Gjashtë “binjakët” të Bajame Hoxhës (Çelikut) / Nga: Përparim Hysi

Gjashtë “binjakët” të Bajame Hoxhës (Çelikut)

 

 

Perparim hysi

Nga:  Përparim   Hysi

 

Nuk mbaj mend se cili prej shkrimtarëve të huaj, i quajti librat që kish shkruar; fëmijët  e mi! Unë i besoj këtij  pohimi kaq metaforik dhe, pse i besoj, po metaforikisht i quaj librat e poetes  Bajame Hoxha si gjashtë fëmijët e saj binjakë. Se gjashtë libra , njëherësh, promovoi kjo shkrimtare në një nga sallat e  Muzeut Kombëtar. Pesë prej tyre qenë me poezi dhe një roman voluminoz. Në një farë mënyre, po metaforikisht, ky vit për Bajamen  është pak si i veçantë dhe unë do ta quaja pa pikë hezitimi si “viti i Bajames”.

 

     *     *    * 

 

Po për ta sjell më afër lexuesit profilin e saj si poete dhe shkrimtare, është e nevojshme që në “vija të trasha”, t’u them lexuesëve se kush është Bajame Hoxha (Çeliku).

Qysh 11-vjeçe ka njohur peshën e madhe të vuajtjeve. Ka qenë e internuar  në Savër të Lushnjes, në një nga “Gulagët” made in Rusi, që “Enveri inë” diti ta ngrejë në apogje këtë persekutim aq çnjerëzor. Në internim ka qendruar plot 33-vjet dhe kushedi sa do vazhdonte ky kalvar i mundimshëm, nëse nuk do ndodhte përmbysja e regjimit. Bajamja u poq, por nuk u dogj  në gjithë atë mori persekucionesh e privime që, veçanërisht, në vendin tonë qenë nga më të zezat. Por Bajame Çeliku qe nga ato soj  familjesh që i takon një fare elite. Fara elite çan dhe gurin dhe bleron. Kështu ndodhi dhe me Bajamen: lexuese pasionante e letërsisë, ajo, pak nga pak,  ndjeu që diçka i lëvrinte përbrenda. Provoi të shkruante, por si me të vërtetë të dilte në”mejdanin” ku për Bajamen e CO… “mejdani i të shkruarit dhe të botuarit, qe mbushur plot me “Molla të ndalueme” si për atë punëtorin mitik të Migjenit. E ndjente zemrën që të lodronte si një zokth, tek u gëzohej atyre vjershave që shkruante, dhe mbytej në psherëtima. Por… për mos u zgjatur.

 

15178951_357559377932423_5076966792316059806_n

Vepra letrare të autores Bajame Hoxha

 

*    *   *

 

Kjo “llavë poetike” e  Bajames mundi ta çajë magmën dhe të shpërthejë, kur erdhi demokracia. I pari që vuri re talentin e kësaj poeteje, qe Poeti Faslli Haliti që, tek u bë “nuni” i saj, u shpreh: -… Po ti çele vonë, moj Bajame! Me dy fjalë, Faslli Haliti, ka thënë shumë. “Çelja” vonë, ka domethënie të madhe. Dhe, pas këtej,”llava poetike” e Bajames shpërtheu me gjithë bukurinë e nxehtësinë e saj. Bajamja ka një kontribut me vlerë në Letërsinë SHqipe. Sado që ka hyrë vonë në fushën e letrave, ajo jo vetëm deri tani ka botuar 17 libra, por dhe është e përkthyer në disa gjuhë të huaja. Veç kësaj, vetëm në Lushnje, në vitin 2012 (Lushnja qe qyteti i saj i vuajtjeve), është vlerësuar me tri çmime:

“Libri më i bukur i vitit” (ëshët fjala për librin “Diku aty”; çmimi i”Karrierës” dhe çmimi”Vath Korreshi”. Në Bruksel (atje banon familarisht), për kontributin që ka dhënë si mësimdhënëse për gjuhën shqipe falas (këtë punë e ka bërë për 11-vjet rresht), ka  marrë medaljen”Mirënjohja,NAIM FRASHËRI”. Në vitin 2014, ka marrë “Mirënjohje” nga Minsitria e Diasporës së Kosovës” si dhe nga “Deklarata e Pavarësisë së Kosovës”.

 

*    *   *

 

Duke besuar se deri-diku e kam afruar sado pak, profilin letrar të Bajames, dua që të shpreh ca mbresa që përjetova në promovimin (një bum  u vërtetë letrar i kësaj Poeteje).

“Gjashtë binjakët” u “pagëzuan” në një nga sallat e Muzeut Kombëtar. Në panelin që drejtonte promovimin, përveç autores, rrezatonte me profilin e  një ikone të vërtetë, Artistja e Popullit, Margariata Xhepa. Në krah tjetër, një aktor tjetër,Aqif Ademi dhe tjetri që plotësonte “panelin” qe poeti Qazim Shehu. Ky,Qazim Shehu, qe si”arkitrau” që mban “çatinë e shtëpisë”: pothuajse ka bërë gjithë redaktimet e librave të Bajames apo ca më saktë: u “preu kërthizën” të”Gjashtë binjakëve”.

