Poezi nga Seti Vladi
TI JE
Ti je dielli i larë me valë të arta,
magjia e netëve lagur me shi yjesh,
lulëkuqe grunoresh kanellë të përflakta,
je era dhe vapa me nektar pyjesh.
Ti je kurora me valë e brigjeve që zgjaten,
zambaku i bardhë mbi shkrepat e larta,
kënga dhe vallja përdore kur kapen,
skulpturë Perëndie gdhendur me dalta,
Ti je pëllumbi në qiell me krahët e bardhë,
lavdia në përjetësi me male e brigje,
je porta e shpirtit , parajsa e gjallë,
rrahjet e zemrës në deje e shtigje.
Në shekuj thellësie , një këngë e një zë,
një emër pafundësie që quhesh Shqipëri,
si shpirti do mbetesh dhe kur s’do jemi më,
veshur me humanizëm,fustanell’ e shenjtëri.
Seti Vladi@…23/9/2016
Shënim : Ju lutem, mos i bëni shpërndarje poezive, është vetëm e drejta e autorit!
BIJA E ILIRISË
( TEUTA )
I thjeshtë piedestali ku ngrihesh statujë,
pa kulla e bedena, sinjale madhështie,
Ti, legjendë shekujsh me fitore pa bujë,
me jehonë krojesh e plisash Ilirije.
Drini e Buna fytyrën të lanin ,
pasqyrë kishe liqenin kaltërsi ,
lulet për ty aromën shpërndanin ,
se ti vetë ishe nektar e dashuri.
Nimfë e detit me uniformē ushtare ,
Rozafa mbi shkëmb ta shkroi historinë,
me shpatën në dorë,mburoj’ e përkrenare,
nga Dyrrahu i lashtë vështron Ilirinë.
Shikon detin e trazuar ku ti fluturoje ,
përpara kishe më të madhen lubi ,
mbi valët e errëta e të egra luftoje ,
me ulkonjën romake, perandori.
Shikon betejat ku munde Epirin ,
dhe Korkyrës flotën në flakë ia dogje ,
me neveri shikon Dhimitër faqenxirin ,
shiti Ilirinë me tradhëti të pashoqe…
Si oshëtimë malesh, Mbretëresha Teutë,
në fronin e tretë mbretërove Ti ,
Ilirinë në zemër flamur e vutë ,
nga Gjiri i Ambrakisë, Liburnēt në veri.
Zemra jote me plagë shtizash gatuar ,
me copa deti e qielli Ilirie ,
me pllaka çeliku anijesh shkatërruar ,
me trumpeta fitoresh e qeshje fëmije.
U gatove me këngët në festat e gëzimit ,
me dashuritë e popullit nën lulet e mollës,
me thirrjet mbi dyrekët e anijeve t’luftimit,
me shirat, furtunat e reshjet e dëborës.
Të rriti ILIRIA me Diell Perëndie ,
Ti, yll i largët që ndrin gjithmonë ,
një melodi lahute, kreshento simfonie ,
je film epope i gjenetikës sonë.
Seti Vladi@… 20 /12/ 2015
Shënim: Ju lutem, mos i bëni shpërndarje poezive !!
Është vetëm e drejta e autorit.
Seti Vladi






























Leave a Reply