Poezi nga ALI R. BERISHA
NË FUND TË POEZISË NJERIU
LISI
Lisi qëndron krenar mbi hijen e vet
krenohet edhe hija me freskun e vet
lisi i madh rri naltë, shikon përpjetë
hijen e tij e mbarojnë me dorë gjethet
ai që rri nën lis nuk ka hije. Ai
nuk ka gjethe as lisin e gjetheve.
Lisi, gjethet, hija dhe
ai që rri nën lis
për ta falenderuar hijen.
NË FUND TË POEZISË NJERIU
NJË (a secili i) RI
Në çdo anë njerëz
që lëvizin si krimbat
shpëtimtarë si ilaçet
që shpëtojnë e sakatojnë
E kush pa ta sot mundet?!
Bëhuni rrjesht
dhe
se
cili
merr
eni
nga
një
Duhet ta kesh ngapak –
shumë ngapak njeri
më ngapak se helmin
Nëse e përdor ngapak
do vdesësh
Nëse e përdor nga shumë
do vdesësh
Kur je i detyruar
të përdorësh ilaçin
përdore të barnatores
Edhe gojët janë
si barnatoret
shërojnë e helmojnë
Këndejpari ka njerëz!
E kush sot pa ta mundet,
– bëhuni rrjesht dhe secili
merreni nga një njeri!
përdoreni ngapak njeri,
shumë ngapak,
më ngapak se helmin.
Dhe s’ke qare pa e përdorur
se do të vdesësh.
Ilaçi s’ del nga goja,
mësa helmi –
del nga fjala.
KUSH E KA BERË GURIN
Kush e ka bërë memec
gurin, tokën, njeriun
Kush e ka ftohur aq shumë
gurit gjakun kush ia ka ngri
Gjithato palca guri
pa gjak
Guri dhe emri i tij
në fund
Guri pa këmbë
me gjak të palëvizshëm
dhe më i
rëndë se guri.
PËRMBAJTJA
Toka s’po na le brenda
– hyjmë kufoma
dhe dalim skelete
– s’ka faj toka
ka faj njeriu
Ashti – asht
më e mira gjuhë
nën tokë
më jetëgjatja e palak.
TJETËRKËND S’ KAM KË TA PYES
E pyes vetën time
ku qe para dy zet vjetësh
kur një njeri më afrohej
mythaz drejt meje
e nuk e dija si quhej
Një njeri që vinte mythaz
drejt meje dhe mori n’thua
e pyeta
ku ke qenë qe dy zet vjet
Po t’isha në vendin tend
shtatoren do t’ia ndërtoja
vet vet ës
do ta ftoja
më të shtrenjtin përurues
dhe më të shtrenjtin duartrokitës
Sot u bënë dy zet vjet
e dyzetvjetori
ende s’ka ardhur
Më shumë t’i di
se sa t’i them.
NUK BËHET
Vetë dheu nuk bëhet qerpiç
Nuk bën bukë vetëm fara
Vetëm guri s’bëhet mur
S’bëhet nënë vetëm gruaja
Dhe as babë vetëm burri
Nuk ka dritë vetëm ditën
E as nata s’ jep veç terr
Vetëm njeriu bëhet njeri
dhe njeri njeriu.
NGUCJA SI SFIDA
Një samar më duhet
për të mi qitë në tokë
qimet e kresë
N’ e sigurofsha samarin
s’do t’i frikohem më
ditës së vështirë –
do ta kaloj më kollaj
se ato të parat
Nëse e siguroj samarin
as kapuçi as miza
nuk do të mund të më
sfidojnë.
TË VDEKURIT E TË GJALLËT QË E NJOHIN SHOQISHOJIN
Në anën time tani është pranverë
atje nata i shplodh shpirtërat
hëna i mbulon njerëzit dhe terrin
duke i kapërcyer gardhiqet
e ato s’kërcasin, prandaj qent
nuk e ndjejnë dhe s’lehin në të
Atje në anën time është pranverë
e këtej dimër e fiu
borë thinja frikëvdekje vetmi
mall për visin tim
Atje më ngrohen veshkët
uji është i pijshëm
ajri i thithshëm
gardhiqet plot therra
Një plak e pyet një fëmijë
“I kujna je”! e pastaj
“U rritsh”!
