25 VJETORI I VRASJES SE ENVERIT – 2 ( GANI AZEMI – 2 ) / Nga reshat Sahitaj

25 VJETORI I VRASJES SE ENVERIT –  2

GANI AZEMI  – 2

 

 

LUFTA DIPLOMATIKE E KOMITETIT TË ENVER HADRIT  NË FAVOR TË ÇESHTJES KOMBËTARE

Në kuadër të 33 vjetorit të themelimit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Bruksel

dhe në 25 vjetorin e vrasjës së Enver Hadrit, Kryetarit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut si dhe

në kuadër të 2 vjetorit të  vdekjës së parakohshme të Gani Azemit, anëtar i Komitetit për Mbrijtjen e të D.L.Nj.

 

 

r 2

 

Ekipi i Komitetit

Në foto: Enver Hadri, Behare Rexhepi, Gani Azemi, Reshat Sahitaj , Bruksel 1989

 

 

reshat_sahitaj

Shkruan Reshat Sahitaj

 

 

Nëse ngjarjet e rëndësishme kombëtare nuk përkujtohen, ato harrohen

 

Më kalimin e vitëve, aktivitetet e ndryshme fillon t’i mbulojë pluhuri i harresës. Ngjarjet e kohërave të shkuara sikur fillojnë të zbehen, t’iu humbet rëndësia dhe vlera e tyre, ngase ato mbulohen dhe zëvendësohen me ngjarje më të reja. Një harresë e tillë ndaj vlerave kombëtare nuk ndodhë as tek popujt më primtiv që luftën e tyre e zhvillojnë në baza fisnore dhe klanore. Madje  kjo shtresë e popujve e kultivojnë mitin e trimërisë ose të mençurisë të te parëve të tyre duke i thurrur mite dhe legjenda. Përmes këtyre miteve dhe legjendave ata krijojnë bazën për mbrojtje të re dhe trimëri të reja në luftë kundër armiqëve të tyre. Në shtetët e civilizuara, veprat, vlerat dhe aktivitetët kombëtare janë pjesë e patjetërsueshme që u kushtohet rëndësi të posaçme, sepse pa ekzistimin e tyre nuk mund të ketë vazhdimsi dhe krenari kombëtare. Kosova është rast më specifik. Në fakt, tërë shqiptarët kudo që ndodhen janë specifik. Ne shqiptarët dëshirojmë që historia të fillojë me mua dhe nga unë. Çdo aktivitet dhe kontribut i më hershëm duhet zhdukur, duhet izoluar që askush të mos shkruajë apo të mos e aktualizojë, duhet shtuar presione të ndryshme që e kaluarja jonë të harrohet nga frika se dikush mbetët i vogël e dikush i madh. Mbase edhe perpiqemi t’i etiketojme te gjitha figurat kombëtare duke ua gjetur ndonjë dobëesi personale që nuk ka të bëjë asgjë me Atdheun, duke ua shpifur faktet te pa ekzistuara, vetëm e vetëm që figurat tona të zbehën, të  reduktohen deri në zhdukje te veprimtarisë se tyre.

Historia nuk njehë të vegjël e të mdhenj, por njehë vetëm faktët dhe dokumentët e që për fat të keq ne shqiptarët edhe ato duam t’i zhdukim e t’i etiketojmë duke i njollosur kë mundemi e kë nuk mundemi , me të vetmin qëllim që ne të mbetemi ne majat më të larta të historisë kombëtare.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të mbivlerësojmë punën e Komitetit të Enver Hadrit, as të ngritën në piedestalin kombëtar aktivistët e ketij komiteti, por thjeshtë t’i përkujtoj disa aktivitete që u zhvilluan në një kohë të vështirë, e që nuk duhet të harrohën nga gjeneratat e ardhshme.

 

 

Komiteti i Enver Hadrit

 

Komiteti i Enver Hadrit ishte një organizatë pa asnjë ngjyrim poltik, ku tërë aktivitetin diplomatik në favor të dramës kosovare e zhvilluam vetëm katër aktivistë deri në vrasjen e Enver Hadrit. Pas vrasjës së Enver Hadrit, u krijua Byroja Informative e Kosovës dhe u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, ku anëtarët e Komitetit disa iu bashkangjitën partisë poltike më të madhe e disa e vazhduan aktivitetin në forma të tjera. Pavarësisht angazhimit të tyre në forma të tjera, kurrë relacionet e tyre shoqërore dhe kombëtare nuk u prishen, përkundrazi këta vazhduan të bashkëpunonin në mes tyre për çeshtjen e madhe kombëtare.

Lidhur me aktivitetin diplomatik që ka zhvilluar Komiteti i Enver Hadrit, nuk kam dashur të shkruaj, edhepse  tërë materialin dhe dokumentacionin e atyre kohërave e kam sistemuar në kompjuter, duke menduar të botohet vetëm pas vdekjës sonë. Mirëpo vdekja e parakohshme e Gani Azemit,  njërit prej aktivistëve të këtij Komiteti dhe biseda që kisha më të vetëm dy javë para se ai të vdiste, më bëri që të shkruaj, për ato vite sa të lavdishme po aq edhe të tmerrshme.

 

 

Një rrëfim rrëqethës – koinçidencë apo paralajmërim të  një vdekjeje ?!

 

 

Gjatë komunikimit të rregulltë me Gani Azemin permes e mailit, kurrë nuk me kishte treguar se ai ishte i sëmurë. Madje as mjekët e tij në Bruksel nuk ia kishin zbuluar diagnozën vdekjeprurëse. Vetëm ne gjashtë muajt e fundit te jetës mjeket ia zbuluan dhe ia komunikuan se vuante nga një sëmundje e rëndë.

Gani Azemi vuante nga një sëmundje e rëndë, e unë e kuptova shumë më vonë, sepse ai kishte shpresa se sëmundja ishte kaluese. Kur mjeket ia komunikuan se ai mund të jetonte vetëm edhe dy maksimalisht edhe tri vjet, Ganiu më shkruan letër në emailin tim. Pasi unë jetoj në Prishtinë e ai jetonte në Bruksel, me 2 nëntor 2012, u takova më Ganiun në Bruksel. Kishte disa muaj që nuk e kisha parë dhe nuk mund ta imagjinoja Ganiun të sëmuer.

Ai kishte gjithnjë pamje të qeshur, e gjatë bisedave  shumë aktiv në gjeste. Posa u takuam, vërjeta se në të kishte humbur forca e tij fizike e dikurshme, por jo qeshjet e tij të zakonshme sa herë që fliste dhe atdhedashuria. Atë mbrëmje të 2 nëntorit 2012, Ganiu ishte ngritur nga shtrati i vdekjes vetëm e vetëm të takohej për herë të fundit më mua. Ishte ngritur nga shtrati i vdekjës vetëm e vetëm të më thoshte se shoqëria jonë dhe aktivitetët tona të përbashkëta do të mbetën të pavdekshme. Ishte ngritur nga shtrati i vdekjës të më lënte amanet të shkruaja për ato aktivitete tona kombëtare, e që ndonjë mashtrues apo bashkëpunëtor i armikut ende përpiqet të hudhë baltë mbi relacionet tona, mbi aktivitetët tona që janë dhe do të mbetën historike.

Në takimin tonë të fundit u përqafuam si vëlla më vëlla. Nuk doja të qaja edhepse nga flokët e tij që kishin filluar t’ia zbulonin disa pjesë të kokës e kuptova se ai nuk do jetonte gjatë. Si të qaja para mikut tim që e kishim kaluar një jetë të tërë?! Lotët e mi do ia dobësonin zemren e tij. E përqafova dhe u paraqita sikur ai nuk hetohej asgjë që muajt apo ditët i kishte të numëruara. Në fakt as ai nuk e dinte se vetëm pak ditë më vonë do ndërronte jetë, e as unë nuk e dija  se në çastin kur Ganiut do i pushonte zemra përgjithmonë në Bruksel, po në atë çast, po në të njejtën ditë unë në Prishtinë do pësoja një infrakt dhe do operohesha në zemër në një spital të Prishtinës.  Tani në këto çaste të vetmisë e rilexoj letren e tij dhe qaj për mikun më të dashur që e humba unë dhe mbarë shqiptarët. Qaj dhe shkruaj. Shkruaj që gjeneratat e ardhshme të njoftohen për punën e gjeneratave të kaluara. Shkruaj që  shkarravitësit, sharlatanët e ndonjë më vetëdije apo pa të, do të mundohën të shtrëmbërojnë dhe falsifikojnë faktët, letrat , dokumentët e mos të flasim për fotografitë tona që kanë filluar tanimë edhe t’i prejnë sipas dëshirës së tyre duke e eliminuar ndonjërin prej nesh e duke vu vetëvetën.

Qaj dhe e lexoj letrën e fundit të Ganiut dhe gjatë leximit fizionomia ime herë herë ndryshon: i mërzitshëm e i qeshur. Kur e lexoja se si shkruante për gjendjen e tij shendetësore, rrija i merzitur, e kur fliste për të kaluarën tonë, për aktivitetët tona qeshja dhe natyrisht ndjeja krenari për ato që kemi bërë bashkarisht pavarësisht opinioneve tona poltike të mëvonshme.

Pa pasur njohuri të mira rreth gjendjes shendetësore të tij , Ganiu kishte mbledhur forcat e fundit që të vinte në këtë takim që e kishim caktuar dy javë më parë. Edhe gjatë këtij takimi që zgjati mbi dy orë, Ganiu përmbahej, e ne bisedë vazhdonte të qeshte si dikur. Ne vete e kuptoja se sëmundja tanimë ia kishte rrëmbyer elanin e së qeshures se tij të dikurshme. Sëmundja ia kishte rrëmbyer energjinë e shprehjes, por jo dashurinë për popullin shqiptar. Edhe në këto momente të fundit të jetës se tij, Ganiu fliste për aktivitetet tona në Parlamentin Europian që kishim bërë , për demonstrat në metropole të ndryshme europiane, për konferenca të shtypit për gazetarë ndërkombëtarë, për…

Gjatë bisedës hetohej se ai ishte i kënaqur me pavarësinë e Kosovës, dhe lënte të kuptoja se ai ishte i kënaqur me punën tonë me dekada të tëra për internacionalizimin e dramës kosovare, por… Gani Azemi kishte edhe një dëshirë pa iu plotësuar. Dëshira e tij ishte shumë e madhe, shumë madhështore dhe kombëtare. Gani Azemi në frymen e fundit tha: Gjeneratat e ardhshme patjetër se do ta krijojnë Shtetët e Bashkuara Shqiptare. Sikur të ishte dikush tjetër me të njejtën sëmundje dhe vështirësi shendetësore që kishte atë natë Ganiu, jam i bindur se do të mendonte për ardhmërinë e fëmijëve dhe të gruas, apo diç të ngjashme. Jo. Gani Azemi ishte një personalitet që tërë jetën e tij ia kishte kushtuar çeshtjës së shenjtë kombëtare, dhe për këtë atdhedashuri do ta jepte jetën. Ganiu e dinte së në Kosovën e pasluftës, ndonjë shkarravitës kishte shkruar kundër Ganiut, Beharës dhe kundër meje, duke shpifur dhe gënjyer për të gjitha aktivitetët tona, andaj atë natë të 2 nentorit me tha që të vazhdoja të shkruaja duke ma dhënë një qese me dokumente ku ishin letra të ndryshme të aktivitetëve tona. Më tha se këto i kishte bërë fotokopje që njëra do mbetej ne familje te tij e tjetrën ta shfrytëzoja unë gjatë shkrimeve të mia. Ganiu ishte i bindur se historia nuk shkruhet pa fakte, pa fotografi dhe pa dukumente të kohës së kaluar, andaj më thoshte të mos merakosëm për shpifjet e sherbëtorëve të armikut. Habitej Ganiu e bashkë më të edhe unë se si njërëzit merren me thashetheme, gënjeshtrat e tyre përpiqen t’i bëjnë të verteta kur të tillët më lehtë e kanë të shkruajnë kundër librave të autorëve serbë që kanë shkruar kundër nesh, kundër filmave serbë që kanë bërë kundër popullit shqiptar, e këta e humbin kohën duke shkruar kundër  veprimtarëve. Mendonim bashkë me Ganiun se mos ndoshta Serbia i detyron të shkruajnë në mënyrë që ta zhvendosin vemendjen e opinionit. Ky mendim na dukej më afër mendjes, sepse të tillët as një rresht nuk e kanë shkruar kundër masakrave që ka bërë policia dhe ushtria serbe në Kosovë, e qindra faqe shpifje dhe gënjeshtra kunder nesh! Pavarësisht këtyre bisedave, atë natë u ndamë me Ganiun pa e imagjinuar se ishte hera e fundit që po përqafoheshim, pa e ditur se po ndaheshim për të mos u takuar kurrë më.

