Letërsia, një urë komunikim dhe një sfidë ndaj moralit të rrejshëm! / Intervistë e Dr Zejnepe – Alili Rexhepi në gazetën “Tirana Observer”

Zejnepe Alili-Rexhepi: “Letërsia, një urë komunikim dhe një sfidë ndaj moralit të rrejshëm!”

Intervistë e Dr Zejnepe – Alili Rexhepi në gazetën “Tirana Observer”

 

 


Intervistën me ju do ta nisim nga Tetova. Jeni pedagoge në Universitetin Shtetëror të Tetovës, cila është situata mësimore dhe akademike sipas jush?

 

Angazhimet në Universitet të japin kënaqësi, ndoshta si çdo punë tjetër kur bëhet me përkushtim. Megjithatë, dihet botërisht se Universiteti Shtetëror i Tetovës ka një histori të veçantë, jashtë nismave të zakonshme të themelimit të tempujve të dijes. Dua të them se, ky institucion arsimor, me mjaft vështirësi ka arritur në instancat e sotme. Sado që puna mund të jetë solide, këtë kohë, as ne nuk përjashtohemi nga vorbulla e trazirave, nga reformat në arsim që ndërmerren në këtë vend (Maqedoni), të cilat dyfish e rëndojnë statusin e intelektualit shqiptar. Pavarësisht sfidave, ky profesion është mishërimi im…, studentët, amfiteatrot e ligjëratave, orët e letërsisë, më mbushin me energji, janë shtysa ime e përditshme! Sigurisht, stafit akademik i mbetet që përçapjet e zakonshme t’i shndërrojnë në galopime suksesesh!

 

A mund të flitet sot për një elitë akademike shqiptare në Maqedoni dhe cili është roli i saj konkret në zhvillimet politike, sociale dhe kulturore?

 

Elitë intelektuale, akademike…? Po, natyrisht ekziston! Mirëpo, individualizmi i tepruar dhe pamundësia për të shfrytëzuar ndonjë forcë bashkëvepruese, na bën që të mbetemi zëra të vetmuar. Është tejet shqetësues fakti që jetojmë në një vend, i cili deri para ca vitesh, (2001) proklamohej si Oaza e Paqes në Evropë…, a në të vërtetë këtu, fjala e intelektualit ngulfatet, dinjiteti i tij zvetënohet, reformat fillojnë të zbatohen pa sprovën e suksesit të mundshëm ose jo!? Më qartë, është vend, ku rezulton improvizimi i moralit “të rrejshëm”, në të gjitha nivelet shoqërore, një kult që pa vetëdije e ka ngritur shoqëria jonë. Mendoj se, dinjiteti njerëzor do ç’kodifikuar nga ky moral, duke i dhënë më shumë hapësirë kulturës dhe kultivimit të lirisë së artit. Pa dhënë detaje, do ta përmblidhja këtë me pak fjalë, duke e ilustruar me pikturat e Salvador Dalit… Ai pikturoi skica për Narcisin – portrete njerëzish të famshëm, duke i parë si tablo ku do të mund të vlerësoheshin (të rishikonin veten) qindra personalitete!!! Mendoj se, pa formësim të mirëfilltë individual, nuk mund të ketë ndryshime shoqërore më universale.

 

Jeni pedagoge dhe studiuese e letërsisë shqiptare? Kush është fusha juaj më konkretisht?

 

Letërsia filloi si një pasion i imi, që atëherë kur e njoha botën përreth, jetën përmes leximit, personazheve që papritmas të bëhen heronjtë të fëmijërisë…, pastaj fillon të thurësh ëndrra, derisa vjen koha që ato kthehen në qëllime, synime… Në këtë, të ndihmon mjaft edhe natyra kureshtare, pasionante, se si të shkrish talentin, idenë dhe guximin. Me leximin, natyrshëm vjen edhe të shkruarit, e kjo të mundëson të shprehesh lirshëm…, arti i të shkruarit është vetë liria shpirtërore. Ky qe edhe përcaktimi për të studiuar letërsinë, që sot më, është jo vetëm pasion, por edhe profesion i imi. Specializimi im është në lëminë e Letërsisë…, ligjëroj Letërsinë e vjetër shqiptare, Letërsinë krahasimtare dhe Analizë e interpretim. Gjithmonë u jam mirënjohëse dy profesorëve të nderuar Prof. dr. Mahmud Hysës dhe Akademik Rexhep Qoses, për bashkëpunimin, duke qenë asistente e tyre, derisa ligjëronin në USHT, si dhe profesorëve të cilët kanë mentoruar studimet e mia, në magjistraturë, prof dr. Agim Vinca (Prishtinë) dhe në Doktoratë, prof. Dr. Mirlinda Krifca – Beqiri (Shkup). Edhe sot, u jam mirënjohëse këtyre pedagogëve e personaliteteve, me të cilët më ka afruar fati i mirë!

