Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

VETËM KUR PËRGJUMEN TRAVERSAT

Mund të thoni çfarëdo të doni këtu
Muret dhe drurët janë të shurdhtë
Kur dehen lumenjtë
Nga shtretërit dalin ëndrrat
Shkulën edhe lisat nga rrënjët

Kështu gjërat te ne duken ndryshe
Janë më të komplikuara
Por janë aq të thjeshta
Sa që në çdo hap befasohen lisat
Kur zgjohen nga letargjia e drunjtë

Nganjëherë tërësisht ndryshojnë
Itineraret e trenave
Valixhet udhëtojnë në mënyrë klandestine
Pa asnjë dokument udhëtimi
Mund të mbërrin deri në Polin e Veriut

Vetëm kur përgjumen traversat
Trenat nuk udhëtojnë askund
Ndalet edhe ora e stacionit
Për një kohë të papërcaktuar
Ndalet edhe frymëmarrja e qytetit.

 

NJË VJESHTË E LODHUR

Kaloj pranë portave të mbyllura
Ku përherë trokasin të tjerët
Shtrij duart në drejtim të pemëve
I takoj të shqetësuara zogjtë e fëmijërisë

Nga një baladë e vjetër përherë dëgjohen
Disa zëra të shurdhëta te kajsishtat
Portat e mbyllura nuk hapen
Asnjëherë nga brenda e as nga jashtë

Një vjeshtë e gjatë dhe e lodhur
I mbanë në dorë disa rruzare
Dhe mes mureve të lagështa të ëndrrës
Tinës vallëzon me disa tablotë surrealiste

Kur është koha e ndryshimit të stinëve
Gjethet nuk e kanë ngjyrën e vjeshtës
Ngjajnë me lëkurën time të zeshktë
Ngjajnë hijeve nëpër zgërbonja drurësh.

 

KËSHTU ËSHTË MËSUAR KY KALË
PREJ BORE

Domosdo sërish më duhet të shkruaj
Për kalin tim të kuq prej bore
Ai pjalmon flokëza të kristalta
Kur turfullon era maleve

Kali im me shpirtin e një fluture
Një ditë ngjan me kallkanët e çative
Kurse ditën tjetër me zërin e erës
Që s’i ngjanë më asnjë stine

Në fillim të pranverës kur gufon lumi
Mbi shpatullat prej dheu
E mbanë peshën e tërë gjelbërimit
Kurse në verë galdohet me kaltërsinë

Kështu është mësuar ky kalë prej bore
Hingëllon si era kur vjen stina
Po ashtu edhe kur ajo fshehurazi ikën
Me net të tëra nuk i ndalë hingëllimat.

 

KURSE TJETËR NESËR

Kalon nëpër një rrugë të lënë
E cila askund nuk ka dalje
Por ti sërish nuk ndalesh
Ecjen e mësove nga milingonat

Një ditë je vetvetja e jote
Kurse tjetër nesër
Dikush i huaji banon në kujtesën tënde
Po kush je ti o njeri i uruar

Nga na erdhe në këtë tokë
Mos je fëmijë i ndonjë jashtëtokësori
Që kaq guximshëm troket
Në dyert e mbyllura nga jashtë

Me orë të tëra shikimet nuk të zbresin
Nga ajo pemë e cila çelë lule të bardha
Vetëm në dimrin e acartë
Këtu çelin edhe kallkanët
Nën çatitë e rrënuara

Por ty kurrë nuk të bëhet vonë
Nuk të pengon as një stinë
Në verë e posedon qeshjen e luadheve
Kurse në dimër
Ngjanë me stalagmitet e ngrira.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s