NJERËZIMI KY SKLLAV NË ORBITË – Tercinë e shpërbërë / Nga : Hamdi MEÇA

 

NJERËZIMI  KY SKLLAV NË ORBITË 

Tercinë e shpërbërë

 

 

Hamdi Meça

Nga : Hamdi MEÇA

 

 

E SHKUARA

 

C’est la vie.

Dhe pse sentimentet as kohë dhe as gjini

nuk mund te kenë , ( Ku,ndryshimi, ku ? ),

ju, ju, sentimente, në të gjithë të shkruarën (e Saj)

me thjerrza,

ju thithëse e përthithëse sikur majat e gjuhëve

të puthjeve të kundërta, si dhe majat e gjuhëve të

përbindshit kadmik të demonologjisë,

lules mishngrënëse në xhunglën e Amazonës

dhe xhunglës së rrezatimeve apo lidhjeve të këputura

ose me nyje,ku gishtat duke i  zgjidhur ,pjesë e nyjes dhe vetë,

pse jo dhe të morrave në hijet e pafajsive të kërleshura

apo sozive të klithmave të vajisura

në yndyrë djegëse pa tym.

Ju, ju, në krejt format hiperbolike të bojës së natës

në letrën e ditës, hijeve mistike sikur siluetat e kështjellave

magnetike, shtytëse,tërheqëse, as afër, as larg,

ama nxitëse për kontakte shkëndijash për trupa të ndezur

në qiej si dhe shkrepje fosfori nga shpërbërja

e kufomave në varret e ngurta, e lëngëta dhe të avullta.

Ju,ju,krejt maja të thepisura alpine të virgjinitetit në zenith,

zigzake rrufeshë të ngurtësuara nga tradhtitë

bashkëshortore, shpella të joshjeve trupore,stalaktite

e stalakmite dëshmishë të patretura apo ëndrash

të fshehta, gryka e hone premtimesh idealiste të instinkteve,

rrëzime gurësh- grushta të barbarisë mashkullore,

jehona pëllcitjesh tingullore majekrahu antik,

iso toskane nga poetë të çmuar nga kulti i hundës,

puçrra lije nga kruarjet e të paqenës,

dhëmbë të mbushur me arsenik partiak, brisqe rrokjesh

ardhacake duke çpuar fjalë të gjuhës amtare,

pse jo dhe shfaqje shembëlltyrash onomatopeike

nga metamorfoza fobish të pakapshme nga radarët

e organeve të shqisave por me ngut të thithura

nga cektësia e ujit të etur në trupin tënd Prof.Doktor Gjilpëra.

Ju,ju, prej skalitjeve të tjera nga gishta të këputur,

dalta rrëshqitëse, penela gjumi, thika zgjimi, maja lapsash

vertebralë, kunja piskamash me maja loti,

pena-lopata plot baltë stresi,qerpikë me sqepa qukapikësh,

buzë pa lëkurë, sy të rrëzuar me shqelma, përkëdhelje

ajrosjeje perdesh, organe gjenitale të shitura në trajtë

shishesh, kurme me përbërje tragjikomike,

shekuj të kuq, pika shiu të numuruara, kohra ballkanike,

matje të errësirës, mote të pa mort,prekje religjioze klerikësh

me tasa supe përmbys në kokë, stinë cicash rinore

e gjer tek fiqtë e thatë në vargun e moshës përplot,

pickime insektesh laboratorike,klikime vizuale të

parandjenjave, iroglife të eliksirit të paditur,

shenja arithmetike drurësh, alfabet mors e trokitjes

së derës, epitafë të dashurive gërryese,

lëvizje trupash vocrrakë dhe gjigandë për në qiellin e shtatë,

bulëza fryme për të rrjepur lëkurën e dashit për kurban,

valëzime dhjamore të bymimit global

dhe vallëzime të mishit të huaj në trup.

Sigurisht,poliandria një tjetër gjë

e martesës e idhullit mëkat,

Sigurisht,poligjinia një tjetër gjë

e martesës e mëkatit idhull,

Sepse liritë dhe të drejtat e njeriut

vetëm në shtrirje lineare,

dhe popujt mbeten duke krijuar nën shalë piramida

në lojën e fatit me litar.

 

 

E SOTMJA

 

C’est la vie.

Cilit “ fund ” i përkisni? Cilit “ pa fund ” ?

( Ku, ndryshimi, ku ? ), sepse “ fund ” dhe “ pa fund ”jemi

dhe përbëhemi njejës dhe shumës, secili më vete

dhe me të tjerët. Vendi se ku,lënda se çfarë,tjetër gjë.

Ju, ju, sentimente, në të gjithë të sotmen (e Saj)

me thjerëza,

ju nga gërryerje dhe rrëshqitje erozioni të martesave

me fëmijë por pa familje, lëkundje sizmike të pllakave

të faqeve të fshehura, eklipse të ngjizjeve me të pamundur,

ekuinokse të nënvetëdijes me çengela, bestytni ligjesh

paralmentare, fall transvestit i shkruar me miza,

orakuj të rrumbullakët shpresash me kënde,

zota që u është vjedhur kombësia

në vend të një Zoti Apsolut,pa komb,

pëllëmbë panairesh me gishtin e mesit fitues si më cilësori,

pastrues xhamash të ekraneve të Tv-ve me shtupa sysh

dhe ujë lotësh më kot.