 

 

largea_gani-azemi1353846116

Gani Azemi

 

Ja letra që Gani Azemi ma dërgoi një muaj para se të vdiste:

 

“ Reshat, nese i kam edhe 2-3 vjet ose me pak ose me shume, aty po sillem, semundja
dhe terapia jane shume serioze. Jam duke e pergatitur nje faqe elektronike (web-site)
me dokumente te veprimtarise sime në lëmi te ndryshme. Shumë prej ketyre
dokumenteve deshmojnë për bashkëpunimin tone te perbashket me dekada…

Nuk e kam ndermend t’i perdori gersheret e Stalinit, si ne kohen e Enver Hoxhes.
Ti e di qe jam nder kosovaret e ralle, qe e kam quajtur diktator sa ishte gjalle,
por dallohem prej disa te tjereve, se edhe Mareshall Titon e kam quajtur diktator,
haptaz ne shkrime dhe ne poezi, si i tille ka qene per shqiptaret edhe Ai mut mbi muta.

Ti i ke rrespektuar qendrimet e mia, une qendrimet tuaja, nuk te ka hanger palla per
pallavrat ideologjike! Jeta e perbashket me familjen tende dhe Sefen (Sefo Bejta Krasniqi regjisor i filmit shen. im), rreziqet e perbashkta e kane kalitur kete miqesi….  O Zot, kemi qene ekstra llafa: tejashtzakonshem dhe kete nuk mund ta ndryshojne shkarravitsit e mjere!

Ti je nje mik i imi i koherave te veshtira… kjo eshte nje miqesi e perjetshme (eternelle).
Kjo miqesi ka lindur, pa kurfare interesi, por vetem per t’i sherbye Kosoves. Ma
merrre mendja, mund te them se jam i bindur se qellimit tone ia kemi arrijtur….
Mungon kulmi i perbashket- Shqiperia Etnike-Shtetet e Bashkuara Shqiptare; kete
do ta realizojne gjeneratat e ardhshme…. e kane bazen gati….

A te kujtohen fjalet superlative per veprimtarine tone te kryeredaktorit të Nova Hravatska,
Z. Jaksha Kushan dhe te intelektualit kroat Christopher Cvijiç, gjate takimit te delegacionit
të KMDNJK ne Londer.
Sa here, te kam mundesi dhe te me punoj skaneri, do te percjelli dokumentet e ndryshme,
por edhe te autorizoj t’i perdoresh te gjitha qe i ke, perdore edhe memorjen…
Kaq per sonte, se kam nisur te lodhem pak.
Pershendetje miqesore,
Gani Azemi (Bruksel)

 

 

KOMITETI PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE DHE

LIRIVE TË NJERIUT me seli në Bruksel në Rue d’ALBANIE nr 23

 

(3 PRILL 1983 )

 

Për të pasur qasje më të lehtë në institucionet diplomatike Perëndimore, shpesh diskutonim me Enverin se duhej gjetur një emër më i butë. Enveri gjatë bisedave u tregonte të tjerëve se kur takoheshim me diplomatët e huaj, posa u thoshte se është Kryetar i Rezistencës Kombëtare ata e ndërprisnin ende pa e mbaruar fjalinë. Thoshte Enveri: “Diplomatët nuk dëshirojnë të takohen me luftëtarë, por me homologë të vet diplomatë”.

Në takimin e 3 prillit 1983, ku morëm pjesë përveç Enverit, Beharja, Ganiu dhe unë. Vendtakim ishte banesa e Ganiut, sepse ishte i pa martuar dhe ne nuk do shqetësoheshim nga fëmijët e as nga ndonjë mysafir i rastit. Të takoheshin në shtëpinë e Enverit, të ai vinin mysafirë të paftuar, të takoheshim të unë, fëmijët nuk do na linin të bisedonim shtruar.

Një orë bisedë dhe ende nuk dinim në emër të cilit institucion do të dilnim me komunikatë dhe program. E dinim se do e quanim “Komitet”, por çfarë komiteti ishte vështirë t’ia përshtatnim dhe që ende asnjë parti e organizatë nuk kishte dalë me një të tillë. Në diasporë komitete kishte të llojllojshme, e vetë Enveri i kishte formuar tre a katër komitete jo funskionale.

Më në fund u vendos ta emëronim “Komitetit i Kosovës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut”. Secilit na pëlqeu sepse më ketë përfshihej Kosova, liria dhe çdo gjë ishte butësisht e thënë. Vendosëm po ashtu që kur shkruhej Kosovë t’i sqarohej opinionit se me Kosovë përfshihen edhe pjesët e tjera të robëruara nga armiku. Programi dhe komunikata mund të publikoheshin sipas kushteve, por duhej të vepronim. Si formë të parë të veprimit e zgjodhëm mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve belgë, si dhe natyrisht edhe të shqiptarëve. Nënshkrimet nuk ishin për t’i dhënë legjitimitet komitetit, por për të arritur qëllimin e sensibilizimit të qytetarëve belgë rreth situatës dramatike në Kosovë. Mendonim t’i mblidhnim rreth 20.000 nënshkrime dhe t’i dërgonim ne Parlamentin Europian. Po të mblidheshin shumë nënshkrime kishim shpresa se Parlamenti Eurpoian do të reagonte më ashpër kundër padrejtësive që Serbia ua bënte shqiptarëve në Kosovë. Mbet që teksti për tubimin e nënshkrimeve të qytetarëve belgë të përpilohej nga Enveri, Beharja dhe Ganiu. Enveri thoshte se Beharja ka ide fantastike dhe të qëlluara.

Ja teksti me të cilën dolëm rrugëve të Brukselit për të mbledhur nënshkrimet:  Përkthimi në shqip:

 

“ Për kërkesat tona legjitime:

 

 

Më shumë liri ekonomike dhe politike për intelektualët, punëtorët dhe studentët shqiptarë të Kosovës, të cilët janë në dorën e “drejtësisë” jugosllave. Shpëtoni !

Burra e gra të Perëndimit, mos i ndihmoni shkelësit tanë. Mos ua jepni paratë tuaja, uzinat tuaja, teknikën tuaj të rëndë të industrisë për armatim.

Ndihma e juaj duhet t’i shërbejë mirëqenies së popujve e jo dirigjuesve që shtypin.

Për liri, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë europianët ne do kërkojmë në Parlamentin Europian:

  • Krijimin e një Komisioni Mbikëqyrës të marrëveshjes se Helsinkut;

Na përkrahni!  “

 

Doc/ 04/83/ ark. B.I.K.

 

 

 

Të njëjtin tekst ne do ta përdornim edhe më disa muaj e vite më vonë, sa herë që kërkonim nënshkrime.

Pas një muaj u përpilua edhe teksti për krijimin e Komitetit në gjuhën shqipe dhe frenge dhe u botua në  revistën “ La voix du Kosovë” 1983

 

Vendim i Komitetit:

 

Në bazë të paragrafit 176 të Kushtetutës jugosllave dhe 184 të Kushtetutës së Kosovës, ne shqiptarët e Kosovës kemi vendosur ta krijojmë një Komitet të Kosovës për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (K.K.M.D.L.Nj).

 

Ky Komitet është një shoqatë humanitare dhe jo politike i cili ekskluzivisht preokupohet për mbrojtjen e të drejtave të atyre, kundër të cilëve, ligjet dhe të drejtat elementare nuk respektohen.

 

Ky Komitet do të tenton të krijojë  një klimë të favorshme për dialog dhe mirëkuptim vëllazëror në mes kombeve e veçanërisht për respektimin e të drejtave të njeriut e paraparë sipas kushtetutës jugosllave dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara nga Jugosllavia.

 

Komitetin e konsiderojmë si një celulë të forcave humanitare dhe progresive ndërkombëtare; që ka për qëllim të vetëm: çlirimin e popujve, shoqërisë, respekt, dhe mirëkuptim për të gjithë njerëzimin.

 

Komiteti konsideron që secili popull dhe secili njeri ka të drejtë për vetëvendosje, për lirinë e shprehjes dhe vizionin për ardhmërinë e shoqërisë se nesërme.

Liria e shprehjes së lirë në një botë kontradiktore duhet të ndihmojë në zhvillim dhe ndërhyrjen e institucioneve morale të çdo shoqërie.

 

Komiteti konsideron  se mosrespektimi i drejtave të njeriut, të kombeve dhe të shoqërisë, shtyn në shkatërrimin e një shoqërie apo të një shteti, në revoltën e popullit dhe mund te provokon konsekuenca me përmase destruktive për mbarë njerëzimin.

 

Një shembull tipik i një gjendje të tillë është konkretizuar në Kosovë me revoltën e vitit 1981.

Komiteti për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, e konsideron këtë revoltë si një shprehje masive të vullnetit të popullit shqiptar në Jugosllavi që të vetëvendos.

Reprezaliet e përgjakshme, arrestimet masive, dënimet penale arbitrare, trajtimet brutale, torturat, persekutimet e përditshme të autoriteteve zyrtare jugosllave, nga Komiteti ynë konsiderohen si një gjest barbar, që mund të kenë konsekuenca të rënda për dirigjuesit jugosllav.

 

Në aktivitetet e përditshme të Komitetit do ia ngarkojmë vetës si detyrë, akumulimin e një materiali informativ dhe dokumentacion lidhur me të burgosurit politikë, situatën e tyre shëndetësore, qëndrimet e policisë ndaj të burgosurve, mirëvajtjen e procesit gjyqësor, dhe kushtet e tyre në burg, si dhe situatën ekonomike të familjeve të tyre, të atyre që janë përjashtuar nga puna dhe studimet, dhe të gjithë atyre që janë persekutuar nga autoritet jugosllave për opinionin e tyre politik.

 

Në secilin rast ku janë shkelur të drejtat kushtetutare të parapara sipas konventave ndërkombëtare, Komiteti do ta informojë: OKB-në, qeveritë e ndryshme, organizatat humanitare ndërkombëtare si dhe institucionet me të larta të Jugosllavisë.

 

Komiteti do të zhvillon edhe aktivitet për mjete materiale përmes anëtarësimit, për grumbullimin e mjeteve materiale, për t’i ndihmuar familjeve e të burgosurve, të cilat nuk kanë mundësi për të mbijetuar, si dhe sigurimin e të drejtave të mbrojtës së tyre.

 

Doc/10/83/ark/B.I.K.

 

Kjo komunikatë, nuk ka asnjë dallim nga komunikatat tona të tjera. Por sikur e njëjta të ishte në emër si “Rezistencës”, si “organizata për çlirimin e…” etj nuk do lexohej nga personalitet politike. Në fakt, ata kurrë nuk na thoshin se nuk e lexojnë dhe se edhe mund ta hidhnin, përkundrazi të falënderohen që ua keni dhënë, të thonë keni bërë një punë shumë të mirë, e do ta lexojë posa t’i dalë pak kohë, dhe para syve tanë/tuaj do ta shfletojë pak dhe të dëshiron një ditë të këndshme. Nëse teksti është voluminoz, po ashtu të njëjtat fjalë do t’i dëgjoni.

 

 

Fillimi i ngjarjeve në Kosovë, 1989

 

Serbia, që kishte menduar se gjatë viteve të shkuara e kishte stabilizuar gjendjen me presionet më bestiale dhe me metodat më perfide, nuk po mund ta realizonte planin e saj.

Minatorët e “Trepçës”, ishin ata që me fillimin e vitit 1989, po ia lëkundnin themelet  Jugosllavisë. Mbi 1300 punëtorë, të futur në zgafellat e tyre mbi 1000 metra thellësi, ishin më të vendosur se kurrë ta vazhdonin grevën e urisë. Mbi 7000 studentë do të hidhen në përkrahje të tyre, duke u mbyllur në stadiumin e Prishtinës, dhe në mbrojtjen e mosndryshimeve të Kushtetutës. Në këtë grevë ishte edhe Haqif Mulliqi, i cili na informonte për situatën tejet të tendosur.

