Poezi nga Myrteza Mara

Posted on September 10, 2016

0


myrteza

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

MIQ TË VJETËR

 

Këmbëkryq
ulur dëshpërimi
mbi hijen time!
Herë e mbart në shpinë,
herë më tërheq zvarrë;
siamez të ishim
aq shumë s’do ngjanim.

Miq hallesh
shkëmbejmë piketa udhëtimi,
herë shtigjet i hap unë,
herë dëshpërimi.

Eh,
edhe në kohët e reja
mbetëm miq të vjetër,
dëshpërimi s’gjen dot si unë,
por edhe unë s’gjej dot tjetër!

Ecim nëpër rrugët e mpira,
krrusur nga dimri,
herë thyej akullin unë,
herë dëshpërimi!

 

 

NË VEND TË TRENDAFILIT

 

Kur të zgjohesh nesër në mëngjes
Në vend të trëndafilit do gjesh një poezi
Është si petale parfumuar me vesë
Është si ato puthjet që më dhuron ti.

E di, do buzëqeshësh me këtë dhuratë
“Ah, ti!”-do thuash lehtë nëpër buzë
Por unë me poezi të shlodh çdo natë
Ty të kam motiv, të kam dhe muzë.

Të kam varg, melodi të fishkëllimës
Të kam magji në syrin e ëndrrës
Je ti dhe në avullin e psherëtimës,
Patjetër ne pentagramin e këngës!

Si nuk u lodhe, si nuk u mërzite!
Përkdheljet e mia tufan mbi gjethe,
Unë një shkëndi, ti e tëra digjesh
Unë valë deti, ti dallgë tërmetesh.

Tani je në gjumë, unë mbi tastierë
Vargjet i bera gati për udhëtim
Me kalin e besës do fluturojnë si erë
Ta sjellin sa më shpejt shpirtpoezinë!

Kur të zgjohesh nesër në mëngjes
Në vend të trëndafilit do gjesh poezi
Është si petale parfumuar me vesë
Është si ato puthjet që më dhuron ti.

 

 

KËRKOJ NJË LEVË

 

Kjo botë-mrekulli, kjo dhuratë e Zotit,
Këtu ku kemi djepet dhe këngën e bukur
Këtu detet dehen nga dallgët e lotit
Këtu dhe magjitë ngjajnë si një flutur!

Këtu çdo gjë ka lind nga frym’e shenjtë,
Por shpirtin e njeriut e mundi keq djalli
Poetët duan një levë, se s’ka më vend
Këtu çdo ditë po vjellin lumenj zjarri!

Ta lëvizim këtë botë në një tjetër orbitë
Këtu është akull, këtu është shumë nxehtë
Këtu ka ditënetë, por këtu nuk ka dritë!
Arkimedë ka plotë, por duhet një levë.

Arkimedë u bënë në majë të kolltukut
Të eturit për natë, të etur për mjegull.
Ata që nga klithmat ngjasojnë me ujkun
Ata që si dhelpra pështyjnë çdo pjergull.

Një levë dhe rrokullima do bëhet ortek
Ata pa rrënjë do të shkojnë pas erës
Një levë dhe bota shkon n’orbitën e vet
Ndryshe, e lodhur, në gojën e humnerës!

 

 

BESOMË

 

Unë s’të premtoj dot qiellin me kate,
As një mal të egër me ortek të çmendur.
Veç shtratin e hënës në gjoksin e një nate,
Zjarrin e shpirtit ndezur nga këngët.

Unë nuk të premtoj parajsën e pasvdekjes,
Atje prehen shpirtrat lodhur nga kjo botë.
Por vetëm zemrën time me dritat e jetës,
Dhe rrënjët e dhimbjes mbjellë mbi lotë

Nuk do e kem zili kaltërsinë e qiellit,
Kur shikoj ty në pasqyrën e syve.
Më ngjanë aq shumë me urën e ylberit
Atje ku bëhen sfilatat e gjithë yjeve.

Unë nuk të premtoj të të fal dy jetë,
Dhe shpresa të mbartet në botën tjetër,
Por vetëm këtë që është e vërtetë,
Më beso, zemër, tjetra është gënjeshtër!

Nëse në lutjet e mia do shikosh akull,
Do jet dita e parë e ikjes në pakthim
Prandaj portat e zemrës po t’i le hapur
Brenda tyre ke gjithë detdashurinë!

 

 

Posted in: POEZI