Kur flas për panelin, duhet të jem i drejtpërdrejtë: edhe plateja nuk e hante thatë. Nuk marr përsipër që t’i nominojë një për një, por nuk  mund të lë pa përmendur, Heronë e Popullit, Rrahman Paarllaku që,sado 97-vjeçar, ndoqi gjithë promovimin. Po kështu një personalitet, sa e njoh unë, ishte zotëria Shefqet Hoxha apo ca më tutje Doktore, në Fushën e letrave si zonjusha,KLARA KODRA dhe të më falin të tjerë që nuk i përmend,kjo ndodh nga mosnjohja ime.

Ligjëratë kryesore e mbajti Poeti Qazim  Shehu dhe, padyshim, qershitë mbi tortë qenë dy aktorët: Margarita që rrezatonte dritë dhe zotëria Ademi. Margarita recitoi mbi 6 poezi të autores dhe Aktori Ademi disi më pak, por që të dy e ngritën adrenalinën të të gjithë pjesëmarrësve. Shkrimtarja dhe përkthyesja, MERI LALAJ, me fjalën e saj elokuente bëri një analogji me  bashkkshtorten e Osip Madelshtajnit,Nadjezhdën(dhe ky u persekutua nga regjimi stalinist) dhe e sugjestinuar nga poezia e autores, recitoi një nga poezitë e saj. Zyba Hysa me fjalën  e saj bëri thirrje për harmoni e miqësi në shoqëri dhe, mandej, protokolli u prish: kush e kush donte të fliste, se, secili, kishte se çfarë të thoshte. Kur flas për këtë “prishje protokolli”, ndihem, me të vërtetë mirë: prishje të tilla pastë dhe në promovime të tjera. Për vlerat artistike të poezive të Bajames, një vlerësim elokuent, bëri, i kudondodhuri, Albert Zholi.

 

bajame

Bajame Hoxha

 

            *    *   *

 

Edhe unë qeshë një nga folësit. Por, tek pashë gjithë ata që donin fjalën, i rashë fjalës sime dhe e “qetha” jo karre, por zero. Atë që nuk e thashë për arsye subjektive atje, po e them në këtë “ese” timen.

Me ato që ka hequr në atë “Gulagun” e Savrës në Lushnje, për autoren mund  të  thuash ato  që shkruante Pushkini:” U tretën ëndrrat rinore/ si vesa e një reje mëngjesore”. Kurse për vuajtjet e saj në atë  kamp përqëndrimi, Lermontovi do të shkruante: “… dhe pisha shprehte pikëllimin”.  Bajamja e vuajti këtë persekutim për plot 33-vjet.Aq rrojti dhe Krishti dhe e kryqëzuan. Bibla thotë që u ringjall. Po hajde  dhe mos beso qoftë dhe ateist si unë. A nuk u ringjall Bajam Çeliku pas 33-vjetësh. Jo vetëm u “ringjall”, por vuajtjet i ktheu në vargje dashurie. Ajo “çelja vonë” made in Faslli Haliti, më kujton atë lirikun e madh rus, Eseninin që Gorki, para të gjithëve, e quajti “luleshtrydhja që çeli në janar” dhe, mandej, po Gorki:”Organ i lindur për poezi”. Po Bajamja a nuk qe”luleshrydhja që çeli në Janar?”,se si mund të botonte kjo “luleshtrydhe”, kur nga kupola u hodh postulati:- Botimi i një libri është si të kesh një armë.Të jap apo nuk  të jap leje!  Letërsia qe “militare” dhe, pa një leje të tillë, matu me hijen e mëngjesit. Bajamja në internim u rrit; atje krijoi familje, me Gani Hoxhën që, siç u tha nga një folës  i asaj ane( nga Tropoja ka qenë Gani Hoxha), ishte nga familjet patriote dhe atdhetare. Për fat të keq, bashkëshorti i Bajames, Gani Hoxha, ndërroi jetë nga një atak kardiak.

Gjithë  dhimbjen  për Ganiun si bashkëshort dhe si prind  ajo i ka derdhur në vargje. Në një nga vjershat e dhimbshme, kjo dashuri për të shoqin ka një kulm të bukur:” e  “vazhdon dashurinë” duke i puthur pllakën e mermertë tek varri.

Dhe mund  të thosha dhe shumë fjalë të tjera për këtë autore kaq prodhimtare, por, tek dua ta mbyll, nuk kam se si mos recitoj dy vargje nga i madhi, Saadi: ” Një zonjë e bukur që skuqet, kur flet/ të shoqin të  varfër e  kthen në mbret”. Unë bëra pak improvizim,duke e “vjedhur” fare haptas Saadinë e madh,dhe recitova:

 

“Bajamja e bukur që skuqet kur flet

Me vargje Ganinë e ndjerë , e ktheu në monument!

O Gano,- i thotë,- më sheh a më dëgjon

Kam shkruar kaq libra për dashurinë tonë

 

Janë mbledhur kaq shumë në këtë promovim

Po ti ku je, o i shtrenjti im!

E di që më sheh ( po nuk ka se si?)

Në një  gëzim  të tillë, nuk mungon ti.

 

Ta dish, o i dashur, më mungon aq  sa

Sa mua më duket se kam veç një krah.

Ulem në dhomë dhe veç shkruaj vargje

Për ty, o i dashur, kam mbushur plot një magje.

 

Ti më mungon, por unë shkruaj e shkruaj

Se dhimbjen e zbutë, kur me  të tjerët e ndaj.

 

Me “fëmijë” të tjerë apo dhe me “binjakë” të tjerë, Bajame Hoxha (Çeliku)!

 

Tiranë, 22 nëntro 2016

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s