FATI I TRISHTË I INDIVIDIT NË KURTHIN E HISTORISË (Vështrim eseistik rreth romanit “Data Njëmbëdhjetë” të autorit Muharrem Kurti ) / Nga QAZIM SHEHU

 

1457570_687914954575928_142336564_n

Muharrem Kurti

 

FATI I TRISHTË I INDIVIDIT NË KURTHIN E HISTORISË

(Vështrim eseistik rreth romanit  “Data Njëmbëdhjetë”  të  autorit Muharrem Kurti )

 

Nga QAZIM SHEHU

 

Muharrem Kurti është një krijues që, dita ditës ,po e mpreh vëmendjen e tij artistike drejt temave të forta ekzistenciale, duke dëshmuar kështu intuitën prej artisti të vetvetishëm, por edhe këmbënguljen e dashurinë ndaj fjalës. Ai ka shkruar disa vëllime me poezi,tregime dhe romani është sprova e parë, por ,gjithsesi, e sukseshme. Është romani që e nderon dhe tregon se, duke e kaluar këtë provë, ai mund të na japë edhe romane të tjera. Në qendër të romanit ndodhet Ilir Kodra, një i ri nga Kosova i cili vihet në syrin ciklopik të policisë serbe dhe ,pas një dashurie me një vajzë të një funksionari, arratiset në Shqipëri ku kryen shkollimin e mesëm dhe të lartë e, pas ca kohe,bëhet i padëshërueshëm edhe për regjimin satanik hoxhist.Kjo ta kujton atë vargun e rapsodit Dervish Shaqja:”kur ta kthyem Kosovë shpinën,e lam borën e gjetëm dimën”.Pas rikthimit të detyruar ai gjykohet nga ish e dashura në një gjykatë serbe.Kemi një moment hygoian si me Govenin e Simurdenin tek Viti Netëdhjetë e Tre .Apo situata të tilla në romane të tjera të Hygoit.Në të vërtetë e ndodhur mes dashurisë së dikurshme dhe detyrës së fëlliqtë të shërbimit të verbër,tek Diana është shkrirë gjithçka nga e dikurshmja.Ajo jep dënimin dhe dënimin më të sertë për ta rënduar protagonistin me shtatë vite burg, pa pasur asnjë faj.Protagonisti nuk mposhtet.

Fabula e këtij romani shtjellohet në dy rrafshe.Në rrafshin individual dhe kombëtar, në dy pjesë të Shqipërisë, të dyja të okupuara nga ideologjitë:njëra shoviniste dhe kolonialiste e tjetra nga ideologjia marksiste.I ndodhur si midis Skillës dhe Haribdës,njeriut kosovar të atyre viteve ,iu desh të vuajë shumë, të provojë vrasjet,dhunën,keqtrajtimet, një kalvar të pafund dënimesh e mizorishë; po njëherit, tek ai, sa më shumë shtoheshin këto, aq më vrullshëm rritej ndjenja e qëndresës, krenaria dhe dashuria për atdheun, shtohej mobilizimi dhe merrte konotacione brilante ndjenja morale e kurajos civile e kombëtare.Ishin vite të errta, po të mbruajtura me një dritë të pashtershme shpirtërore.Kjo ide përbën atë kumt të madh që na e përcjell romani i Kurtit,duke u ndalur në detaje të shumta të jetëve njerëzore, po edhe duke e dhënë kohën në gjithë atë sizmikë ngjarjesh tronditëse.Ngjarje të cilat nuk kanë kohë që kanë ndodhur e që përbëjnë gjithnjë një motiv për t`iu rikthyer atyre për të shenjuar të sotmen që squllet herë herë dhe batërdiset nga kënetat morale.Gjithnjë më ka shkuar ndërmend dhe s`e kam gjetur:sesi mundi populli im i Kosovës të mbijetojë një shekull nën thundrën mizore të serbit pa u zhbërë?Përgjigjen e kam gjetur në letërsinë e Kosovës dhe tani së fundit ma dha mundësinë ta ftilloj në romanin e Kurtit.Kurti vetë e ka përcjellë atë kohë jo si soditës, por si pjesëmarrës në të, ndaj ai nuk ka pasë nevojën të sajojë, as të thërrasë shumë dëshminë e kohës përmes të tjerëve.Ashtu si Petro Marko që i shkruante romanet nën trysninë e mbresave të pareshtura të një jete aktive,ashtu edhe Kurti e ka shkruar këtë roman nën fluksin e mbresave të përjetuara.Horaci thotë se kur e ke të qartë një gjë ,fjalët dalin vetë.Dhe Kurti vjen si romancier pas gjithë kësaj game jetësore, duke e dhënë fatin e individit përmes përjetimeve të fuqishme.Është fati i një individi të fortë, kurajoz,që të kujton heronjtë e pathyeshëm heminguejanë, është pikërisht ai sharm i rinisë kosovare, i atyre studentëve të mrekullueshëm, të cilët nuk ditën të sprapsen, i patën të qartë se çfarë kërkonin dhe ia dolën një ditë të fitonin Kosovën e tyre të dashur.

