Harku i një rrëfimi të kodifikuar / Nga Zejnepe Alili – Rexhepi

Harku i një rrëfimi të kodifikuar

zejnepe -2

Nga Zejnepe Alili – Rexhepi

 

 

Romani i Driton Smakajt “217” formësohet me një shtrirje tematike ngjarjesh që kanë dy linja realizimi, atë shqiptare dhe tjetrën, serbo-ruse. Në këtë rrëfim, fiksioni dhe realiteti janë të ndërlidhura, pothuajse padiktueshëm, ndoshta pse subjekti përmban histori, ngjarje e personalitete të një kohe të afërt, të njohur për shumëkend. Ideja vjen e thellë, e pleksur si vetë synimi i një udhëtari kureshtar për ta përshkuar botën. Në fillim, duket paksa i pazakonshëm titulli i romanit “217”, kodifikues, enigmatik, me një dozë të madhe rreziku. Një zgjedhje interesante, por gjithëpërfshirës në trajtesën tematike, pa e mohuar që ky titull të fut në mistere që kërkojnë deshifrim, gjasme për të gjetur një fije ndërlidhëse nga bleu në ble, që autori i quan kapituj dhe janë 49 sosh, të cilët ndihmojnë gjurmë pas gjurme të arrihet zgjidhja.

Narracioni dhe parametrat strukturorë në këtë roman e ruajnë disi vazhdimësinë e rrëfimit, sado që ka përhedhje sa në një ngjarje po aq në një tjetër, sa në një histori a një vend, po aq në një histori a vend tjetër. Të një përvijimi politiko – shoqëror përmenden: Kosova, Shqipëria, Serbia, Rusia, Hungaria, Italia, Zvicra, Argjentina, Afganistani…, megjithëse epiqendra e ngjarjeve rreth së cilës sillet boshti rrëfimor, që nga fillimi deri në fund, mbetet Kosova. Shpesh këto vende rivendosen edhe si fragmentarizime rrëfimore, pa ndonjë dinamizëm konkret ngjarjesh, andaj si të tilla këto kapërcime kërkojnë shumë përqëndrim leximi, për të arritur në disa gjetje rrëfimore të domosdoshme. Në fund, përcaktohet ekuilibri i shtjellimit sipas vlerave: njeriu, koha, vendi, përjetimi dhe vepra.

Për t’i vendosur linjat e rrëfimit, me atë misticizmin e ngjarjeve që do të pasojnë, autori vë përballë njëri – tjetrit dy personazhe: Lumin, që jeton në Itali dhe Urtakun, profesor i Historisë nga Stambolli. Komunikimi midis tyre, sado që në dukje është vetëm miqësor, del një mision i rëndësishëm kombëtar. Ngjarja vendoset në ambiente shtëpiake të Lumit, i cili sapo pranon një e-mail nga Urtaku, ku përshkruhej gjerësisht një ekspeditë e tij në një zonë malore në Azi, gjegjësisht në Afganistan për të zbuluar diç më shumë rreth lidhjes me fisin e Kalashëve.

Përshkrimin e shkurtër turistik, profesor Urtaku e kishte titulluar “Nëpër gjurmët e Aleksandrit të Madh”, por tërë zbulimi rreth këtij fisi, ishin: perceptimi i vendbanimit në formë kalashë, prej ku mendohet se vjen dhe emri i fisit; mali i quajtur “Bubullima”; qeni i Sharrit, që akoma ruhet në Kosovë dhe Maqedoni; ngjarja mbi martesën e 1000 ushtarëve të Aleksandrit, me vajza vendase. Të gjitha të tjerat janë supozime, se: në gjuhën e Kalashëve kishte fjalë me rrënjë nga gjuha shqipe, në ushtrinë e Aleksandrit kishte pasur shumë ushtarë ilirë, që reflekton sot me fëmijët bjondë e sy të kaltër të këtij fisi, si dhe gërshetime kulturore të disa linjave tjera. Mirëpo, kjo letër mbetet si një udhëtim i ëndërrt mbi rrënojat e Kalashëve, natyrisht larg ndonjë të dhëne të vërtetuar historike.

