POET QË ELEKTRIZON POEZINË (KUMTESË rreth librit të z. HYSEN GRAJÇEVCI “Shpresë e përlotur”, Sh.B. 3ZEN, Prishtinë, 2016.) / Nga : VIKTOR BAKILLARI

 

hysen-1

POET QË ELEKTRIZON POEZINË

 

(KUMTESË rreth librit të z. HYSEN GRAJÇEVCI “Shpresë e përlotur”, Sh.B. 3ZEN, Prishtinë, 2016.)

 

 

Nga : VIKTOR BAKILLARI

viktorbakillari@yahoo.com

Tiranë

 

***

 

Ju përshëndes të gjithëve!

 

Nëse unë do t’ju pyesja se ç’na lidh ne me Kosovën, ju do të murmurisnit si shenjë e nisjes jo në nivelin e duhur të kësaj kumtese dhe do të rendisnit në mendjen tuaj: jemi një komb, kemi një gjuhë, të njëjtat doke, tradita zakone, histori, kemi bërë të njëjtën luftë etj. etj.

Por unë nuk do të dëshiroja ta nisja kështu këtë paraqitje, por një pyetje: Ç’më lidh mua Viktorin dhe atë motrën time (Vjollca Ajasllari – Konin), ulur aty në presidium me Kosovën.

Po. Ka diçka specifike. Ka diçka të vërtetë që ne na lidh me Kosovën, dhe kjo qysh kur kemi lindur.

Ne vijmë nga fshati Grevë – Tomoricë / Skrapar. Fshati ynë gjendet përballë malit të Tomorit, simbol përbashkues i krejt Shqiptarëve. Përballë Tomorit, mbi fshatin tonë gjendet sivëllai i tij, Mali Lisec i Bakillarëve. Në këmbë të këtij mali shtrihet një fushë e madhe dhe e bukur që quhet Fusha e Qafës së Gjalprit (Gjarprit).
Pikërisht në këtë fushë në segmentin Qafa e Gjalprit – Guri i Prerë, në qershor 1944, është zhvilluar një nga betejat më të lavdishme dhe më të ashpra kundër pushtuesve gjermanë.

Forcat partizane – çlirimtare të Batalionit të pestë të Brigadës së Parë Sulmuese në këtë betejë udhëhiqeshin nga komandanti legjendar Xheladin Beqiri Karadaku (15.10.1908 – 6.6.1944) nga Dragashi juaj, rënë heroikisht atje në zonën tonë.

Pra, tokat e mia në mal, nuk janë ujitur vetëm nga shiu, nuk janë mbuluar vetëm nga bora, por pas datës 6 qershor 1944, ato janë gjakosur /gjakitur!!! me gjakun e Shqiptarit nga Dragashi, Xheladin Beqiri Karadaku.

Kjo është ajo që ne na lidh qysh kur kemi lindur me Kosovën tuaj, me Kosovën tonë.
Organet e pushtetit lokal të Skraparit tim (në fakt unë jam i Skraparit!) Xheladin Beqirit si dhe 27 dëshmorëve të tjerë që dhanë jetën për çlirimin e vendit në Qafën e Gjalprit, atje në Skraparin e largët, u kanë ngritur një lapidar shumë të bukur dhe të lartë. Busti i Komandantit Beqiri – Karadaku gjendet në Fshatin Nivicë / Labëri. Shteti Shqiptar e nderoi me titullin më të lartë “Hero i Popullit”.

Populli i Tomorricës e përjetësoi në këngë, pra në fshatin tim, Heroit të Popullit Beqiri – Karadaku  nëpër dasma i këndohet këngë. Ja disa nga vargjet e Këngës:

Qaf’ e Gjalprit – Gur i Prerë

U ndez lufta me furi

Djemtë tanë po luftojnë

Karadaku me Myslim’në

Dhe Jonuzi djalë i ri

E shumë vajza e djem të tjerë

Derdhën gjakun për Atdhenë…

 

Eshtrat e Heroit të Popullit Shqiptar Xheladin Beqiri Karadaku prehen në Varrezat “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Lavdi të përjetshme këtij heroi nga Dragashi, i cili dha jetën për Çlirimin e Shqipërisë.

 

***

Le të shkëputemi tani nga epika historike, nga lidhjet e pazgjidhshme Grevë (Tomoricë) – Dragash,  dhe le të kalojmë te tema për të cilën jemi ftuar.

