PERSONALITETE TË SHQUARA PËR NËNËN TEREZE / Nga: Anton Nikë Berisha

PERSONALITETE TË SHQUARA PËR NËNËN TEREZE

 

 

anton-berisha-840x420

Nga: Anton Nikë Berisha

 

Figurën dhe veprën e Nënës Tereze më së miri e shprehin dhe e përligjin veprimet konkrete të saj për njeriun, sidomos për të varfrit e më të varfërve, për të mjerët e të harruarit nëpër rrugë, për të cilët nuk kujdesej askush për arsye se merreshin si të “pavlerë” dhe “barrë e tepërt shoqërore” si dhe tekstet e ndryshme, tekstet e lutjeve dhe letrat, një pjesë e të cilave tashmë janë bërë publike.

Mirëpo, për njohjen e gjithanshme dhe thellësore të figurës dhe të veprës së Nënës Tereze rëndësi të veçantë kanë dhe mendimet dhe vlerësimet e bashkëpunëtoreve dhe të bashkëpunëtorëve, të njerëzve profesionesh të ndryshme, të artistëve e të shkrimtarëve, të politikanëve e të personaliteteve të shquara, që e takuan dhe e njohjen në veprime dhe në flijime konkrete.

Të merresh me mendimet që kanë shprehur të tjerët për Nënën Tereze, brenda tyre edhe me mendimet e personaliteteve të shquara botërore, domethënë të merresh me një lëndë tepër të gjerë, të thuash, të pafund. Për këtë arsye, në këtë kumtesë, që ka për qëllim ndriçimin e disa përbërësve kryesorë për qenësinë e figurës së Nënës Tereze e të veprës së saj, kam veçuar vetëm disa nga mendimet – vlerësimet e personaliteteve të shquara që mundësojnë njohjen më të thellët shpirtit të saj. Po e përmend këtë gjë për arsye se kam përshtypjen se një numër i madh i njerëzve tanë ende nuk e kanë kuptuar mirëfilli punën që bëri Nëna jonë Tereze dhe rëndësinë e veprës e të masazhit që ajo i la trashëgim njerëzimit.

Duke e vlerësuar lart punën për mbrojtjen e jetës dhe të dinjitetit të njeriut pa marrë parasysh prejardhjen, shtresën shoqërore dhe pasurinë materiale si dhe flijimin e saj për tjetrin, veçmas për më të varfrit dhe më të mjerët, Gjon Pali II, pati thënë: “Thellësisht e falënderoj Zotin që na dha këtë grua të besimit të patundshëm[1]”, e cila, si Misionare e Dashurisë, misionare e paqes, misionare e jetës[2], “Dëshmonte gjithnjë mbrojtjen e jetës njerëzore, edhe atëherë kur porosia e saj nuk pëlqehej. E gjithë jeta e Nënës Tereze ka qenë një himn për jetën. Takimet e saj të përditshme me vdekjen, me gërbulen, në AIDS-in dhe me çdo lloj të vuajtjes njerëzore e bënë dëshmitare të çmueshme të Ungjillit të jetës. Deri edhe buzëqeshja e saj ishte një “po” për jetën, një “po” e hareshme, e lindur nga besimi e nga dashuria e thellë , një “po” e pastruar në kënaqësinë e vuajtjes[3]”.

Papa Gjon Pali II theksoi sidomos besimin e palëkundur të Nënës Tereze në Hyjin dhe në Birin e tij Krishtin, që i dhanë forcën dhe vullnetin për t’i dashur e për t’u flijuar për të tjerët, për t’i dashur ata me dashurinë hyjnore; ishte lutja e vijueshme drejtuar Hyjit për t’u sjellë atyre hirin dhe dritën e Tij, sidomos të mjerëve dhe të braktisurve nga familja dhe shoqëria. Flijimin e saj konkret për të varfrit e më të varfërve, Nëna Tereze e mbështeti në përcaktimin e qenësishëm ungjillor: “Kush do(n) të jetë i madh midis jush do të bëhet shërbëtor i juaj” (Mk 10, 43).

