Fragmente nga libri “Ndarje me të shkuarën” i autorit Ylli Polovina

 

y 1   y 2

Ndarje me të shkuarën

 

Nga Ylli Polovina

 

 

Personazhi kryesor i këtij romani voluminoz të z. Ylli Polovina është Hysen Shahu, të cilin kam pasë rastin ta njoh kur ai ishte Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë për rajonin nr 3 në kryeqytet. Kur zhvillohej një gjyq partie për një “pasinqeritetin” tim në shënimet biografike, ndërsa kryeja një stazh kandidati për Parti, kam dalë para Byrosë së Rajonit, z. Hysen ishte sekretari i parë. Akuzën e organizatës bazë të fabrikës së tullave, Byroja fillimisht nuk e konsideroi të argumentuar. Më vonë kur Buroja e Komitetit të Partisë së kryeqytetit, pas tri mbledhjesh radhazi, vendosi negativisht për mua dhe kish rrezik të qendroja përgjithnjë punëtor, gjashtë muaj pas periudhës trevjeçare në prodhim, më thërrasin në Rajon ku ende ishte sekretar i parë z. Hysen dhe më njoftojnë se do vijoja punën si mësues në rrethin e Tiranës. Më vonë nuk e ndoqa karierën e Hysenit.

 

  1. Ylli Polovina, me këtë roman, më zbuloi këtë karierë të mëvonshme dhe të mëparëshme të Hysen Shahut, që dëshmon për një jetë tepër interesante, plot peripeci, plot sfida serioze, e rrallë për mendimin tim. Njëkohësisht në roman shpaloset një pjesë e madhe e historisë sonë të re, disa anë të panjohura të regjimit enverist dhe të marrëdhënieve të shtetit tonë me Italinë fqinje dhe Perëndimin para dhe pas vitit 1990. Po shkëpus vetëm pak fragmente nga libri në fjalë.

 

 

Fragmente nga libri

 

faqe 42

“Arkivoli”

 

E kishte mësuar (Hyseni) kur u bë zëvëndësministër i Punëve të Brëndëshme (tetor 1982). Më parë nuk e dinte që për të dënuarit me vdekje në një qeli të veçantë të burgut kryesor të Tiranës ekzistonte e shtrirë në dysheme një kuti e ngushtë prej druri me vetëm përmasat e një trupi njerëzor. Thirrej zyrtarisht “arkivoli”. Që prej ditës që një i burgosur kishte marrë përfundimisht dënimin me vdekje, e futnin në atë arkë të lidhur tek këmbët e duart me një kapuç të zi mbi kokë e fytyrë. Duart i liroheshin vetëm pak minuta në ditë, sa të hante disa lugë gjellë e kafshonte bukë, kurse këmbët do ta kishin këtë fat po aq shkurt, disa minuta, kur i mbajtur nga të dyja krahët prej gardianëve do të shkonte në banjë.

 

f.83

Denigrimi

 

Mjaft kundërshtarë të bindur të komunizmit Sigurimi dhe hetuesia i kishte nxjerrë në gjyqe duke i akuzuar vetëm për pederasti. Të tjerë, për dhunim femrash. Jo pak, sepse gjoja patën vjedhur një kilogram djathë apo rrëmbyer dy-tri bagëti. Labit (një i dënuar politik), falsifikimin ia sajuan më të sofistikuar, gjoja bashkë me një djalë xhaxhai kishin përdhunuar një kushërirë.

 

 

f.101

Bashkëpunimi me të huajt

 

Në punën e të gjithë sektorit të Zbulimit me kohë ishin braktisur rregullat e ngurta e rreptësisht të prera të bashkëpunimit ekonomik me vetëm të huaj me bindje politike të njëllojta. Hyrja në marrëveshje me këdo që mund të ndihmonte apo mbështeste, përfshi edhe ata antikomunistë. Në takimet e mëpasshme, duke qenë jo vetëm kurioz, Shahu vuri re që partneri i tyre kryesor për tranzitimin e duhanit drejt Italisë (Korradua i Bardhë) ishte një njeri që ngulmonte në hapjen politike të Shqipërisë. Kaq i mjaftonte të kuptonte se Korradua i Bardhë ishte jokomunist.