Shumë shpejt, në përkrahje të minatorëve dhe studentëve, do të bashkoheshin tërë populli shqiptar. Kosova po e mbështeste për muri hegjemonizmin serb, të cilët para botës deklaronin se ishin grusht shqiptar të pakënaqur me sistemin jugosllav. Tani më gjendja po ndryshonte në favor të Kosovës sepse ishte kërkesë masovike shqiptare. Disa intelektualë, si Rexhep Qosja, Zekeria Cana, Ibrahim Rugova, e ndonjë tjetër kishin marrë guximin ta sfidonin pushtuesin, por gjithnjë me metoda dhe mjete të përshtatshme për kohën.

Sindikatat sllovene, kroate dhe boshnjake, Shoqata e Shkrimtarëve të Sllovenisë u solidarizuan me kërkesat e shqiptarëve. Ky solidaritet i Republikave të tjera do t’i ndihmonte intelektualët tanë dhe do t’u tregonte se pa përkrahjen e intelektualëve shtresa punëtore nuk mund të arrijë rezultate të mjaftueshme. Mirëpo pikërisht edhe në këtë të solidarizimi gjithëpopullor, Serbia do të gjente shërbëtorët e saj, që të deklaronin sipas urdhrave të politikës së Beogradit.

Në këto rrethana, Komiteti i Enver Hadrit do të angazhohej në maksimumin e vetë, duke i kontaktuar dhe shkruar institucioneve ndërkombëtare.

Komiteti i Enver Hadrit, më 27 shkurt 1989, doli me komunikatën për media duke e përshkruar në pika të shkurtëra situatën në Kosovë dhe propozimet tona se si Perëndimi nuk duhet të pret më gjatë por duhet të marrë masa kundër gjendjes së tensionuar që e kishte krijuar Serbia në Kosovë.

 

 

r 1

 

Kuadër nga konferenca për shtyp në I.P.C 1989 . Enver Hadri, Behare Rexhepi dhe Gani Azemi (foto BELGAPRESS)

 

Komiteti i shpeshtoi kontaktet në Strasburg, ku përpiqeshim të ndikonim në aprovimin e një rezolute për Kosovën, por fatkeqësisht Jugosllavia ende kishte eurodeputetë, të cilët besonin në deklarata dhe biseda diplomatike të diplomatëve jugosllavë. Perëndimorët donin ta mbanin një Jugosllavi unike (se pakut kjo dukej në bisedat që zhvillonim me ta), e diplomacia jugosllave u thoshte perëndimorëve se pikërisht që ta pengonin ndarjen e Jugosllavisë po i shtypnin irredentistët shqiptarë. U thoshin se kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” është vetëm hapi i parë i realizimeve të dëshirave shqiptare e pastaj do të kërkonin shkëputje totale nga Jugosllavia për t’iu bashkangjitur Shqipërisë.

Në anën tjetër në kontaktet tona bënim përpjekje që t’i bindim personalitetet perëndimore se kërkesa për Republikë është vetëm një kërkesë legjitime dhe se pa asnjë prapavijë për t’iu bashkangjitur Shqipërisë.

Sa i përket Këshillit dhe Parlamentit Europian, po aq sa Jugosllavia, edhe Komiteti ynë i kishte shpeshtuar kontaktet me të huajt. Shpesh ndodhte që të kryqëzoheshim me ambasadorin jugosllav labirinteve të korridoreve të gjata të këtyre institucioneve. Edhe më keq na ndodhte që ta kontaktonim të njëjtin personalitet ose para tyre ose ata para nesh. Kështu deri sa ne bisedonim me europarlamentaren Doris Pack, ajo na tha se pas nesh e kishte një takim me ambasadorin jugosllav. Kur në dolëm nga zyra ambasadori që kishte ardhur pak minuta më herët u ndesh ballë për ballë më ne.

Gani Azemi përmes një mikeshe të tij austriake, të mëhershme, kishte formuar edhe ndonjë kontakt tjetër ku shpesh e shoqëronte Enverin. Në anën tjetër Behare Rexhepi i kishte krijuar kontaktet me personalitetet e Qeverisë së Belgjikës, siç ishte Ministri Philippe Moureau, senatorja Anne Marie-Lizin,  e disa të tjerë.

Pasi që nuk arrinim ta adaptonimj një rezolutë, në ndërkohë bënim përpjekje ta pengonim Jugosllavinë që të merrte kredi të ndryshme dhe financime të projekteve nga Komisioni Europian. Kështu arritëm ta bënim një takim me zotin Abel Matutes, që ishte anëtar i Komisionit të Këshillit Europian për kredi dhe financime të projekteve të mëdha, prej të cilave Jugosllavia përfitonte kredi të shumta. Në takim me z. Abel Matutes ishte Enver Hadri dhe Reshat Sahitaj . Në shikim të parë mendova se këtij personalitet nuk i interesonte aq tepër vizita e jonë. Ishte një burrë i shendosh, dhe pasi porositi nga një kafe na pyeti se çka mund të bënte për ne. Zatën në secilin takim që kemi shkuar pyetja e parë e tyre ishte: “Çka mund të bëjë për ju?”. Enveri ia sqarojë situatën në Kosovë dhe kërkojë që Këshilli i Ministrave Europian të merrte masa më rigoroze ndaj Jugosllavisë e të mos u lejohej që me parat e tyre ata të prodhonin armë, të paguanin policinë për t’i vrarë shqiptarët e pafajshëm. Pas pak minutash, ia lamë me shkrim për ato që biseduam.

Takimet me personalitete të huaja, kurrë nuk zgjasnin më tepër se gjysmë ore. Zhvilloheshin shpejt dhe për ato pak minuta duhej të përmblidhje çdo gjë që ne kërkonim t’ua sqaronim. Në fillim të fillimit u flisnim për historinë tonë të lashtë, se ne jemi populli i vjetër, se e kemi Skënderbeun, që për 25 vjet e mbrojti civilizimin europian. I tregonim se kur kanë ardhur sllavët në Ballkan, dhe taman kur kryhej takimi ata na shtronin pyetjen “E çka mund të ju ndihmoj?”. Më vonë e kuptuam se duhej folur shkurt, saktë e preciz. Shumë më vonë e kuptuam se këto personalitete duhej t’i ftonim edhe në darka ku mund të flisnim për asgjë dhe çdo gjë.

 Duke parë që presionet e Serbisë për ndryshimin e Kushtetutës, po i shtoheshin popullsisë sonë, Komiteti ynë të mërkurën, më 29 mars e fton një konferencë për shtyp me qëllim të informimit të institucioneve ndërkombëtare për rrezikun që po i kanosej Kosovës nga hegjemonizmi serb. Më këtë, Komiteti ynë do t’ua tërhiqte vëmendjen perëndimorëve së në rast të eskalimit të dhunës mbi 250.000 shqiptarë që punojnë në shtete të ndryshme europiane do të revoltohen skajshmërisht. Kjo vërejtje ishte një strategji e Enver Hadrit, që Perëndimit t’u tregonte kapacitetin e madh të shqiptarëve në diasporë. Marsi i vitit 1989, ishte muaj ku ne ishim më të aktivizuar se kurrë më parë. I jepnim të gjitha forcat dhe shfrytëzonim të gjitha mundësitë që të aprovohej një rezolutë për Kosovën ku do të dënoheshin krimet dhe maltretimet që forcat serbe po ushtronin mbi popullsinë e pafajshme shqiptare.

Kudo që shkoja interesohesha t’ia gjeja një vajzë shqiptare Ganiut për t’u martuar me të, të cilit po i kalonte koha pa krijuar familje. Kriteret që Ganiu kërkonte t’i ketë vajza me të cilët do të martohej i dija, andaj Ganiut i kisha propozuar vajza prej shumë qyteteve të Evropës e deri në Nju Jork.

 

REZOLUTA, më 12 prill 1989

 

 Rezoluta e parë e Parlamentit Europian, 1989

 

Kur tashmë Enver Hadri me ekipin e tij kishte krijuar lidhje të ngushta me shumë deputetë dhe qeveri evropiane, në kohën kur kriza politike po tendosej, ai dhe Behare Rexhepi bashkë me Gani Azemin shtuan kontaktet dhe konferencat e shtypit në IPC (Intenational Presse Centre).

Kontaktet e Komitetit me diplomacinë evropiane qenë zgjeruar dhe gati çdo javë Komiteti zhvillonte takime me personalitetet e ndryshme, siç ishin: A.Matutes në Këshillin Evropian, Paul Hatrin, ministër i Qeverisë belge, me Budenstagun gjerman, me bashkëshorten e kryetarit francez, Daniélé Mitterand, si dhe me dhjetëra eurodeputetë. Që kërkesat e Kosovës të kishin një jehonë më të fuqishme, Enveri organizonte konferenca për shtyp, sa herë që paraqitej nevoja.

Konferencat për shtyp, përveç gazetarëve të huaj, i përcillte edhe gazetari i Tanjugut, por asnjëherë nuk fliste asgjë. Ai me siguri kishte futur njeriun e tij të bënte pyetje. Gjatë konferencës, një ndër gazetarët ehuaj, pas diskutimit të Behare Rexhepit, e akuzoi Beharen se nuk ishte shqiptare, por ishte me origjinë belge.

Ky gazetar italian vinte për herë të parë në konferencat tona për shtyp dhe pas tërë asaj që kishte dëgjuar për femrat shqiptare iu duk absurde se si një femër shqiptare di të mbrojë çështjen tonë dhe të reagojë bindshëm sikurse një femër perëndimore. Madje, për gazetarin ishte, po aq absurde, të shihte një femër shqiptare, që nuk e kishte kokën e mbuluar me shami. Kjo pyetje e gazetarit italian, Enver Hadrin dhe tërë stafin e Komitetit e habiti. Nuk dinim si do të reagonte Beharja pas kësaj fyerjeje që i bëhej. Ishte e vërtetë se para çdo konference për shtyp që organizonim, një natë më herët merreshim vesh se kush çka do të fliste. Secili i kishte detyrat e caktuara për konferencën e nesërme. Para çdo konference Enveri organizonte një konferencë interne, ku bënim pyetje provokative, të cilat i imagjinonim që një gazetar mund të na i bënte për t’na zënë në kurth. Por, asnjëherë nuk na kishte shkuar mendja se gazetari mund të bënte një pyetje ku mund të vihej në dyshim origjina e Behares apo e ndonjërit nga kryesuesit e konferencës. Atë ditë, pas kësaj pyetje në sallë mbretëroi heshtja! Të gjithë gazetarët prisnin përgjigjen e Behares. Shumica prej tyre na njihnin nga konferencat e mëparshme, por askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se ne e kishim marrë një belge për ta prezantuar Kosovën. Nuk dinim pse Beharja po e vononte përgjigjën. Ndoshta edhe ajo ishte e zënë pisk nga pyetja e papritur apo ndoshta dëshironte të krijonte suspens me qëllim të caktuar. Beharja me lehtësi u ngrit nga karrigia. Lakoi trupin për të hapë çantën e saj të varur në shpinën e karriges dhe nxori letërnjoftimin, filloi para kamerave ta lexonte emrin e saj, se ishte lindur në Prizren, në vitin 1957 dhe se ishte refugjate politike shqiptare me origjinë nga Jugosllavia. Zotëri, iu drejtua Beharja, unë jam shqiptare nga Kosova. Nëse doni ta dini besimin e religjionit tim, ua tregoj se jam myslimane, por ne shqiptarët e Kosovës luftojmë për identitet kombëtar e jo religjioz. Ato që ju keni dëgjuar për shqiptarët nuk qëndrojnë në fakte, por janë dezinformata të makinerisë jugosllave për t’i zhvlerësuar kërkesat legjitime që kërkon populli ynë. Besoj që tani e tutje do t’i besoni vetëm fakteve dhe do të shkruani për realitetin e ri kosovar që është krijuar. Nuk kërkojmë të shkruani të pavërteta, por vetëm ta përshkruani realitetin. Në mënyrë intuitive gazetarët përnjëherë duartrokitën, dhe për çudi duartrokitjes iu bashkua edhe gazetari italian, i cili pak vjet më vonë do ta rekomandojë një koleg të tij që të bëjë një intervistë me Beharen, për revistën e ilustruar prestigjioze të shtetit të tij “El Mondo”.

Gjatë bisedimeve me eurodeputetët, ne ua prezantonim mendimet tona. Më parë secili prej nesh kishte propozime të ndryshme e më në fund bëhej një sintezë e mendimeve që mund të aprovohej një rezolutë në Parlamentin Evropian.