Nëna Tereze i çmonte të gjithë njerëzit njësoi: krijesa të Zotit dhe flijohej për ta në të njëjtën mënyrë, prandaj thoshte: duaje tjetrin pa e ditur si e ka emrin. Për këtë përcaktim të saj, Gjon Palli II thoshte: “Rënkimi i Krishtit në kryq ‘Kam etje’ (Gjn 19, 28), që shpreh thellësinë e dëshirës së Hyjit njeri, ka hyrë në shpirtin e Nënës Tereze dhe ka gjetur një truall të pëlleshëm në zemrën e saj. Shuarja e etjes së dashurisë së Krishtit në njësim me Marinë, Nënën e Tij, qe bërë qëllim i vetëm i jetës së Nënën Tereze dhe forcë e brendshme, që bënte të tejkalonte vetveten e të ‘shkonte me vrap’ nga një anë e botës në tjetrën me qëllim të veprimit për shpëtimin dhe shenjtërimin e të varfërve nga më të varfrit[4]”.

Sipas pasardhësit të Shën Pjetrit, Nëna Tereze e prirë dhe e përshkuar nga drita hyjnore, ishte shndërruar në Birin e Hyjit, Krishtin:

“Në buzëqeshjen e Nënës Tereze, në fjalët e në veprimet e saj, Jezusi ka ecur (shtegtuar) edhe një herë tjetër nëpër rrugët e botës[5]”.

Pikërisht cilësitë e tilla të Nënës Tereze kushtëzuan që Gjon Pali II të thoshte një nga cilësimet më të rëndësishme për këtë bijë të popullit tonë:

“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël të dashuruar në Hyjin, kumtuese e përvuajtur e Ungjillit dhe mirëbërëse e palodhshme e njerëzimit (…) T’ia pranojmë mesazhin dhe ta ndjekim shembullin e saj[6]”.

Nëna Tereze nuk qe shembull për dashurinë dhe flijimin për të varfrit vetëm gjatë jetës, po vepra dhe mesazhi i saj vazhdojnë të kenë po atë vlerë edhe pas ndërrimit të jetës së saj. Kështu në trevjetorin e ndërrimit të jetës së Nënës Tereze, Gjon Palli II pati thënë:

“Me kalimin e viteve kujtimi i saj bëhet më i gjallë se asnjëherë tjetër.

E kujtojmë me buzëqeshjen e saj, me sytë e saj të thellë, me kurorën e saj të rruzares, me dashurinë e saj konkrete, të gjallë, që e shpinte atje ku pak vetë kishin guximin të shkonin, ku mjerimi ishte aq i madh sa të fuste frikën.

Më bëhet se e shoh ende në shtegtimin nëpër botë duke i kërkuar të varfrit nga më të varfrit, përherë e gatshme të krijonte hapësira të reja të dashurisë, e mirëpritur nga të gjithë si një nënë e vërtetë[7]…”

Papa Gjon Pali II, e pati theksuar edhe prejardhjen e Nënës Tereze. Në vizitën historike që i bëri Shqipërisë, më 25 prill 1993, në Katedralen e Shkodrës ai pati thënë:

“Nuk mund të mos e përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dimë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj.

Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është nderuar gjithmonë[8]”.

Në të vërtetë, të dhënën se Nëna Tereze ishte shqiptare dhe se emrin e vajzërisë e kishte Gonxha Bojaxhiu, e thotë ajo vetë në Letrën e 7 shkurtit të vitit 1948 dërguar kardinal perfektit të Kongregatës së Shenjtë për besimtarët e Romës, në të cilën kërkonte lejen për të dalë nga rendi i Loretos, të shekullarizohej, në mënyrë që të merrej vetëm me të varfrit e më të varfërve, me jetimët dhe me të gërbulurit. Në këtë letër drejtuar Vatikanit, Nëna Tereze përmend prejardhjen dhe emrin e vajzërisë:

“Kam hyrë në Institutin e së Lumes Mari Virgjër në tetorin e vitit 1928; më 1931 i kam bërë kushtet e para, ndërsa ato të përjetshme më 1937 në Darjeeling. Punoj në Indi (Bengala) nga viti 1931. Jam e lindur shqiptare, por kam jetuar me prindërit e mi në Jugosllavi[9].

Letrën, nisur kardinalit – perfektit të Vatikanit, Nëna e përfundon:

“Shërbëtorja e përvuajtur e Hirësisë suaj në Krishtin,

Motra Maria Tereze, IBVM,

Në vajzëri zonjusha Gonxha Bojaxhiu[10].

