Lëre Hankonë të qajë o Petrit Ruka (Përsiatje mbi baladën “Hanko mos qaj nëpër varre” të Petrit Rukës) / Nga: Timo Mërkuri

Lëre Hankonë të qajë o Petrit Ruka

Përsiatje mbi baladën “Hanko mos qaj nëpër varre” të Petrit Rukës

 

Nga: Timo Mërkuri

  • ….Hanko mos qaj nëpër varre….

Edhe unë kështu do t’i thoshja,  more Petrit Ruka, po ta dëgjoja duke qarë nëpër varret e Kamenicës. Domosdo që kështu do t’i thoshja, madje edhe më tejë, do i jipja një shami të fshinte lotët e do t’i lutesha që të dilte nga varreza, se nuk ishte e diela e të vdekurve ajo ditë dhe kësisoj, nuk bënte t’u prishte qetësinë të shumtëve. Domosdo që kështu do t’i thoshja, po pasi të përmëndesha nga të fikëtit që do më kish rrënë me domosdo qysh në fillim të vajit. Ose do zija kokën me duar e do nisja vajin bashkë me të. Se kjo ishte gjëmë mbi gjëmë, nga ato që  qahen  me bot. Ja, mendoje vetë njëherë. Vjen vajza në derë të të babait dhe s’gjën as baba  dhe as derë, madje s’gjen as prag të derës..  Kërkon babën, mëmën e motrën dhe s’u gjen as hijet nëpër shtëpi, se për vëllanë i thanë që u vra, ndaj u nis që me natë nga Zhulati. Nëpër fshat s’ka kë të pyesë se s’sheh njeri, as nëpër rrugë e as nëpër dritare. Po ç’është kjo ëndër e keqe që po sheh syzgjuar? Vjen vajza në shtëpi dhe nuk gjen  as prindërit, as vëllanë e motrën, po nuk gjën as Kamenicën. Se Kamenica ishte Kamenicë me halle, kasaba e shkuar kasabasë. Shtëpitë me dy- tri kate, me portikët e mermertë ku qene gdhëndur stema e zhgabonja e me dritare të mëdha, ku vajzat, fshehur pas saksive, hidhnin e prisnin isharete të trëndafilta me djemtë që kinse shkonin rrugës. Plakat po nëpër pragje  tirnin  orët e ditës e thurnin fijet e fatit. Rrugët e kalldrëmta ku kërcisnin dhe ëndrat, pa le më patkonjtë e kuajve.

Vrapon për në varreza të takojë të vdekurit, por lemeri mbi lemeri. Kisha pa këmbanë e varret pa kryq, varret e vjetra të hapura dhe varret e reja të pambuluara. Ku është tretur

gjyshja e ku ta qajë vëllanë…oi,ooi.

2-Kamenica, qytet me legjendë themelimi Telemakun ( i biri i Akilit) i kthyer nga Troja që rrezatoi një kulturë e qytetërim në trevat përreth, me mbi 600 familje të ndara  në katër lagje (viti 1583), me 12 kisha që dëshmojnë një kristianizëm të hershëm. Në vitin 1650 në Labëri filloi myslimanizimi. Kamenica refuzoi dhe pas disa betejave të pasuksesëshme me turqit, u muar vendimi popullor për braktisjen e vendit duke shkuar gjithë banorët në drejtim të Italisë.

