Poezi nga Marjeta Shatro
Tinguj të largët
Ne fluturojmë mbi krahët e ëndrrave.
e largojmë tutje gjendjen kotësi,
duke soditur bregun,
përthyerjen e dritave të vaporëve në reflekse verbuese.
Meditojmë e priremi filozofisë jetë
Përhumbemi mes realitetit dhe ëndrrës së dikurshme,
e gjurmëve valë, në valsin e tingujve të largët.
E vetme
E endur në eterin e kësaj bote,
Tisit të mjegullt të pakuptimësisë
Flas me mosqeniet e kohës
Me shpirtrat e tyre
e shpirti im si zog i plagosur
nga dhimbja loton.
E vetme,
gjysmë-e gjallë e gjysmë-e vdekur.
lidhur me pranga perëndish.
joshur nga parajsa e botës në amshim!
Jetoj vetminë e thellë
Mbetur robinjë ëndrrash pa kthim !
Gjurmë jete
Ditët rrëshqasin një nga një,
Herë të qeta e herë me zë.
Ikin pa kthim e nuk kthehen më.
Rrugëtojmë në humnerat e ndërgjegjes
Me pikëllimin e ngjyrave gri
e mijëra pikëpyetje ngritur
në më të fshehtën thellësi memorie.
Rënkojnë shpirtrat e zbrazur
Regëtijnë pafajësinë jetë
Ardhur ashtu gjysmë botësh
Gjurmë klithmash fatesh trazim
Në pluhur trupat tanë shndërrohen.
e si frymë do kthehen sërish
të parrokshëm si retë.
Sonatë
O ëndrra ime e bukur,
që vezullon më të bardhën dashuri
ti që qiejt e shpirtit farfurin
mos më braktis netëve errëti.
Falma qeshjen ujëvarë
Sytë mbushëm me më të ndritshmit yje
Zemrën me trëndafila të kuq!
E botën me aromë magjike dashurie!
Çdo natë do të hap derën e shpirtit
e zemra të gufojë prej të madhit gaz
Dhuromë ngjyra dhe tingujt më të ëmbël
Çdo çast për mua të jetë një sonatë.