 

Iliri i lirë, Hysen Grajçevci, sot ka festë; i ka “lindur” një libër dhe na ka ftuar të kremtojmë!

Faleminderit z. Grajçevci. Ndjehem i privilegjuar që marr pjesë në gëzimin tuaj!

 

Dardani Hysen Grajçevci, sot ka mbledhur miq e shokë nga të dyja kokat e shqiponjës. Gegë e Toskë ai nuk i ndan. S’mund të fluturojë lirshëm shqiponja me një krah.

T’u rritët ndera, vëlla!

 

Albani apo arbani, apo arbri Hysen Grajçevci  sot duket,  ndjehet humormirë dhe i gëzuar.

Veç, harron se përballë dhe rreth e rrotull ka njerëz – miq e shokë që ndjehen me këtë rast humorplotë dhe të lumturuar.

  1. Grajçevci! Qofshi i nderuar dhe paçi faqen e bardhë! Kufijtë janë irealë!

 

Shqiptari Hysen Grajçevci, kur ndjehet jo në formë (një eufemizëm kjo fjalë për të thënë “i sëmurë” ka një mënyrë të veçantë kurimi.

A e dini? – Nuk e dini!

Nuk shkon te mjeku a doktori, por e mban frymën në Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, pra, përtej këtyre 100 km; pra më atë anë. Dhe kjo terapi ka rezultuar për të e suksesshme.

Nëse e teproj, ja tek është; le të çohet e ta mohojë!

Je i mirëpritur baca Hysen, përherë, ardhsh i bardhë!

 

***

Tani, dy fjalë për librin në fjalë:

Poezia e z. Grajçevci është një poezi me nota epike, legjendare, etnografike, patriotike, historike, tokësore, një poezi e rrokshme.

Teatri dhe amfiteatri i poezisë së tij gjendet në Prizren, Pejë, Gjakovë, Prishtinë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës, Apolloni, Berat, Tiranë, Butrint duke marrë kështu trajtat e një poezie jo lokale, por kombëtare.

Nga leximet e mia modeste, kam arritur në përfundimin se nuk mund të bëhesh poet nëse nuk njeh, nëse nuk ke një bagazh të shëndoshë teoriko – letrar, nëse nuk ke lexuar bartët apo korifenjtë e Lashtësisë.

Këtë hendek, duket qartë se z. G. e ka kapërcyer me sukses. Ai është, siç shprehet në shpinën e librit, përfundues i studimeve për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë.

Nga dijet e mia, gjithashtu modeste, mund të them se nuk mund të bëhesh poet kur je dru i rritur apo më keq akoma, kërcu, por kur je filiz, kur je lastar.

Këtë hendek, duket qartë se z. G. e ka tejkaluar para disa dhjetëvjeçarësh, që kur krijonte në rininë e hershme, në bankat e shkollës.

 

Hysen Graqevci - 1

HYSEN GRAJÇEVCI

 

Sot mund të botojë kushdo, sot mund të publikosh kudo, por më përpara, ka qenë shumë e vështirë. Organet botuese numëroheshin me gishtat e dorës dhe të botojë ishte sikur të kaloje nga një shkallë në një shkallë tjetër më lart e shoqërisë.
Kush botonte më përpara shikohej me admirim (ose me zili!) nga gjithë rrethi i tij shoqëror. Z. G. jo vetëm që nuk mund ta mohojë, por ka të gjithë të drejtën e lume të fjalës, kur të dojë, ta dëshmojë.

Këtë hendek, baca Hysen, mendojmë se e ka tejkaluar me sukses qysh në vitet 1980, duke çarë me afshet rinore / djaloshare në entet botuese prestigjioze të kohës: te “Zëri i Rinisë”, te “Fjala”, te “Bota e Re”.
Ishte vërtet privilegj i madh të botoje në këto  gazeta, ishte kënaqësi, ishte shpresë për një të ardhme të mirë.
***
Për librin “Shpresë e përlotur” është folur dhe shkruar gjatë. Studiuesi Xh. Çitaku i ka bërë një parathënie të thukët e të bukur; shokë e miq të panumërt të  poetit janë shprehur me fjalë të ngrohta dhe meritore për të.
Kështu që, nga kjo pikëpamje, mua ma kanë kursyer një analizë modeste që mund t’i bëja veprës në fjalë.