 

f.103

Korradua i Bardhë i pranoi se për regjimet bolshevike kishte të njëjtin opinion si edhe për fashizmin. Pohoi po ashtu se regjimet diuktatoriale i konsideronte fatkeqësi kombëtare për një popull dhe asnjëherë nuk ndihej i lehtësuar shpirtërisht që në punën  e tij si përfaqësues kryesor në Evropë i rrjetit të shpërndarjes së duhanit të shumëkombësheve amerikane të cigareve i kishte rënë të bënte edhe partnerin e diktaturave të lindjes komuniste. (që në vitin 1967)

 

f.108

Infiltrimi i sigurimsave në partitë opozitare

 

Disa kolegë të tij (të Shahut) në qytete të tjera përpiqeshin të fusnin në radhët e opozitarëve njerëz të Sigurimit. Një praktikë e tillë po bëhej vijë në qendër. Fjalët e përhapura thoshin se këtë gjë por e bënte vetë Pasdiktatori (Ramiz Alia). Sy të vëmëndëshëm patën vënë re se ai në mënyrë të shpeshtë, jashtë zyrës së tij, në lulishten që bashkonte ndërtesën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës me vilat e Bllokut, takohej e bisedonte pothuaj përditë me një person të rëndësishëm të Sigurimit. Thuhej se më të zgjidhte personat veçanërisht intelektualë, që do të depërtonin në radhët e partisë antikomuniste si dhe në të tjerat që po shtoheshin njëra pas tjetrës. Individët e zgjedhur në ato biseda sekrete, gjithnjë sipas fjalënajës, qenë bashkëpunëtorë të kualifikuar të shërbimit të fshehtë shqiptar dhe ishin të profilizuar të mbanin nën vrojtim persona apo grupe të caktuara të inteligjencës që nuk konformohej me regjimin.

 

 

f.124

Tregtia me të huajt

 

Nëpërmjet një të ngarkuari për ekonominë, të vendosur në Milano me statusin e një diplomati, por njeri i zbulimit, shteti shqiptar nënshkroi një marrëveshje me një kombinat të madh në periferi të qytetit. Quhej “Shmid-Hapel” dhe kishte një filial të vetin me emrin :Emigresi”.

Blemë menjëherë një linjë emalimi (për uzinën mekanike ku punonte dikur Shahu). Teknologjia e saj ishte gjermano-perëndimore, porse në grupin e pronarëve të kombinatit diplomati i Shqipërisë në qytetin e madh industrial të veriut të Italisë pati krijuar bindjen e madje raportuar se qendronin SHBA. Në mos qe vetë qeveria e Uashingtonit, ngulte këmbë ai, ishte një lob i fuqishëm ekonomik që ndikonte në vendimet e saj.

Përflitej se në këtë operacion bashkëpunimi ekonomik, kishte dijeni, e në mos e pati dhënë lejen, edhe vetë Enver Hoxha. Megjithatë një gjë ishte e sigurt. Mehmet Shehu, kryeministri i vendit, kishte meritën e inisiativës. Ai njihej si njeri që e administronte teknologjinë e përparuar dhe për këtë arsye, ndërsa thuhej që ideologjikisht nuk qe më pak stalinist se Enver Hoxha, në fushën e ekonomisë e administronte Perëndimin.

 

 

f.143

Kontrabanda e duhanit

 

Qe e papritur për të (Shahun) kur ditët e para të punës së re (si zëvëndësministër) mori vesh se në sektorin ekonomik ai kishte edhe një veprimtari sekrete që lidhej me tranzitimin e duhanit nga qendra e kontinentit drejt Italisë, ku edhe gjendej tregu më i madh i afërt për konsumimin e tij.

Siç e informuan, kjo linjë nuk ishte e re. Qe ngritur në vitet 1962- 63. Idenë e kësaj gjetjeje në Ministrinë e Punëve të Brëndëshme disa ia jepnin një punonjësi të tyre me koperturë diplomatike të vendosur në këtë kohë në ambasadën e Shqipërisë në Romë. (lidhej me kontrabandën e cigareve në Italinë e Jugut që punësonte 250 mijë familje dhe që qeveria italiane e toleronte).

…kur Shahu filloi detyrën ajo punonte si sahat. Shteti siguronte 1.5 milionë dollarë në vit. (më vonë 65 mijë dollarë në ditë!)

 

…Shqipëria qe zgjedhur pikë tranzitimi për arsyen se , duke qenë jashtë strukturave ekonomike të Evropës Perëndimore, pra taksave të saja aspak të vogla, zotëronte kushte shumë favorizuese, që ajo tregti të kushtonte më pak. (nga kjo kontrabandë Britania humbëte 9 miliardë dollarë në vitndërsa Italia vetë 4 miliardë..).

..Pasi kamionët TIR kalonin Hanin e Hotit e po ashtu kapërcenin Shkodrën, vraponin drejt kryqëzimit të Rrashbullit fare afër Durrësit. Aty shkarkoheshin dhe ngarkesa e duhanit futej pas portave të mëdha të mbyllura me shul të rëndë.

