Tirana e Prishtina – fjalë, Beogradi – vepra. / Nga: Xhevat MUSTAFA

Tirana e Prishtina – fjalë,  Beogradi – vepra.

 

Në bashkëpunimin mes nesh, pra mes Tiranës dhe Prishtinës, apo mes Shqipërisë dhe Kosovës, bie lehtësisht në sy tendenca, mentaliteti, praktika apo tradita e re, që nënshkruajmë marrëveshje me bollëk dhe shpesh dhe gjatë ato “harrohen” nëpër dosje e sirtarë.

 

 

272063_4307329334473_2036218931_o

Nga:  Xhevat MUSTAFA

 

 

Vizita e delegacionit politiko-tregtar të Shqipërisë në Serbi, kryesuar nga kryeministri Edi Rama, më 13-14 tetor 2016, në kuadër edhe të Panairit Tregtar të Nishit, vazhdon ta mbajë të ndezur zjarrin e debatit politiko-mediatik mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe brenda për brenda dy shteteve shqiptare. Duke uruar dhe shpresuar që debatet tona të sotme e të nesërme të jenë sa më shumë të departizuar dhe sa më pak të klanizuar, sa më objektivë dhe të dobishëm, kam opinionin se nga të gjitha anët që ta vështrosh dhe analizosh debatin në fjalë duket më shumë reklamë për patriotizëm dhe profesorllëk nga të dy anët apo palët, pa përjashtuar edhe shkaktarin e këtij debati, Edi Ramën. Personalisht kam opinionin se Edi Rama foli së pari si kryeministër i Shqipërisë, për interesat e saj aktuale dhe perspektive në kuadër të zgjerimit dhe të forcimit raporteve dhe të marrëdhënieve shumëplanëshe Shqipëri-Serbi, Shqipëri-Kosovë, Shqipëri – Ballkan. Si shqiptar i Shqipërisë dhe i mbarë kombit shqiptar, foli boll edhe në mbështetje dhe dobi të Kosovës. Kështu, bëri edhe punën e qeveritarëve të lartë dhe të diplomatëve të Kosovës. Kjo për faktin se tani për tani dhe nuk dihet se deri kur, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Enver Hoxhaj,  etj., nuk mund të shkojnë dhe priten zyrtarisht, me protokolle dhe ceremoni shtetërore si delegacioni i Shqipërisë. Nga ato që tha Edi Rama nuk la për të kuptuar se kishte qëlllim dhe dëshirë t’i bëntë keq edhe Serbisë së sotme dhe nësërme. Viktimë e vetëkënaqësisë dhe euforisë si  dhe e mosqenies politikan race kryeministri Rama e teproi ca, duke bërë edhe profesorin e madh, edhe fallxhorin e pagabueshëm, sidomos me citimin nga Ivo Andriçi dhe me disa parashikime. Duke u shprehur popullorçe, këputi edhe disa kumbulla të pabëra, pikërisht në një vend ku kumbullat dhe rakia prej tyre janë burim krenarie dhe mburrjeje. Duke shfrytëzuar miqësinë personale me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç si dhe “statusin” e përbashkët të të përkëdhelurve nga Angela Merkel, kryeministri i Shqipërisë tha saktësisht në anglisht dhe publikisht disa të vërteta të forta për Shqipërinë dhe Kosovën. Ato nuk kishin shumë nevojë për përkthyes as për Vuçiçin, Nikoliçin, Daçiçin dhe për diplomacinë serbe në përgjithësi, sepse në Beograd ka rreth një shekull e çerek që kuptohet mirë shqipja. Nëqoftëse do të bëhet një analizë prej ekspertësh me të vërtetë të depolitizuar në diplomaci dhe politikë mund të dalë se Edi Rama nuk mund të vlerësohet maksimalisht për ato që bëri dhe tha në Beograd, Nish dhe Preshevë. Por kështu mund të dalë se nuk meriton të vlerësohet as me 5. Në fund të fundit, ai nuk i turpëroi, por në të kundërtën i përfaqësoi, përgjithësisht dhe relativisht mirë, politikisht edhe vetveten, edhe Shqipërinë, edhe Kosovën, edhe çeshtjen kombëtare shqiptare. Kjo nënkupton se la boll hapësirë edhe  për vërejtje dhe kritika, edhe për komente dhe këshilla. Por, për deri sa janë personale dhe subjektive, këto nuk mund të vlerësohen dhe propagandohen si absolutisht të sakta, të padebatueshme dhe të pakundërshtueshme.                                                                        Le ta pranojmë me konsensus se Edi Rama gaboi në Beograd dhe Nish, kur mendoi apo la të kuptohej për t’i anashkaluar miqtë apo vëllezërit e tij në Kosovë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Enver Hoxhaj… Po me konsensus, pra duke mos bërë avokatin mbrojtës të asnjerit apo asnjerës palë, le ta pranojmë se Rama nuk e bëri këtë gabim me paramendim, llogari dhe  dashakeqësi, por, më së shumti nga euforia, diletantizmi në politikë apo dëgjimi ca si shumë ose tepër i një këshilltari të tij të keq.  