Rreth aktit krijues të poetit dhe përkthyesit Agim Mato – Një poezi me tone të forta liriko-dramatike dhe filozofiko- ekzistenciale / Nga : Hyqmet HASKO

Rreth aktit krijues të poetit dhe përkthyesit Agim Mato

Një poezi me tone të forta liriko-dramatike dhe filozofiko- ekzistenciale

 

 

Hyqmet Hasko- 2

Nga : Hyqmet HASKO

 

 

Kur kërkojmë nëpër rrugët dhe gjurmët e një letrari në kohë, në përcjelljet krijuese, që në thelb janë vetë fytyra dhe profili i tij estetik, ballafaqimi i parë që bëjmë është ai me sivëllezërit e tij të të njëjtit brez, me faktin se çfarë e bashkon dhe çfarë e ndan këtë krijues dhe aktin e tij letrar me të tjerët.
Poezia është toka ku me sa duket ka ngulur kullën e tij estetike Agim Mato, me themele të ngulura fort në traditën më të mirë poetike shqiptare, të pasuruar me elementë të rinj të modernitetit, që e bëjnë poezinë e Matos një poezi me tone të forta liriko-dramatike dhe filozofike ekzistenciale. Tematika e poezisë së tij është e shtrirë më shumë në thellësi se në vijë horizontale, si rrokje temash nga përditshmëria, miti apo historia, pra ka të bëjmë më shumë me unin dhe transhendencat e tij se sa me realitetin e raporteve njerëzore apo të raporteve të tjera që e rrethojnë poetin.

 

14390747_1367557883273163_8685529156729640931_n

 