Për Nënën Tereze dhe rëndësinë e veprës së saj shprehu mendimin dhe kryeministresha e Indisë, Indira Gandhi. Ajo vënte në dukje se për Nënën më e rëndësishmja ishte dashuria dhe flijimi i jashtëzakonshëm për tjetrin, shërbimi për tjetrin, sidomos për ata që kishin nevojë; ishte lutja drejtuar Hyjit që e kushtëzoi gjithë veprimin dhe flijimin e saj. Indira Gandi thoshte:

“Ja…Nëna Tereze, e cila nuk bën më të voglin diskriminim rreth ngjyrës, gjuhës dhe besimit. Ajo e bën jetësore të vërtetën se lutja është përkushtim (devotshmëri), është shërbim. Shërbimi është detyra e saj, është feja e saj, është shpëtimi i saj. Ta njohësh Nënën Tereze domethënë ta kuptosh përvujtërinë absolute dhe forcën e dashurisë[11]”.

Kryeministresha e Indisë theksoi për Nënën Tereze edhe këtë: “Është kështu e vogël, po asgjë s’është e vogël në të[12]”.

Nëna e shpaloste edhe vetë besimin e saj të thellë në Hyjin, por dhe cilësitë e shpirtit të saj, dhuratë e vetë Hyjit: “I dashur Jezus (…) Hyn dhe pushtoje tërë qenien time derisa e gjithë jeta ime të jetë një rrezatim i jetës sate. Shkëlqe në mua në mënyrën që çdo njeri që ta takoj ta ndjejë praninë Tënde në shpirtin tim. Bën që të vështrojnë e të shohin, jo mua, por vetëm Jezusin. Qëndro me mua e unë do të filloj të shkëlqej si Ti, të shkëlqej për të qenë dritë për të tjerët; drita, o Jezus, do të jetë e gjithë e jotja, asgjë nuk do të jetë e imja; Ti do të shkëlqesh mbi të tjerët nëpërmjet meje[13]”.

Njësimi i këtillë i Nënës Tereze me Hyjin dhe dritën e tij, pati kushtëzuar që ajo të thoshte: “Zemra ime është aq e pastër që unë mund ta shoh fytyrën e Zotit në vëllain tim, në motrën time, në zezaken, në lakuriqen, në atë të gërbulurën, në atë që është duke vdekur? Kjo është ajo për çka duhet të lutemi[14]”.

Natyrisht dashuria e Nënës Tereze për tjetrin i kishte rrënjët në përcaktimin ungjillor: “Nëse e duam njëri – tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer. Me këtë gjë e dimë se mbetemi në Të edhe Ai në ne: na e ka dhuruar Shpirtin e vet (…) Hyji është dashuri, dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të” (1Gjn 4, 11 – 16)[15].

Artistja italiane me famë botërore, Sophia Loren, vinte në dukje dy nga qenësitë kryesore të Nënës Tereze: dashurinë dhe flijimin e pakursyer për tjetrin, sidomos për ata që nuk përfilleshin dhe nuk çmoheshin nga të tjerët, cilësi që e bënin atë gruan më e bukur në botë:

”Sot të gjithë duhet të jenë të bukur. E të gjithë përpiqen të jenë të bukur. Për këtë gjë shfrytëzojnë marifete dhe kirurgjinë plastike. Diçka që të gjithë kanë nevojë, pse jo? Megjithatë, absolutisht nuk është e qenësishme. Bukuria e vërtetë është ajo që e kemi brenda. Nëna Tereze ishte e bukur. Ishte gruaja më e bukur e botës[16]”.

Shkrimtari, gazetari, regjisori i shquar dhe ushtarak i lartë anglez dhe rektor i universitetit të Edinburgut, Malcolm Muggeridge[17], i cili nuk ishte i krishterë, në vitet ’70 të shekullit XX, shfaqi disa mendime me rëndësi për qenësinë e punës – veprimit të Nënës Tereze e të Misionareve të Dashurisë. Vepra e tij “Të bëjmë diçka të bukur për Zotin[18]” dhe filmi i tij me të njëjtin titull, mundësuan njohjen e punës së saj e të motrave që Nëna i udhëhiqte me përkushtim hyjnor.