Gjithnjë me konsensus t’i japim përgjigje pyetjes se kush e dëmton më shumë Kosovën: interesimi i tepruar nga Shqipëria, qoftë edhe në disa raste, nxitur nga amësia dhe gjaku, në formën e anashkalimit të saj apo përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për t’i shkelur me tanke dhe çizme ushtarake dhe policore kosovarët, për të mos i njohur shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, për t’i minuar dhe formalizuar ato, deri në rikthimin e saj, në mos të gjithën, në një pjesë të madhe, në gjirin me “thika” e “gozhdë” dhe me grurë e “qumësht të helmuar”  të Serbisë?                                                                                                               Duke u rikthyer tek ideja e titullit, personalisht kam mendimin se ne shqiptarët, në Tiranë, në Prishtinë, në Preshevë, në Tetovë dhe Shkup, në Ulqin e Podgoricë, vazhdojmë traditën të merremi më shumë me fjalë apo logje dhe të “harrojmë”  veprat dhe punët konkrete. Për fatin tonë të keq, fqinjët tanë, pra edhe serbët, bëjnë shumë më pak fjalë dhe zhurmë dhe mbledhin shumë fryte nga veprat dhe punët e tyre. Padrejtësisht, ndoshta pa e menduar edhe ata vetë, mbledhin boll fryte edhe nga duart e ne shqiptarëve, që ose nuk ua dimë dhe kuptojmë vlerën dhe ua hedhim duke i pandehur për gurë dhe drurë, ose ua falim “bujarisht” apo “marrëzisht”.  Le t’u referohemi disa shifrave të freskëta fare apo pak më “të ndenjura”.                                                                                                                    Duke iu referuar një interviste të përbashkët në Deutsche Welle më dt. 28.09.2016 të drejtuesve kryesorë të dhomave të tregtisë së Kosovës, Safet Gërxhalliu dhe të Serbisë, Marko Çadezh, volumi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve më 2015 kapi shifrën rreth 415 milionë Euro. Prej tyre, Serbia ka dërguar në tregun e Kosovës mallra në vlerë prej 390 milionë Euro, ndërsa Kosova vetëm…25 milionë ose rreth 16.5 herë më pak. Kjo tendencë qartësisht apo thellësisht në favor të Serbisë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2016 edhe në shkëmbimet tregtare Shqiqëri-Serbi. Sipas INSTAT-it  në Tiranë u publikua shifra apo fakti se eksportet bujqësore kanë ngecur me Kosovën dhe janë  dyfishuar me Serbinë. Gjatë periudhës janar-gusht 2016 shkëmbimi tregtar ka arritur në 77.8 milionë euro. Eksporti serb në Shqipëri ka qenë në vlerë prej 60.5 milionë, ndërsa importi 17.3 milionë euro. Pra, kemi një raport tejet dukshëm në favor të Serbisë, me rreth 3.5 herë më shumë. Sipas kryeministrit Rama, në Shqipëri veprojnë rreth 100 subjekte afariste serbe. Por, numri i subjekteve afariste nga Shqipëria në Serbi është shumëfish më i vogël. Nuk është e lehtë të kapërdihet nga ne shqiptarët, por këto shifra përcjellin mesazhin se Serbia vazhdon ta mbajë “të pushtuar” ekonomikisht Kosovën, pa përjashtuar   edhe me grurë e misër rus për derra e kuaj apo nga fushat ukrainase rreth Cernobilit si dhe synon e shpejton që këtë ta realizojë edhe në Shqipëri.                                                                                                               Është shprehës edhe fakti që bëri publik   më 13.10.2016 Ministrja për Dialog e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri. Ditën që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nisi vizitën në Beograd ajo bëri të ditur se nga 33 marrëveshje të arritura në dialogun e Kosovës me Serbinë në Bruksel, 29 prej tyre zbatohen plotësisht. Por, përderi sa Tomislav Nikoliç, Aleksandër Vuçiç dhe Ivica Daciç shprehen në Beograd, Bruksel, Moskë, New Jork…me një mendje dhe gojë se nuk do të njohin as Kosovën dhe nuk do të braktisin as Rusinë, nuk mund të përcaktohet lehtë dhe saktë nëse ky fakt mund të jetë burim gëzimi apo shqetësimi për ne shqiptarët. Nëqoftëse do të llogarisim se pas Serbisë apo bashkë më të është edhe Rusia, atëherë duhet të shqetësohemi seriozisht dhe të paramendojmë, pa rënë në paranojë se humbjet politike, gjeostrategjike mund të dalin më të shumta dhe më të mëdha se sa përfitimet ekonomike, tregtare, turistike.                                                                                                                                