 

Mund të flitet sot për një kritikë shqiptare të institucionalizuar? Çdo të thotë të jesh autore shqiptare?

 

Kritika e sotme letrare lë shumë për të dëshiruar, kur kalojnë thuajse pa u vërejtur vlerat e mirëfillta, ndërsa promovohen vlerat e dyshimta, jovlerat. Me të drejtë mund të thuhet se mungon kritika shqiptare, përderisa hapësira e veprimit të saj më tepër është individuale dhe miqësore, fatkeqësisht! Në veprën time të fundit “Refleksione lirike”, në një vështrim kritik mbi veprën e Agim Matos, poetit sarandiot, të censuruar e të privuar nga e drejta e botimit për dekada me radhë, kam theksuar se: “Të sigurosh ekzistencën letrare për një vepër vlerash të mirëfillta, nuk është fare e lehtë, veçmas në nënqiellin tonë, ku kritika letrare është e pakonsoliduar mjaftueshëm dhe joreale në qëndrimin, kundrejt krijuesit”. Vazhdoj ta kem këtë bindje. E në këto rrethana, të jesh autore shqiptare nuk është aspak e lehtë. … Veçse, më bën të lumtur fakti, që tani më një ëndërr e imja po e tejkalon shtegun vetmitar, për të cilin as që të duhen vela të bukura prej pëlhure për të notuar dallgëve të jetës…, mbase do të ishte e mjaftueshme “Një dhomë më vete”!? Ndoshta kjo, qe e tëra edhe për Virxhinia Vulf-in?!

 

Një koncept mbi feminizmin

 

Koncepti për gruan është i ndryshëm. Për të, nuk ka një status të përcaktuar mirë. Asaj sikur i imponohen dy linja veprimi: nëse shpreh guxim, duhet të “aktrojë” burrëroren e nëse shpreh delikaten, barazohet me “të dobtën”. Megjithatë, gruaja duhet pranuar si përzierje e delikates, së bukurës, së mençurës, elegancës…, pa e tepruar, mendoj se asaj duhet t’i përshkruhen vetëm virtyte. Një imazh më të plotë për botën femërore, e kam kornizuar tashmë në vëllimet e mia poetike, fillimisht botën e saj të ndjeshme si “Peng loti”, më pas të brishtë si “Ëndërr shtegtuese”, gjatë përkalimeve të vështira kombëtare ajo mbetej “Ujëvara e syrit” dhe natyrisht subtiliteti i saj e bën herë – herë që të mbërthehet “Nën pushtetin e Erosit”. Të këtillë e kam portretizuar gruan shqiptare, ndër vite, përmes vargjeve të mia. Nga këndvështrimi i sotëm, te një grua e vlerësoj faktin që ajo dita-ditës çlirohet nga jeta e kushtëzuar “e pandehmave”, të shoqërisë, të cilat asaj i përcaktojnë çfarë të pëlqejë, çfarë të dojë, në çka të besojë, çfarë i lejohet e çfarë jo…!? Tani më, kur gruaja është “emocionalisht e qëndrueshme dhe intelektualisht e aftë po aq sa burri”, identiteti i saj nuk rrezikohet. Konica e quajti “Perëndesha e vatrës”, pra gruaja mund të jetë metaforë e Diellit për shoqërinë. Pa ngrohtësinë e saj bota do të ishte e akullt. Ajo meriton vëmendje e respekt!

 

Një gjykim më shumë për kuptimësinë e jetës?

 

Jeta duhet parë me optimizëm, edhe pse këto janë kohë të vështira për ndjesi të tilla, për të ruajtur në çdo kohë grimca lumturie a për të qeshur me shpirt! Sidoqoftë, shpirti nuk zhvishet lehtë, ndonëse jetojmë “midis keqkuptimesh”. Ndoshta, jetën fillojmë ta kuptojmë më seriozisht dhe e njohim thelbin e saj, kur prekim nga afër një dhembje, gjë që e theksova pak kohë më parë, në mënyrë më diskrete, me ngjarjet e fundit tragjike të Parisit, në esenë “Trembëdhjetë të vrarë në Paris”. Pleksja me Parisin është një ëndërr, ndoshta më shumë se ëndërr?! Atje kam një pjesë të qenies sime… Megjithëse, ta kuptosh jetën, nënkupton të jesh e lumtur a për këtë mjafton të jesh shpirtërisht e qetë dhe e plotësuar. Po këtë, s’mund ta përkufizoj si diç ireale, diç që s’ekziston si e tillë… lumturi absolute!!! Mund të përkufizohej si një “pështjellim raportesh midis unit individual dhe atij shoqëror”. Me praninë e këtyre raporteve mund të ndjehet lumturia, që mund të jetë një lloj mishërimi shpirtëror i njeriut, në paqe me Unin e tij. Jeta ka koloritet e veta, nuk duhet parë vetëm bardhë e zi!