Duke vlerësuar punën e Nënës Tereze Muggeridge theksonte: “Do t’u takojë brezave (të ardhshëm) të përcaktojnë se Nëna Tereze ishte ose nuk ishte shenjtëreshë. Them vetëm se në kohë të errëta, ajo është një dritë që flakëron dhe ndriçon; në kohë të egra është një personifikim i gjallë i Ungjillit të dashurisë së Krishtit; në kohën që Zotin e duan të vdekur, ajo paraqet Hyjin që jeton midis nesh, plot e përplot me hire e të vërteta. Për këtë arsye, të gjitha ata që kanë pasur përparësinë e paçmuar që ta njohin ose të mësojnë për të, duhet t’i jenë mirënjohës për amshim[19]”.

Në vijim të ndriçimit të rëndësisë së veprës së Nënës Tereze, ky personalitet thoshte: “Kurrë nuk e kam provuar një ndjesi aq të përsosur të njëjtësimit njerëzor ashtu si me Nënën Tereze midis të varfërve të saj. Dashuria e saj për ta, reflektimi i dashurisë së Zotit, i bën aty të gjithë të njëjtë si vëllezër e motra në kuptimin e një familje, megjithëse ndryshojnë dukshëm për cilësi intelektuale e kulturore, për bukuri trupore e për hijeshi[20]”.

Në bisedën “historike” për rrjetin televiziv të BBC me Nënën Tereze Malcolm Muggeridge[21] theksoi një nga çështjet më të qenësishme për të kuptuar mirëflli jetën dhe veprimin e saj: “Duke e mohuar vetveten, ajo do ta gjejë vetveten[22]” dhe “Duke hequr dorë nga vetvetja, ajo bëhet e vetvetes[23]”.

Në vijim të ndriçimit të mëtejshëm të këtij përcaktimi të qenësishëm të Nënës Tereze, Muggeridge thotë: “Është e vërtetë: personat e përkushtuar tërësisht si Nëna Tereze s’kanë biografi. Duke folur në mënyrë bibliografike, atyre nuk u ngjet asgjë. Të jetosh për të tjerët, siç bën ajo dhe motrat e saj Misionaret e Dashurisë, domethënë t’i shmangësh të gjitha rrethanat në të cilat hyjnë Uni dhe vullnesa vetjake[24]” dhe “Ajo, një motër, mjaft e brishtë, me pak rupie ne xhep, jo aq profesionale e jo e përshtatur në artin e bindjes, e mbushur vetëm me atë dashurinë e krishterë që e rrezaton rreth e përqark saj, që vërshon nga zemra e nga buzët e saj, ishte njëmend e gatshme të përcjellë Zotin e saj, e, sipas urdhrave të Tij, të çmojë çdo të braktisur fatkeq e të tillët që vdisnin buzë rrugëve thuajse ishte ai Vetë; të dëgjojë në çdo të qarë të fëmijës së braktisur, edhe në bubërrimën e dobët të një fetusi të abortuar, klithjen e Fëmijës së Betlemit[25]…”

Pra, Nëna Tereze e mohoi veten për të mirën e tjetrit, në veçanti për të varfrit e më të varfërve, siç theksonte Muggeridge:

 “Besimi i Nënës Tereze është i parrënueshëm dhe do të mbijetojë, për këtë jam i sigurt, pa marrë parasysh çfarë fantazie ose marrëzie mund të ndodhë në të ardhmen. Jeta e saj është tepër e qartë për t’u zhdukur; Zotynë, të cilin ajo e ndjek, i është shumë afër që të mund të ndahet. Kjo mund të dëgjohet në fjalët e saj dhe në jetën e saj të shikohet drita e Rrëshajës së parë, që vazhdon të shkëlqejë deri në ditën e fundit[26]”.