 

Aprovimi rezolutën e parë në Parlamentin Europian

 

Më 12 prill 1989, me iniciativën e Enver Hadrit, Parlamenti Evropian aprovoi rezolutën e parë në historinë e tij kundër represionit serb, që i bënte popullit shqiptar në Kosovë.

Ja teksti komplet i propozim rezolutës, i cili u aprovua pa asnjë votë kundër më 12. 04. 1989:

 

12 prill 1989

B2 – 15/1

B2 – 24/1

B2 – 57/1

B2 – 63/1

B2 – 78/1

B2 – 95/1

 


Propozim i Rezolutës së përbashkët

 

Parlamenti Europian

 

  1. tejet i shqetësuar me situatë eksplozive, në prag të luftës civile, dhe turbullirat të cilat janë shkaktuar në Kosovë, në qytete të Prishtinës, Podujevës dhe në Mitrovicën e Kosovës, forcat e armatosura pas dy ditë përleshje kanë shkaktuar viktima të shumta, më 29 mars;
  2. të mllefosur nga reprezaliet policore dhe ushtarake si dhe nga vala e arrestimeve, ku prek shumë personalitete të jetës publike;
  3. duke marrë parasysh se sipas dëshmive të furnizuara nga Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, Parlamenti Krahinor i Kosovës është pajtuar për ndryshimin e Kushtetutës së Jugosllavisë së vitit 1974, por është bërë me manipulime dhe kërcënime;
  4. duke pasur parasysh frikën e shprehur të një pjese të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës, që ndryshimet kushtetutare të arritura nga Republika e Serbisë, mundën me e cenue identitetin e saj;
  5. të përkujtojmë se Bashkësia Europiane mbanë relacione politike, ekonomike dhe financiare të ngushta me Jugosllavinë, po ashtu edhe kontakte të rregullta parlamentare.
  1. Nënvizojmë se paqja mund të rrezikohet nëse ndjenjat nacionaliste vazhdojnë të nxitën në Jugosllavi, e që nuk do të shpëton pa konsekuenca të rënda edhe Europa.
  2. Ia përkujtojmë Qeverisë Jugosllave, që angazhimet e marra me rastin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkut ndaj pakicave që jetojnë në territorin e saj, në mënyrë të veçantë t’iu garantohet atyre barazi para ligjit, dhe të gëzojnë të drejtat e njeriut.
  3. Kërkohet lirimi i të burgosurve politikë, po ashtu formimi i një komisioni hetues, për të përcaktuar përgjegjësinë civile e ushtarake që shkaktuan viktima të shumta.
  4. Thërret autoritet serbe që të tregojnë një mirëkuptim e simpati ndaj shqiptarëve të Jugosllavisë, dhe fton shumicën shqiptare që jetojnë në Jugosllavi t’i respektojnë të drejtat e pakicës serbe;
  5. Kërkon nga Komisioni dhe nga Ministrat e Punëve të Jashtme, të mbledhur në kuadër të bashkëpunimit politik, të japin fryte kontaktet në kushte të mundshme në kontekstin e Shoqërimit në mes Bashkësisë Europiane dhe Jugosllavisë, që t’u përgjigjen këtyre thirrjeve, e që të kontribuojnë në përfundimin e tensioneve politike.
  6. Falënderojmë Kryetarin e Asamblesë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë për ftesën, i cili e pranon një delegacion të Parlamentit Europian, i ngarkuar të studiojë situatën në Jugosllavi, dhe së shpejti vendos me marrë masa të nevojshme për formimin e një delegacioni të tillë.
  7. Ngarkon Kryetarin e saj, që ta transmeton këtë rezolutë, në Komisionin e Tregtisë së Bashkësisë Europiane, Këshillit të Ministrave të Bashkësisë Eurpopiane, po ashtu edhe Qeverisë Jugosllave.

 

 

PE.132.656/1

PE.132.657/1

PE.132.658/1

PE.132.659/1

PE.132.660/1

PE.132.661/1

 

Origjinali në gjuhën frënge dhe angleze

 

Më në fund arritëm ta realizonim atë që me vite kishim bërë përpjekje, atë, së cilës shpesh i afroheshim deri në prag, por nuk realizohej.

Një pjesë e madhe e shqiptarëve thoshin se nuk ishte bërë aq punë e rëndësishme sa ne pohonim. Kishte zëra që thonin se teksti i kësaj rezolute ishte bërë në Gjermani. Dikush madje edhe e komentonte se këtë e kishte bërë vetë Serbia. Ata e komentonin pikën 6 të kësaj rezolute ku thuhej se e falënderojnë Kryetarin e Asamblesë që pranon një delegacion. Ata të cilët dëshirojnë ta dinë më mirë ketë proces, duhet të dinë se kur propozim-rezoluta vihej në diskutim nëpër koluare të Parlamentit Europian në Bruksel, një kopje automatikisht e merrte edhe ambasadori jugosllav i ngarkuar në Parlamentin Europian. Ambasadori jugosllav ishte tepër aktiv dhe kudo pengonte aprovimin e ndonjë rezolute, me gjuhën diplomatike, me manipulime të ndryshme, por kësaj here kur më ishte mbështetur për muri, ende gjatë diskutimeve në Bruksel, pranon që një delegacion i Parmamentit Europian të shkojë në Kosovë, për ta vërtetuar nëse gjendja është stabile dhe e qetë. Pra, paraprakisht, Jugosllavia e zënë ngushtë kishte pranuar kërkesën e Parlamentit.

Kundër kësaj rezolute historike për popullin e Kosovës gazetat serbe do të shkruajnë duke e fyer madje Parlamentin Evropian dhe ata që e kanë përkrahur këtë rezolutë.

Parlamenti e kishte caktuar zonjën Doris Pack, si kryetare të Komisionit që se bashku me 23 parlamentarë të tjerë ta vizitonin Kosovën, në mënyrë që të bindeshin vetë me gjendjen reale në Kosovë. Komiteti ynë u thoshte se ka krime dhe arrestime, jugosllavet pretendonin të kundërtën e informatave tona.

Pasi u caktua komisioni, ne mendonim se si do ta organizonim në Prishtinë një demonstratë paqësore në sy të Komisionit Europian. Ne ishim të sigurt se policia serbe do të bënte çmos që të parandalonte manifestimin, por nëse nuk mund ta ndalojnë ata do të sillën brutalisht. Sjellja e tyre brutale ishte pozitive për Kosovën. Tani ndonjëri do te thotë se dëshira e jonë ishte që policia serbe t’i rrihte shqiptarët. Do të thotë, eja ti dhe dil me ne, në demonstrata dhe shihe se çka do me thënë burgu e dajaku. Nuk po i përgjigjem sepse përgjigja dihet.

Ne e thirrëm në telefon Xhafer Shatrin, i treguam se Komisioni do të shkonte, por nëse europarlamentarët nuk do të shohin brutalitetin serb, ata kurrë më nuk do i besojnë Komitetit tonë dhe vështirë se më do dërgojnë komisione të tjera. E porositëm Xhaferin që të njoftonte lidhjet e tij, e në anën tjetër ne t’i njoftonim lidhjet tona që i kishim në Kosovë, që atje të manifestohej në mënyrë paqësore, si çdo herë kur ishte e nevojshme.

Po atë vit Enveri dhe Beharja, në bashkëpunim me Agim Radoniqin, dërguan një ekip televiziv në Kosovë. Radio Televizioni Belg VTM emisioni “Panorama”, ishte ekipi i parë prej shteteve perëndimore që mori guxim të bënte reportazh mbi situatën dramatike në Kosovë.

Ky ekip ishte përgatitur që të kontaktonte me z. Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja etj. Ekipin Beharja e kishte furnizuar me telefona privat të liderëve kosovarë. Ekipi televiziv nuk kishte arritur ta realizonte një reportazh të mirëfilltë, ngase liderët kosovarë nuk guxonin të shpreheshin lirisht, madje disa i kishin penguar që t’i intervistonin liderët, siç ishte Qosja e disa të tjerë.

Nga baraka e Lidhjes së Shkrimtarëve, intervistohet vetëm Ibrahim Rugova. Askush tjetër nuk mund t’i afrohej ekipit, ngase përcjellësit nuk e lejonin ekipin të vazhdonte punën. Reportazhi i tyre ishte i pari mbi situatën dramatike në Kosovë, si dhe intervista e parë e z. Ibrahim Rugova, që aso kohe ende nuk ishte lider i partisë që e themeloi pak muaj më vonë. Menjëherë pas aprovimit të rezolutës mbi Kosovën, Enveri me ekipin e tij përgatiti delegacionin e Parlamentit Europian që ta vizitonte Kosovën, ngase ashtu e parashihte rezoluta. Ky ishte delegacioni i parë i politikës evropiane që po e vizitonte Kosovën. Ishin të parët diplomatë që po e shkelnin tokën e Kosovës dhe po vërtetoheshin vetë mbi situatën, që po përjetonte populli kosovar. Vizita e tyre ishte një sinjal se Kosova nuk po injorohej. Ishte shenja e parë që Evropa, posaçërisht shteti i Belgjikës, Gjermanisë dhe Francës, po kërkonin t’i riparonin gabimet e tyre e të gjyshërve të tyre, siç do t’i deklaronte një vit më vonë një personalitet anglez Rexhep Qosjes dhe Behare Rexhepit, në Strasburg.

Kjo vizitë e delegacionit ishte shenjë se nuk është më ajo Evropa plakë që këndohej në këngët popullore tona, por ishte një gjeneratë e re që nuk lejonte të shkeleshin të drejtat elementare të njeriut. Kjo vizitë e diplomatëve evropianë do të kalonte në heshtje totale nga shtypi dhe intelektualët tanë jo vetëm gjatë viteve okupuese, por deri në ditët e sotme.

Në të njëjtën kohë mërgata jonë në Amerikë, në krye me Dioguardin u aktivizua në Kongresin amerikan. Tanimë në dy qendra më të mëdha botërore në Bruksel dhe në Uashington diaspora kishte krijuar lidhjet miqësore me disa deputetë, senatorë, e personalitete politike në zë. Në këto dy qendra aktivistët e diasporës rregullisht i kishin mbajtur lidhjet duke i informuar me vite të tëra, por tash ishte koha kur këta duhej të lidheshin direkt me Kosovën. Nuk mjaftonte vetëm t’i informonim por duhej të vihej deri ne zgjidhjen e nyjës se problemit. Për këtë ishte i nevojshëm koordinimi në mes të liderëve kosovarë me ata të diasporës, të cilët do i venin në kontakt me institucionet e qendrave të vendosjes. Vërja e kontakteve me personalitete euroamerikane do ta shqetësonte Beogradin.

 

Demonstrata 10 ditore – aktiviteti i parafundit i Enver Hadrit

 

Pak ditë pas konferencës për shtyp, ku dolëm me opinione të ndryshme, dhe tentimit për themelimin e Këshillit Koordinues të partive dhe organizatave në Bruksel, Enver Hadri kishte vendosur të organizonte një demonstratë statike dhjetëditore para ambasadës jugosllave në Bruksel. Tani kushtet për të organizuar demonstrata masive nga vetë shqiptarët që jetonin në Belgjikë si duket ishin pjekur. Sipas pamjes se jashtme dhe organizimit të brendshëm ndërshqiptar nuk dukeshin divergjenca dhe xhelozi që mund t’i pengonin ato.

U vendos që manifestimi të jetë dhjetëditor para ambasadës jugosllave çdo ditë nga dy ose tri orë varësisht prej masës dhe interesimit. Autoritet belge kishin dhënë autorizime për disa orë, por me kohëzgjatje të tillë jo. Me ndihmën e Zotit Pierre Herbeck, që ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Belge për të Drejtat e Njeriut, autoritet belge na e dhanë lejen.

Ganiu që nga 1982-shi, ishte i kyçur në Lidhjen Belge për të Drejtat e Njeriut, si dhe në Amnistinë Internacionale. Gjatë një seminari, që Amnistia e organizojë në ULB në nëntor të vitit 1982, Ganiu kishte folur para qindra të pranishmëve për situatën në Kosovë, duke e potencuar Adem Demaçin, Ukshin Hotin dhe në përgjithësi të burgosurit politikë shqiptarë të asaj kohe, që vuanin dënimin në burgjet jugosllave. Ai kishte thënë se shërbimi sekret jugosllav po vriste edhe në botën e juaj demokratike, duke i përmendur vrasjet e Vehbi Ibrahimit, Jusufit, Kadriut e Bardhoshit. Ky seminar, qe organizuar për të drejtat e Njeriut në Europën Lindore, ku merrnin pjesë personalitete të shquara nga bota e shkencës dhe kulturës si: Jeanne Birkin, (aktore franceze me fame botërore), Marion Hansel, regjisore dhe producente e njohur europiane deri në Holivud etj.