 

Së bashku me disa miq dhe kolegë, ju keni formuar tashmë një klub letrar në Tetovë, jeni nënkryetare e Klubit të Shkrimtarëve OENEUM. Çfarë do të sjellë ky formacion i ri letrar dhe sa do të jetë bashkëpunimi me shqiptarët kudo që ndodhen?

 

Nisma për themelimin e Klubit të Shkrimtarëve OENEUM, u ngjiz si dëshirë e vjetër, e kahershme për ta ringjallur paksa jetën kulturoro-letrare në Tetovë, që dikur ishte shumë aktive, nën organizimin e disa emrave të njohur, si: Murat Isaku, Abdylazis Islami, Mustafa Laçi, Nexhat Pustina, Ibrahim Veliu, Ramadan Sinani…. Në janar, 2015, kjo edhe u realizua. Ideja ishte që ta aktivizojmë jetën letrare, në përkujtim të personaliteteve, bashkëpunimit të ndërsjellë me shoqata e klube letrare nga të gjitha trojet shqiptare. Projektet më të rëndësishme kulturore do të jenë botimi i revistës “Plejada” dhe manifestimet letraro-poetike “Përkujtojmë Yjet Letrare” dhe “Pranvera Poetike e Tetovës”, ndërkohë që do të mbahen edhe takime letrare, orë poetike, përurime librash…, që sinqerisht Tetovës, qytet me dy Universitete, kishte kohë që kjo frymë i mungonte.

 

Krijimtaria juaj letrare është e përqendruar kryesisht në fushën e poezisë. A do të tentoni ndonjëherë në prozë?

 

Përderisa nisma ime ka qenë poezia, si një kështjellë ku ruhen pulsimet më të bukura të shpirtit…, pas botimit të përmbledhjes së fundit “Nën pushtetin e Erosit” u përqendrova te studimi letrar dhe kritika, megjithëse këtë sprovë, do të doja ta quaja si një kërkim të vetvetes, një identifikim më të qëndrueshëm brenda artit letrar. Sërish nuk e them aq prerë. Proza është një dashuri e imja e re…, dua ta sfidoj veten në këtë zhanër. Më intrigon tejmase, andaj mbetet të presim një të ardhme të afërt, mbase! Prania e ëndrrës, besoj që do ta nxisë në mua edhe këtë pasion, të mbështjellur me vello entuziaste, në pritje e sipër. Secili libër i lexuar mban vulën e vet, të lë njëfarë mbrese, ndoshta edhe pa e vënë re se diç të është ngulitur në kujtesë. Mirëpo, mendoj se ka plotësisht të drejtë Zh. P. Sartre kur shprehet, se: “romani është një zinxhir fjalësh të shtypura, në të cilat rrjedh jeta vetjake e lexuesit”. Edhe mua, më duket si një magji ku lirshëm mund të derdhet tërë bota intime, ashtu këndshëm, me narracion të figurshëm. Do të doja ta provoja!

 

Ju jeni një autore, e cila ka lexuesit dhe dashamirësit e saj, çfarë vepre do të lexojnë ata së shpejti prej jush?

 

Lexuesve të veprës sime, së shpejti do t’ju ofroj studimin letrar “Poetika Migjeniane – Simbolika e gruas shqiptare”, si dhe veprën poetike “Dihatje stinësh”, në të cilën ndodhen mjaft poezi të botuara nëpër Antologji botërore, si dhe poezi të shpërblyera me çmime letrare në vend dhe në trevat mbarëkombëtare. Akoma jam nën mbresat e bukura të çmimit që sapo fitova në Kosovë, për poezinë “Kitara…, një melodi trishtimi”, ishte Çmimi i Parë i Konkursit letrar për poezi “Flaka e Janarit – Gjilan, 30 janar, 2015, një Manifestim letrar tradicional, i 24 me radhë. Ndjenja më e bukur që mund të ketë një krijues, nuk është fakti që arrin të hedh një grusht shkronjash në letër, por shkathtësia që lexuesit t’ia përçojë magjinë e asaj që ka shkruar. Ndihesh e lumtur, nëse arrin që lexuesit t’i përcjellësh copëza emocionesh, qofshin ato drithërima dhembjesh apo lumturi kulmore, ai do të të futet në thelb, pa dashur që të mbetet vetëm në një cep të ëndrrës.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s