Sipas shkrimtarit anglez qëllimi kryesor i Nënës Tereze dhe i Misionareve të Dashurisë ishte të bënin diçka të bukur për Zotin, që është e lidhur ngushtë me – të bësh diçka të bukur për njeriun: “Të bësh diçka të mirë (të bukur) për Zotin është qëllimi i jetës së Nënës Tereze. Të gjitha gjërat që bëhen për Zotin, çfarëdo të jenë ato, bëhen të mira; e njëjta gjë ndodh me çdo shpirt njerëzor që e bën të veten këtë qëllim, cili do që të jetë, burrë ose grua. Duke e provuar në vete, në jetën e vet dhe me punën e vet, Nëna Tereze dhe Misionaret e Dashurisë përbëjnë një dëshmi të gjallë të fuqisë dhe të së vërtetës të asaj që Jezusi erdhi të predikojë. Drita e Tij shkëlqen në to[27]” dhe “Çdo ditë Nëna Tereze e takon Jezusin, së pari gjatë meshës, nga e cila nxjerr ushqimin dhe guximin; pastaj në secilin shpirt të çdo nevojtari e të përvuajturi, që ajo e sheh dhe kujdeset për të. Është i njëjti dhe vetëm Jezusi në altar dhe në rrugë. Njëri pa tjetrin nuk ekziston[28]”. Me një fjalë, Nëna Tereze dhe motrat e saj flijoheshin për të varfrit me dashurinë e Hyjit: “Ato duan t’i ofrojnë Zotit gjithçka… Kjo bindje dhe kjo dashu-ri është ajo që i nxit ta shprehin gëzimin. Kjo është arsyeja që ju i shihnin motrat përherë të hareshme. Nuk janë të detyruara të jenë të gëzueshme: janë të lumtura natyrisht për arsye se janë të vetëdijshme se kanë gjetur atë që kërkonin[29]”.

Meqenëse Muggeridge e shoqëroi Nënën në disa veprime të përditshme dhe i vizitoi shtëpitë e hapura nga Misionaret e Dashurisë për të varfrit dhe njerëzit me të meta fizike e mendore, tha: “Duke e shoqëruar Nënën Tereze për të parë këto aktivitete të ndryshme me qëllim që t’i filmonim – nga shtëpia e atyre që janë para vdekjes, e të gërbulurve e të fëmijëve të braktisur – vërejta se kalova nëpër tri faza. E para ishte e një tmerri të përzier e të mëshirës, e dyta e një dhembshurie të pastër dhe të thjeshtë dhe e treta e një ndjenje shumë më të lartë se dhembshuria, diçka që nuk e kisha provuar më parë: një vetëdije që këta njerëz para vdekjes dhe këta të mjerë, më shumë burra se gra, këta të gërbulur me krahë e duar të cunguara, këta fëmijë të padëshiruar, nuk ishin qenie të neveritshme, që të fusin tmerrin, ose të braktisur, por qenie të dashura e simpatike, si të ishin miq të moteve të shkuara, vëllezër e motra[30]”.

Fakti se kur Nëna Tereze takohej me njerëz rrezatonte dritën e Hyjit dëshmohet dhe nga fjalët e shkrimtarit Muggeridge: “Kurrë nuk e kam takuar një person që më ka bërë aq përshtypje sa ajo. Ka mjaftuar të kuvendosh me të shpejt dhe për pak çaste, për të pasur një kujtim të pashlyeshëm. Kam njohur persona që s’kanë mundur t’i mbajnë lotët kur kanë vërejtur se është nisur (larguar), edhe pse takimi mund të ketë zgjatur vetëm sa për të pranuar një buzëqeshje të saj, duke e pirë një gotë me çaj[31]”.

Duke e konkretizuar edhe më tej këtë cilësi të Nënës Tereze, Muggeridge shkruan: “Kur treni u nis, duke u kthyer prapa i vetëm, përjetova brenda përbrenda ndijimin që e gjithë bukuria dhe hareja e gjithësisë të kenë shkuar me të. Kisha përshtypjen se një pjesëz e përgjithshme e dashurisë së Zotit po përhapej në Nënën Tereze, duke u dhënë tipareve të saj të thjeshta një përndritje të qartë. Ajo jeton kështu e njësuar me Zotin e saj, e cila e përhapte rreth vetes të njëjtin nur të sjelljes së thjeshtë të Mjeshtrit, kumtarit të shpëtimit, kur turma e njerëzve e përcillnin të mahnitur nga Jerusalemi në Galile[32]”.

Po e mbyll këtë kumtesë me dy mendime të motrës Mary Nìrmala Joshi, pasardhësja e parë e Nënës Tereze në drejtimin e Misionareve të Dashurisë.

I pari lidhet me përmasën konkrete dhe hyjnore të Nënës Tereze, gjatë kohës sa ajo ishte gjallë. Ajo thoshte:

“Varej (Nëna Tereze) krejtësisht nga provania hyjnore për të gjitha nevojat tona e për ato të të varfërve[33]… Më kujtohet se sytë e Nënës Tereze shikonin përtej kësaj bote. Nëna Tereze i qe dorëzuar në mënyrë të thellë, absolute, vullnesës së Zotit e, Zoti, e përdori si vegël për dashurinë e tij[34] (…) Zemra e Nënës digjej nga dashuria për Krishtin – Eukaristinë (në kungim), të cilit ajo ia kushtoi krejtësisht dhe paanësisht jetën e saj, me një besim të përzemërt në Të, e Ai e shndërroi (Nënën Tereze – v. ime) në Veten e vet. Kështu, kur njerëzit e shihnin atë, në realitet e shihnin vetëm Krishtin[35]”.