Gjatë rreth 17 vjetëve të çlirimit të Kosovës është tejet i bollshëm numri i marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri, përfshirë edhe për fushat e arsimit, kulturës, shendetsisë, shkencës… Vetëm më 23 mars 2016 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u nënshkruan 11 marrëveshje në fusha të ndryshme nga ministrat e dikastereve përkatëse. Mes qeverive Edi Rama -Isa Mustafa janë realizuar dy mbledhje të përbashkëta, të cilësuara për sytë dhe veshët e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve si mbledhje pune, por, më së shumti të mbetura llafesh dhe kafesh…Marrëdhëniet në fushat e arsimit dhe të kulturës, që, siç ka treguar përvoja e bashkimit të  dy Gjermanive, kanë ndikim, efektivitet dhe rëndësi të drejtpërdrejtë për procesin e bashkimit kombëtar ecin me hope, herë shpejtohen e herë ngecin dhe qëndrojnë gjatë në vend. Nuk mund të fshihet as me sexhade Prizreni dhe Kukësi e jo më gjethe fiku se ato viktimizohen nga komplekset apo konfliktet e parësisë apo të autorësisë, të interesave dhe përfitimeve ngushtësisht personale, krahinariste, profesionale, politike…                                                                                                                                        Në bashkëpunimin mes nesh, pra mes Tiranës dhe Prishtinës, apo mes Shqipërisë dhe Kosovës, bie lehtësisht në sy tendenca, mentaliteti, praktika apo tradita e re, që nënshkruajmë marrëveshje me bollëk dhe shpesh dhe gjatë ato “harrohen” nëpër dosje e sirtarë. Ose kujtohen në ditë bilancesh,  në raste vizitash të niveleve të larta apo mbledhjesh të përbashkëta të qeverive, ose u vihen gurë, drurë apo…zarfe të mëdhenj nën rrota nga vetë firmosësist dhe vulosësit si dhe nga ata që e kanë për detyrë funksionale dhe detyrim kombëtar t’i ndjekin dhe zbatojnë. Kësaj në gjuhën e popullit i thonë “shumë e për lumë”.                                                                                                                                      Ne shqiptarët duket se kemi edhe një të keqe tjetër. Bëjmë reklamë të madhe individuale, partiake apo qeveritare; bujë të madhe mediatike e publike, edhe kur pijmë kafe si miq e shokë, thua se janë të paktë sytë dhe veshët e Serbisë në Kosovë dhe Shqipëri. Po kështu, flasim shqip njeri më bukur se tjetri dhe ngjiremi nëpër salla kuvendesh dhe konferencash, nëpër stadiume dhe sheshe; vishemi sipër rrobave dhe poshtë tyre me flamurë kombëtarë; këndojmë dhe kërcejmë shqiptarçe nëpër dasma dhe lokale dorë për dore, duke i përmbytur nuset me lekë, euro, dollarë, franga, stërlina… Por, kur vjen puna të bashkohemi njëhërë e mirë apo përgjithmonë me vepra dhe punë konkrete, me zemra dhe pasuri, rrijmë në vend dhe nuk lëvizim përpara pa zgjidhur disa ekuacione, që nuk shprehen, por merren me mend. Kush apo cilët do të prijnë? A do të kenë në vendimmmarje të njenjtën peshë Tirana dhe Prishtina? A do të jem unë në krye, në kuvendin dhe qeverinë e përbashkët?  A do të kem pas bashkimit të njenjtat pushtete, privilegje dhe përfitime?…                                                                                                         Ndërsa serbët, nuk i ndajnë fjalët nga veprat dhe punët kur është fjala për interesin e tyre kombëtar dhe shtetëror, sidomos në lidhje me ne shqiptarët, për ta penguar sa më shumë dhe sa më gjatë procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe lidhur pazgjidhshmërisht me të, bashkimin tonë kombëtar, për t’i shtyrë të dyja proceset mundësisht në kalendat greke. Në synimet dhe planet për rikthim në hartat e tyre të mykura serbët janë treguar dhe vazhdojnë të tregohen shumë më të bashkuar dhe të pakursyer. Edhe pse e kanë të paktë, thuajse sa ne, ata kanë hequr edhe nga  buka e gojës për të blerë mbështetës apo mercenarë si në klasat politike dhe qeverisëse në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë, ashtu edhe në institucione, qeveri, media nëpër botë. Duke iu referuar legjendës sonë tejet të lashtë të Kalasë së Rozafës mund të thuhet edhe se një grusht nga ne shqiptarët kanë punuar “natën” për të ngritur ndonjë murë apo urë bashkimi dhe serbët të bashkuar si përherë na i kanë shkatërruar ditën me diell. Dhe jo vetëm me duart e tyre, por edhe me duar gjasme shqiptarësh dhe ndërkombëtarësh.

GSH, BalkanWeb, Bota Sot, 03.11.2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s