Ganiu nuk do të heziton të bisedojë edhe me themeluesin e Amnistisë Internacionale zotin Benenson, të cilit do ia tregon numrin e të burgosurve politikë shqiptarë dhe i premton se do t’ia dërgonte një material me emra të të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë. Me Avokatin Benenson relacionet e veta Ganiu do i mirëmbante, dhe me rastin e vrasjes së Enverit do ta njoftonte duke ia bërë një raport të detajuar.

Të ishte prezent Jeanne Birkin e Marion Hansel, e Ganiu të mos u afrohej për t’u folur për situatën në Kosovë, ishte gjë që nuk mund të ndodhte. Shumë shpejt Ganiu e fitoi simpatinë e këtyre dy yjeve të filmit, me të cilat do të mbajë relacione edhe tani.

Për ne ishte me rendësi që të takonim personalitete dhe atyre t’u tregonim për gjendjen në Kosovë, dhe kur hynim njëherë në shoqëri me ta ua ndryshonim opinionin për Jugosllavinë parajsë të Ballkanit.

Pasi që Ganiu e kishte siguruar lejen për mbajtje të demonstrative në fillim të shkurtit 1990, u përgatitë një parullë në një pëlhurë shumë të gjatë që gati e përshkonte masën.

Masa e shqiptarëve iu përgjigj thirrjes masovikisht, dhe nga kjo dukej se më nuk e ndjenim nevojën e pjesëmarrësve nga Gjermania e vendet e tjera për të shtuar numrin e demonstruesve.

Mediat belge i dhanë hapësirë të konsiderueshme këtyre manifestimeve, ku çdo natë ne dilnim në manifestim me fëmijë, burra e gra. Për televizionin RTL, në emër të Komitetit dhanë deklarata: Enver Hadri, Behare Rexhepi dhe Gani Azemi.

Organizimi i demonstratës dhjetëditore, kishte rëndësi të dyfishtë: në një anë pjesëmarrja e diasporës sonë ishte masovike, në anën tjetër mediat belge edhe një herë po i jepnin mbështetje kërkesave të ligjshme të popullit tonë. Është e paimagjinueshme të kuptohet se si erdhi deri të një përgjigje masive e masës sonë në mbështetje të manifestimit dhjetëditor. Për këtë edhe vetë Enveri, dhe çdo njeri tjetër ka mbetur i mahnitur dhe i befasuar. Tani pa asnjë pikë dyshimi do të dalin njerëz dhe të thonë se fshehtas kanë zhvilluar bisedime me Enver Hadrin. Nuk është e vërtetë.

Mendimi im është se tri viteve të fundit, Komiteti ynë përfaqësohej në të gjitha mediat si mbrojtës i së drejtave të njeriut në Kosovë, se Komiteti ynë nuk kishte pretendime politike për t’ua zënë vendet e tyre politike askujt, dhe ajo që duhet të jetë më vendimtare është formimi i LDK-së. Diaspora kishte humbur shpresën në luftën e tyre shumëvjeçare dhe dalja në skenë e LDK-së do t’i ringjallte shpirtrat e fjetur, të cilët për të mos mbetur larg shoqërisë filluan t’iu bashkangjitën strukturave të organizuara, e strukturat e organizuara të lodhura nga përçarjet disavjeçare (e çdo gjë kthehej në dem të tyre), e kanë parë të rrugës t’i bashkojnë forcat. Bashkimi i forcave për aktivitete u jepte kredibilitet edhe vetë liderëve lokalë, të cilët pa iu frikësuar ndonjë asimilimi të anëtarësisë në një tjetër organizim do t’i unifikonin forcat.

 

 

VRASJA E ENVER HADRIT

 

Kush e vrau Enver Hadrin?

 

Enver Hadri u vra nga komandosët e specializuar të Shërbimit Sekret Jugosllav. Më vonë në Gjyqin e Hagës në procesin kundër Millosheviqit u kuptua se përsonalisht Millosheviqi kishte dhënë urdhër për vrasjën e Enver Hadrit.

Ekzekutorët e Enver Hadrit ishin: Adria Lakoniq, Veselin Vukotiq dhe Darko Ashanin.

Pak muaj pas vrasjes Veselin Vukotiqi e vranë Adria Lakoniqin sepse ky ishte mburrur në një kafe të Beogradit se e kishte vra Enver Hadrin. Që të mos u dalin sekretët shoku e vranë shokun. Më vonë Shërbimi Sekret e vranë edhe Veselin Vukotiqin dhe mbetët vetëm Darko Hashanini i cili pasi u gjykua në Bruksel para pak kohesh tani është dikund në burgjet serbe apo malazeze?!  Asnjëri prej nesh nuk kemi pasur informata se Millosheviqi kishe dhënë urdhër personalisht për vrasjen e Enver Hadrit, mirëpo këtë ne e kemi imagjinuar dhe e kemi lansuar në shtyp që në ditët e para të vrasjes së Enverit.

 

Përgatitja e rezolutës për Kosovën

 

Pas demonstratës dhjetëditore, Komiteti kishte përgatitur tekstin për një rezolutë të re, për ta denoncuar dhunën dhe terrorin serbomadh. Si çdo herë, europarlamentarët duhej furnizuar me fakte dhe informata të sakta. Komiteti ishte në mbledhjen e fakteve e sidomos të viktimave të fundit që forcat serbe kishin sjellë. Kjo rezolutë, që Enveri ishte në zhvillim e sipër të bisedave me europarlamentarë, do të aprovohet pak ditë pas vrasjes së tij.

 

Gjurmëve të të dhënave të Brigadës Speciale Antiterroriste Belge

 

Të shtunën, më 24 shkurt, nga telefoni publik i hollit të hotelit Sheraton, Enver Hadri e merr një thirrje telefonike që të takohet me një delegacion kroat. Enveri shkon në vendtakimin që e kishin caktuar në stacionin e trenit. Duke qenë i bindur se bisedonte me opozitën kroate, Enver Hadri ishte futur në bisedë më njërin prej vrasësve të tij. Pas ngjarjes së kobshme, policia belge hetimet do t’i fillojë që nga kabina telefonike, mirëpo duke pasur për bazë se me atë telefon publik janë shërbyer shumë njerëz ka qenë e pamundur të identifikonin gjurmët e gishtërinjve të mbetura në receptor. Këto që u thamë janë informata të BSR-së (Brigada Speciale Antiterroriste Belge).

E diel, 25 shkurt 1990, ora 11 e 30minuta. Zakonisht, më 25 shkurt në Bruksel bënë ftohët dhe është koha me shi, por kësaj radhe ajo ditë i ngjate ditëve pranverore. Unë vendosa të rrija me fëmijët në shtëpi dhe pasdite të shkoja me ta në pishinë. Ganiu atë pasdite, kishte ftuar disa shokë të tij. Enveri Hadri, si çdo të diele tjetër, me bashkëshorten e tij kishte shkuar të vinte lule mbi varrin e nënës së tij. Nëna e tij, kishte vdekur dy-tri vjet më herët. Me rastin e varrimit të nënës, Sokol Tërlaku e kishte organizuar një autobus, për të shkuar deri të varrezat, që janë mbi 60 km larg Brukselit. Edhe pse transporti ishte falas, prezent në varrimin e nënës se tij ishim vetëm 17 vetë, duke e llogaritur edhe Enverin me familjen e tij, por jo edhe disa që tani dëshirojnë t’i zhdukin faktet e asaj kohe.

Secili njeri në botë ka dashuri ndaj prindërve, por Enver Hadri e kishte një dashuri tejet të veçantë për nënën e tij. Ndoshta se ishte i vetmi djalë i saj, ndoshta se ajo mbet e ve që në rininë e saj dhe kurrë më nuk u martua, ndoshta ….

Në momentin kur po i vinte lulet mbi varrin e nënës, Enverit do t’i rrëshqet kuleta dhe bie mbi mermerin e varrit.

Bashkëshortja e shikon Enverin, dhe në sytë e saj duket dyshimi i një parandjenje se diçka sot nuk do të shkonte mirë

 

Vrasja e Enver Hadrit

 

Pas vizitës bërë varrit të nënës, Enveri kthehet në Bruksel, pushon pak dhe në telefon e thirr Hana Ibelingun. Një sqarim, ne shqiptarët e quanim Hana kurse në realitet quhej Anne. Hana ishte një femër që punonte përkthyese në Parlamentin Europian. Kishte disa vjet që Enveri njihej me Hanën, e cila i ndihmonte atij për përkthimin e komunikatave për shtyp dhe për materialet e tjera. Hana rregullisht merrte pjesë në manifestimet tona e sidomos në shumicën e konferencave tona për shtyp, ajo i incizonte me videokamerë ato. Kurrë ne, nuk i kemi parë ato regjistrime. Ato mund t’i ketë ruajtur për arkivin e saj. Neve jo vetëm që nuk na interesonte t’i ruanim por as nuk i kërkonim t’i shikonim.

Enveri hyn në veturën Opel Kadet (me të cilën shpesh voziste, pronë e Anne Laure Ibeling), nisët në rrugën e tij njëkaheshe Albania, e kalon bulevardin Waterlo që e lidhë me rrugën St.Bernard. Në semaforat e parë ku rruga kryqëzohet me Rue de la Victoire, ndalon në dritën e kuqe. Paralelë me veturën e Enverit, në anën e majtë, ndalon një veturë e tipit “W Golf”, me pllaka GLU ose GLV 638. Njeriu që ka qenë ulur afër shoferit e hap dritaren dhe shtinë në drejtim të Enver Hadrit. Plumbi i parë, e thenë xhamin e dritares dhe i ndalet në kokë. Plumbi i dytë i thenë dy xhamat e dritareve dhe ndalon në xhamin e një shitoreje. Enveri qëllohet me një plumb në kokë, nga një armë pa zë. Nëntë minuta më vonë në vendin e ngjarjes arrin ambulanca dhe gjyqi hetues. Në xhep kishte listën e 23 viktimave të vrara nga policia serbe, pa e ditur se atë ditë emri i tij do të shtonte numrin e viktimave në 24. Siç thamë edhe në një kapitull më herët se rruga Albania dhe numri i shtëpisë 23 ishin koincidencë me vetë jetën e tij. Enver Hadri, në xhepin e tij i kishte 23 emra të shqiptarëve të vrarë ato ditë nga plumbat e forcave serbe në Kosovë, pa e ditur se kësaj liste po i shtohej atë pasdite edhe emri i tij. Po ato ditë shkurti, të vitit 1990, në Kosovë nga një grup i të rinjve të Pejës (të gjithë ish të burgosur politikë) kishte filluar Aksioni i pajtimit të Gjaqeve me moton: t’i lemë të pahapura 23 varre të shkaktuara mes vete për çështje gjaku e hasmërie, kur të tjerët po na vrasin!

Brenda pak kohësh, ndoshta një gjysmë ore apo një orë më vonë, para dyerve të spitalit ku gjendej Enver Hadri, ishim Gani Azemi, Sokol Terlaku, Behare Rexhepi, Reshat Sahitaj,Fahri Panxhaj, e një grumbull shqiptarë të tjerë, për cilët tani nuk më kujtohen emrat e tyre.

 

Hana Ibeling:  “Shqiptarët e kanë vrarë Enver Hadrin?!

 

Hana e veshur me një pallto të zezë, doli nga spitali dhe na tha: “Enveri me siguri është plagosur me plumba të helmuar dhe nuk shpëton. Unë e di kush e ka vra! Policisë i kam treguar emrin e atyre që e kanë vrarë! Shqiptar, është ai që e ka kryer vrasjen!” – tha dhe shkoi, duke na lënë secilin prej nesh të mendonim se kush qenka ai shqiptar që e ka vrarë Enver Hadrin?!

Në lajmet qendrore të RTL-it, Hana Ibeling i konfirmojë fjalët e saj se shqiptarët e kanë vrarë Enver Hadrin. Në lajme u tha se policia belge hetimet i ka orientuar në shtëpi të shqiptarëve, të cilët dyshohen se mund të jenë vrasës të Enver Hadrit.