Megjithatë, nuk mund të rri pa shprehur do konsiderata:

Në mënyrë të përmbledhur, mund të konstatojmë me kënaqësi  se autori i mëshon temës pikëlluese të emigrimit për të mos thënë syrgjynosjes: “Dje ikën një mijë / Sot shkuan një mijë e dhjetë. Më thuaj, ç’ po ngjet me tokën time” Ç’PO NGJET (F. 22)

Ose:

“Qan e mjera nënë për bijtë e vet / Rënkon në belbëzime dhe me veten flet / Deri kur o bijë, deri kur kështu / Të përvëlohemi ne / Të treteni ju.” DERI KUR (f. 23)

Mesa duket, mërgimi, kjo plagë rrjedhëse, e pashërueshme e Shqiptarëve, ky fat familjar i poetit ngrihet në problem mbarëkombëtar.

A ka familje shqiptare që të mos e vuajë këtë dramë?

Eh, pra ky është Hysen Grajqevci, i cili dramën familjare fëmijë-larguar e ringre në art poetik – patetik e përlotës.

Nga ana tjetër, shumë shpejt vjen edhe mesazhi vetjak i autorit, i cili vlen për t’u marrë shembull. Në poezinë KËTU DUA TË JEM (f.37), autori, në vetë të parë, i mëshon shllimit për mosbraktisje trojesh: / Dua të jem këtu/ Këtu / Pranë këtij lisi / Pranë këtij guri / Pranë këtij Fisi e Plisi…

Nëse e lexojmë me vëmendje këtë poezi tepër të arrirë të tij , mund të vëmë re një paralelizëm vërtet interesant midis poezisë “Borxhet e mia” të poetit Xhevahir Spahiut dhe poezisë “Këtu dua të jem” të z. Grajçevci.

Spahiu, duke na numëruar borxhet që na ka (që i ka Atdheut), pra i ka borxh atij e këtij e me radhë, e me radhë…, përfundon në mënyrë sintetike kështu:
Dhe vë pikën këtu.

Tani mund të flisni

për borxhet që më kini ju.

(Xh. Spahiu, Borxhet e mia)

 

Ashtu edhe z. Grajçevci, pasi na rendit zë më zë se çfarë do:
Do që të jetë këtu në atdheun e gjysh – stërgjyshave të tij:
Do që të jetë pranë lisit, gurit, fisit, plisit (simbol i fuqishëm shqiptar);

Do që të jetë pranë varreve të të parëve t’i nderojë e respektojë siç duhet,

Do që të ketë eshtrat për shtrojë,

Do që të ketë flamurin kombëtar për mbulojë,

Do që t’i dëgjojë frymëmarrjen tokës dhe të parëve të tij,

Do, pra shumë gjëra.

Pastaj, papritmas në mënyrë xhevahiriane, veçse në ndryshim nga ai, në mënyrë dhe formë analitike, merr një kthesë të fortë:

E, po çfarë nuk dua? – pyet Z. G.

Dhe mjeshtërisht, analitikisht, rendit ato që nuk do:

Nuk do çizmen e hasmit,

Nuk do këmbën e shkaut,

Nuk do lotin,

Nuk do rënkimin e nënës,

Nuk do vajin e motrës,

Nuk do marrjen e hakut,

Nuk do vëllavrasjen,

Nuk do derdhjen e gjakut!

Dhe si epitomë qëndrojnë vargjet: Jo, nuk dua të iki, / Askund nuk dua të shkoj / Evropë.

I bindur z. G. se braktisja e trollit është shuarje e kombit!

Dhe unë, këtu i vë pikë.

  1. Grajqevci, mesazhe, më patriotike, më paqësore, më humaniste, më vëllazërore, zor se gjen.

Faleminderit z. G. për kumtet e dhëna!

Po çfarë nuk do tjetër autori?

– Po, e kemi zbuluar në f. 49 kur thotë:

“Mos ma prek plagën e vjetër”

Mos ma shkel truallin Sulltan / As me emër, as me pllakë / Mos m’i ngjall trimat prej varri / Ende varret kullojnë gjak…”

Ndal ekspansionit anadollako – anadollian – sulltanor në çdo lloj mënyre!

Ky është mesazhi që vazhdon përçon poeti.

 

***

E veçantë e këtij vëllimi të z. G. është poezia përkushtimore.

Në shenjë respekti dhe nderimi për të vdekur e për të gjallë, autori u kushton poezi, shkallë – kjo vërtet sublime për të nderuar tjetrin.