Autori ka një stil të ngjeshur ,një fjali të shkathët nga buron eleganca e të shprehurit poetikisht,gjithashtu ai e zotëron më së miri aftësinë përcjellëse të rrëfimit ku gëlojnë bulëzat e një narracioni inkadeshent.E shtrin rrëfimin horizontalisht po nuk harron ta mbushë atë gjer në thellësi me përshkrime të bukura dhe adekuate, përshkrime që mbushin një vërtetësi të hijshme.Kujtojmë këtu përshkrimet e dashurisë,të cilat shtjellohen me mall rinor dhe që i përkasin vërtetësisë së saj,përshkrimet e vijës së kufirit të cilat mbesin në mendje dhe e sjellin kohën me origjinalitet.Kjo aftësi përshkrim ndjellëse e autorit vërtet është veti e lindur po edhe një tregues se për të shkruar roman, nuk duhet vetëm njohje kontaktore sipërfaqësore e pastaj të lodhësh fantazinë, por njohje e thellë,punë, përkushtim ndaj asaj që ke ndërmarrë për ta ngritur në art.Përshkrimet gjithnjë sillen në situata ankthioze, ato janë larg idilit lirik, përkundrazi, funksionalizohen përmes ndjenjave , fateve dhe ngjarjeve dramatike.Vija e kufirit ishte një vijë vdekje të cilën njeriu duhej ta kapërcente me krye në thes.Sa gjak u derdh për ta shuar atë vijë, sa jetë njerëzish hëngri ajo dhe prapë nuk u ngop.Simbolika e saj është vetëtima e ndezur në mllefe të të fuqishmëve të cilët copëtuan një komb të tërë.Ajo vijë i ngjet një rrethi dantesk,prej nga duhet të kalosh nga një zonë e ferrit në zonën tjetër.Me të drejtë mund të thuhet se ky roman mund ta kishte titullin: Vija e ferrit,apo ferri i vijës përçudnuese, por autori ka zgjedhur një titull të thjeshtë, ka zgjedhur një datë e cila mbart një pikë kthese.Gjeniu LasgushPoradeci thotë:Kur të çlirohet Kosova, komunizmi nuk do vdesë, po do ngordhë.Ç`fjali brilante,ç`intuitë gjeniale .Pra, kur ra komunizmi ,Kosova fitoi lirinë.Data njëmbëdhjetë shërben si fill lidhës i gjithë atyre ngjarjeve,njëmbëdhjeta është pikënisja e protestave studentore dhe vdekja e diktatorit shqiptar.Simbolika lidhet jo si përkim fati që vjen përmes rastësisë,por ajo shprehet në kuptime të fuqishme kur disa data në historinë e një kombi vijnë si pasojë e një përpjekje titanike dhe shënohen aq natyrshëm.Në pikëpamje të dukjes, kjo simbolikë nuk është e hapur ,ajo mbetet nënkontekstuale si një llagëm i nëndheshëm mbushur me dinamit.Kjo simbolikë mundëson një shtrat të gjërë ideor në vërshimin historik të plotërisë së imazheve konkrete.Dy pjesët e kombit vuanin diktaturën, dy pjesët e kombit vuanin tmerrin e mungesës së lirive më elementare,gjë e cila pasqyrohet me mjeshtëri narrative në roman.