 

f.148

Gjatë punës Shahu mësoi po ashtu se ky trafik legal dhe njëkohësisht ilegal, nuk ishte ndonjë gjetje e re për Shqipërinë. Më parë ai kishte funksionuar edhe me Jugosllavinë, por ishte ndërprerë ose pakësuar për shkak të korrupsionit atje..

 

 

f.152

Bashkëpunimi me mafian italiane

 

Klani “Macarela” kishte shtrirë lidhjet e tij edhe në Shqipëri dhe falë lehtësirave që ishin krijuar atje nga njerëz me pushtet, kishte arritur të krijonte shtigje të reja për kontrabandën e cigareve. Por jo vetëm kaq. Nëpërmjet investimeve ndërkombëtare dhe financimeve të biznesmenëve napolitanë, klani Macarela pati marrë përsipër edhe zbatimin e disa projekteve të rëndësishme në Shqipëri.

 

f.229

 

Korradua i Bardhë i siguroi policisë shqiptare tre helikopterë plus një presidencial, me nga 370 mijë dollarë secili dhe katërmilionë dollarë presidenciali, shumë më pak se vlera e tyre e vërtetë..Më vonë ai siguroi mikrospiunë, “çimka” sa një komçë.

 

f.231

Informatorët e UDB në Kosovë

 

Më 1981 sipas të dhënave që kishin marrë, në Kosovë qenë mobilizuar të 80 mijë informatorët e fshehtë të Beogradit..

 

f.239

Armë nga Perëndimi

 

Korradua i Bardhë ndërmjetësoi edhe në sjelljen e raketave antitanke nga një bazë ushtarake amerikane në afërsi të Napolit.(rreth 250) kundrejt një shume fare të vogël..

 

f.272

Radikalët dhe liberalët në Parti

 

Pas vdekjes së diktatorit në udhëheqjen e partisë së vetme radikalët qenë më të shumtë se liberalët dhe ndikonin fort në të gjitha vendimet që Pasonjësi ishte i detyruar t’i merrte kolegjialisht.

 

f.280

Qendrimi ndaj Jugosllavisë

 

Pasonjësi dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk dëshironin ta futnin vendin e tyre në një lojë shërbimesh të huaja të Perëndimit, të cilat më shumë se e pritnin, me siguri punonin që shpërbërja e Jugosllavisë të ndodhte. Ndenja mënjanë mund të vinte edhe sepse i tuteshin një kundërveprimi të ashpër të sovjetikëve. Moska kishte kohë që e mbante të tendosur lajmin se Shqipëria me largimin e detyruar nga gjiri i Vlorës të bazës ushtarake të Traktatit të Varshavës nuk meritonte veç një sulm të saj.

 

f.310

Lufta brenda llojit

 

(Shahu) kishte dëgjuar që në ministri thuhej se ekzistonte një rregull sekret, sipas të cilit armiqtë më të rrezikshëm të partisë vriteshin nga vetë antarë të udhëheqjes së saj. Përflitej që në vitin 1975 ish ministri i mbrojtjes, Beqir Balluku, qe pushkatuar sipas kësaj mënyre.  ..Të dy shefat e tyre historikë (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu) i kishin pushkatuar ata. Gjithçka pati ndodhur në orën dy të natës. Gropa qe hapur në periferinë juglindorë të Tiranës dhe vetëm pastaj kishte mbërritur kamioni i mbuluar me mushama të zezë me brenda pesë armiqtë e partisë. I patën zbritur dhe rreshtuar në buzë të saj. Njëri prej ish-ministrave kishte pyetur në se Enver hoxha e dinte çfarë po ndodhte me ta. Kur njëri nga oficerët që rrinin përrreth e shau rëndë, ai kishte nisur të mallkonte. Pikërisht në këtë çaast, ndërsa skuadra e pushkatimit kishte zënë pozicion, u kishin thënë se pati ardhur urdhëri që mbi ta të qëllonin vetë njerëzit e ardhur nga Ministria e Punëve të Brëndëshme.