3- Në librin “Autobiografia e popullit në vargje” (fq 101) Ismail Kadare i bën këtë koment këngës së Hankos:

Megjithëse për përshkrimin trupor të bukurisë femërore poeti anonim ka të gjitha mjetet, ai rrallë përdor laboratorin e vet, duke parapëlqyer rrugën e tërthortë. Përshkrimi i bukurisë së Helenës së Trojës është quajtur një nga gjetjet gjeniale të Homerit… Ja tani bukuria e një vajze me emrin Hanko:

Hanko mos shko nëpër varre

Se të vdekurit i ngjalle

Të gjallët i vdiqe fare

Është po ajo gjetje e Homerit veçse ajo shkon më larg. Nuk janë pleqtë e lajthitur nga jeta që mahniten prej gruas, por shumë më tej, janë ata që kanë pushuar së jetuari fare…

Mendoj se këtu ka një keqkuptim nga Ismail Kadare dhe ky keqkuptim citohet nga Petrit Ruka qysh në fillim kur shkruan… Prej gati pesë shekujsh vazhdon keqkuptimi i madh se balada rrëqethëse “Hanko mos shko nëpër varre” është një romancë dashurie. ….do të mjaftonte veç vargu i parë i këngës origjinale (i harruar a i humbur) për ta përmbysur kokë e këmbë keqkuptimin fatal për një nga kryeveprat e folklorit shqiptar…

Teksti real i mbritur te ne nga kjo këngë është regjistruar në Zhulat-Gjirokastër në 1979  dhe përfshirë te  Këngë popullore nga rrethina e Kardhiqit dhe e Rrëzomës fq 482 është: 

Hanko mos shko nëpër varre

Hanko pelivaneja

Se të vdekurit i ngjalle

Të gjallët i vdiqe fare

Mes’holl e vathë manxhare

Hanko mos shko nëpër gurrë

Se s’më del na mëntë kurrë

Qafëgjat leshëra drudhë

Kur del te porta në udhë

Vete në çezm e mbushë ujë

Pse s’na flet o mori ftujë .

E parë në këtë konteks, kënga duket si një këngë lirike, ndonëse besoj se varianti që ka komentuar Ismail Kadareja në esen e tij brilante është marrë nga një antologji e këngëve popullore botuar në vitet ‘60.

Por duke e parë me vëmëndje tekstin e mësipërm konstaton se  vargu…Hanko mos shko nëpër gurrë … e vijuesat, janë vargje kënge të shtuar pas vargjeve vaji të mëparëshme,  ku Hankua shkonte nëpër varre. Kjo dallohet pikërisht nga ambienti ku lëviz personazhi i këngës lirike, lëvizje e cila   nuk shkon asnjëherë nga varrezat te gurrët. Pra kemi dy këngë të bashkuara, ose më saktë një vajtim dhe një këngë lirike. Kjo ska pse të na habisë pasi në Vlorë në vitin 1959 është regjistruar një tjetër këngë lirike e cila mbyllet me vargjet e famëshme të Hankos  dhe që thotë: Krevati me boje arre,/Bajame,/prane penxheres e maje; /perkundrejt keshe ca male,/ maje vesh cules diare,/un’ i bjerje, tine qaje./Hanko, mos shko neper varre,/moj mushk’ e kuqe xanxare,/se te dekurit i ngjalle,/te gjallet i diqe fare!

 

Petrit Ruka

4-  Varianti që këndon populli fillon me vargjet : Ç’kërkon ti në Kamenicë,/Hanko korb’ e Hanko qyqe,/Hanko pelivaneja duke e përjashtuar kategorikisht idenë e një këngë lirike. Kjo duket qysh te cilësimi korb’ dhe qyqe  që i bëhet Hankos te vargu i dytë, i cili luan edhe rolin e një refreni te kënga. Ndërsa vargu Hanko pelivaneja ka kuptimin pozitiv e shkathët, pra një grua e shkathët. Pikërisht mungesa e vargjeve… : Ç’kërkon ti në Kamenicë,/Hanko korb’ e Hanko qyqe,/Hanko pelivaneja….ka ndryshuar komplet natyrën e këngës dhe duke qënë se kënga dhe vaji janë shumë pranë njera tjetrës, lehtësisht një vajtim është shndruar në këngë, duke i hequr një varg dhe një refren.

