shqipëri dhe me numrin e poetëve që e lëvronin atë. Dhe është një veçanti më shumë që Haiku në shqip tingëllon shumë mirë. Haiku nuk tregon histori, pikturon imazh të saktë, jo sepse nuk ndodh diçka në Haiku, por veprimi duhet të mbetet i pazbuluar, Haiku deklaron pa deklaruar. Për shkak të gjatësisë së shkurtër, çdo rrokje ka rëndësi të madhe. Haiku klasik ka evoluar në Haiku-n modern jo vetëm në anglisht por dhe në Japoni. Kjo sepse nuk mund t’i rezistonte evoluimit të jetës, kur Basho krijoi Haikun njerëzit jetonin në fshat dhe çdo eksperiencë merrej nga emocioni, që krijohej midis njeriut e natyrës,luleve, insekteve të vogla, pemëve, ndërsa tani njerëzit jetojnë në qytet dhe çdo ditë ndeshen me eksperiencat midis njerëzve, ndjesive për njëri tjetrin,marrëdhënieve midis tyre. Poetët e suksesshëm nuk ju qëndrojnë strikt rregullave,i krijojnë ato. Është gati e paimagjinueshme, që një vend i vogël, ka asimiluar kaq mirë këtë formë letrare kaq të vështirë dhe në aspektin klasik dhe atë modern, si p.sh, Haiku i botuar nga i ndjeri Milianov Kallupi që njihet edhe si Haiku shqiptar, nga prof. N. Jorgaqi, Dritëro Agolli, Petraq Risto, Adem Zapllha, Sokrat Habilaj, Gjon Necaj, Lida Lazaj. Vetë Nobelisti i vitit 2014-ë, Tomas Tranströmer shkruan dhe ka botuar Haiku-n, N. Jorgaqi ka guxuar të kapërcejë Haiku-n klasik dhe duke i veshur atij harlisjet modern, duke na sjellë Haiku-n me një fytyrë të re dashurie, për vuajtjen, mallin, pendimin, që di të lërë natyrën aktive të dashurisë. Po kështu Haiku e Lulzim Logit nga Tropoja me erën e stilit japonez, përshtatur shumë mirë, shijes shqiptare.

“Kur malli përvëlon,

rri skaj ëndrrës

babai ma bën me dorë..”figuracion filozofik i tablove, sintezë dhe elegance befasuese. Lulëzim Logi është Zëri i Haiku-t në veriun shqiptar.

 

Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë?

 

Truri është qenie elektrike dhe nuk e dimë kurrë se çfarë ngarkese, do të marrësh të nesërmen apo mbas një kohe nga kjo që unë po shkruaj. Nuk mendoj se kam arritur çfarë dua dhe më shumë se një shkrimtare e mirë, unë jam një rishkruese,korrektuese e mirë dhe poezitë e librit, nuk i lë rehat, i ndryshoj akoma. Ndjesi e çuditshme kur sheh librin tënd shumëzohen ngjarjet, ngrihen copa të heshtura në këmbë, që si kishe lënë kurrë të duken, jetojnë kohën e tyre dhe ti veç se ndihesh sikur po jeton më shumë se një jetë. Filozofi nuk është ajo që lexon, ajo që kupton e grua të bën përcjellja e delikatesës femërore. Dua ta përjetoj gruan ashtu si është dhe si e përfytyroj unë kudo që e kam parë dhe nuk më shqetëson fakti i konkurrimit midis grave, qoftë ky i bërë dhe sipas vargut të gjatë të alfabetit, unë dua të jem unë, vetvetja. Edhe Frojd e vlerëson poezinë me thënien: “Kudo që shkoj, mendoj se atje ka qenë poezia më parë…”.

 

Pse shkruan Reshida…?