Kolonat mbi të cilat mbështetet arti poetik I Matos janë strukura e zhdërvjellët poetike, figura e gjallë dhe e freskët, imazhi fin, fuqia dhe thellësia e mendimit poetik, kontrapunti me të cilin vë në lëvizje përqasjet në kohë dhe hapësirë, moderniteti në shpalimin e të vërtetave estetike që na përcjell.
Agim Mato hedh në telajon e tij poetike ngjyra nga më të larmishmet dhe krijon një peizazh të thyer të shpirtit njerëzor, ku lëvizin dhimbja, gëzimi, optimizmi, dashuria për jetën, iluzioni, ëndrra e kulluar, ankthi ekzistencial, malli, idili, dashuria, erotizmi, pra një botë e tejmbushur pasionesh, përjetimesh, mbresash dhe emocionesh, që vërtiten në vargjet e tij si në një karusel.
Në vëllimin poetik “Fundo” poeti trajtëzon palcën e identitetit të tij psikogjeografik, shpirtëror dhe etik, duke e shkrirë unin e tij me blunë e thellë të Jonit, të cilin e konsideron një dashuri të madhe që shkon deri në sublimitet. “Fundo” është një mënyrë origjinale e të vështruarit të botës, pa shpjegime, pa arsye të veçantë, pa rekuizita, pa retorikë dhe shtampa, pra shkurt një mënyrë e të parit të botës me syrin e Agim Matos.
Agim Mato është bir i detit dhe deti është i qetë, por i thellë, trazimet i ka së brendshmi, në botën e nënujshme ku pulsojnë ritmet e një jete të panjohur. Kështu dhe vargjet e Matos pulsojnë së brendshmi, më shumë se nga teksti nga nëntkesti, më shumë se nga mendimi nga fuqia përfytyruese e poetit. Aty këtu shpërthen me një duf të papërmbajtur, por të cilin na e përcjell me figura të gjalla e plot kolorit gjuhësor:
Erdhi ora
Gjersa lëkurën s’na e kanë rjepur për
sediljet e makinave luksoze
çohuni! ….
Tek vëllimi me poezi “Jashtë eklipsit” tonet poetike të Matos bëhen më të forta, mendimi më i ngjeshur, figurat më dinamike, mendimi poetik më modern, duket se poeti është zhytur më thellë në përsiatjet e tij rreth vetes e të tjerëve dhe, siç thotë me të drejtë Borgesi: “Thellësia është e errët”. Gjendjet e tij lidhen përsëri me Jonin, me bregetin, me valët, me mitologjinë e detit, me fuiqinë shndërruese të kësaj mitologjie në psikologjinë e njeriut modren dhe të vetë unit të tij poetik. Trazimet e poetit janë trazimet e vetë njeriut bashkëkohor, në luftë me natyrën dhe vetveten, për të dëshmuar genin e tij, arkitipin shpirtëror, etik e social, me të cilin e lidh kohë-hapësira e përdishmërisë.
Natyra e jashtme shkrihet në poezinë e tij me shpirtin e brendshëm të poetit, tingujt joshës të kohës shkrihen në notat e ndjesive që vallëzojnë në pentagramin e një muzike dehëse dhe shndërruese, në kuptimin e fuqisë së ndikimit tek njeriu bashkëkohor.
Poeti ngazëllen, qan, qesh, sfidon, ëndërron, ndizet nga pasioni i bukurive të fjetura që flejnë në gjirin e natyrës dhe në vetë shpirtin njerëzor, prek i ngazëllyer një realitet të thyer dhe bëhet pjesë e ëndrrës së kulluar.
Akti poetik, si akti që i afrohet aq shumë frymës hyjnore, është një proces i katharsisit shpirtëror të një qenie elitare, siç është poeti, i cili nuk mund të jetojë thjeshtë fizikisht dhe të dëshmojë thjeshtë ekszistencën e tij materiale, por e ka të domosdoshme të jeteojë dhe në një mënyrë tjetër, simbolike, për të dëshmuar vektorin rrëzëllitës të bukurisë për bashkëkohësit e çoroditur nga bota e konsumizmit.
Profili poetik i poetit Agim Matos është ai i një krijuesje me një ndjeshmëri të lartë, me tenika vjerëshërimi midis tradicionales dhe modernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.
Poezia e tij është një endje e imagjinatës dhe realittetit, si kujtesë, si ndjenjë dhe përjetim emocional, në shtrirje horizntale e vertikale, me një diapazon të gjërë lirik e dramatik, ku protagonist, në pjesën më të madhe të poezive, është vetë uni i vetë poetit, marrëdhëniet e tij me jashtë-unin, me kohën dhe bashkëkohësit. Ajo është reflektim i botës shpirtërore të poetit, i atij procesi njohjeje e selektimi etik, moral, filozofik, estetik, që e shtyn poetin në udhëtimin e tij drejt të bukurës, drejt fisnikes.
Zhbirimet e holla psikologjike, etike, filozofike të Agimit në poezitë e tij më të mira, tregojnë shkallë të lartë mprehtësie dhe inteligence natyrale, fuqinë e një poeti të lindur për të na dhënë peizazhe të thyera të jetës së gjallë dhe të shpirtit njerëzor.
Në imazhet poetike që përcjell poeti shkrihet koha dhe hapësira e të ndodhurave reale me fiskionin dhe trillin estetik. Ata shprehin një botë të pasur shpiërtore, plot thyerje dhe digresione, ku horizontalja dhe vertikalja shkrihen dhe priten në të njëjtin vektor poetik.
Poezia e këtij poeti është një mozaik kërkimesh spontane dhe të vetedishme në shpirtin e fshehtë të gjërave, të pamjeve, mjediseve, dukurive, gjendjeve dhe peizazheve jetësore, tokës, bjeshkës, detit, bregut, ëndrrës, komunikmit dhe ndjesive njerëzore, ku autori vendos kamerën e tij vëzhguese dhe interpretative, si bartës i një psikolgjie moderne të njeriut bashkëkohor shqiptar.
Agim Mato është dhe një përkthyes i talentuar që na ka sjellë në shqip përkthime të mrekullueshme, sidomos në gjininë e tregimit të shkurtër, që shumë pak është përkthyer në gjuhën tonë dhe që ka aq nevojë të vijë me anë të zërave më përfaqësues nga Europa dhe bota që lëvrojnë këtë zhanër letrar.
Antologjia poetike “Lotët e virgjër” kushtuar nënave, motrave, grave dhe vajzave për festën e tyre ndërkombëtare, ideuar dhe realizuar nga Agim Mato dhe Fatmir Terziu, që brenda kopertinave të saj mbledh njëqindedyzetepesë autorë nga të gjitha trojet etnike, nga diaspora dhe bota shqiptare, me krijimet e tyre për qenjen më të dashur, emri i të cilës është i shkruar me shkronja zemre dhe me dashuri shpirtërore shqiptohet në çdo kohë e në çdo rast. Vend meritor për këtë pasuri shpirtërore që ta kemi të gjithë që ndiejmë mall dhe konsideratë për këtë emër janë padyshim hartuesit e saj. Ata për një kohë sa kishin ndërmarrë këtë projekt pothuajse në çdo çast ishin kujdestarë në takimin e çdo autori e miku të kudondodhur në botë, që kishte nevojën e përkrahjes dhe këshillave për të mbledhur materialet dhe shkrimet e tyre, duke i përcjellë në një përmbledhje të përbashkët.
Agim Mato është një letrar dinjitoz, një zë i veçantë në korin shumëzërësh të letrave tona kombëtare. Me emrin e tij lidhet një krjimtari e bëgatë poetike, një angazhim serioz në fushën e përkthimit dhe një personalitet kultorogjik, që bën aq shumë që kultura jonë kombëtare të unifikohet e të bëhet pjesë e plotë e vetëdijes së kombit shqiptar.

 

H..@..B..H.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s