Romani i Kurtit është një roman karakteresh, të cilat herë shënohen e ngjizen artistikisht përmes konvecionalitetit si:Soron Gora apo Melez Gora e herë në thellimin ndiesor dhe veprimin e personazhit,siç është Diana, Ilir Kodra, Eli, etj.Këto karaktere mbarten në kohë përmes forcës morale kur u duhet të ndodhen në rrethana ekzistenciale e herë e fshijnë fytyrën e vënë maskën kur u duhet të përshtaten me kohën,me pushtetin dhe fëlliqësitë e tij.Kohë e ashpër traumatike duket se i përdor si kukulla disa, ndërsa disa të tjerë nuk i binden asaj, sado që kosto është e lartë.Si prozator që e njeh atë që shkruan, autori ka ditur t`i vizatojë këto personazhe,herë përmes sondimit psikologjik(Iliri,Diana),e herë përmes dy tre penelatave(të burgosurit).Nuk kemi përplasje direkte midis tyre,por përplasja vjen në rezultante të reflektimit që bëjnë ata në rrethanat e kohës, si rezultat i sjelljes, interesave ,reflektimit,kuptimit,apo vullnetit për të përballuar të keqen.Kështu ndodh me Dianën,të cilën autori e paraqet gradualisht;maska e kohës atë e ka shndrruar në një automat dhe mposhtje të vullnetit të vet.Maska e kohës i vjen në ndihmë të atit,dhe rrethit të shqipfolësve kolaboracionistë, kameleonëve që dinë ta mjelin çdo rrethanë .Por, mos vallë humbasin idealistët?Jo.Ata janë aty, ata e kanë shpirtin të pastër dhe zhabat e kanalit nuk mund të këndojnë në kreshtat e tyre.Në se ka një shoqëri që ka nevojë për idealistë, ajo është shoqëria shqiptare,ndonëse idealistët në çaste historike e pika kthese i ka pasur të shumtë,por në momente të qeta ka pasur edhe idealistë që për hir të lartësisë i kanë lënë zhabat të këndojnë poshtë këngës së tyre e madje të miklohen nga to.Këtë kumt e përcjell mirë romani.

Romani i ri i Kurtit është shkruar me nerv të fjalës ku vihen përballë dhe ballafaqohen dashuria me idealin,të jetuarit e lirë me normën e ngurtë, liria dhe robëria, jeta dhe maska, ideologjia dhe ardhmëria, ambienti social dhe dogma, lirizmi dhe epizmi,fati dhe loja e tij,ndjenja dhe detyra, koha si kohë reale me kohën filozofike, frika dhe heroizmi,jeta dhe vdekja, faji dhe pafajësia,ëndrrat rinore me ngushticat makthioze, e mbi gjithçka: dashuria e përballur me vullnetin për ta jetuar atë.

Të gjitha këto korrelacione janë ato rrjedha që mbushin një përrua narrativ që ecën shpejt ,gurgullon e shkumëzon në një temporitëm kohor mbushur me ankth ekzistecial.

Personazhi ështe i skalitur,veçmas Ilir Kodra.Ai i ngjet herë një Lysien Shardoni,me bukurinë, finesën dhe elegancën,me tërheqjen që u bën femrave; po në ndryshim nga ai ka një karakter solid dhe të admirueshëm,femra tek ai është botë, jo objekt;po më së miri ai ta kujton rininë sintezë të Ukshin Hotit,Adem Jasharit e Adem Demaçit dhe sa e sa djemëve heroikë të Kosovës të kalitur në vështirësi, idealistë të thekur,trima e të ditur që iu përkushtuan me zell çëshjtes kombëtare, atyre djemëve, gen i lartë i kombit shqiptar .Jo vetëm Iliri jetëson një individ konkret, po edhe me trajtimin artistik ai sintetizon.

