Poezi nga Mimoza Çekiçi Rista
LUMË I ZEMËRUAR
Ti nuk e di se kur jemi të zemëruar,
e fjalet i groposim në një varr të heshtur,
unë shtrihem në krevat krejt e lënduar,
ndërsa shpirtit nis e bie një shi i dendur.
Vjen dhe ti, por kthehesh në anën tjetër,
dhe mëri më mban, megjithëse nuk kam faj,
unë nuk duroj, përdor atë trukun e vjetër,
të prek si padashje, me zemrën në vaj…
Sepse unë nuk rri dot e zemëruar,
mëria nuk më shkon dhe ti këtë e di,
ndaj, pas pak, ashtu si pa kuptuar,
si pa dashje nis e më prek edhe ti…
Frymën ta ndjej dhe frymëmarrjen shpejtoj,
përmes frymës ndjej të ngjallem përsëri,
me puthje mbi ty, me vrull lumi vërshoj,
e në ç’ det derdhem nuk dua ta di.