Shtrirja e mendimit, me të gjitha dilemat, këndvështrimet dhe konkluzat, sikur e ridimensionon ngjarjen më tej. Në pah del një ngjarje më e përqëndruar me tematikë shqiptare, trajtimi dhe vazhdimësia e së cilës vë në dukje shumë lëvizje, disa emra dhe venbanime edhe jashtë hapësirave tona kombëtare. Në të vërtetë, autori nuk sajon personazhe, të cilëve nuk u mjafton “të ushqehen” me atë që u ka servaur jeta, por të jenë kërkues ndryshimesh dhe këmbëngulës në realizimin e tyre, sado që kjo rrugë është përplot të papritura e rreziqe. Gjithçka fillon me kërshërinë që zgjoi kodi 217, i cili u gjet nën rripin e orës së dorës, të agjentit të vrarë të KGB, pikërisht në shtëpinë e Lumit, pas një përpjekjeje që ta vriste Lumin. Arsyet, për një kohë të gjatë mbeten të errëta. Ngjarja vijon më tej në kërkim të deshifrimit të kodit 217.

Ngjarja në romanin “217” vendoset fillimish në Itali, ku jeton dhe punon personazhi kryesor, Lumi…, me një histori jo të zakonshme, sidomos ballafaqimi i Lumit me vdekjen, edhe atë disa herë radhazi. Shpjegimi, për vendosjen e tij në Itali, vjen pas një ngjarjeje në lumin Ibër, në Mitrovicë, ku edhe plagoset, përderisa ishte pjesëtar i forcave të UÇK.

Në mjaft raste, Driton Smakaj, e ka mjet vetëm narracionin, por pikërisht kjo formë i bën ngjarjet hipotetike, jo të thelluara në formën artistike rrëfimore; ideologjitë e rafinuara që në mënyrë meskine fshehin të vërteta jetësore individësh e popujsh, përderisa qasja autoriale në rrëfim, është si një përpjekje për diçka novatore. Natyrisht, ndërtimi i vëmendshëm i tekstit është formësimi i kuptimit përmes aktit heroik të kryeprotagonistit.

Pohimi i vetë autorit, Smakaj, se: “Ky roman është pjesë e imagjinatës së autorit, i shkruar mbi parimet e së drejtës së fjalës së lirë. Përveç fakteve historike, çdo emër i institucioneve të përmendura dhe emrat e njerëzve të gjallë apo të vdekur e që përputhen në jetën reale, janë veç një rastësi”, të bën të mendosh më gjatë mbi këtë linjë personazhesh. Sado që pohimi për sajimin e tyre, deri në rastësi, nuk e përjashton lidhjen e ngushtë të subjektit me të vërteta tejet të afërta, të popullit tonë. Duke e vënë veten në shërbim të individit dhe gjakimin e tij për një rizbulim, rreth një historie të largët, por të rëndësishme, ai zgjedh personazhe të cilët kryekëput vihen në shërbim të çështjeve kombëtare. Kjo edhe është tendenca e autorit për ta kthyer vëmendjen e njerëzve të denjë, intelektualëve, studiuesve, kah një veçori tjetër ecejakesh mbi kode të fshehta e të dobishme që presin zbulim, por që do të shërbenin në favor të zhvillimit më të shpejtë të popullit shqiptar.

I përzgjedhur si kryepersonazh, Lumi, nuk u përngjet atyre heronjve që të lënë mbresën se janë të pasfidueshëm, por thjesht një person pothuajse i painteresuar për ngjarje të mëdha, megjithëse disa herë ndodhet përpara rreziqesh, përpos që diku në ndërgjegjen e tij rrinte e përgjumur ndjenja e hakmarrjes. Të krijohet përshtypja se njohja me Salemin dhe Tonin ishte vetëm një rastësi…, por a ishte në të vërtetë kështu?

Linja rrëfimore krijon amplituda ngjarjesh që nuk vijnë shumë të ngjeshura, por kanë kapërcime të ndishme, pa praninë e domosdoshme të urava lidhëse, por me nisma kapitujsh të rinj. Kryepersonazhi, nganjëherë nis e shtegton, që nënkupton se edhe ngjarja merr trajta të një realiteti të hidhur që vjen si një pleksje e përkalimeve njerëzore nga e dikurshmja tek e sotmja, ashtu lehtë e padiktueshëm, mjeshtërisht hedh dritë në sfondet intriguese të kurthngritjeve.