Kurba estetike e këtij personazhi ngrihet përmes notave realiste të rrëfimit ,por merr edhe jehun romantik të rinisë dhe të kohës.Tek ai autori ka vënë syrin dhe veshin e asaj kohe, ka përgjithësuar dëshirat më të mira të një populli të tërë,dhe kështu Iliri bëhet një zëdhënës i dëshirave tona.

Muharrem Kurti shkruan me dorë të lirë dhe përgjegjësi të fjalës.Ai është një prozator spontan dhe i kujdesshëm njëherit; i përgjegjshëm dhe tërheqës në lexim, jetësor e frymor në fjalë, përshkruan mirë mjedisin e vendos në kohë njerëzit,duke u ndalur në detaje që funksionalizojnë përmes forcës së tyre jetësore po edhe marrin peshë në shtratin ideor të romanit.Përshkrimet e kufirit janë mahnitëse ,ashtu si edhe zbërthimi i botës së femrës, përshkrimi i jetës studentore si dhe i skenës së burgjeve,përshkrimi i Shqipërisë komuniste dhe figurave hije të sigurimit të shtetit .Përshkrimet e Kurtit e mbajnë vulën e kohës, ashtu siç edhe tërheqin për forcën e tyre shprehëse poetike.Kështu narrativa, tek ky autor, jetësohet përmes një stili dinamik dhe ngrohtësie të frazës e cila sublimon ndjenjat njerëzore, kjo narrativë i largon ngjyrat gri edhe pse flet për një kohë amorfe ku kërcënimi dhe vdjekja rrinë mbi kokë.Pse ndodh kjo;autori e mbështet personazhin në optimizmin e jetës ,sepse personazhet e tij janë të fortë dhe idenë e lirisë e kanë si gjënë më të shtrenjtë.

Në pikëpamje të strukturës mund të themi se autori ndjek një linjë që imponohet nga fati i personazhit dhe detyrat që i ka vënë vetes, ndërthurur kjo në sfondin e ngjarjeve. Personazhi është i kushtëzuar nga vetja dhe nga rrethanat, ai bëhet bartës i gjithë atij mundimi që duhet të mbartë me trimëri.Fraza e Kurtit është e shkurtër, lakonike dhe me peshë mendimore.Ajo nuk stiset, por shtjellohet gjithnjë në masën e duhur të shkrimit dhe shfaqjes së saj.Autori ,nga dita në ditë, po na tregon se po e rrit nivelin e vet dhe me këtë roman, ky tregues është i dukshëm.Romani vendoset mirë në kthimin e vëmendjes drejt letërsisë serioze që di të trajtojë tema të rëndësishme kombëtare,sociale e ekzistenciale,të një romani që di të shkrijë dhe harmonizojë gjithë këto tema dhe motive,larg prozës së thatë, intime të ngushtë me zhbirime të kota të shpirtit në modën e të dukurit interesant.Talenti i Kurtit na flet përë një prerje tjetër të një shkrimtari serioz,i cili nuk ngutet,sepse në letërsi nuk ka rëndësi sasia, por vlera e veprës letrare.Si një autor që trajton një realitet të zymtë, ai di të largojë retë e zeza dhe të japë diellin e jetës, sepse i tillë është populli i Kosovës,popull që nuk iu dorëzua të keqes historike,i pamposhtur në dashurinë e vet për trollin dhe lirinë e shumëndërruar ,që ,më në fund, erdhi në ato troje nga durimi ,sakrifica, maturia dhe gjaku i atyre të rinjve,bij dhe bija të një populli me histori dhe kurajoz.Romani i Kurtit mbetet një manifest poetiko-dramatik i lirisë së çdo populli i cili nuk i kursen sakrificat në emër të lirisë, gjithashtu ky roman e përmbledh bukur gjithë atë histori tronditëse të individit që e shikon veten pazgjidhshmërisht të lidhur me fatin e popullit të vet, duke transmetuar mesazhe të mëdha humane.Duke qenë roman i ngjeshur me veprim dhe intesitet ndjenje, romani lexohet me një frymë dhe konkretizon bukur një epokë dhe shkrinë gjithë fazat e saj në një poetikë të vetme:poetikën e lirisë dhe dashurisë për të.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s