Poezi nga Vaso Papaj
Pa kushte
Në një klimë ku bëhet gjithçka
Për të ndaluar çdo gjë,
Më mbetet
T’i dorëzohem pa kushte dashurisë.
Më mirë
Shpirtin dhe jetën s’do të mund ta stolis.
Po të doni, quamëni dhe Don Kishot,
Madje dhe të dashurën ma quani Dylqinë.
Se vetëm ajo m’i jep oksigjen zemrës,
Ma ushqen mushkërinë.
Ndaj, në këtë klimë
Do të refuzoj të vdes,
Gjersa dashurisë
T’ia gdhend emrin në kujtesë.
Bio të jem?…
Vallë, bio gjer tani të kem jetuar?…
Për mua do ishte mrekullia vetë.
Me këtë vështrim të përmalluar,
Mos i fatlumur arrita gjer këtu, vërtet?
Ndonëse vite plot supeve mbështes,
S’më paska humbur jo, të parët larg.
Me kërshëri të ardhmes i shoh një shpresë,
Të shkuarës – dhimbje të pafund, në varg.
Dhe pyes veten: bio të jem, vallë?
Po ç’analizë të bëj?! Më rezulton poet.
S’guxoi kurrë një shtysë boshe të më kallë.
E vetmja shtysë më qe dashuria e vërtetë.
Ndaj rri e rri e të përkëdhel nga pak.
Nga drithërimat kurrë s’më iket.
Se në kam qenë tërë jetën bio, nga oxhak,
E ndezur dashuria rri e kurrë nuk fiket.
Dhe ajo m’i la përherë duart e lira,
Por edhe mëndjen gjithashtu të lirë.
E nëse mbetesh bio ditëve të vështira,
Do të thotë të bëhesh përherë e më i mirë.
Jemi…
Ti e di.
Kemi bashkë një histori të tërë.
Histori që e duam si thesar
Të gjendur brenda nesh
Që ditën e betimit në altar.
E di,
Yjet atje lart i ke ndezur vetëm ti,
Për të ndjerë në çdo kohë,
Që s’mund të më humbje
Në pafundësi.
Jemi unë dhe ti,
Pjesë e një trupi të vetëm,
Me shpirtin larg mërgimit
Ndoshta për t’i thënë diçka nga dashuria jonë
E patreguar,
Njerëzimit
Jemi vërtet shpirtra,
Jemi vërtet ëndrra të Zotit,
Mes gëzimit dhe lotit.
Në këtë lojë magjike të qenësisë sonë,
Ne lindëm dhe jetuam, për të takuar,
Edhe Zotin një ditë,
Kështu të dashuruar.
Jemi vërtet heronj të çmendur
Në ëndrrën më të pabesueshme endur.
Dhe e di,
Do të zgjohemi një ditë
Dhe do ta kemi mësuar
Realitetin fjalëmekur.
Se jemi vërtet shpirtra,
Jemi vërtet ëndrra të Zotit,
Mes gëzimit dhe lotit.
Për të jetuar, për t’u qafuar, për të kuptuar:
Pse lindëm, pse jetojmë!…
Të gjejmë dhe Zotin një ditë.
Dashuri për të gjithë t’i kërkojmë.
Ndaj ne prapë jemi.
Vazhdojmë të udhëtojmë mes errësirës.
Vazhdojmë të dashurojmë
Mes së keqes e së mirës
Që të rikthehet e mira mes nesh
E ndjej
Sot dhe nesër Zotin do ta ndesh.
Ështe dielli që kam brenda meje.
Është shkëndija atje lart,
Që ka marrë zjarr vetëm prej teje.
Ndaj jemi…
Titina
Të pashë, Titinë në dhè të huaj,
Në trotuar shpejtonim.
E s’na u duk se qemë harruar,
Aq sa të mos ndalonim.
S’ ishe Titina, si më parë.
Sa shumë kishe ndryshuar!
Nga dita kur një djalë i mbarë,
Dorën ta kish kërkuar.
Atëher’ na kishte zënë qymyri,
Një tramundanë na ndau.
Qymyri ynë ishte si pluhuri,
Në fusha e dete shkau.
Kur ike, dorën si zhapi,
Nga ty mora kujtim.
Të shkretën time biografi,
Ta kishin dhënë me shkrim.
Nga ty Titinë, pak kishte mbetur,
Një dritë në fund të syve.
Të kuqet faqe ishin tretur,
Ç’ habi na zu të dyve.
Ajo pak dritë në trotuar
Ish gati të më gozhdonte.
Ti me fëmijë, unë me fëmijë,
Kjo gjë tashmë nuk shkonte.