Gazeta “Le soir” e së hënës, 26.02.1990, ja se ç’shkruan veç tjerash, me fjali të nënvizuara: “Për atentatin e mbrëmshëm nuk ka asnjë revandikim. Xhandarmëria menjëherë ka marrë masa hetuese të rënda dhe të rëndësishme në mesin e komunitetit shqiptar të Brukselit”.

Deklarata e Hana Ibelingut se shqiptarët e kanë vrarë Enver Hadrin kishte për qëllim që kërkimet për vrasjen e Enverit të marrin drejtim tjetër, pra policia të bastiste shtëpitë e shqiptarëve aktivistë. Ideja e saj ishte që vrasja e Enverit, të shpjegohej për gjoja qërimin e hesapeve mes shqiptarëve, mu ashtu siç kishte dëshiruar Serbia. Në të njëjtën mënyrë u orientuan edhe hetimet për vrasjen e Jusufit, Kadriut, Bardhoshit e Vehbiut, pra vetëm njëra kahe e hetimit. Sipas kësaj deklarata të Hanës, Enver Hadri tërë jetën e tij kishte punuar kundër shqiptarëve, e jo kundër Serbisë. Kësaj melodie se Enverin është vrarë nga shqiptarët ende disa bashkëpunotër të UDB-së përpiqën ta aktualizojnë kur tanimë dihën tre vrasësit të ardhur nga Serbia enkas për të kryer vrasjen.

 

Deklarata tendencioze e Hana Ibelingut

 

Hana ka deklarua me qellim tendencioz?! Hana ka deklaruar ashtu edhe pse kishte njohuri të sakta se Enveri nuk punonte kundër shqiptarëve?! Hana ishte e detyruar të deklaronte ashtu?! Këtyre pyetjeve vetëm ajo di t’u përgjigjet, sepse tani çdo kush e di se vrasësit ishin serbë dhe të urdhëruar personalisht nga Millosheviqi.

Shtrohet pyetja, po sikur policia belge të kishte marrë masa kundër emigracionit serb që jetonte në Belgjikë?! Po sikur policia belge t’i kontrollonte spiunët shqiptarë që ambasada jugosllave u bënte jatak?! Jam i bindur se vrasësit do të kapeshin ende sa ishin në Bruksel, e jo t’u jepej hapësirë të iknin. Deklarata e Anne Laure Ibelingut, u dha hapësirë vrasësve të largoheshin. Nga burimet e policisë belge, është e njohur se Enveri para se te dilte nga shtëpia, kishte biseduar me Hana Ibelingun në telefon. Pse Hana kurrë nuk dha përgjigje për ku ishte nisur Enver Hadri?! Kush e dinte se Enver Hadri atë moment do të shkonte dhe ku do të shkonte?! Më këtë nuk po e akuzoj Hanën dhe askë tjetër që e ka ditur kohën se kur dhe ku po shkonte Enveri. Këto i kam thënë menjëherë pas vrasjes së Enverit, andaj edhe tash qëndroj me këtë opinion. Vetëm një gjë më habit edhe sot, se si tërë shqiptarët, të cilët një gur nuk e kanë vu në themelet e pavarësisë së Kosovës, shkojnë dhe rrëfehen të Hana?!

Pas fjalëve të Hanës, alias Anne Laure Ibeling, ne vendosëm që të nesërmen t’i lajmëronim gazetat se shqiptarët nuk e kanë vrarë Enverin, por Serbia është pas këtij atentati të shëmtuar. Komisioni që do kontaktonte dhe do të shkonte në redaksi ishim Reshati, Beharja, Ganiu dhe Ramadan Gashi.

Të nesërmen, që në mëngjes ne të katër ishim para redaksisë së gazetës më të rëndësishme belge “Le soir”. E kërkova zotin Jean Rebuffat, që ishte gazetar i rubrikës për kulturë dhe që njiheshim që nga viti 1988, me rastin e Festivalit Mesdhetar të Filmit. Jean Rebuffat me bashkëshorten e tij disa herë e kisha ftuar për darkë ne shtëpinë time.

Posa më pa, tha se mbrëmë deri vonë me kishte thirr në telefon e nuk më kishte gjetur. I tregova se ishim të hutuar, të pikëlluar e të zënë me vrasjen e befasishme.

Ne menduam se më lehtë t’i informonim redaksitë gojarisht se sa përmes një komunikate, si hap i parë urgjent që e ndërmorëm para konferencës për shtyp që do ta mbanim në orën 14.00 pasdite.

Shkuam në I.P.C. dhe e rezervuam jo sallën nr. 8 por sallën e madhe ndërkombëtare. Pak minuta para se të fillonim konferencën, salla ishte përplot me gazetarë, ishin mbi 200. Hana erdhi dhe na tha me një zë kërcënues së nuk duhej ta akuzonim Jugosllavinë. Ganiu dhe Beharja i thanë se nëse nuk e akuzojmë Jugosllavinë, e veçanërisht në ketë rast Serbinë, ne nuk kemi pse e mbajmë konferencën. Nëse ti nuk ke guxim, ne e mbajmë pa ty konferencën.

Pas konferencës për shtyp në IPC të hënën me 26.02.1990, shtypi belg akuzon Serbinë dhe ambasadën jugosllave në Bruksel.

 

 

Gazeta “De Standard” 27.02.1990

Konferenca e shtypit në I.P.C.  me 26.02.1990: Gani Azemi , Hana Ibeling (ne mes) dhe Behare Rexhepi. Në këtë konferencë Beharja dhe Ganiu që ditën e parë e akuzuan Serbinë për vrasjen e Enverit.

 

Ishte absurde të akuzoheshin shqiptarët kur dihej se Serbia po i vriste bijtë më të mirë të kombit tonë! Ne nuk e dinim kush ishin dorasit, ama nuk kishim dyshim se Serbia ishte vrastarja më potenciale e tij. Shumë vjet më vonë, vetëm në procesin e Millosheviqit në Hag, dëshmitari i mbrojtur C – 48, deklaron se atentati kundër Enver Hadrit ishte e urdhëruar personalisht nga Millosheviqi dhe ishte i organizuar nga Shërbimi Shtetëror Sekret i Serbisë. Ende edhe në ditët e sotme, kemi disa individë të cilët shkruajnë në faqe të interentit se Reshati, Ganiu dhe Beharja nuk bënë asgjë për zbardhjen e vrasjes se Enver Hadrit dhe se ne nuk kishim bashkëpunuar kurrë më Enver Hadrin. Këtyre sahanlepirësave nuk i mjaftojnë faktët konkrete si lajmet qendrore te televizoneve botërore, shtypi internacional, letrat etj që dëshmojnë aktivitetêt tona të përhershme.

 

Heshtje apo aktivitet për zbardhjen e vrasjes së Enver Hadrit?

 

Aktivitetet e përvjetorëve të vrasjes së Enverit, që janë bërë çdo vit, nuk po i përmendim, sepse ato përfshihen në një libër të veçantë. Këtu do t’i përmendim në mënyrë periferike vetëm aktivitetet për ndriçimin e vrasjes së Enver Hadrit, në kryeqytetin e Europës.

Pas vrasjes së Enver Hadrit, grupi ynë i mbetur: Behare Rexhepi, Gani Azemi, dhe unë për ta zbardhur vrasjen e tij, ne e kemi bërë maksimumin që dikush do të mundë ta bënte. I kemi organizuar mbi dhjetë konferenca të shtypit në I.P.C., herë në emër të Byros Informative të Behare Rexhepit, herë në emër të Komitetit, meqë Ganiu e mbante vazhdimësinë e kohëpaskohshme, e herë në emër të Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave të Njeriut, por kurrë Serbinë nuk e kemi lënë të qetë. Sa për ta argumentuar këtë janë konferencat e shtypit dhe shkrimet tona në shtypin belg dhe ndërkombëtar.

 

Faksimil i gazetës “ma Derniere Heures”

 

Prishja e relacioneve diplomatike Belgjikë – Jugosllavi për herë të dytë

Ambasada e Jugosllavisë në Bruksel, reagon ndaj qeverisë belge dhe tërë shtypit ndërkombëtar, që konferencat tona për media të mos merren seriozisht sepse ne po e akuzonim direkt Serbinë dhe Millosheviqin për vrasjen e Enver Hadrit. Madje ne të tre, kemi shkuar aq larg me akuza sa që Jean Mari Van Boutcelere (shef i Brigadës Antiterroriste të Belgjikës), mua edhe Ganiun na këshillonte të kemi kujdes dhe na thoshte se mos jemi të çmendur që aq shumë po e rrezikonim jetën tonë.

Ndonjë aventurier politik i nivelit sharlatan sot edhe mund t’i mohojë të gjitha këto që janë bërë, apo ndonjë i painformuar, ndonjë naiv, ose tendencioz gjithashtu do të përpiqet ta hedh në ujë punën tonë për zbardhjen e rastit të vrasjes së Enver Hadrit. Ka pasur dhe ka të tillë që janë përpjekur që ta akuzojnë grupin tonë për vrasje të Enver Hadrit. Këta të fundit nuk janë naivë, nuk janë të painformuar, por dyshohet se janë të shtyrë direkt ose indirekt nga shërbime të ndryshme sekrete shtetërore të Serbisë, që ta njollosin jo vetëm Enver Hadrin, por edhe veprimtarët e tjerë. Ndonjëri prej kategorisë së fundit do të shkojë aq larg me shkrimet e tij, saqë do të bëjë shpifje se ne nuk paskemi punuar me Enver Hadrin, duke i fshehur shkrimet tona, duke i hequr fotografitë tona me Enverin, e duke e lënë Enver Hadrin vetë. Enver Hadri nuk ka pasur shokë, thonë të tillët. Mezi keni pritur të vritet Enveri, që t’ia merrni vendin e tij, shtojnë disa të tjerë. Thua se nga posti i Enverit fitoheshin para të majmes! Përkundrazi, ne jepnim parat tona për aktivitete, për ndryshim nga të tjerët që kanë marrë nga populli dhe marrin ende.

 

 

Letra protestuese drejtuar ambasadës jugosllave

 

Ja përkthimi i letrës protestuese të ambasadës jugosllave që ua dërgon autoriteteve Belge dhe shtypit ndërkombëtar më 2 mars 1990:

 

Ambasada e Jugosllavisë, Bruksel

 

Para se gjithash ne dëshirojmë të nënvizojmë, ne nuk dëshirojmë që lexuesit tuaj, dëgjuesit dhe telespektatorët letrën tonë ta marrin si një përgënjeshtrim.

Ne, në asnjë mënyrë nuk do t’i demantojmë akuzat që na bëhen dhe që natyrisht nuk qëndrojnë në këmbë.

 

Ne, ju shkruajmë vetëm për ta manifestuar habinë tonë. Jo, pse Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, ishte i gatshëm, menjëherë vetëm pas një ore, pas vrasjes së presidentit të tyre, ta dinë përcaktimin e vrasësit. Këta nuk shprehin as dyshimin më të vogël, të caktojnë se kush e ka vrarë, shkojnë me akuza përpara duke kërkuar arrestimin dhe dënimin e vrasësit. Është e natyrshme që Jugosllavia, autoritet përgjegjëse politike, terrorizmi Shtetëror, që akuzohen për këtë krim. Çdo gjë që vjen nga ky Komitet, është i pritur dhe nuk është për t’u habitur.

Por ajo që na befason, që akuza të tilla dhe gënjeshtrat e tyre, po i përhapni gjerësisht nëpër media, ku mund ta orientojnë opinion publik në një konfuzion serioz. Dhe e tëra kjo pa asnjë provë, e asnjë përgjegjësi reale. Duhet më shumë kuriozitet profesional për të zbardhur motivin politik, ose të një krimi që e meriton një dosje shumë më komplete.

 Ne, e kuptojmë që mediat nuk mund të presin zhvillimet zyrtare të hetuesisë, për arsyeje të ndryshme. Nonobstant, kjo a do të arsyetonte që të kalojmë në heshtje të gjitha pistat dhe kërkimet e bëra nga gjyqi hetues, edhe pse është faza fillestare?

Pse t’i interpretoni supozimet e hetuesisë së një atentati politik, duke u bazuar në akuzat e palës kundërshtare thuajse ekzistojnë prova dhe fakte?