Pa dashje, fati e ndesh me vrasësin e babait. Një kujtim i hidhur ky, i vjetër…, por i ngulitur në mendje. Kishte ndodhur më 1978, kur babai i Lumit,, në Budapest, kërkonte një dokument për shqiptarët e shpërngulur nga Toplica dhe Kosanica, interesim ky që i solli edhe vdekjen. Kjo hije e kishte ndjekur edhe Lumin, gjë që flet për një shoqëri të ngritur mbi pasiguritë e jetës, si për individin, ashtu edhe për vetë popullin. Nga kjo histori e trishtë, i kishte mbetur në kujtesë vetëm një këshillë e babait, të cilën e rikujtonte në çast kritik, si një gjë të shenjtë prej tij.

Përgjithësisht, lidhjet e personazheve janë mjaft të ngushta, dhe kanë dy kahe veprimesh. Në njërën anë vihen: Urtaku, Lumi Salemi, Toni, Luli… që i plotësojnë imazhet e duhura të ngjarjeve si një lidhje e patjetërsueshme bashkëpunimi. Nga ana tjetër: profesor Krillov-i, një shkencëtar rus, i cili jo rastësisht vë lidhje me Mirko Keziç, i njohur me nofkën Ardo, bashkëpunëtor i Arkanit (vrasës që shpërngulet në Vladivostok, më 1999. Pastaj Tamas Radojeviq, agjent i ikur në Argjentinë, me dokumente të Novi Sadit, prof. Kandiç, Inspektori K. dhe “Latvenko”.

Interesimi i Ardos për Kosovën ishte një urrejtje e vjetër, ai nuk pushoi së urryeri këtë vend as pas mbarimit të luftës së 1999. Madje, edhe gjatë kohës së vendosur në Vladivostok, Ardo i përcillte zhvillimet në Ballkan, në Serbi posaçërisht. Ai i mbështeste “Beretat e Kuqe”, ndërsa Zoran Xhinxhiqin, kryeministrin e ri e quante një “tradhëtar të ndyrë”, sepse ai e kishte harruar ëndrrën e vjetër sërbe “Serbia do Tokio” (Sërbia deri në Tokio), e më shumë e kishte tkurrur këtë vend, duke synuar që Serbia të pranohej në UE dhe Aleancën Euro-Atlantike.

Tërë ngjarja zhvillohet rreth Kosovës, me situatën e përgjithshme të të gjitha sferave, shoqërore, veçmas zhvillimet politike dhe ekonomike. Në roman, përmenden edhe figura të shumta, personalitete të kohës, si: Ibrahim Rugova, Adem Jashari, Hashim Thaçi dhe nga ana tjetër Sllobodan Millosheviq-i, Zoran Xhinxhiq-i, Arkani e shumë të tjerë, figura kyçe të historisë më të re në Ballkan, të cilët do të mbeten hartuesit e ngjarjeve të kohës më të re, natyrisht me qëllime dhe pikëpamje të ndryshme, disa si mbrojtës të lirisë dhe të dytët si shkaktarë luftërash e gjenocidesh. Gjithçka, natyrshëm brenda rrëfimit do të merr udhën e duhur, përmes linjës: Salemi – Lumi – Toni, deri në deshifrimin e kodit sekret 217, gjë që edhe e përmbyll romanin.

Nën dioptrinë e disa ngjarjeve, që përshkruajnë një të vërtetë jo të largët historike, vazhdon rrjedha e ngjarjes, ku në qendër të subjektit është Lumi që i kishte kryer studimet ushtarake në Zagreb, kishte bërë jetë legjionari, kishte qenë pjesëmarrës në UÇK, si dhe kishte mbajtur lidhje me afaristin dhe profesorin e Historisë, në Stamboll. Ai, tradicionalisht ka simbolizuar ose individin dhe vijat jetësore të tij ose popullin ku ndodhet një thesar i tërë historish që duhen rrëfyer brezit të ri të zgjuar, si përmes lidhjes që krijon me studentin Toni, sepse ata do të jenë dega e vazhdimësisë së pemës sonë gjenealogjike. Fatet historike, kërkojnë edhe kujdes për interpretimet e mëdha, me anë faktesh.