Mendimi i dytë i Mary Nìrmala Joshi lidhet me rëndësinë që Nëna Tereze e ka edhe pas ndërrimit të jetës, kthimit të saj në “shtëpinë e Atit”:

“Dëshmia dhe mesazhi i saj janë bërë të çmueshëm për persona të çdo feje, si shenjë që Zoti edhe sot e do botën. Në pesë vitet e fundit pas vdekjes së saj shumë vetë i janë drejtuar asaj për të kërkuar ndihmë dhe kanë provuar dashurinë e Zotit përmes ndërmjetësimit të saj…Të gjithë të sëmurët, ata që vuajnë dhe gjithë ata që kërkojnë ndihmën e Zotit gjejnë tek Nëna Tereze një mike që ndërmjetëson për ta[36]”.

 

 

[1] Giampaolo Mattei, Io, Nìrmala. La storia dell’”erede” di Madre Teresa di Calcutta. 37 Collana Campioni. Ellenici, Leumann (Torino), 1999, f. 21.

Të gjitha citatet në këtë kumtesë të përkthyera nga italishtja, gjermanishtja e kroatishtja, nëse nuk përmendet përkthyesi, janë të autorit të punimit.

[2] Papa Gjon Pali II thoshte: “(Nëna Tereze) e shpall Ungjillin me jetën e saj dhuruar krejtësisht të varfërve, po në të njëjtën kohë, kridhet në lutje”. Cituar sipas Madre Teresa, “Il mio segreto: Prego”. Raccolta di preghiere. Tratti dagli scritti di Madre Teresa a cura di Padre Giuseppe Giacomelli, Editrice Shalom, 2000, f. 17 – 18.

[3] Madre Teresa, “Il mio segreto: Prego”, vep. e përm., f. 22.

[4] Madre Teresa, “Il mio segreto: Prego”, vep. e përm., f. 18.

[5] Mendimin e Papës e mora nga libri i Maria Di Lorenzo, Madre Teresa. Lo splendore della carità. Paoline. 2° Edizione, Milano 2003, f. 125 – 126. Këto fjalë papa i tha në trevjetorin e ndërrimit të jetës së Nënës Tereze.

[6] Marrë nga: Madre Teresa, “Il mio segreto: Prego”, vep. e përm., f. 17 – 19.

[7] Maria Di Lorenzo. Madre Teresa. Lo splendore della carità, vep. e përm., f. 125 – 126.

[8] Fjalë të thëna në Katedralen e Shkodrës. Shih Papa në Shqipëri. 25 prill 1993, Radio Vatikani – Drita, 1995, f. 36.

[9] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta. A cura di Brian Kolodiejchuk. Rizzoli, Milano 2008, f. 124.

[10] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 125.

Përkatësinë kombëtare Nëna e përmendi dhe me rastin e marrjes së shpërblimit Nobel për paqe në vitin 1979. Me atë rast u tha gazetarëve:

“Nga gjaku jam shqiptare, shtetësinë e kam indiane. Për sa i përket fesë sime jam motër katolike. Sipas përkushtimit tim i përkas gjithë botës. E për sa i përket zemrës sime i përkas krejtësisht zemrës së Jezu Krishtit”. Cituar sipas Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio. Paoline 8° Edizione, Milano 2007, f. 160. Shih dhe Teresio Bosco, I pensieri più belli di Madre Teresa. Editrice Elle di Ci, Leumann (Torino) 1999, f. 5 dhe f. 59.

[11] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi. 3° Edizione, Paoline Editoriale Libri, Milano 2003, f. 101.

[12] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 161.

[13] Madre Teresa di Calcutta, Il mio libro di preghiere. A cura di Francesco Follo. Mondadori, Milano, 2002, f. 57 – 59.

[14] Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 65.

[15] Shih për këtë dukuri dhe enciklikën e papës Benedetto XVI, Deus caritas est. Lettera enciclica. Libreria Editrice Vaticana, V Ristampa 2006.

