Kalendari poetik: Heinrich Heine (1797-1856)
Poeti i shquar gjerman Hajnrih Hajne u lind 222 vite më parë, si sot, më 13 dhjetor 1797 në Düsseldorf. Ishte një nga përfaqësuesit e periudhës së ndërmjetme mes romantizmit dhe realizmit. Rridhte nga një familje bankierësh dhe tregtarësh çifutë. Hajne nuk mundi të ndiqte të njëjtë rrugë si të parët e tij. E ardhmja e tij qe poezia, jo bankat. Në vitin 1825 braktisi fenë çifute dhe u konvertua në fenë e krishterë protestane luterane. Ndrroi edhe emrin nga Harry në emrin gjerman Heinrich. Po atë vit mbaroi studimet për drejtësi. Udhëtoi në Angli dhe më pas në Itali, në Lucca dhe rrethinat. Pas vitit 1832 shkoi në Francë, ku takohej shpesh me mërgimtarët gjermanë si Ferdinand Lassalle, Richard Wagner ose me francezë të shquar si Balzak, Hygo, dë Myse dhe Zhorzh Sand. Atje dhe u martua. Vdiq në shkurt të vitit 1856 dhe u varros në Paris, në Montmartre. Fjalët e tij të fundit qenë në frëngjisht: “Zoti do të më falë. Është profesioni i tij.”
Sot përzgjodha këtë shqipërim nga ç’kam prej poetit gjerman:
MBI FLATRA KËNGËSH
(Auf Flügeln des Gesanges)
Mbi flatra këngësh, diku larg,
E dashur, dua të të çoj,
Ku rrjedh i qetë lumi Gang,
Në vendin më t’bukur që njoh;
Lulet ndër kopshtije qeshin
Nën dritën e hënës shndrisin,
Me gjithë lotusin të presin,
Sikur motrën e vet të prisnin.
Çoç çuçurijn’ manushaqet
Dhe kryet nga yjet ngrejnë,
Ja dhe trëndafili qaset
Për shtojzovallet rrëfejnë.
Papritmas të gjitha heshtin
Shohin shkon gazel’e shpejtë,
Mendueshëm i venë veshin
Rrjedhës së lumit të shenjtë.
Pastaj ulemi të rrimë
Nën palmat për të pushuar,
Lumturisht dashuri të pimë
Ëndërr ëndrre të bekuar.
© shqipëroi Maksim Rakipaj