Të hedhura si copëza rrëfimesh mbi ca imazhe të realitetit historik, do të donim që ngjarja të mbetet vetëm fiksion, megjithatë deridiku merret si e saktë, përderisa vitet, personalitetet ngjarjet, qofshin dhe fragmentare, i përkasin realitetit. Ndonëse, ilustrativisht, bie fjala, udhëtimi 17 orësh drejt Argjentinës i Lumit dhe Tonit, lë imazhe të një aventure, vendosur në Buenos Aires, në Hotel “Europeanda”, veçse sikur të mos ishin në kërkim të agjentit Dragan.

Romani përshkon raporte të detajev të ndërlidhjeve të UDB-së, CIA-s, KGB-së, GRU-as, Forcave të KFOR-it, SHIK-ut, gjë që romanit i jep një imazh eksplorues mbi zona “të ndaluara”, një rrëmujë të vërtetë, sa që shpesh biem në kurthin e pasigurisë se kujt duhet besuar, dhe se çfarë do të ndodhë në të vërtetë. Pra, “Operacioni 217” kishte futur në lëvizje kokat më të zgjuara të planetit, qindra mijëra njerëz do të futen në funksion të kërkimit të një profesori me shumë identitete.

Edhe Salemi paraqet një figurë të rëndësishme. Sipas tij, informatat e marura për profilin e Mirko Keziç-it, me disa identitete të vjedhura, ai ka për qëllim që të aktivizonte bombën bërthamore, me ç’rast efekti eksplodues i saj do të ishte rreth 15 km, që do të thotë se kishte kapacitetin e shkatërrimit të një qyteti të tërë. Qëllimi i tij ishte të parandalohet Pavarësia e Shtetit të Kosovës, pikërisht më 17 shkurt. Pastaj, vendosja e bombës në Sheshin Nënë Tereza, pranë shtatores së Skënderbeut ose të Zahir Pajazitit, nënkuptonte shkatërrimin identitar të kombit shqiptar që fliste shumë përmes lavdisë së këtij triniteti personalitetesh: Skënderbeu – Nënë Tereza – Zahir Pajaziti, pra e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja, gjithmonë e lavdishme përpara botës. Vërtet, në shumë copëza ngjarjesh dalin me dhjetëra emra, personazhe më tepër statike, një listë e tërë emrash, që do t’i bënte të besueshme ngjarjet deri në pikën përfundimtare. Heroi i këtij rrëfimi mbetet Lumi që e shpëton popullin e tij nga një tragjedi e re, me përmasa tejet fatale.

Ngjarja, shpesh e vendosur në rrëfime të njëpasnjëshme e shpalos të vërtetën e qenësishme për zbërthimin e situatave komplekse, si udhë të panumërta. Në to, vështrojnë vëmendshëm sytë e lexuesit. Situata të tëra referenciale i japin rrjedhë ngjarjes, diku-diku me grimca të njëtrajtshme, që kapërcejnë koklavitje të rrezikshme, situata kulmore, mungesë rrugëzgjidhjesh…

Në kontekstin historiko – ideologjik dhe atë politik, ngjarja ka tendencat e romanit hetimor, ngjizet me fiksonin artistik, megjithëse në sfond është një betejë, një e vërtetë e paramenduar, e pritshme sadopak. Po edhe çka mund të pritej nga një individ si Ardo, një njeri me ndërgjegje të vrarë, i cili në misionin e tij, shpesh ndërmend e sillte thënien e Stalinit: “Kur vdes një njeri është tragjedi. Kur vdesin një milion është statistikë”?!

Në spektrin analitik, duhet theksuar se, romani trajton vëmendshëm shartimin e së keqes, hakmarrjes së një shpirti të lig që në fund sfidohet. Bie viktimë e qëllimeve të tij. Leximi shprehës i këtij romani, them se nuk do të bëhet tërësisht me gjuhën e përfytyruar, por me njohjen apo identifikimin e disa historive të njohura, që lehtësisht do ta servojë më pas edhe të panjohurën. Lexim dhe eksplorim të këndshëm, lexues i nderuar, në sajesën e këtij rrëfimi të guximshëm, të Driton Smakajt.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s