Ju,ju,të lara në plot shkumë pështyme në govatën e gojës

ku llapa e gjuhës sapun dhe të lëpira

dhe prej llapës së qenit familjar,ndërsa prindërit,

fundin e këmbëve të tyre hartografike lëpijnë.

Ju,ju,të xhelozuara prej pistilit të lules së izoluar,

joshëse dhe provokuese sikur lëkura e tigrit

apo lëkura e nëpërkës, nga vetja vetë e rrjep

nëpër thëngjinj të ndezur rrezesh ky zvarranik i qafës

duke lënë një zgjatim organi mashkullor të tredhur

eunuku ciceron në muzeun e Stambollit

apo në foltoren e parlamentit europjan.

Ju,ju,që flisni me të gjitha llojet e gjuhëve

nga përplasja e mishit me tingujt e mendimeve

të pavarura,por më pas të varura ato në qafën

e secilit homosapiens,ky i përgatiur një ditë

të vetëvaret te “ Pema e Gjuhëve ”. Se Kulla e Babilonit

u shemb nga mosmarrëveshjet e pronës

dhe të ç’virgjërimit pragmatist dhe metafizik patjetër.

Ju, ju, përbërës të mënyve të krijesave të tjera

që veç njerëz s’mund të jenë, por mbase, çika e thërrime

të shpirtrave të copëzuar si ameba e lagështirës

së harruar, njëqelizorët diktatorë

duke shtuar më parë.

Sigurisht,poliandria një tjetër gjë

e martesës e idhullit mëkat,

Sigurisht,poligjinia një tjetër gjë

e martesës e mëkatit idhull.

Sepse dhe rrota e planetit shtyhet sot,

nga njerëzimi,ky skllav në orbitë.

 

 

E ARDHMJA

 

C’est la vie.

E panjohura gjer në tragjedi.

E njohura gjer në komedi. ( Ku, ndryshimi, ku ? )

Ju, ju, sentimente në të gjithë të ardhmen (e Saj)

me thjerëza.

ju, me shtim të gjurmëve të ardhjes së Ditës së Kjametit

dhe Ditës së Gjykimit: a në Parajsë? A në Ferr?

Vdiq drama e shkruar.Aktorë u bënë që të gjithë.

Edhe bebja para se të vijë në teatrin e jetës,sikur formohet

më parë për aktrim në të rrumbullaktën skenë-rreth

të emocioneve sikurse je ti interes, ti habi, ti gëzim,

ti pikëllim, ti frikë, ti turp, ti përbuzje, ti zemërim,

apo ti i lumtur- fatkeq, ti i shqetësuar- i qetë,

ti i gëzuar- i mërzitur, ti i kënaqur- i pakënaqur.

Po, po ,vdiq drama e shkruar. Drama e pashkruar

të gjitha fjalët e gjuhës së folur sot përmbledh.

Ngjarjet- në vend të parave plot

në xhepat e poreve të lëkurës.

Po puçrra e fryrë ç’mund të jetë ?

A mos ti portofol ajo puçërr,i fryrë nga para

prostitucioni,droge,korrupsioni,lufrash të shitura,

paqe të blera,transplante organesh,

zgjedhje presidenciale në Amerikë,

pse jo dhe vrasje të myslimanëve nga ISIS,

tregëti armësh, ehu,..ehu,.?

E përsëritura antike jo e vjetëruar.

Në politeizëm i plotfuqishmi Zeus

të përzgjedhurës Pandorë, Kutinë e Fatit të Njeriut i dha.

Të gjitha fatkeqësitë e frymorëve me mend

të mbyllura mbaheshin në atë kuti me shejtanë zehorësh.

U gudulis ajo grua nga thonjtë tuaj,sentimente,

dhe me çelësin e formës trupore të vet

e hapi atë Kuti të ndaluar ( “ molla e ndaluar ”- asteroid

mbi majën e kresë të planetit )

Menjëherë aktakuza e akuzoi (aktakuzën),

atë të Bukur të Dheut nën oqean,si shkaktarja

e ardhjes se të gjitha ligësive në planetin e blertë.

E pavërteta na vesh të gjithëve me prerjet e saj çastore.

Secila kohë – trekëndësh barabrinjës

i secilës faqe të piramindës.

Prandaj dhe unë jam avokat i Pandorës,i Pan-dorës.

Ajo grua ishte veç viktimë e bukurisë së vet.

“ Bukurisë që vret ”, nëse dhe për dëborën e lëkurës

së femrës, fjalën e ka poeti shkodran  Millosh Gjergj  Nikolla.

Dëshmitarë një për një në atë gjygj që gjithnjë shtyhet

nga mijëra vjet jeni ju,sentimente, ju, ju.

Kutinë e Zeusit të mbushur me plot stoli femrash

Pandora e pandehu.

Sigurisht,poliandria një tjetër gjë

e martesës e idhullit mëkat,

Sigurisht,poligjinia një tjetër gjë

e martesës e mëkatit idhull.

Sepse femra dy botë në kraharorin e saj mban.

Dy gjinjtë e saj- dy botët.

Qumështi i nënës a mos nga ajo botë vjen

për tek kjo botë ?

 

 

Shpjegime fjalësh:

 

-C’est la vie –kështu e ka jeta

-Poliandri-formë martese (një grua në të njetën kohë me dy ose më shumë bashkëshortë)

-Poligjini-formë martese (një burrë në të njejtën kohë me dy ose më shumë bashkëshortë)

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s