Poezi nga Genc Kastrati

 

14137872_1177297772329040_1539745651_n

Poezi nga Genc Kastrati

 

 

“Takim” miqësor me Bukowski-n

 

Sot takova një shok të ri,

Charles-in, prej familjes Bukowski.

U takuam rastësisht rrugës,

teksa po ecnim menduar trotuarit.

– Hi!

– Hi,- i dhamë nga një përshëndetje njëri-tjetrit,

në kalim e sipër

dhe një “Hey” tingëlloi…

– Më fal, ke një ndezëse për cigare?

Po mbante një cigare në dorë

dhe unë si duhanxhi i madh që jam

i thashë:

– Po,- dhe me mirësjellje ia ofrova shkrepsen.

-Thank you! – më tha, – dhe vazhdoi:

– Nga je ti ?

– Nga ajo lagjja matanë liqenit.

– You “fucking idiot”, nuk të kam parë asnjëherë.

I thashë:- Dhe as unë, ty!

– Po ti ku jeton?- e pyeta.

Më tha:- Pranë “fucking” liqenit dhe unë.

Mbeta pak i habitur nga gjuha që po përdorte;

i ashpër, e thashë t’ia kthej dhe unë po me të njëjtin intensitet.

– “You fucking man look like a lowlife”,

i parruar, i palarë, me lecka trupit…

-Eh,- buzëqeshi,- kështu,- tha,- janë poetët;

shumë herë dhe pa gjumë

duke ëndërruar për bukuroshen buzëkuqe,

që rri diku fshehur duke qëndisur çorape leshi,

për ngrohjen e dashurisë.

U ndamë me nga një “Take care!”,

e ftova për një birrë miqësie

dhe në ndarje e sipër më tha:

– O, ti djalë i ri!

Nuk ke nevojë të pish me mua;

unë jam i dehur që nga lindja,

ku tani për çdo ditë mes vargut tim njërëzit pijnë

në një lumë vere nga shpirti im,

që buron nga parajsa.

-Ok, bye! – i thashë.

 

 

Lundroj për ty

 

Sonte kam lënë zemrën të vallëzoj mes yjeve

Me shndrisin si sytë e tu të falur në qiell

I kam hapur të gjitha portat e dëfrimit

Dhe kam zbarkuar në barkën e vetmuar

Në natën e detit jam bërë pirat dashurie

Lundroj me shikim të hutuar rrënqethës

Për të parë tokën sa e vdekur sa e largët

Me janë rrafshuar të gjitha kodrat por ti je ngritur në mua

Si shkëlqim drite që bie nga qielli më ke ngrirë e mpirë

S’me ke vrarë por ndezur si qiririn në errësirë

Afrohëm ngadalë e s’mund t’i rris këto valë

Që të zgjohet deti, të ikë nga shtrati i tij

Të më shpije tek ti si një margaritar i një puhize ere

Fjetur në butësinë e shtratit që e ke shtruar

Reflektim i tij të ndriçojë bebezat e syve të tu

E unë të çmallëm në sirtaret e trupit tënd.

 

 

Po afron ditëlindja  44

 

Po afron numri 44 i ditëlindjes

do i fryj 44 qirinj të flakës

mbi ndonjë ditë fëmijërie

mbi ndonjë ditë në spital,

mbi ndonjë ditë në shkollë

dhe për ditë të kaluara dashurie.

Të gjitha vitet me mua në marshim

duke u plakur me pjekurinë

tani jam bërë si lisi i kohërave

që rri mpirë dhe përcjell furtunat tutje

degëve nëpër lisat e rinj

e vetë nuk ndien asgjë shtatit.

Mbeta ai që isha në fillim

çunaku çapkën i hershëm

tashmë në vite më të moçme.

Më kujtohet kur isha fëmijë

ndërsa lozja me shokët në lagje

kur uleshim të pushonim

duke biseduar dikush thoshte

ka vdekur ai komshiu mbrëmë

sa vjet kishte pyesnim, 40

na dukej aq i vjetër e i harruar

sikurse toka e antarktidës

Sot kur kujtoj shtatorin tim të 44’t

kuptoj që vitet qenkan vetëm numra

që mbahen për evidencë

në çertifikatën e lindjes së një shpirti

dekori i vetëm i gjallë përgjatë tërë jetës.

 

 

Shpirti i saj

 

E doja shumë,

sa herë që shkoja tek shtëpia e saj

ta thërras të dalim për takim,

i fishkëlleja dy – tri herë

dhe ajo dilte në ballkon,

ma bënte me dorë duke më thënë:

“Përshëndetje zemër, erdha, më prit!”

e vinte vrapit ashtu krejt shkujdesur tek unë

e pyesja: “Nga do të shkojmë sot?”,

ngase më ishin sosur të gjitha vendet e shëtitjeve,

më thoshte: “Të tregoj unë se në ç’vend…”

më kapte për dore si një fëmijë dhe çdo herë

kishte një vend të ri për të,

gjithmonë më dukej sikur po më çonte

në një vend të fshehur të parajsës;

sa i bukur ishte udhëtimi me të,

më mrekullonte shpirti i saj entuziazt.

 

 

Dilemë

 

Nëse më do dhe më harron

dhe pendohesh e më do

dhe prapë më harron

e përsëri kthehesh më do,

kjo nuk është se më ke dashur,

ti vetëm se nganjëherë

më ke dëshiruar

në ndonjë natë

të befasishme për ty,

me hënë te plotë

dhe me qiellin

e yjëzuar.

 

 

Tek femra

 

Tek femra e kam dashur gjithmonë vetëm inteligjencën,

pastaj çdo gjë tjetër mes nesh shkonte bukur;

si notat muzikore në pentagram

ishte prezenca e tyre.

