PSHERËTIMË / Proza poetike nga Luan Maloku

Posted on September 10, 2016

0


luan Maloku

Proza poetike  nga Luan Maloku

 

 

PSHERËTIMË

 

Hëna nga qielli klithë heshturazi, kur i dëgjon notat mbi tastier që derdhen në thellësi të botës.
Jetë e ndjeshme si psherëtimë dallgësh të tërbuara.
Dhembshëm thërret mjellma e plagosur në bregun e lotonjës.
Unë kështu e kuptova magjinë e dashurisë. Hej… jeta qenka vetëm një psherëtimë.

 

 

NË BOTËN E SHPIRTIT TIM

 

Zgjohem shumë herët mëngjeseve, kur të tjerët janë ende në gjumë.
Gjithçka është ndryshe kur jam vetëm, më duket e zbrazët shtëpia, më duket se edhe muret e shtëpisë vuajnë pa ty, pa zërin tënd.
Do të ringjallet çdo gjë, në çastin që do të hysh botën time të vogël, në botën e shpirtit tim.

 

 

NUK MUNDEM PA TY

 

Sa bukuri kur të kam afër, dhe e ndjej dashurinë tënde engjëllore, përqafimin tënd të ngrohtë.
Ti që ma shëron shpirtin e zemrën e plagosur, ti që m’i freskon netët e nxehta.
Pa ty gjumi nuk më merr ylli im polar, fundosen detit të pafund, nuk ia dal dot pa ty. E dashuria që pulson dejve të trupit tim fillon të ndalet.
Më qëndro afër dashuri dhe ndjeje ritmin e fortë të zemrës sime.

 

 

MË MUNGON SHUMË

 

Më mungon shumë engjëllushja ime e bardhë. E ndjej mungesën tënde, etjen , zërin tënd të bukur dhe tërheqës, përkëdheljen tënde që ma bën mua me ato duar të buta që ngjallin sall dashuri.
E dashura ime ti je pikturë e kornizuar në timen kujtesë. Më ke munguar dhe më mungon çdo herë.
Sa kohë kaloi e zërin s’ta dëgjoj. Medet, sa ndihem i dobët pa ty.

 

 

E TEPËRT FJALA

 

Mëngjesi do të duket më i errët se nata, pa zjarrin e shpirtit tënd.
Nëse ndonjëherë kthehesh prapë tek unë, do të jetë e tepërt fjala në heshtjen e dashurisë.
I përmallshëm do të jetë takimi me ty, kupto, sa e shkurtër jeta dhe sa e gjatë pa ty…

 

Posted in: PROZE