[16] José Luis González – Balado, Madre Teresa. Ricordo e messaggio. Edizioni San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano), 200, f. 181.

[17] Malcolm Muggeridge lindi në Londër më 1903; është autor i më së 20 veprave dhe i një varg filmash. Për disa vite ishte ushtarak i lartë në ushtrinë britanike, pastaj dy vjet rektor i Universitetit të Edinburgut (Skotlandë). Biseda e tij e njohur e bërë me Nënën Tereze në vitin 1970 për rrjetin televiziv të BBC, bëri një bujë të jashtëzakonshme në Angli dhe në vende të tjera të Evropës. Rreth kësaj bisede Muggeridge thekson: “Përgjigjet e Nënës Tereze qenë skajshmërisht të thjeshta dhe përsosshmërisht të sinqerta: aq sa pak u gjeta në vështirësi për ta vazhduar mëtej bisedën”. Shih Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio. 3. ed. Ottobre, Edizione Pauline, 1974, f. 23.

Shih të dhënat për këtë autor në Malcolm Muggeridge, Isis čovjek koji živi. Preveo Dr. Tomislav Pervan. “Krščanska sadašnjost”. Zagreb 1983, f. 5 – 6.

[18] Titulli në origjinalin anglisht: Malcolm Muggeridge, Something Beautiful for God. Mother Teresa of Calcutta. Harper & Wow. New York 1971; shih përkthimin në italisht Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio. 3. ed. Ottobre, Edizione Pauline, 1974.

[19] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 144.

[20] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 18.

[21] Libri i tij me titullin “Something Beautiful for God. Mother Teresa of Calcutta” – Të bëjmë diçka të mirë për Zotin” për Nënën Tereze dhe për motrat e rendit Misionaret e Dashurisë, shërbeu si bazë për shumë autorë që shkruan dhe botuan më vonë libra për Nënën Tereze. Ishin mendimet – tekstet e Nënës Tereze që kushtëzuan citimin aq të shpeshtë të librit.

[22] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 10.

[23] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 11. Ky autor thekson edhe këtë: “Duke e mohuar vetveten ajo e gjeti vetveten, sipas virtytit të shndërrimit unik të Krishtit, përligjur në Kryqëzimin e në Ngjalljen, për të cilën ne vdesim për të vazhduar të jetojmë”. Shih veprën e tij Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 10 – 11.

Papa Gjon Pali II thoshte: “Njeriu e gjen veten në mënyrën më të plotë duke e dhënë vetveten”. Shih Gjon Pali II me Vittorio Messorin, Të kapërcehet pragu i shpresës. Gjonlekaj Publishing Company, New York, 1998, f. 223.

[24] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 10.

[25] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 17.

[26] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 55 – 56.

[27] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 123.

[28] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 128.

[29] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 104.

[30] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 49.

[31] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 11.

[32] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 12.

Një grua ateiste, pas takimit me Nënën Tereze tha: “Ja çka pashë kur e takova: e pashë Atë. U ndërrova përgjithmonë. Pashë në të atë që do të mund të isha, një vend ku Zoti jeton pa pengesa, i lirë të lëvizë e të shprehë qenien e vet. Ajo i la Zotit atë vend brenda saj dhe ua dëshmonte të tjerëve. Bënte të mundur ta shihnin atë që do të mund të ishin. Kur fliste, të gjithë qetësoheshin. Mbërrinin njerëz me ankthe e kureshtarë, të lodhur e të vuajtur, e të gjithë qetësoheshin falë pranisë së saj të kredhur në lutje. Në të e shihnin Zotin. E shihnin Zotin në veten e tyre”. Shih Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa. Traduzione di Alessandra Borgonovo e Claudia Valentini. Rizzoli. Milano, 2009, f. 178.

[33] Giampaolo Mattei, Io, Nìrmala. La storia dell’”erede” di Madre Teresa di Calcutta, vep. e përm., f. 27.

[34] Giampaolo Mattei, Io, Nìrmala. La storia dell’”erede” di Madre Teresa di Calcutta, vep. e përm., f. 21.

[35] Giampaolo Mattei, Io, Nìrmala. La storia dell’”erede” di Madre Teresa di Calcutta, vep. e përm., f. 27..

[36] Këtë mendim Mary Nìrmala Joshi e tha në pesëvjetorin e ndërrimit të jetës së Nënës Tereze; cituar sipas Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm., f. 116.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s