 

Shkruaj, se dua të shkruaj të vërtetën, atë njerëzoren. Jeta e çdo kujt ka momente të bukura dhe momente dëshpërimi të mëdha, të trishta, përderisa kemi gjithmonë krah të djathtë dhe krah të majtë. Di se jam një grua, që mendon thellë, ndonjëherë më shumë se sa dua dhe sa duhet, kjo më duket sikur thellon mendimin dhe shkurton kohën time. Pëlqej gjeometrinë dhe poezia thotë Gustavo Flaubert është aq ekzakte sa edhe gjeometria. Kur mendohem shumë bëhem pesimiste dhe ndaj filloj të imponoj ndjesitë e tjera, nuk e kam vështirë kalimin nga një gjendje në një tjetër, jam qenie e adoptueshme lehtë dhe tolerante, kur arrij atë që unë dua, atëherë bëhem optimiste. Poezia të ndryshon jetën, përmbush shumë boshllëqe, që jeta sjell nganjëherë. Më ka ndodhur në momente depresioni të mëdha, kur kam menduar se kam humbur rrugën komplet dhe në çdo fund rruge, ku doja të ikja ishte mbyllur, atëherë vetëm poezia ishte ajo, që hapte rrugë të reja dhe unë mund të zhdukesha nga trishtimi im. Nuk kam kaluar kohë më të errët dhe të vajtueshme, se sa kur më vdiq mamaja. Nuk e kisha menduar ikjen e saj kaq të papërballueshme. Kam një dhimbje të madhe për mungesën e saj dhe di se që kur ka ikur ajo më mungon një pjesë trupi, nuk di cila dhe sa e madhe është,po mua me të vërtetë, diçka më mungon. Njeriu është i influencuar dhe shpjegon më mirë çdo gjë, ato që eksperimenton në mendjen e vet, bazuar në natyrën njerëzore, duke i lidhur me vëmendjen ndaj zgjimit emocional dhe që kthehen në fakt, ndihmuar nga sensorët shqisorë. Kam shkruar shumë poezi për nënën, mund të bëhet një libër me vete. Librin e shkruajta më shumë për t’ia u dedikuar vajzave dhe t’jua lë si kujtim. Pjesa më e vështirë e librit dhe shqetësimi im u bë ky dedikim. Dedikimi është gjëja e fundit që bën një poet. Ai duhet të jetë shumë i sinqertë, nëse poeti nuk e beson dhe vetë, dedikimi është i dështuar. I mbushur plot me vargje, ky libër do ishte bosh, pa ju, pjesën më të rëndësishme, më të bukur, më të sinqertë, të jetës sime, dy vajzave të mia Eda dhe Valbona. Poezia është tempulli ku unë gruaja shkoj atje, mësoj dhe lë mirësinë time. Shkruaj duke u përpjekur t’ia hedh mendjes sime, kur është e mërzitur. Jeta nuk është vetëm një manifestim dashurie. Nëse shkruaj për dashurinë shkruaj, sepse është e vetmja fe që besoj dhe e vetmja e vërtetë. Një dashuri është thjesht qëllim intelektual, është emocion, ndërsa seksi është instinkt gjenetik, tendencë. Poeti nuk pyetet pse është poet. Ka poetë, që kanë bërë emër dhe me një poemë, p.sh Kulla Eifel e J.Gorotza, bën pjesë në galerinë e klasikëve të Meksikës dhe pse ka vetëm një poemë. Nuk ngatërroj pasionin me impulsin. Shkrimtarët e mirë gjithmonë shkruajnë dhe shkurtojnë, ata e dinë pse shkruhet. Thjesht nuk di të marr poza në poezi..nuk kam asnjë tendencë influence kure shkruaj, dua të kënaqem unë para, kur ta lexoj. Kur lexoj të tjerët rrënqethem, i jetoj si të vërtetë,sa kthehem te poezia ime, fillon vuajtja, nuk e besoj shumë. Poezia të bën intim dhe me njerëzit dhe me veten, i thua vetes gjëra, që si ke menduar kurrë. Shkruaj për dhimbjen, e trajtoj si mënyrën më të përkryer, për t’u shprehur.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s