Në këtë kontekst, pse pa asnjë rezervë po ua ofroni një publicitet organizatorëve që manifestimi të bëhet para Ambasadës sonë, madje as nuk lodheni ta verifikoni se ky manifestim a është i autorizuar? A thua se a është e mundur që mediat po i nxjerrin nga arkivat e tyre rastet e së kaluarës dhe të tashmes së akteve terroriste kundër përfaqësive dhe diplomatëve jugosllavë?

Sa na përket neve, ne dëshirojmë që hetimet të përfundojnë sa më shpejt që është e mundur, me një rezultat konkret, dhe ne jemi çdo herë të hapur për opinion publik.

Sa i përket Mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe situatën e shqiptarëve në Jugosllavi, duhet  t’ ua përkujtojmë se ne gjerësisht jemi të hapur për të gjitha mediat e interesuara me informacione të drejtpërdrejta.

Shqiptarët në Jugosllavi vazhdojnë t’i gëzojnë të drejtat kombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore, dhe janë të barabartë me të gjithë kombet, kombësitë dhe në kuadrin e pavarësisë, duke e ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

 Ne e pranojmë se kishim hezitime se a duhej t’ju tërhiqnim vërejtjen për akuzat që janë të pabaza. Mirëpo më në fund duke parë dimensionin që po e marrin akuzat kundër nesh, të cilat po përsëriten dhe po përhapën me të madhe e që kanë filluar te bëhen refren, ne vendosëm t’ju shkruajmë, vetëm për respektin e qytetarëve belgë që mos të bien në propagandën e tyre.

 

Bruksel, 2 mars 1990

 

 

r 3

Faksimil nga letra protestuese e ambasadës jugosllave dërguar qeverisë belge dhe mediave ndërkombëtare ,2 mars 1990

Në organizimin e konferencave tona për zbardhjen e vrasjes së Enver Hadrit, kurrë nga askush nuk kemi pasur përkrahje materiale e morale, përveç në fillim nga Qamil Zekolli dhe Fitim Pagarusha.

Varrimi i Enver Hadrit u bë më 3 mars 1990 dhe për itinerarin e kortezhit gazetat qendrore belge njoftuan gjerësisht, natyrisht duke shkruar se Komiteti ynë akuzonte Jugosllavinë, Millosheviqin dhe Amabasadën e Beogradit në Bruksel. Ne ende pa e marrë konfirmimin nga autoritet belge për itinerar, e njoftuam shtypin.

 

Filmi “Kosova është gjaku ynë që nuk falet” dhe prishja e marrëdhënieve diplomatike Jugosllavi – Belgjikë për herë të tretë?

 

Idenë dhe skenarin për filmin dokumentar mbi jetën, veprën dhe vrasjen e Enver Hadrit është shkruar nga Reshat Sahitaj. Regjinë e filmit e ka bërë Alma Sahitaj, e cila aso kohe ishte studente e degës së regjisë në Akademinë e njohur të filmit I.A.D. në Belgjikë, këshilltar artistik ishte regjisori Isa Qosja.

Deklarime për film kanë dhënë personalitete të njohura të politikës nga Parlamenti Europian, si: Oto Van Habsburgu, Doris Pack, Jean VandeMelebrouck, nga bota e gazetarisë Jean Rebuffat (gezatar i “Le soir”), Lucas de Vos (gazetar i BRT), Axel Beuis, gazetar i “De Standard” dhe Ive Petteres (Hesinki Wooche). Nga personalitetet shqiptare: Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Xajë Nura dhe Xhafer Shatri.

Takimin në Paris me Ismail Kadaren e ka rregulluar Musa Jupolli. Ndërsa në takim kemi shkuar unë, Beharja dhe Ganiu.

Pjesën e xhirimeve në Kosovë e ka përgatitur Haqif Mulliqi në ilegalitetin më të thellë, duke e vërë jetën e tij në rrezik. Në kërkesën e Haqif Mulliqit bërë shokëve të Enver Hadrit në Kosovë që të deklarojnë diçka (përveç hallës e cila deklarohet), asnjëri nuk ka shprehë dëshirën dhe guximin që t’i thonë dy fjali, e madje as vetë motra e Enverit, Nedihaja!

Tani të gjithë flasin për të mos thënë asgjë!

 

 

Pllakati me rastin e shfaqjes së filmit

 “Kosova është gjaku ynë që nuk falët”

 

Byroja Informative e Kosovës dhe konferenca e parë në Parlamentin Europian

 

Me shkallëzimin e dhunës në Kosovë Byroja Informative që ishte i vetmi institucion që mbante kontakte permanente me Qeverinë e Belgjikës, Parlamentin Evropian, NATO-n, qendrën e IPC-së, më vonë me Konferencën e Paqes, kishte intensifikuar veprimtarinë për sensibilizimin e problemit të Kosovës në vendet me institucionet më kyçe vendeve  ndërkombëtare.

Ky aktivitet që ishte një vazhdimësi e Komitetit por me emër tjetër filloi ta pengonte Jugosllavinë.

Behare Rexhepi vazhdonte si zakonisht të mbante kontakte me personalitet e qeverisë belge, me disa senatorë dhe ministra, por nuk dinte në emër të kujt të fliste?! Pas shumë këshillave që kishte marrë, pikërisht nga këto personalitete, vendosi që ta themelojë Byronë Informative të Kosovës.

Pra, që situata të mos mbetej në mëshirën e stihisë Behare Rexhepi krijoi Byronë Informative të Kosovës. Byroja Informative u aktivizua në konferencat për shtyp dhe në  kontaktet me të huajt.

Disa mendonin që kjo nismë vështirë që mund të ketë sukses dhe do të shuhej shpejt, sepse pas vrasjes së Enver Hadrit, çdo aktivitet do të dukej më i zbehtë. Disa prisnin të përhapej Lidhja Demokratike dhe të përfshiheshin në këtë parti që shtohej ditë më ditë. Vetëm pak ditë pas vrasjes së Enver Hadrit dhe krijimit të Byrosë Informative, Behare Rexhepi arriti të bindë një eurodeputet që në sesionin e Parlamentit Europian në Strasburg të organizohej një ekspozitë mbi terrorin që bëhej në Kosovë. Aso kohe djemtë tanë, që shkonin për të shërbyer në ushtrinë jugosllave, disa prej tyre ktheheshin të vrarë. Beharja siguroi një pjesë të atyre fotografive, por ato nuk ishin të mjaftueshme. Në atë kohë në Zvicër ishte Komiteti SOS Kosovë, që e drejtonte Xhafer Shatri, me të cilin Beharja kishte bashkëpunim dhe nga ata kërkoi që t’i sillnin të gjitha fotografitë e torturave që kishin në dispozicion. Kështu, në lokalet e Parlamentit Evropian në Strasburg, në marsin e vitit 1990 u organizua ekspozita e parë e viktimave kosovare, e cila qëndroi e hapur për një javë, aq sa zgjaste edhe sesioni i parlamentit. Veç kësaj, gjatë ekspozitës u mbajt edhe një konferencë për shtyp, në po ato lokale, ku morën pjesë: Reshat Sahitaj, Gani Azemi e Fitim Pagarusha.

 

Eleminimi i vrasësit të Enver Hadrit në Beograd

 

Vetëm katër muaj pas vrasjes së Enver Hadrit, Buroja Informative kishte marrë lajmin se në Beograd ishte vrarë njëri nga vrasësit e atentatit në Bruksel, më 25 shkurt.

Më 27 qershor, Beharja organizoi një konferencë për shtyp. Që konferenca të kishte më tepër sukses dhe lajmi të ishte senzacional, ajo një ditë më herët kishte kontaktuar gazetarin Gilbert Dupont me të cilin kishte drekuar. Gjatë drekës i kishte treguar vetëm një pjesë të ngjarjes që kishte ndodhur me Adria Llakoniqin në Beograd, të cilin e kishin vrarë dy shokët e tij për shkak se ai ishte mburrë që kishte qenë vrasës i një shqiptari të madh në Bruksel. Të nesërmen gazeta “La derniere Heure” do të shkruante në faqen e parë për vrasësin e Enver Hadrit, dhe i njoftonte gazetarët e tjerë që të merrnin pjesë në konferencën për shtyp, për të mësuar versionin e plotë të kësaj vrasjeje politike në kryeqendrën e metropolit evropian.

Konferenca e nesërme u përcoll nga mediat e shumta aq sa salla nuk i zinte. Këtu Beharja kërkoi që Belgjika të merrte masa që të dy vrasësit e tjerë të ekstradoheshin për në Belgjikë, në mënyrë që njerëzit e Milosheviqit të mos kenë mundësi t’i vrasinë për të zhdukur çdo gjurmë.

Ndërmarrje të shumta janë bërë lidhur me zbardhjen e vrasësve të Enver Hadrit dhe të gjitha këto të organizuara nga Beharja dhe ekipi i saj. Këto demarshe nuk janë ndërprerë deri në vitet e pasluftës. Njëri ndër demarshet më spektakulare ishte ai kur vrasësi i Enverit kishte shkuar në Greqi, ku organet e hetuesisë belge po atë ditë na lajmërojnë se ku gjendej vrasësi. Te nesërmen Beharja organizon një konferencë dhe si mysafire speciale e fton deputeten e Parlamentit belg Zonjën Anne Marie-Lizin, e cila pas pak ditësh e bënë interpelancë të Ministri të Punëve të Jashtme Belge.

 

Në komunikatën e nënshkruar nga Beharja përveç tjerash shkruan:

 

“Vrasësit e Enver Hadrit janë të lirë dhe po mbrohen nga autoritetet e Beogradit.

Ia kemi bërë kërkesën zyrtare Zonjës Fransoise Cudelle (Gjyqëtare e ngarkuar me dosjen e Enver Hadrit), ta zbardh rastin dhe që të kërkojë ekstradimin e komandosve serbë në Belgjikë.

1 – Ne kërkojmë nga Belgjika që ta tërheqë ambasadorin e vet nga Beogradi, që më në fund të tregohet më e ashpër kundër veprimeve te një shteti, i cili vranë opozitën në tokën belge;

2 – që shtetet nënshkruese të Aktit Final të Helsinkut të bëjnë presion në njërin prej shteteve që vetë është nënshkruese- Jugosllavia – që haptas po i shkel të drejtat e njeriut në Kosovë, e madje edhe në tokën e shtetit më demokratik të Belgjikës;

3 – që dymbëdhjetë shtetet (deri aso kohe ishin 12 shtete në BE), të bëjnë presion mbi Serbinë që t’i japin fund sundimit të përgjakshëm të Çaushevskit serb- Sllobodan Millosheviqit;

4 – që ambasadori i Beogradit të shpallët person non grata, sepse ky autorizon misionin terrorist të telekomanduar nga Beogradi.

 

Është më se evidente se duhet të merren masa energjike që të kapën ndihmësit e Beogradit në Belgjikë dhe në vendet e tjera të Evropës.

Mbi më shumë se 20 atentate janë krye kundër opozitës jugosllave në perëndim. Duhet që kjo të marrë fund dhe t’i bëhet me dije autoriteteve jugosllave.

 

Për Byronë Informative të Kosovës, Behare Rexhepi, kryetare

 

Konferenca tjetër për zbardhjen e vrasjes së Enver Hadrit

 

Organizator: Byroja Informative e Kosovës (R. S)

Vendi IPC- Bruxelles

Pjesëmarrës : Behare Rexhepi

Gani Azemi

Anne Marie Lizin (senatore)

Ajshe Hadri (bashkëshortja e Enverit)

 

 

Tema: Ekstradimi i vrasësit nga Greqia në Belgjikë

 

Shumë më vonë në Beograd vritet edhe vrasësi i dytë i Enver Hadrit, ndërsa i treti kishte shkuar për pushime në Greqi. Pasi që policia belge heton se ku ndodhet vrasësi i fundit, kërkojnë nga Greqia ekstradimin e tij. Behare Rexhepi përsëri do ta organizojë një konferencë për shtyp bashkë me deputeten belge, Anne Marie Lizin.

Anne Marie Lizi kishte bërë një interpelancë dhe kërkoi që Qeveria belge të intervenojë që vrasësi i Enver Hadrit, që gjendej në Greqi, të sillej në Belgjikë.

