“Berati është busulla ime” – Intervistë e gazetares ATSH Flora N. Nikolla me shkrimtarin Shpend Sollaku Noé

“Berati është busulla ime”

– Intervistë e gazetares ATSH Flora N. Nikolla me shkrimtarin Shpend Sollaku Noé

 

 

shpend

Shpend Sollaku Noé

 

…duhet të shtrohet në parlament e drejta e votimit për shqiptarët e diasporës. Jashtë Shqipërisë jeton shumica e bashkëkombësve. Ata nuk llogariten aspak në ligjet e dekretet e deritanishme. Një përfaqësim i tyre politik apo thjesht vjelja e votës së tyre mund të ndryshojë edhe fatin e të ardhmes politike të vendit. Kjo do të sillte si pasojë edhe ndryshime të rëndësishme social-kulturore. Nuk është as e drejtë dhe as e ndershme që një minorancë e shqiptarëve (edhe pse maxhorancë brenda kufijve) të vendosë për të ardhmen e të gjithë popullit.

 

Çfarë është letërsia për Shpend Sollaku Noé, profesion apo pasion?

 

Zakonisht niset të shkruhet vetvetiu, si një shtytje e brendshme për të thënë diçka që nuk arrin ta shprehësh me mënyrat e tjera të komunikimit. Nësë kjo shtysë përsëritet instiktivisht, atëherë vëren që hera e parë kur ke hedhur diçka në letër nuk ka qenë e rastësishme. Fillon të ndjesh nevojën për të shkruar përsëri. Kur ky tundim bëhet i përditshëm dhe i pashmangshëm, atëherë je pre e pasionit për të shkruar, një pasion që i ngjan gjithnjë e më shumë dashurisë për një grua, një lloj dashurie që zgjat gjithë jetën, kur është e thellë dhe e qëndrueshme. Ditën që fillon të fitosh prej këtij pasioni rreziku më i madh është ai që të shtyn ta konsiderosh atë një profesion si gjithë të tjerët. Atë ditë ka vdekur edhe dashuria jote për letërsinë e je trasformuar në një zanatçi që respekton vetëm kontratat me botuesit. Unë nuk i përkas modelit të fundit. Jetoj njëzet e katër orë me pasionin tim, qeshim e qajmë së bashku.

 

Kur keni menduar për herë të parë se do tė jeni dikush në fushën e letrave?

 

Nuk e kam menduar, kam punuar me këmbëngulje për tʼia arritur asaj dite.

 

Çfarë mendoni kur shkruani: lexuesin, egon tuaj apo arësyen?

 

Nuk mendoj asnjërën nga këto kur shkruaj, shndërrohem thjesht në skllav të pasionit. Idetë, emocionet e personazhet më zotërojnë plotësisht, më mbajnë pezull dhe më përplasin ku të duan. Në ato momente praktikisht nuk ekzistoj.

 

Veprat tuaja janë pėrkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe janë shitur në më tepër se njëqind vende të botës. Ku e ka zanafillën ky sukses?

 

Tek puna, pasioni, puna, pasioni.

 

Për ju kanë shkruar se «përcillni imazhe të trishtuara e mbresa të

thella të një burri që gjithmonë ka luftuar kundër regjimesh çnjerëzore e

të pamëshirshme». Gjithsesi, pse kaq trishtim në veprën tuaj?

 

Kjo dukuri është vënë re nga kritikët sidomos në shkrimet e mia në vitet menjëherë pas largimit nga Shqipëria. Ndjenjat që përjetoja atëherë ishin shumë të trishtuara. Nëpërkëmbja e të drejtave të njeriut, lulëzimi i diktaturave të reja, tragjeditë e lidhura me egërsinë e tyre nuk kishin sesi të mos ndikonin tek unë e rrjedhimisht në atë që i përcillja lexuesit.

 

Dikush tjetër ju përcakton si «një intelektual i huaj i transplantuar me sukses në Itali»… Ç’keni menduar kur keni lexuar këtë lloj përcaktimi?

 

Kam ndjerë kënaqësi, por edhe shtim të përgjegjësisë përballë të tjerëve.

 

 

Sa i pranishëm është atdheu në jetën tuaj?

 

Jashtëzakonisht, në çdo çast, kudo që ndodhem.

 

Shqipëria e sotme ka nevojė për njerëz të kalibrit tuaj. Si mund të rikthehet truri i emigruar në atdhe?

 

Në përgjithësi, të paktën intelektualët me të cilët kam patur kontakte, duan të kthehen në vendin e tyre, dhe jo vetëm në prag të vdekjes. Por që të kthehen ata kanë nevojë së pari të gjejnë kushte për të punuar, të gjejnë një vend ku politika nuk i imponohet artit, ku ekzistojnë edhe kushte legjislative më të volitshme që mbrojnë interesat e tyre. Ata duan të kthehen në një vend ku prania e tyre nuk shihet si një kërcënim i pozitave të zëna prej kohësh nga Rasputinët e nomenklaturës.

 

Çfarë mendoni se duhet të bëjë shteti ynë?