 

f.348

Kampet shqiptare më keq se ato naziste

 

Hymë brenda në kamp (Mathauzen) dhe pamë se qenë disa ndërtesa të ngritura në përsosmëri të plotë. Ishin kryevepra konstruksioni, gjithçka e bërë si e qendisur me dorë….Prandaj i thashë në vesh atij punonjësi të ambasadës: Po ta krahasosh këtë me burgun tonë të Qafë-Barit, ky është një kamp pushimi.(tregoi zëvëndësministri i policisë)

 

f.350

Manipulimi me agjitacion-propagandën

 

Agjitacion- propaganda ishte shndërruar në punën më të lehtë të një punonjësi të Sigurimit. Kur nuk ekzistonin, ato sajoheshin. Për të shpikur fjalët gjoja të thëna, qe fare thjeshtë, një hiçgjë. Ato kanë me dhjetra kuptime. Mund t’i ktheje e t’i interpretoje si ta kishe qejfin. Shpesh mjaftonte të shkëpusje njërën nga tjetra, të këmbeje radhën e vendosjes së tyre, të lije pesë e të hiqje të gjashtën, të fusje diku një lidhëse e në një vend tjetër ta zhdukje, ta mbyllje frazën me pikë, pikëpyetje, pikëçuditëse apo me të dyja bashkë, të hiqje thonjëzat apo t’i vendosje, ta lexoje shprehjen me ton të lartë apo të ulët, me nevrik apo duke u përqeshur, me në gojë një cigare apo një qofte, kur i kishe të gjitha dhëmbët dhe vetëm me dy a tre apo pa asnjërin prej tyre.

Për oficerët operativë të Sigurimit që merreshin me goditjen kundër agjitacion- propagandës fjalët shndërroheshin në gracka për të gjithë ata që i shqiptonin.

 

f.355

Ibrahimi

 

Ishte një burrë 80 vjeçar që Sigurimi e listonte vazhdimisht në njerëzit armiq. Po kush ishte ai vërtet?

Ibrahimi ishte një nga anëtarët e parë të Qarkorit të Partisë Komuniste të qytetit tim (të qytetit të Shahut). Pati mbaruar studimet për drejtësi në Holandë. Në Lëvizjen Nacional-Ҫlirimtare qe ndër të paktët intelektualë të mirëfilltë. E shoqja, një boshnjake fisnike, ka qenë një partizane edhe më e famshme se ai. Në vitin 1944, në fillim të dhjetorit, Ibrahimi erdhi në Tiranë dhe u ngarkua si kryeredaktor i gazetës “Puna”. Trajtohej në Bllok. Kur familja jonë zgjodhi të vazhdonte jetën në kryeqytet, pra në vitin 1946, nuk kishim banesë ku të strehoheshim dhe për tre katër muajt e parë na mbajti në shtëpinë e vet ibrahimi. Kjo ndodhte se babai im me xhaxhanë e tij kishin pirë gjakun e njëri-tjetrit e bërë vëllamë.

U godit në Konferencën e Tiranës (1956) dhe u arrestua si organizator i saj. Ia hoqën familjen nga Tirana dhe e kthyen në gjendje internimi në vendlindje. Më pas i arrestuan edhe të birin. Ndërkohë Enver Hoxha gjatë gjithë kësaj kohe pati letërkëmbim miqësor me xhaxhanë e Ibrahimit. Kjo na qetësoi disi dhe vërtet pas dënimit Ibrahimi mbeti në qytetin e tij. Nuk e prekën më fizikisht.

 

 

f.379

Vrasjet në kufi në prag të tranzicionit politik

 

Tirana ishte e mbushur plot me zhurmërimën e ngjarjeve në kufi (Sarandë).Flitej për të arratisur që të kapur nga forcat e kufirit dhe policia, për të trëmbur banorët e sidomos pushuesit, pasi qenë lidhur kokë e këmbë me litarë apo ndërsa qenë tashmë vetëm kufoma, shetitëshin nëpër qytet. Madje me njolla të mëdha gjaku në trup liheshin të zbuluar në rërën e buzëdetit tamam në orët e shëtitjeve më masive të pushuesve.

 

f.385

Depot e armatimit në kufi me Kosovën

 

Zëvëndësministri i policisë më tha se kishte parë në Gjegjan të Kukësit në prag të 1990 një bazë të madhe me armatim, veshmbathje dhe ushqim për të përballuar një gjendje lufte në Kosovë. Sipas tij, çdo depo përmbante 20 mijë deri 30 mijë komplete luftarakë.

 

f.392

Një studim i MPB

 

Në këto pesë vitet e fundit (85-90) kemi të regjistruar pesë mijë të burgosur. Prej tyre katër mijë janë të burgosur ordinerë dhe një mijë politikë. Një pjesë e këtyre të fundit janë të mbetur nga dënimet e viteve 50, pra janë antikomunistë. Grupi tjetër vjen prej të dënuarve të viteve 70, pra njerëzit antiparti…Shumica e këtyre një mijë vetëve nuk janë të dënuarit antikomunistë apo antiparti, por të rinjtë.. Ata në moshë nga 20-30 vjeç, në 90 % të rasteve kanë kryer krimin e tentativës për arratisje. Shumë e kanë bërë këtë se kanë qenë të pakënaqur nga jeta. Duan më shumë liri dhe mirëqenie. ..Ata që vërtet nuk na duan politikisht janë fare pak.

