Sh. S. Noé: “Kush i fryn zgjedhjes së importuar të problemit shqiptar”, botuar ne “Republika” janar 1992.

shpend

Shpend Sollaku Noe

 

Sh. S. Noé: “Kush i fryn zgjedhjes së importuar të problemit shqiptar”, botuar ne “Republika” janar 1992.

 

 

    Kur rinia studentore grisi e para terrin e diktaturës, të shumtë qenë ata që besuan se, më në fund, po niste për shqiptarët një epokë e re, epoka e lirisë dhe e demokracisë së vërtetë. Lufta për demokraci përparoi shpejt, aq sa, në krahasim edhe me vetë Gor­baçovin, nismëtarin lindor të këtyre trasformimeve të pashoqe, shqiptarët po tregohe­shin më të guximshëm. Midis për­plasjeve vëllavrasëse dhe luftës me mjete demokrati­ke, shqiptarët zgjodhën të dytën. Është për t’u përmendur se edhe të burgosurit politikë, si më të përsekutuarit e diktaturës, ngulën e ngulin këmbë në përdorimin e mjeteve de­mokratike.

Krijimi i partive opozitare solli me vete pluralizmin e shumëpritur politik.

Dikush më parë e dikush më pas, ndonjë më pak e nxituar, tjetra më e matur, partitë krye­sore të opozitës thonë me peshë fjalën e tyre në proçeset e tyre politike. Mendimi i tyre kohët e fundit ishte kyçi i zgjidhjes së problemeve jetësore të vendit. Pjesmarrja e opozitës në qeve­rinë pluraliste në qendër e në bazë, bëri të mundur kalimin, të paktën për një kohë, të pragut fatal që i kërcënohej Shqipërisë.

Kush mendon atëherë, “se nuk është bërë asgjë”, se “ja ç’na sollën këto proçese demokrati­ke “, “se sot jemi më keq se ishim dje”, etj. et.j?

Zëra të tillë që kanë origjinë të dyshimtë, të ç’do burimi mund të jenë, por kurrësesi të buri­mit demokratik.

Duke sulmuar kontributin e forcave demokratike, harrohet se shumë fitore të sotme, (që dje as që mund të mendoheshin), që nga liria e fjalës edhe e shtypit e deri tek heqja e telave me gjemba të izolimit, që tek çlirimi i fshatarit nga vargonjtë e shfrytëzimit e deri tek privatizimi i tokës, që nga çmitizimi i elektroshtëpiakëve e deri tek kontaktet me të huajt… as që do të ishin arritur pa kontributin historik të opozitës.

Në fazën kalimtare që po kalon vendi, më evidente për njeriun e zakonshëm janë mungesat ekonomike, tregu ushqimor bosh, rritja e çmimeve të mishit dhe të prodhimeve bujqësore e blektorale. Por “Dyshuesi” i kudondodhur, s’nguron akoma të përflasë: “Kështu si e kanë nisur, do vde­sim urie. Të paktën dikur bukën e kishim, edhe tallonin e kishim të siguruar…”. I nxitur nga anomalia e shpërndarjes së ushqimeve, ai akuzon opozitën për shpërdorimin e tyre. Duke përfolur të huajt që vijnë për të ndihmuar, nxit pengimin e veprimtarisë së tyre, duke injektuar mosbesimin në popull për një zgjidhje të afërt të problemit. Po ky “Dyshues”, për gabimet që mund të kryejë ndonjë lider i opozitës, nxiton të akuzojë të gjithë opozitarët.

Vërtetë, partitë e opozitës sʼe kanë përvojën për dredhira e demagogjira, ashtu si partia në pushtet. Ato sʼkanë as mjetet e duhura, as edhe ato më minimalet, për të përballuar siç duhet presionin dhe detyrat e shtrirjes në gjërësi e thellësi në gjithë territorin e vendit.

Megjithatë shpirti i zjarrtë opozitar përfshin gjithmonë e më shumë shqiptarët, të cilët, me inisiativë, ngrenë seksione, nëndegë të reja, afirmojnë nëpërmjet veprimtarive vetveten, afroj­në përditë e më shumë inteligjencën rreth partive të opozitës. Të gjitha këto nuk i mjaftojnë “Dyshuesit”.

Por halli është gjetkë. Duke sulmuar opozitën, së pari, kërkohet të mbillet opinioni që me komunistët ishim më mirë, pra le të qëndrojnë ata në pushtet, pasi partitë e reja “s’dinë të qeve­risin”.

Shigjeta e “skeptikut” godet edhe më larg.

Duke u bazuar në rrumujën e vërtetë që ekziston në ekonomi e shoqëri, duke mos parë të funksionojë shteti ligjor, duke pompuar më shumë se sa duhet skandalet, vjedhjet, vrasjet, apo eksodet që fundja vetë populli, kaq masive siç janë bërë, i pranon se po bëhen të përditshëm, skeptiku po përpiqet të krahasojë Shqipërinë e sotme me atë të vitit 1913. E dobësuar, e kërcë­nuar nga fqinjët, arenë e forcave të huaja. Sa do të donte skeptiku që afaristët e shumtë t’i zëvendësonte me kolonelë ushtarakë. Krahasimi më tej vazhdon me analogjinë e sundimit nga jashtë, pasi kështu u tha atëherë (1913): Shqiptarët s’mund të vetqeveriseshin! Mos është fjala për një princ Vid të ri? Jo, jo. Rrjedh gjetkë helmi. Nuk kërkohet një Vid, por një shqiptar nga jashtë. Zërat që pompojnë me forcë “pamundësinë” e opozitës për të nxjerrë vendin nga kriza, po me aq forcë pompojnë “epërsitë” e e dikujt në diasporë, “forcën” e tij ekonomike etj., etj..

Të tjerë e kërkojnë shpëtimin në lidera politikë shqiptarë të partive të formuara jashtë ven­dit, në dhera të huaj. Shembujt janë të shumtë, por më e freskëta është “zgjidhja që proklamo­het prej të ashtuquajturës Parti Republikane Shqiptare në Amerikë”. Dyshohet në efektivitetin e mjeteve paqësore, demokratike (siç bën Evropa) dhe arrihet deri atje sa të propozohet vëlla­vrasja. Harrojnë se shqiptarët edhe deri tani, kanë derdhur shumë gjak, me gjithë vetpërmbajt­jen. Që nga martirët e Shkodrës e deri tek të vrarët në kufi: që nga viktimat e ambasadave deri tek të humburit pa nam e nishan dherave të huaj… Gjithë kjo hemoragji nuk mjaftoka për të kënaqur histerikët e gjakut? Shqipërinë do ta shpëtojnë ata shqiptarë që rrezikuan jetën përle­shjeve të ashpra të demokracisë në ditët e fëmijërisë së saj, do ta shpëtojnë ata që vuajtën burg­jeve e internimeve politike, çamët e kosovarët që bashkëvuajtën ferrin komunist.

 

 

10987637_932903746729101_3229921284056377828_n

Gazeta Republika, janar 1992

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s