Të nesërmen Greqia i premton ministrit të Punëve të Jashtme belge se vrasësi do të ekstradohet, mirëpo në mbrëmjen e po asaj nate Greqia qëllimisht ndërron ministrin e Punëve të Brendshme, i cili e lëshon vrasësin e Enver Hadrit. Ministri ri, që merr postin, i kërkon falje Belgjikës, ngase i burgosuri i tij tani më gjendej në Beograd. Greqia, për të mos i prishur marrëdhëniet me Belgjikën, detyrohet ta shkarkojë një ministër. Ky terrorist në vitin 2006, është zënë dhe burgosur në Spanjë. Nga Spanja është ekstraduar në Bruksel, ku kah fundi i vitit 2008 është sjellë në Serbi.

Nga agjencia e lajmeve belge BELGAPRESS, ku Behare Rexhepi, Anne Marie Lizin, Gani Azemi dhe Ajshe Hadri(bashkëshortja e Enverit) bëjnë interpelencë në Senatin Belg për ekstradimin e vrasësit nga Greqia për në Belgjikë.

 

Ja përkthimi i tekstit të agjencisë BELGAPRESS:

 

Agjencia e lajmeve Belga Press:

“Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, do të merr një aksion në Tribunalin e Hagës, në mënyrë që të ri-ekstradohet në Belgjikë Darko Hashanini, një serb i cili akuzohet për vrasjen e udhëheqësit Enver Hadri, në Bruksel në vitin 1990, ka deklaruar Zonja Behare Rexhepi, kryetare e Këshillit, gjatë konferencës për shtyp. Përkundër demarsheve të autoriteteve belge, Greqia e ka dërguar Darko Hashanin në Serbi. I kërkuar që 4 vjet, në gushtin e këtij viti është arrestuar në ishullin Rodos, ku ishte duke i kaluar pushimet me familje. Biznismen dhe ish boksier, Darko Hashanin 37 vjeçar, sipas shtypit serb dhe burimeve të autoriteteve belge, është njeri i afërt i Sllobodan Millosheviqit, dhe shef ushtarak i serbëve të Bosnjës, i udhëheqësit Ratko Mlladiq. Vendimi i qeverisë greke (i ndërruar brenda natës) Darko Ashanin e ekstradon në Beograd e jo në Belgjikë, dhe kjo ka ndikuar në ngritje të tensioneve belgo-greke.

“Nuk ka asnjë dyshim, që ka pasur intervenim personal nga sllobodan Millosheviqi, i cili është urdhërues për kryerjen e atentatit”, ka thënë Behare Rexhepi.

“Ka mundësi që Shërbimi Sekret Serb, ta likuidon Darko Ashanin, që të mbyllet dosja për vrasjen e Enver Hadrit…”, thotë Zonja Behare.

“T’i mbrosh terroristët, nuk i kontribuohet paqes në Ballkan”, ka nënvizuar Gani Azemi, Kryetar i Qendrës Informative të Kosovës, “Nëse Perëndimi e lenë të kalon ky problem, ekziston rreziku që shqiptarët të radikalizohen”, shton Gani Azemi.

Deputetja Anne Marie Lizin, e cila ishte pjesëmarrëse në këtë konferencë, është ankuar për solidaritetin në mes të shteteve të Unionit Europian.

“Asnjë shtet i Unionit Europian, nuk duhet të tolerojë, që për çfarëdo arsyeje qoftë, që terroristët të veprojnë në një territor të njërit shtet anëtar të Unionit. Greqia ka zgjedhur një tjetër prioritet. Fatkeqësisht për ta”, tha Anne Marie Lizin.

Deputetja do ta bëjë një interpelancë me Ministrin e Punëve të Jashtme, Erik Deryck, për këtë çështje të enjten e ardhshme.

 

Exto70 pol 0541 F Belga – 0367

BELGIQUE/SERBIE/GRECE/JUDICAIRE/PEUPLE/ALBANIE/

Cop/ ark.B.I.K.

Konferenca për medie e 27 shkurtit 1991

Organizator: Byroja Informative e Kosovës (R.S.)

Vendi I.P.C.

Pjesëmarrës: Behare Rexhepi

Gani Azemi

 

 

 Bruksel, 27 shkurt 1991

 

Komunikatë për shtyp

 

Më 27 shkurt 1991, Byroja Informative e Kosovës, ju fton të merrni pjesë në Konferencën për media, në I.P.C. salla Ndërkombëtare Bld. Charlemange 1.

Konferenca i kushtohet komandosve të UDB-së serbe, që e ekzekutuan Enver Hadrin, Kryetarin e Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë.

 

Në këtë konferencë trajtohet këto tema:

 

  • Kush po i mbron vrasësit e Enver Hadrit ?
  • Situata aktuale në Kosovë.

 

 

Duke shpresuar në ardhjen tuaj, pranoni përshëndetjet e mia më të sinqerta.

 

Për Byronë Informative të Kosovës

 Behare Rexhepi, kryetare

 

Shtypi belg për vrasjen e Enver Hadrit

 

Lidhur me hapat që janë marrë për zbulimin e vrasjes së Enver Hadrit, nga Byroja Informative e Kosovës, ekzistojnë një numër i madh artikujsh të shtypit belg dhe të tjera,, kësaj radhe po japim vetëm disa pjesë nga ato shkrime.

 

“ La nouvelle gazette” 28/06/190

Hetimet rreth vrasjes së Enver Hadrit

 

Byroja informative e Kosovës, dje me rastin e një konference për shtyp, për herë të parë i ka njoftuar mediat me emrat e tre komandosve serbë si vrasës të Enver Hadrit: Veselin Vukotiq, Darko Ashaninin dhe Andria Lakoniq.

…. Vrasja e Andria Lakoniqit, për Byronë Informative të Kosovës, është vetëm një “lojë” për t’i fshehur gjurmët e krimit.

… Byroja Informative, ka frikë se edhe dy vrasësit e tjerë do të ekzekutohen që ta mbyllin dosjen e Enver Hadrit, andaj reklamon që Belgjika të kërkojë ekstradimin dhe që ambasadorin jugosllav në Bruksel ta shpall “persona non grata”.

 

“Le soir”

 

 

Të mërkurën, gjatë një konference për shtyp, Byroja Informative e Kosovës, e akuzon Presidentin Sllobodan Millosheviqin që ky personalisht i ka dhënë urdhër shërbimit sekret për ta vrarë Enver Hadrin.

 

Për kapjen e vrasësve të Enver Hadrit, ne kemi qenë të angazhuar vazhdimisht madje deri në përfundim të kapjes së vrasësit të fundit, më 2006.

 

“Nation & World

U.S. News

World News

 

Spanish police arrest man wanted in killing of yougoslav human rights

Monday, Feb 27,2006

Bay Paul Haven, The Associated Press

… Reshat Sahitaj, an associate of Mr. Hadri’s, told The Associated in Kosovo that the documents were files on the killings of 23 ethn Albanians allegedly killed by the Serb security service in late….

 

 

Kopje nga agjencia Nations & World deklarata nga Reshat Sahitaj

 

Prishja e tretë e relacioneve diplomatike në mes të Belgjikës dhe Jugosllavisë

 

Pasi që filmi ishte seleksionuar në Festivalin Mesdhetar, Ambasada e Jugosllavisë, i dërgon notë proteste Drejtorit të Festivalit, Ministrisë së Kulturës Belge, Ministrit të Punëve të Jashtme të Belgjikës, dhe bënte presion që filmi të hiqej nga pjesëmarrja në Festival. Përgjigjet e Ministrisë belge, janë precize dhe të prera, ku në mes tjerash thonë: “Belgjika është shtet demokratik, në Beograd mund t’i ndaloni filmat e tillë, por jo në Belgjikë”. Janë rreth 20 faqe tekst të këtyre letërkëmbimeve të cilat pjesërisht po i botojmë.

 

Ambasada Federale e Jugosllavisë, Bruksel, më 29 shtator 1994

  1. E. Demot 11

Bruxelles 1050

Nr. 204/94

Komisionit të Bashkësisë Franceze

Bruksel

 

Zonjë M.C. Puling, Drejtor i Përgjithshëm

 

Zonjë,

Duke e shfletuar katalogun e filmave të Festivalit të Filmit Mesdhetar në Bruksel, që do të mbahet prej 7-15 tetor 1994, ne kemi konstatuar se është paraparë prezantimi i filmit që trajton problemin e KOSMETIT, provincë e Republikës Federative të Jugosllavisë.

Mirëpo sipas njoftimeve tona filmi “Kosova është gjaku ynë që nuk falët”, ka karakter ekstrem ant-jugosllav.

Për t’u njohur saktësisht me situatën, ne jemi duke provuar – që nga mëngjesi i së mërkurës së 28-it – ta kontaktojmë një person përgjegjës që e ka programuar këtë film, por më kotë.

Në fakt, kemi bindjen që vetëm Filip Preux, funksionar përgjegjës i organizimit, mundet të na pret, pasi që është i vetmi që e ka shikuar filmin e lartpërmendur dhe ka vendosur ta seleksionon.

Shumë ndërmjetësues e ndërmjetësuese, na kanë thënë, se zoti Filip mungon, dhe këtë nuk po mund ta gjejnë askund, dhe se në Bruksel është ose të hënën, më 3 tetor ose ndoshta të premten, më 30 shtator.

 

Pasi që nuk jemi të sigurt që mund ta takojmë këtë, ne po ju adresohemi juve.

Në vitin 1993, Festivali është shpërblyer për kontributin ndërkulturor. Dhe natyrisht që të ketë vërtet karakter të afrimit në mes të popujve…. dhe nuk është qëllimi që të shikohet historia vetëm nga njëra anë.

Pikërisht mbi këtë bazë reale të Festivalit, që do të dëshironim shumë që ju, ta shikoni mundësinë që ta hiqni nga Festivali filmin e lartë cituar.

Ne ju falënderojmë, në kujdesin që do të tregoni ankesës sonë, dhe pranoni përshëndetjet tona më të sinqerta.

 

Dragan Milutinoviq

I ngarkuari me punë a.i.

Ambasada Federale e Jugosllavisë, Bruksel, 30 shtator 1994

  1. E. Demot 11

Bruxelles 1050

Nr. 204-3/94

 

 

Kopje e letrës protestuese të ambasadës jugosllave kundër filmit “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”.

 

Ja letra tjetër e Ambasadës drejtuar Ministrit të Kulturës, kundër filmit kushtuar Enver Hadrit :

Perkthimi i kësaj letre në shqip

 

Ministrit – Presidentes dhe Bashkësisë

Laurette Onkelinx

 

Zonja Ministre,

Bashkangjitur po ua dërgoj kopjen e letrës së kësaj dite zonjës Pulings, Drejtoreshë e Përgjithshme e Komisionit.

Dëshiroj t’ua tërheq vëmendjen për problemin që është krijuar me prezantimin e (9 tetor 1994) të një filmi anti-jugosllav “ Kosova, gjaku im që nuk falët”+, në Festivalin e Filmit Mesdhetar në Bruksel.

Do të dëshironim që ju ta tregoni vullnetin tuaj duke e përdorur influencën tuaj, që filmin e cituar më lartë ta tërhiqni nga programi.

 

Ju falënderoj shumë, për vazhdimin e juaj që do ia bëni ankesës sime.

Zonja Ministre, pranoni përshëndetjet e mia më të larta.

 

Dragan Momçilloviq

I ngarkuari me punë a.i.

 

 

Kopja e letres tjetër ku ambasada jugosllave nuk pushon duke protestuar kundër filmit të realizuar nga Alma Sahitaj.

 

Shpresoj se gjeneratat e ardhshme do të dinë të vlerësojnë vazhdimsinë e aktivitetëve kombëtare për çlirimin e Kosovës, sepse asgjë nuk ka filluar me ne, por veprimtarë shqiptarë kanë ekzistuar me shekuj para nesh të cilët janë flijuar, masakruar familjet e tyre e kjo ka ndodhur deri në ditët e sotme.

Duke e injoruar të kaluarën, ne nuk mund të kontribuojmë për ardhmërinë më të lumtur të gjeneratave në vazhdim. Duke i cenzuruar , humbur dhe zhvlerësuar aktivitetët e atyre para nesh, ne bëjmë krim ndaj historisë. Për fat të mirë sot është koha ku çdo aktivitet është i ruajtur dhe i sistemuar në atë mënyrë që asgjë nuk mund të zhdukët, por vetëm të vonohet deri të krijimi i gjeneratave më vetëdije të cilët objektivisht do vlerësojnë për të mirat dhe të këqijat.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s