…Në një vit arrestohen më shumë se njëqind por afërisht 85-90 dënohen dhe vendosen nëpër burgje. Është fjala për ato politikë.

 

 

f.398

Revolucioni paralel

 

I gjithë morali i kësaj fabule është se tashmë ka nisur ndryshimi i komanduar, revolucioni paralel. Ai i simuluari, ai që duhet t’i dalë përpara të vërtetit dhe ta shmangë apo neutralizojë atë. Operacionin po e drejton Pasonjësi.

 

f.402

Ikja nëpërmjet ambasadave

 

Të gjithë të ikurit nëpër ambasada, pothuaj njëzetë mijë vetë, me autobuza nëpër natë u dërguan në aeroportin e Rinasit dhe në portin detar të Durrësit. U hipën avioneve dhe trageteve.

…Ditën e dytë të vërshimit të ikësve, më 3 korrik (1990), për të penguar depërtimin e njerëzve përfaqësitë e huaja nuk ishin rrethuar më me policë por nga civilë me krahun e majtë shirita të kuq. Qenë vullnetarët e njohur me inicialet GPV..  Ministri i ra shkurt: “Është vendim i Byrosë Politike”.

 

f.404

 

Atë ditë të 25 tetorit, kthimin për në qytetin jugor Shahu e bëri me idenë tashmë përfundimisht të palëkundur, kishin qenë tërësisht të sakta raportet e zbulueve të tyre në Perëndim, ndërsa vite të shkuara patën paralajmëruar strategjinë e rrëzimit të komunizmit shqiptar nëpërmjet arratisjeve.

Ismail Kadare qe pika kulmore e asaj strategjie.

 

f.405

Heqja e monumenteve

 

Heqja e Stalinit dhe e Leninit ishte kryer me urdhër të vetë Ramiz Alisë. Mënyra të tilla veprimi shmangnin konfliktin social mes komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre, duke mbajtur larg rrezikun e një lufte civile. (Ky ishte mendimi i shumë njerëzve të pushtetit).

 

f.416

Komunizmi- utopi

 

Kur një dëshmitar pati thënë fjalët e Labit në intimet, Labi u ngrit në gjyq dhe tha:

Po, të gjitha ato i kam thënë. Kam thënë se njerëzimi ka nevojë për utopi dhe se utopia është e saktë gjer të Tomas Mori. Ai, peshkopi i Anglisë nuk ishte budalla që ia vuri emrin utopi, se komunizmin nuk e keni shpikur ju. Komunizmi është që te hebrenjtëe lashtë. Pastaj e mori krishtërimi. Më vonë e morët ju. Por ata që thanë se do të bëhet shkencë, nuk thanë të vërtetën. Gabuan dhe gënjyen. Gjallë në botë, komunizmi nuk bëhet shkencë. Lëreni të rrijë tek utopia!

 

f.430

Dënimet dhe ridënimet

 

Sipas tij (një punonjës i administratës së MPB) dënimet e gjata dhe sidomos ridënimet që jepeshin në Shqipëri nuk kishin asnjë qëllim tjetër veç asaj për ta shndërruar një njeri në të burgosur të përjetshëm. Ndodh sikurse me robotët, të cilët i programojnë. Të burgosurit te ne i robotizojnë, ua programojnë jetën që të ndihen pjesë e burgut edhe kur nuk janë më aty. I bëjnë qenie nëntokësore..Të burgosurit te ne sidomos ata politikë, i kthejnë në qenie nëntokësore, që të dalin e të kthehen përjetësisht atje. Prandaj edhe u thonë klasa të përmbysura.

 

f.447

Kriminelët nuk i fal asnjë regjim

 

Shahu e dinte se regjimet shtrënguese, ato që në themel vënë përdhunën, i inkriminojnë më shumë njerëzit se sa sistemet politike të lira, por gjithësesi qe i bindur se kriminelët e vërtetë, hajdutët dhe gënjeshtarët e mëdhenj, të pabesët dhe shpërdoruesit e pandreqshëm, servilët e të pushtetëshmëve dhe tradhëtarët e vendit nuk kishte sistem shoqëror e politik që t’i shpëtonte. Qenë të tillë edhe në diktaturë edhe në demokraci.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s