Jemi dakort me studiuesin Fitim Çaushi se :  emri Hanko në këtë këngë nuk është emër personi, por titull i hierarkisë shoqërore, me të cilin emërtoheshin vajzat dhe gratë e shtresave të pasura.(F.Çaushi, Bukuria  e një ligjërimi artistik. Zemrashqiptare 23.02.2012).   Por nuk jemi dakort me të kur thotë se ky është vajtimi i një shoqëruese të Hankos në Kamenicë. Ky krijim është  krijim popullor që ka për bazë kolektivitetin dhe anonimatin dhe nuk mund të identifikohet me një person, si shoqëruesja e Hankos.

5-  Në qoftë se do ëndërojmë për ndonjë subjekt, ai përafërsisht ka këtë rrjedhë: Me qëllim që të mos pranonin kushtet e  pushtuesit turk për ndërimin e fesë, banorët e Kamenicës braktisin qytezën  befasisht natën, duke marë me vete gjithë ç’mund të mirnin, veshje , ushqime, stema e armë, ikona e këmbana të kishës, kryqe të varreve dhe gurrët e pragjeve. Ikën me anie dhe në Itali krijuan fshatin e ri Kamenicë, ku u riorganiizuan përafërsisht sipas lagjeve që kishin. Por ndërkohë në Kamenicë vjen një vajzë vendi e martuar në Zhulat, e cila pasi pa qytezën të braktisur shkon në varreza ku vajton mbi varre të vrarët e luftës së fundit, ku mund të ketë qënë dhe një vëlla i saj apo i jati. Si rëndom nëpër vareza fillon vajtimin për të afërmin e saj dhe është normale që të vijojë vajtimin për Kamenicën e vdekur.

Asnjëherë populli ynë nuk ka haruar që në vajtimet e tij të shprehte dhimbjen për fatet e fshatit dhe të atdheut, krahas dhimbjes për rrënien e bijve të tij në luftë. Një grua pilurjote vajtonte dy djemtë e saj të vrarë në luftë në 1750 me vargjet e vajit: Ç’dreq e pru këtu sulltanë/Erdhi na dogji vatanë/E na vrau djemtë tanë…Ose një këngë e luftës së 1920 fillon me vargjet klithmë;O djem se iku vatani/Na e mori breshkamani. Më kujtohet një këngë-vaj e  kohës së luftës së dytë botërore për Vunoin që thotë: U prishe Vuno u prishe/Të vjen gjylia prej Vishe/…/Shtëpitë me dy tri kate/S’jan’ ahure, jan’ pallate.

Ishte normale që Hanko të vajtonte të afërmit e saj bashkë me Kamenicën. Por ligjërimet e saj duhet të kënë qenë mjaftë të ndjera  qoftë si tekste qoftë dhe si  ligjërim.  Me siguri që vajtimet e saj duhet të kenë qënë n ga ato vajtime, në dëgjimin e të cilave shumë burrave u bie të fikët nga tronditja. Kaqë shumë tronditje duhet të kenë prodhuar sa që njerëzve u dukej se lëviznin dhe të vdekurit në varre, “ngjalleshin” nga tronditja sepse nga vajtimi “mësonin” fatkeqësinë që e kishte gjetur Kamenicën pas vdekjes së tyre..  Por sigurisht që ajo ka qënë një vajtore e famëshme, pasi vajtimi i saj tërhiqte vëmëndjen e banorëve të fshatrave përeth të cilët gjenin te vaji i saj shprehjen e dhimbjes së tyre. Ata skishin sy të shihnin sa e bukur ishte kjo Hanko, ata kishin veshë e shpirt të dëgjonin dhe të vajtonin bashkë ligjërimet e saj.