Femra të tilla janë tërë melodi

dhe sa herë që je në shoqerim me to

është ndjesi e veçantë,

sikur shtrojnë përherë darkë solemne

për lumturinë.

 

 

Ne po flasim

 

Ne po flasim dhe nuk e di se për çfarë flasim,

kuptoj që një dialog na ngërthen gjithnjë mes vetë

dhe vjen duke u rritur një pështjellimi të mendjes

disa mendime, thënie e pastaj prapë

edhe diçka mbetet pa u thënë;

them desha t’ia them edhe këtë,

dhe atë, fjalë…

Eshtë mbushur një pus i pafund dëshirash për ty,

ato sa vijnë dhe shtohen si yjet në qiell

e tunden gjoksit si valët e detit,

një oqean gufon me ty;

asnjëherë pa u thënë e gjitha që zemrat kanë.

Pyes pse janë kështu gjërat kaq kokëforta

dhe mbysin njeriun përbrenda tij e ti sado që ta duash heshtjen,

tenton edhe ti të thuash diçka shumë me rëndësi,

tek lind tjetra dëshirë brenda sekondës,

harrohet ajo që ishte çastit më parë;

bota është e pamëshirë, ajo nuk lë asnjëherë të lëshohet,

nga çdo degë e zemrës

një shpirt prej njeriu për dashurinë e tij.

 

 

Nuk do ta  besosh kurrë

 

Nuk do ta  besosh kurrë që unë të dua;

aq më tepër kur akoma

nuk ke kaluar këndej pari; dhe pa ditur gjë ti,

ke një shpirt që të adhuron

aq pashmangshëm, sa vetja ime.

Në pyllin e dendur ledhaton mbrëmja,

mbi pragun e vetmisë fryjnë erëra dashurie,

deri tek zbulimi i syve të tu jam duke e ndjekur dëshirën,

një përcëllimi brenda shpirtëror.

Nuk do ta besosh kurrë që unë të dua,

derisa të bëhet e ditur për ty,

kanë për të na ndarë rrugët deri në Amazonë,

kur të mos ketë mbetur as dhe një rrugicë e vetme,

që do mund të iknim nga njëri – tjetri.

 

 

Për kafe me Eseninin

 

E kishim lënë të takohemi në tarracën

e lokalit të vjetër, tek dajo Sasha.

Kishte kaluar ca kohë pa e parë mikun tim

të mirë e të dlirë, Eseninin.

Duke e pritur kisha kthyer shikimin poshtë rrugës

ku njerëzit ngarendnin si një turmë mizash,

secili për të grabitur një copë rrezeje dielli dhe buzeqeshjeje,

të një dite të bukur.

Nuk vonoi shumë dhe ia behu ai shtatëgjati,

me flokët me ngjyrë prej floriri.

Dukej sikur po i flinte dielli mbi kokë.

Pa e zgjatur shumë biseda mori udhën e vet

të një çmalljeje mes miqve

që i kishte ndarë koha,

tallazeve të jetës.

Shihej që rakia, mërzia dhe dashuria

i kishin ardhur në majë te hundës,

derisa filxhanët mbushur me kafe po bënin një intermexo;

akoma pa i kërkuar ato,

kaloi pranë Ljudmilla me një përshendetje elegante;

djemtë çapkënë e quanin “kuçka e fshatit”.

Nuk i bëri shumë përshtypje;

biseda tashmë kishte marrë një kahje serioze;

po kujtonim një shok të vjetër që u nda papritmas nga ne;

duke më thënë:

“Miku im, të jetosh nuk është asgjë e re,

por as dhe të vdesësh, më beso”, –

dhe vazhdoi duke thënë që kur të mos jem, do gëzohen kurvat,

kurvat femra dhe meshkuj,

ato që nuk ua plotësova një natë në shtrat

dhe ata që nuk ua pranova hipokrizinë në shoqëri.

Tek u ndal duke grabitur filxhanin e drejtoi me dorë nga unë,

si për një çakërrim mes gotave të pijes,

buzëqeshi paksa i vrenjtur në fytyrë e tha:

“Gëzuar!”

 

 

Imazhit tënd

 

Imazhit të spirales së jetës

Kam ngujuar fytyrën tënde

Ku cdo ditë nga ti pikturoj

Nga një pjesë të pjesës sime

Nisur nga sytë e tu

Prej shikimit të kristaltë

Përtej horizontit ëndërrimtar

Që ngulitet si një shigjetë

Ti shpon kurorën imagjinare

Të qiellit tim

Duke u përfytyruar lavdisë sate

Ti zhytesh ndjenjave të mia

Si notare e tejdukshme

Labirintheve të brendësisë

Dhe tani kur fytyra jote

Është kompletuar sfondit tim

Kuptoj që je e pafund

Dhe e gjallë cdo kund

Mbështjellur nurit të bardhësisë

Si zgjimi i freskisë së mëngjesit

E mbuluar me petkun e ngrohtësisë

Ke okupuar shtratin tim të imagjinatës.

 

 

Apokalips

 

Mbetën rrobat varur në drunj

Nuk i thau as erë e ftohtë stuhie

Rrezja e diellit nuk i tkurri

Ikën fjalët si vetima me huj

E pas tyre vajten edhe shpirtërat e lënë

Kur pyjet e dendura gëlltitën hijet

Të njerëzve lakuriq të veshur

Me petkun e jetës në zgërdhime

Kur budallenjët e çoroditur bënë sehir

Atëherë luajtën mendsh edhe të mençurit

Të gjithë ikën bashkë, lanë shkretëtirë

Dhe shkretëtirat u bënë dete

E detërat u fundosën në mbyllje të syrit

Në buzëqeshje e lot lamtumire.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s