Poezi nga Xhemile Adili
KUR DO VIJ NË PRISHTINË
Kur do të vij në Prishtinë,
retë do tërhiqen nga rrugët, nga tavolinat,
shiu do harroj të plandoset mbi tokë, një moment,
të dehurit me gotat që cakrrojnë për buzëqeshjen time,
dhe pak më tepër do dehen,
ujqit, gjarpërinjtë do ulin flamujt e idiotësisë së tyre
në gjysmë shtizë…
Do kërkoj zemrën e poezisë, sytë e artit do kërkoj,
do kërkoj botën e lindur, botën e perënduar s’do gjej,
do ngriten trëndafilët e rrugës, “Agim Ramadani”,
“Nënës Tereze”, “Eqrem Qabej”…
harlisjet rinore të shesheve, ngarendjet bulevardeve
dhe do kërkoj akoma dhe me shumë trëndafilin që di,
atë me gajtanë të bardhë që sapo çelë, nuk mbyllet dot,
pa të cilin pranvera e njomë me lumin dhe fontanat
rrethuar me lule… nuk do më qesh, nuk do hapet.
Një pranverë si të tëra dhe si asnjëra, natyrisht.
Kur do vij në Prishtinë, do marr në dorëzim
kujtimet flakë të të gjithëve dhe do i mikloj qartë
me butësinë e mëngjeseve sublime të vargjeve të mi.
Nuk do ketë rehat zemra ime, truri do pëlcas,
rruga, ah rruga, do lidhet nyjë për sytë, besimin tim,
dhe do jem si trimi mbi kalin e bardhë të mitit të ri,
asgjë nuk do ikën, nuk do kthej asgjë, pa mua,
trotuari do hapet, si hapej deti te legjenda e lashtë,
do hapet dhe sheshi dhe bulevardi… ëndrra ime
do të zerë hapat e një kurore të fytyrës atje tej.
Është lumturia? Nxjerrja në dritë e një vepre time?
Ҁka do bëj këtë qytet, të hidhen në valle lulet e parqeve
e tarracave, ndërsa do m’i shohin ninëzat e ëndrrës lehtë?
Ҁka do bëj këtë qytet, buzëqeshjen time brinjë ta ketë?
Ҁka do bëj këtë qytet të frymojë lirshëm me zemrën time?
VJESHTA
Dua të shoh tufë fluturimesh e këngë të tyre,
lule që koloviten ngadalë erës dhe dallgë gëzimi,
fusha e male si ndërrojnë ngjyra, lumenj të fryrë,
drurë mbushur fryt, rrugë mbushur udhëtime varg,
dua të shoh përqafime, fjalë, puthje, ngjatjetime zjarr.
Sapo zbres në stacion, duar që përshëndesin pres.
Kap veturën, nisem drejt, qytet i lashtë më pret,
por nuk di, pse ti kudo nuk je? Ҁ’ngjanë? Ku je?
Të kanë këputur rrugën me thikë? Dritaren mbyllur?
Asfaltin kanë lidhur nyjë? Zogjve kërkuar, heshtni?
S’kanë shije ngjyrat, cicërimat, qielli, retë, rrugët,
luhet lojë e rëndë hijesh mesjetare prore para nesh.
Pse tërë kjo fabrikë fatesh, tërë kjo fermë dramash
e nuk preket lirisht një gjeth i blertë në natyrë?
Nuk pihen lirisht dy stërkala uji të kroit në fushë?
O perëndi, pse jetojnë hijet lidhur hidhur për fatin?
Pse s’ka liri të jetohet me vullnet, si ditën kur lind?
Pse mbret është terri i zi e mbretëreshë ligësia e tij?
Pse nata nis në mëngjes e viti nuk mbaron një ditë?
Pse, një okë pyetje në çast e përgjigje s’gjenë njeri?
Vjeshtë korrjesh të fatkeqësisë e gjëmësh të mëdha,
vilen rënkimet trotuareve, dhomave, korijeve ngado
e kurrë, kurrë s’pushon dhembja e gjaktë e shpirtit,
dua të shoh tufë fluturimesh e këngë të tyre,
lule që koloviten ngadalë erës dhe dallgë gëzimi.
DIELLI PATJETËR DHE PËR MUA DO LIND
Perëndia sot ndaj Njeriut bëri reverence
Nderim, të përkulur pak trupin,
Kurse njerëzit shpeshherë në pasqyrë
Shikohen mirë dhe rrallëherë
Veten guxojnë ta pështyjnë.
Ligësi e paparë? Por çdogjë s’ka përfunduar,
Dielli patjetër dhe për mua do lind.
S’ DUA KËNGË KOTI
Sonte tërë kohën kam ndenjur
Gju më gju me vetë perëndeshën
E luftës te romakët, Bellona.
I tregova pse doja, por pse s’munda
Të shkruaja përpikmërisht ditarin tim.
Dhe për dashuri, për zemrën njerëzore
Do bërë ledhe, sfrate; do bërë lufta.
Aspak dans të turpshëm, të njohurin kankan
Televizioni në mbrëmje po jepte një kanal.
Që pa gdhirë e përcolla tek aeroporti i parë,
Më tha se nuk qe romake, kur po ndaheshim,
Kohë e prapë sërish, kohë e re sërish po lind,
E di ajo që jam dhe poete e askund më lehtë
S’dëgjohet këngë e bretkosave,
Kjo koaksënitje askund lehtë më s’dëgjohet.




























Leave a Reply