6- Kështu, të tronditur nga dhimbja ata afroheshin në varreza dhe I luteshin Hankos që të mos vajtonte më “në atë mënyrë” se “i vdiste fare” ata që e dëgjonin. Madje, duke I treguar edhe ndonjë varr ku kishte lëvizur dheu (për arsye sizmike) I thoshnin se dhe të vdekurit “i ngjallte me vajtimet e saj”.  Unë e di që shumë lexues nuk do ta kuptojnë këtë që shkruaj, por unë dhe Petrit Ruka që jemi nga trevat e vajtimit me ligje, kemi qënë dëshmitarë nëpër morte ku të pranishmit u drejtoheshin vajtoreve melutjen…Pushoni moj se na vdiqët me këto vaje….ose….mjaftë më me vaje, lereni të tretet i ziu djalë se e ngritët nga varri…

Është kjo psikologjia që ka krijuar vargjet famoze  që ndrijnë nga lotët ( jo nga diamantët) Hanko mos shko nëpër varre/se të vdekurit i ngjalle/të gjallët i vdiqe fare.

Këto vargje vaji i shkojnë shumë bukur një kënge lirike, mjafton të heqësh vargun e parë dhe refrenin.

7- Mua më vjen mirë që edhe Ismail Kadareja, ky mjeshtër i madh i penës dhe njohës i folklorit “u ngatërua” te kjo këngë. Nuk është mosparje e I. Kadaresë, është shkëlqim verbues i krijimit popullor dhe finesë e tij, që në një varg fsheh një botë të tërë. Jam i bindur se Ismail Kadareja  po të kishte në dorë tekstin e plotë, përsëri do kishte krijuar një kryvepër për këtë vajtim, siç e shkruajti për këngën.

8- Eh more Petrit Ruka, mirë i thua Hanko mos qaj nëpër varre, prapë mirë që ja thua me të qarrë, po pse mundohesh ta fshehësh vajin more djalë.. Apo mendon se s’të kuptojmë ne? Po pse more, duke fshirë lotët me mëngët e xhaketës, mendon se do fshehësh vajin dhe gulçet e shpirtit? Ka bir nëne që nuk ngashërehet me vargjet… Hanko mos qaj nëpër varre/Se të vdekurit i ngjalle,/Mos i nxirr nga nata!/Hanko mos shko nëpër varre,/Mos i laj me lot,/Të gjallët i vdiqe fare/Ikën nga kjo botë. Hanko t’u thinjën balluket/që kullojnë ar,/Të vjen vjeshta, të merr supet/s’kemi më behar./Hanko mos qaj më me ligje, /Ngjethe gurë e drurë,/Ngrinë sorkadhet, qajnë në shtigje/Era u bë mur.

Të qe ndonjë tjetër edhe mund ta toleroja. Por nuk mund të të toleroj ty o tepelenasi Petrit Ruka, sepse ti ashtu si dhe unë je nga trevat që vajtojnë me ligje dhe e di mirë se çfarë është vajtimi.

Vajtimi nuk është një të qarë me ë e ëëë.

Vajtimi është duf i shpirtit që po s’doli me ligje, plas zemra e njeriut. Dhe njeriu që vete zemër plasur në atë botë, ti e di që nuk tretet kollaj.

Vajtimi është kujtesë për mos të përsëritur gabimet e të ikurve.

Vajtimi është kujtimi i të mirëve të kësaj bote.

Ligjërimi i tij është si qiriri që ndizet në kishë, me qëllim  që  zoti të na shohë e të na njohë kush jemi ne që i lutemi e të  na pranojë lutjen.

Vajtimi është dokument i shkruar në kujtesën e popullit  për të mirët e zemrës dhe të vatanit. Po u shkrua dhe vulos nuk griset dhe as digjet ky dokument.

Vajtimi është mosha e djalit dhe e vajzës kur njohin veten dhe nisin e njohin dhe jetën.

Vajtimi është malli i zemrës, fytyra e qeshur e nënës dhe fjala serioze e babait.

Vajtimi është dashuria që ke rritur në zemër dhe mbjell në jetë.

Lere o Petrit Ruka Hankon të qajë me ligje se kemi nevojë dhe ne të qajmë bashkë me të.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s