Në të gjejmë jo pak të tilla kushtuar: të rënëve të Familjes legjendare shqiptare

JASHARI (si epitaf qëndrese, f. 27), Poetit mitik Lasgush Poradecit (i cili, sipas z. G. për të vdekur merr shembullin e Nositit) f.33), Luftëtarit të lirisë Fazli Grajçevci, një poezi shumë e ndjerë me nota, frymë  dhe ton patetik, luftëtar, siç thotë krijuesi, mbi emrin e të cilit përkulen kohërat, në rrasën e tij të gurit lexohen histori si dhe luftëtar, i cili mbi gjithçka si qëllim pati Lirinë (f. 44), Ukshin Hotit, i cili kishte parim fjalën – moto “Bëje ose vdis!”, patriotit të mbetur nishan në çdo zemër shqiptare (f.54), Atë Fishtës, të cilin duke e kërkuar në lahutë, “e gjen në secilën këngë / në secilin varg”…

 

***

E shikoj si diçka mbresëlënëse që zotni Grajçevcit i ka pjekur edhe me bashkëvendës të mi, dhe jo me një, por me 3.

Në librin në fjalë lexojmë poezi të ngjeshura, gjithë fibra e pa aspak dhjamë, poezi të harrura nga barërat e këqij, poezi të situra në sitë të imët kushtuar poetit Xhevahir Spahiut (Diellit mbi Atdhe f. 25);  piktorit Sulejman Prenjasi (degë e të njëjtit trung, f. 83) dhe zonjës poete Vjollca Ajasllari – Koni (së cilës i pëlqen të fluturojë me krahë shqiponje për ta përqafuar “atdheun të tanë f.30”.

 

***

 

Poezia e z. Grajçevci përshkohet nga nota të thella humaniste, altruiste.

“Nuk dua te ti dhembje, dhembjen e mbaj vetë . Jam qiri i ndezur, koha le të më tretë. (f. 61)

Përshkohet nga nota kombëtare, atdhetare: “Të shtrijmë dorën e besën e Zotit / Si në kohërat e burrave të motit / Për një Diell, për një Atdhe / SHQIPËRIA mbi të gjitha.” (f. 73)

 

***

Para se ta mbyll, do të dëshiroja të shprehja edhe dy fjalë, më saktë një urim dhe përgëzim njëkohësisht të veçantë për paraqitjen e lëndët (materiale) të librit.

Kapaku i librit, shpreh më së miri brendinë e tij.

Çfarë shikojmë në ballinë?

Shikojmë tela me gjemba, shikojmë një objekt shndritës rrezelëshues. Shikojmë dy shina të praruara.

Por, jashtë reales, imagjinarja punon ndryshe.

Duke lexuar me vëmendje librin nga fillimi gjer në fund, kur e mbyll, telat me gjemba nuk të duken më të tillë, por si tela që përçojnë rrymë, energji, si pjesë pentagrami muzikor, çka mund të lexohet se disa nga këto krijime edhe mund të kompozohen dhe këndohen ose vetëm, ose dyshe, ose me lahutë, ose sipas isos  polifonike skraparase. Te ky tel ne shikojmë gjembat në formën e notave dhe duke lexuar poezitë, disa prej tyre edhe mund të të përlotin, çka, dezinjuesi i ka bërë një gjetje të bukur, në to shikojmë dy sumbulla lotësh.

Shpresa e përlotur mishërohet shumë bukur. Vërtet e ardhmja duket e mjegullt, kjo është objektive, asnjë nuk e di të ardhmen, por shinat tregojnë një udhë jo vetëm të projektuar, por edhe të ndërtuar mirë, një udhë shkëlqyese, të praruar, pa pengesa. Dy shinat e trenit janë udha e pandalshme për një komunikim të pandalshëm. Sipas meje, kjo është udha e bashkimit kombëtar që unë gjej te ky libër.

Telat me gjemba së shpejti do të latohen dhe dielli sipër do t’i davarisë retë.

E ardhmja duket optimiste.

Grajçevcët kanë punuar duke na dhënë shpresë…

Ju faleminderit!

Shënim: Në fund e mbyll fjalën duke kënduar dy vargjet:

“Qan e mjera nënë për bijtë e vet / Rënkon në belbëzime dhe me veten flet / Deri kur o bijë, deri kur kështu / Të përvëlohemi ne / Të treteni ju.”

sipas isos polifonike skraparase.

 

Prishtinë, më 17 shtator, 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s