 

Së pari mendoj se duhet të shtrohet në parlament e drejta e votimit për shqiptarët e diasporës. Jashtë Shqipërisë jeton shumica e bashkëkombësve. Ata nuk llogariten aspak në ligjet e dekretet e deritanishme. Një përfaqësim i tyre politik apo thjesht vjelja e votës së tyre mund të ndryshojë edhe fatin e të ardhmes politike të vendit. Kjo do të sillte si pasojë edhe ndryshime të rëndësishme social-kulturore. Nuk është as e drejtë dhe as e ndershme që një minorancë e shqiptarëve (edhe pse maxhorancë brenda kufijve) të vendosë për të ardhmen e të gjithë popullit.

 

Dhe ju mendoni se kjo, në kushtet e sotme, është e realizueshme?

 

Sigurisht, në epokën e internetit gjithçka është e mundshme. Pastaj për çfarë hyjnë në punë ambasadat tona, gjithandej?

 

Për romanin tuaj të botuar së fundi në Itali kritika është shprehur kështu: …Me romanin «Kufiri i mjegullës» Shpend Sollaku Noé vihet përkrah letërsisë evropiane që në dhjetë vjetët e fundit ka përmbledhur dëshmi me vlera absolute nga veprat e Marai, Pahor, Bettizza, Brodskij e Herta Myler. Parma, pikë referimi e pjesës së dytë të romanit, vihet përballë Beratit e mallit për të, në mënyrë të tillë të dhimbshme e depërtuese, që nuk mund të mposhtet as nga poshtërimet dhe as nga shpresat. Në faqet e shqetësuara e të rrjedhshme Shpend Sollaku Noé prek, me një stil të magjepsshëm, arësyet më të thella të humanizmit e të shpirtit dhe këtu romani i tij arrin një frymëmarrje të jashtëzakonshme.”…

Çʼvend zë Berati në jetën e veprën tuaj dhe pse?

 

Berati dhe njerëzit e tij të veçantë janë protagonistë të një cikli të tërë romanesh që kam shkruar me pikësynimin që t’i bëj të njohur lexuesit të huaj vëçoritë e jashtzakonshme të këtij qyteti dhe të njerëzve të tij të mrekullueshëm. Familja jonë u detyrua të largohej nga Berati e të vendosej në Lushnje, pas një kalvari që kaloi nga Kuçova e Tirana. Por anëtarët e saj mbetën gjithmonë të dashuruar në mënyrë të pazgjidhshme me këtë qytet, jo vetëm sepse këtu jetonte akoma fisi i babait, por edhe pse forza tërheqëse e Beratit që lanë pas ishte si ajo e tokës me hënën. Ne mbetëm satelitë të këtij qyteti për gjithë ekzistencën tonë. Për mua, në veçanti, Berati, sidomos gjatë fëmijërisë e rinisë, ishte vendi ku detyrimisht duhej të kthehesha për të bërë pushimet verore, apo të ngushëllohesha pas zhgënjimesh të padurueshme, pas përjashtimesh nga shkolla, pas të drejtash të mohuara. Kalaja e Bifta, Bregu e Vakëfi, Gorica e Osumi mbetën për mua pika të rëndësishme referimi, busullë pa të cilën shpesh, në jetën time aspak të qetë, mund të kisha humbur orientimin. Berati ishte Konvenzioni im i Gjenevës, Karta ime e Parisit, ishte liria ime e dhuruar nga një qytet që, ndryshe nga të tjerët, nuk më kërkonte asgjë si shpërblim. Berati ishte azili im politik, sa herë që më mungonte liria dhe ndihesha i shtrënguar nën zgjedhën e diktaturës. Prej këtij qyteti trashëgova instiktin e rebelimit dhe ndjenjën e drejtësisë të pakushtëzuar. Gjithë këtë dashuri që kam për të, historia e tij shekullore, bashkëjetesa e tij midis feve të ndryshme, arkitektura e tij unike në botë… u bënë në mënyrë krejt të natyrshme pjesë e veprës time.

 

 

Si e sheh Shpend Sollaku Noé Beratin e sotëm?

 

Në mëshirën e fatit.

 

Dhe si e ëndërron këtë qytet?

 

Një qytet të pasuruar prej turizmit, ku, veçanërisht të huajt, paguajnë një ticket për të admiruar bukuritë e tij unike, para se të hyjnë në qendrën historike. Një qytet me pjesën e tij në luginën e Osumit të përshtatur Mangalemit, Kalasë e Goricës; me rrugë të shtruara, parkime të rregullta, teleferik për t’u ngjitur në kala, pista për biçikletat përgjatë lumit. Endërroj që, sapo të zbres në Rinas, Durrës apo gjetkë të shoh ndër të parat tabelat turistike që më thonë: Berat, qytet moshatar me Romën, km…

 

Cili është mendimi juaj për nismën e Albanian Excellence? Mendoni se ajo

do të ndikojë në afrimin me diasporën ?

 

Kjo nismë është një oaz i këndshëm në shkretëtirën e indiferencës fajtore të të gjithë atyre që kanë hyrë e dalë në parlamentin shqiptar, pa dallim ngjyrash politike. Ajo është pa dyshim një fakt i rëndësishëm social-kulturor, që, shpresojmë, të jetë fillimi i tërheqjes së merituar jo vetëm të trurit të diasporës në vendin atë. Jemi jë populli i vogël: asnjë shqiptar nuk është i tepërt.

 

Intrevistoi: Flora Nikolla, ATSH, prill 2012, botuar në librin Albanian Excellence.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s