3.-
Atje i kam të mitë
të vdekurit e të gjallët
që e njohin shoqishojin
e ku mund të zdërhahem
Atje s’më lavdojnë
por as me më sha s’më shajnë
as me më shty s’më shtyjnë
Ana ime kurrë s’më ka lënë
sythatë as kujtimzbrazët
Këtu jam e anën time e shfletoj
dhe e ndali sikur të kishte
këmbë për të ikur
Pastaj diçka tjetër marr e shfletoj
për t’ua gjetur vendin ëndrrave
Ditët e atjeshme
më mbesin kujtime
Vendet – rrëfime
Njerëzit – tregime
E unë mos-harruesi i tyre
Për diellin e atjeshëm s’kam
çka të them
ai ështrë këtu.
METAMORFOZË
Dikur e kam dashur trimërinë
Trimërinë dhe trimëritë
Dëshiroja të bëhem trim
Të bëhem trim, e trim mbi trima
Tani m’është zvordhur ky merak
Ka hyrë ajo në zemrën trime të kriminelit
Në zemrën trime të dhuntarit
Që tulatet para gruas
Në gjoksin, zemrën, gojën trime të kapardit
Të kapardit kapardisës
Që shkapardet para parties
Çartet sysh nëse bjen në burg
Trimave të sotëm
Njerëzit u duken miza
Miza e filiza
Trimi sot nxjerr gërklana njerëzish
Ia qin njëqindmijë nanat njeriut
E çon me një nokaut te zoti
Ia qin robt kundërshtarit
Ia qin minjt n’zid
Po nëse e kundërshton
Ia qin edhe zotin edhe token
Ai është i vështirëkuptueshëm
Dhe tërësisht i papushtueshëm
U ngefoset tjetrit që të pirdhet
Zinxhiri i artë i lëveret n’qafë
Si karaxhës laku
E më godet pyetja:
-Kur do bëhet hero ky njeri kaq trim!?
-Përse e pyet frikkeqin?
-Se do guxoj te varri
Luletrimet t’ia çoj.
VIZITA NË SPITALIN E FJALËVE
Në spitalin e fjalëve shkova
ta vizitoj njërën prej tyre
që kishte të thyer kafkën –
i kishte mbetur aty
shishja e cikrrueme
para se të vinte në spital
kishin vendosur ta denonin me vdekje
90 me 10
mbrohej fjala
që tërë jetën u rropat të jetojë e vdekur
për të vdekur e gjallë
I dhane në intimitet:
infuzion, internet, intelekt, inbox, interaktivizim,
internacional dhe instancë në fund
kur ia rrasen gjysmëshishen në kafkë
u be për spital
“Do te sherohet!” – tha konziliumi
Ilaçnat nuk e mbysnin
e mbanin as të gjalle as të vdekur
Në spitalin e fjaleve
mjeket punonin me skafandra
kurse kafken e te semures e kishin futur në
izolimin politikomedicinal
-Bile me telefon! – i luta.
-Shko pra në barnatore dhe blej
fjalët telefonike të dezinfetuara!
FJALËT KOPILE
(Kur fjala lind para mendimit të voglin e lind sakat)
Fol unë, fol fjala; Fjala bënte fja, fja, fja,
Unë ia ktheja; ha, ha, ha,
Kështu, kur ne të dy bluajmë nfjalë të bluara
Le të lind njëherë asgjëja
E më pas të lind gjëja
Përditë fjalë kopile lindin fjalamanat
Për vit hamë mana e thana
Dhe e bëjmë m. sa sana
Veçse njëherë në vit
E jo përditë`
FJALA SI LAJM
Unë jam fjala, e bija e fjalës,
E bija e fjalës e përtej fjalës.
Disa më thonë e bija e shtatqindve
Ose – shko në të fjalës!
Ose të daltë fjala në ballë!
Unë jam fjala,
Që s’më zihet vendi vend.
Njëri më shanë,
Tjetri më dhinë,
Njëri më jashtqet,
Tjetri më përpinë.
Ai që zgjohet më heret
Ma lë zgërlaqin para deret.
Vetë bëj turr – vetë edhe tulatem,
Bëj prapë turr – vetë stërprapem.
Sot ua bëj veshët kaush,
Neser si i dhimë, se
Nuk ma var kush.
Fjalët i kruajnë kruarjet e trurit,
Dinë dhe të rrinë kruspull pranë murit.
Njëra nuk hahen, të tjera nuk pihen,
Shumë sish nuk grihen, të tjerat nuk …
Ka shumë që as shiten as blehen
Dhe aso që fare s’shkërdhehen,
Q… këtu, shkojnë e pjellin ngjeti,
Kur bjen gongu pshurren ndërveti.
Nadje fjalët përsëriten
Diten pjellin posa të përçiten,
Derë më derë duke u endur,
Vajevijnë për t’u përfendur,
Kur ca politikanë masturbojnë
Gratë e tyre ua përvëlojnë.