Poezi nga Myrteza Mara

 

217780_140191279385483_5775034_n

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

IKIN STINËVITET

 

Si erdhi pa kuptuar kjo vjeshtë
Veshur me gëzofin e rëndë të dimrit
Unë kam mbjell një këngëshpresë
Dhe e rris me refrenin e një himni.

Më duhet akoma edhe një muaj vere,
Sa të korrë ato që kam mbjellë
Pastaj të vij vjeshta me fustan prej ere
Le të vij dhe dimri me kollën e thyer.

Si iku kaq shpejtë kjo verë, si iku
Akoma s’kam venë fotot në korniza
Më dridhen duart, malli më piku
Krahët e natës u zgjatën tek ditët.

Si po ikën kaq shpejt kjo vjeshtë,
Nuk e shijuam mushtin e stinës
Na ikin stinëvitet, ikën një jetë
Nxitoni o njerëz, më pas ka dimër!

 

 

NË SHTRATIN E KËNGËS

 

Zog’e vogël që je ulur përmbi degë të lisit tim,
Krahu yt lehtë-lehtë ma mbush shpirtin me blerim;
Zogë magjie, kënga jote, po më bën të harroj stinët,
Sythet s’duan t’ja dinë për ngricat që sjellin dimrat.

Thonjtë e tu mbi mishin tim-ledhatim i pakufi
Si të jetë kulmi i vjeshtës po kullojnë lumturi.
Më ke falur kaq shumë, shiko si rëndojnë degët,
Lulegonxhet buzëçelura, mjaltë i vjelë nga bletët.

Erdhe ti, o krahëshkruar, këngëndezura si dallgë,
Të bësh folenë tek unë mos t’më marr trupi të tharë;
E ndeze me cicërima, i dhe blerim gjithë motit
Të kam si lastar mbi gji edhe diell në pikë të lotit.

Nuk më ka hije të mburrem, tani jam si det i thellë,
Ç’ka se zogjtë llafazanë xhelozojnë nëpër pemë.
Edhe Hëna do të zbehet sa të shoh folezën tënde
Me ty do jetoj dy jetë nëpër shtratin e kësaj kënge.

 

 

NUK HARROJ

 

Unë jam bir bujku
e njoh tokën
dhe bimën që në farë,
siç ia njoh ulërimën ujkut
kur vjen rrotull përmbi stan.

Jam mik me erën,
era nuk ma ka rrahur
kurrë shpinën
ndaj ia ndjej kurthin çdo humnere,
jam rritur më shumë me dimër.

Nuk i njoha përkdheljet,
ato ishin lodra të shtrenjta,
qiellin kisha
ëndërr të erërave
dhe ikonën e lutjeve të fshehta.

Prandaj e duroj tehun e thikës
në palcën e eshtrës
dhe e përbuz fytyrën e frikës
kam vallëzuar përherë
nëpër hijet e vdekjes.

Shëndetin e pranverës
e ndjej në shpirt që në dimër
sepse jam edhe poet.
Jetën time
s’e rishkruaj dot në një libër
edhe të rroj njëqind vjet!

***
Mbetem bir bujku
do e njoh tokën
dhe bimën që në farë,
ashtu siç nuk e harroj ulërimën ujkut
shtuar kaq shumë në fushë e në mal.

 

 

DËGJOJ NJË TROK

 

Dëgjoj një trok të largët, larg
Si jehonë orteku vjen e afrohet
Të jet ylber!? Ylberi është fat
Ç’të jet ky trok që po vonohet?

Dëgjoj një këngë, këngë zemre
Bashkë me ortekun në rropamë
Ngjyrosur e tëra me bojë ëndrre
Ashtu siç ndodh në dashurin e parë.

Dëgjoj një lutje, një lutje shpirti
Do ngre për të një tempull me lotë
S’do më mjaftonin muajt e një viti
Ndoshta gjithë vitet të ikin me trok.

Dëgjoj dhe veten të flas me vete
Kujtoj zjarrin e psherëtimave të tua
E vogël zemra dhe mban kaq tërmete!
Ndodh kudo, apo vetëm mua?

***

Dëgjoj një trok që s’di të ndalet
Do dal ta pres tek porta e diellit
Tek tempulli i lotit, atje do falem
Atje do të ndizen dy ura ylberi.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s