Vjeshta ime
Vjeshta ime është më shumë se një ngjyrë
shkëputur nga më e fundit gjethe në rrëzim
tinëz,
pa zhurmë,
përjetë në humbim
larguar tashmë tutje fluturim.
Vjeshta ime është më shumë se një kolor
rrëmbyer nga harku ylberit në tretje
për të veshur kufijtë e një shpirti në trazim,
që muret e stinës,
i shemb për çdo ditë.
Vjeshta ime është më shumë se një notë,
që luhet parqesh tashmë të braktisur,
simfoni e kohës dhe zogjve shtegëtim
simfoni e shiut,
që mbart mallin tim.
Vjeshta imë eshtë më shumë se një dhimbje
e fateve të endur rrugëtimës trishtim
e bukurive dhe muzgjeve lënduar paskohe
nga pritjet
dhe gjurmëjetët ndjekur nëpër hije…
Vjeshta ime troket ndryshe,
pa trokthin e kuajve të bardhë
është ngjyrë që hap porta diejsh
rrëmbyer nga frone perëndish.
Vjeshta ime është libër i hapur
në faqet e tij nuk ka mbarim
fjalë që shkruhen me shkronja gjaku.
e bojë e derdhur në më të thellin shpirt.
Lot i hidhur i dashurive të fshehta
e flakë pasionesh ngjitur në qiell.
Vjeshta ime është më shumë se një vjeshtë
dhe sy që vështron nëpër natë
të mbledhë yjet, në më të lartat galaktika
e të zgjojë të nesërmen e ditës në kthim.
Përjetësi
Një portret,
mbivendosur shtjellash jete
në kufijtë e lindjes degëzim gjenezash
përtëritur,
qiejve të tjerë,
ku degët,
sinkron i stuhisë pa zë zgjaten dhimbjesh
në heshtje,
pa frymën e tyre ulëritëse,
të zhveshura
dhe braktisura nga rrezja e thyer e diellit.
Një mirazh,
që ndan ngjyrat kohë,
në refleksione të pafundme,
nëndijes fshehtas
pores më të fundit,
aty ku rrënjët degëzojnë brazdave të shpirtit,
në përthithje
të lëngut që lëvrin dejeve rrëmbyeshëm
… gjer në më të skajshmin ind
të vegimit dritë që kap dimensioni gjysmë i verbër,
i shqisave të paqena
të përtej memories.
Një rikthim
nga portat e braktisura
harruar vetvetes,
e mjegullës tis, që botën rrethon
veshur skeleteve-hije
në rendje të përjetshme
drejt pakuptimësisë ikje
dhe ditës së re në shtrëngata lindjeje.
Kornizë
Vizion i thyer kufijve më të fundit,
të prekjes dritë në të errtën natë,
ku qiejt derdhur memoriesh të zgjuara,
e shtjellash të klithta,
që çjerrin
hijet e tyre mëkatare,
mbetur vegimesh në të ëndërrtat paqe.
Pikë e vetme
e të bardhës shpresë,
ku rrezja flet me gjuhë dallgësh
e deti trazuar tallazesh pa fund
zgjat valë,
të lodhura ranishtes braktisur
të mundë,
të vetmet gjurmë kujtese mbetur atje,
shpirtrash dashuruar
t’ i fshijë.
Perde të grisura dritareve thërmuara,
nga ky reflektim i mistizmit jetë
me një hënë që shfaq dëshpërim
në trajta të zbehta,
me një yll që shndrin zjarrin e zemrës
dhe kurme të mbështjella si lëvore drurësh,
ku plasaritja jetë rrjedh pa përtim.
Kornizë
e hapësirës kufij të mirazheve,
që netët vrasin rrathë viciozë
shpërndarë,
shiritash të prerë gjatësisë njohje
sugjestion,
i asaj që po shkon pa kthim
….dhe të nesërmes që ditën agon.